Dritan Skenderi

Dritan Skenderi: Nostalgji frymëzuese Ramazani…

Në çastet e fundme fare, gjithsecili ia nisnim një bisede, një teme koti, vetëm sa për tua tërhequr vëmendjen të tjerëve, në ndërkohë që shikimin me bisht të syrit e mbanim të përqëndruar andej, ashtu që të ishim i pari…, dhe ja, ato momente po më shfaqen të freskëta sikur i përjetoj tani, sikur ndodhin pikërisht tani, me tërë atë gjallëri, ngazëllim, gëzim e lumturi, një kolorit ndjenjash të papërshkrueshme për përjetimet e një shpirti të çiltër prej fëmije: U kallëëën! Kandilaaat! U ndezëëën! – ushtonte lagja nga britmat e ndryshme dhe nga vrapi i ne fëmijëve të lagjes, si 100 metërshi i lojrave olimpike, se kush i pari edhe do të mbërrijë në shtëpi… Kështu ishte dita e parë, por edhe e fundit, e vaktit të iftarit gjatë Ramazanit për ne fëmijët. Dhe kjo kështu ka vazhduar edhe nga fëmijët e tjerë që vinin pas nesh deri vonë para 15-20 vitesh. Mblidheshim të gjithë në një pozicion nga ku shiheshin qartë minaret dhe sherifet e tyre, ashtu që kur të ndizeshin dritat-kandilat e sherifeve për tu dhënë ezani i akshamit, që njëkohësisht ishte edhe ezani i iftarit, ne garonim se kush i pari do ti shohë, kush i pari ose kush më shumë do të bërtasë, si dhe kush i pari do të mbërrijë në shtëpi për të çelur iftar, e pastaj edhe kush i pari do të dilte në teravi – në teravinë e fëmijëve të lagjes.

Kjo teravi ishte specifike, ishte për ne fëmijët, dmth teravia jonë… Menjëherë pas iftari dilnim jashta dhe fillonte turi i parë i thirrjes në teravi, nga shtëpia më e afërt, nji nga nji duke thirrur te dera: teravi teravi, o filan, a do dalësh n’teravi apo derën do ta thyej, filaan…!, dhe pasonte trokitja dhe ropatja në derë deri sa të dilte ai që e thirrnim. Por kjo nuk përfundonte me kaq, kur afrohej koha e namazit të teravisë, atëherë krejt fëmijët bashk shkonim dhe vepronim njejtë, derë më derë, duke e thirrur të zotin e shtëpisë për tia kujtuar të shkojë ta falë teravinë, dhe kësaj here sa nuk i thyenim dyert e shtëpive. Ndonjëherë i ngjitnim zilet me ngjitëse ashtu që të mos kishte mundësi të mos dalë jashta i zoti i shtëpisë, nëse me të thirrur apo me të trokitur në derë vetëm dilte në dritare a ballkon për të na përzënë… Megjithate nuk na qortonin vrazhdë, edhe pse mund të bënim ndonjë dëm më të madh se sa jashta Ramazanit, tani edhe dëmi e zhurma kishin një trajtim ndryshe, një ëmbëlsi e beriqet Ramazani… Kur ktheheshin burrat nga xhamia, ne fëmijet e familjes, diku 10-15, dilnim në rrugën kryesore dhe prisnim derisa të ndriçojë llampa e dorës, dhe “urraaa… Haxhi babaa…”, vraponim të gjithë pas gjyshit, rahmet pastë, i cili edhe

zakonisht ishte njeri pedant dhe elagant, por për Ramazan shkëlqente i tëri, fesi i kuq në kokë me shiritin ngjyrë ari dallohej mbi kokat e xhematit, mbante veshur kostum me jelek dhe sahat me qystek, bastunin në njërën dorë ndërsa në tjetrën llampën e dorës… I mblidheshim të gjithë përreth dhe për të gjithë ne, për çdo natë madje, kishte nga një sheqerkë a çokollatë që na jepte pasi na përkedhelte kokat të gjithëve një nga një. Të gjithë pleqtë, haxhinjtë e tjerë ia kishin lakminë dhe i gëzoheshin nderit dhe dashurisë sonë që kishim ndaj tij, e përjetonin edhe ata…

Dhe po, edhe ne çelnim iftar sepse edhe ne agjëronim që të gjithë, pavarësisht se, fjala vjen, unë me Arlindin – djalin e mixhës, ishim më të vegjlit, vetëm 5-6 vjeç, sidomos agjëronim ditën e parë, të mesme dhe të fundit. Nuk di, nuk mund ta them me siguri nëse ishim vet ne fëmijët meritor për këtë apo nënat tona, të cilat e kishin si rregull të pathyer, të na zgjonin në syfyr të gjithëve dhe poashtu që të gjithë pastaj të uleshim në sofrën e iftarit, pavarësisht nëse kishim agjëruar të gjithë ose jo. Nuk mund të imagjonohej syfyri dhe harmonia familjare, s’përjetohej dot atmosfera e Ramazanit, as në familje as në shoqëri, nëse njëri prej fëmijëve të lagjes biles nuk ishte zgjuar në syfyr ndonjë ditë, nuk e kishte përjetuar kënaqësinë dhe beriqetin e syfyrit, bashkë me argëtimet gjatë bisedave të pakuptushme tek flsinim “jerm” – në gjumë, ose edhe ndonjë veprim a kërkesë të tipit – merrte ndonjëri gotat çajit dhe në vend që ti dërgojë në lavabo i hidhte në korpë plehu, ai tjetri kërkonte lugët tu hypë për të shkuar te dajët, etj.. Po të ndodhte që për një arsye ose për një tjetër, ndonjëri nga fëmijët të mos zgjohej në syfyr (qoft se nuk e ka zgjuar nëna, qoft se nuk i ka dalë gjumi), bëhej hataja, vetëtimat e dëshpërimit në gjokset tona s’kishin të ndalur, pavarësisht se, për ndëshkim ndaj prindërve, ne e agjëronim atë ditë të plotë edhe pa syfyr, ashtu që edhe tua tërhiqnim vërejtjen prindërve por edhe të ndjenim njëfarë satisfaksioni hakmarrës a kompensues për padrejtësinë që kishim pësuar. Prandaj s’po e ndaj dot, ishte vetëm merita e prindërve, respektivisht nënave apo edhe meritë e shpirtit tonë të çiltër fëmijëror që frymonte ramazanshëm…

Gjithësesi se Ramazanit i paraprinte parapërgatitja për mirpritje – pastrimi i shtëpisë brenda dhe jashta, i oborrit, blerja e harxhit bazë njëmujor enkas për Ramazan; krijohej atmosferë festive familjare brenda në shtëpi, në familjen më të gjërë por edhe në mbarë lagjen tonë… Nëna na mësonte për rëndësinë dhe vlerën e pritjes së Ramazanit,

parapërgatitjet që bënim për ta pritur sa më gëzueshëm e sa më hareshëm, ashtu që kur të na hynte nga dera, siç na thoshte ajo, Ramazani të jetë plot shen, i gëzuar e i buzëqeshur të na shikojë në fytyrë të gjithëve duke na thënë se është i lumtur e i kënaqur që do të jetë mysafir në konakun tonë, dhe se do ti tregonte Zotit se do të ketë kaluar shumë mirë te ne dhe se do ta kemi pritur mirë, e pastaj edhe Atij do ti bëhej qejfi e do të gëzohej me ne… Këto momente i përjetonim të gjithë ne, magjepseshim dhe përhumbeshim në kënaqësinë dhe flakërimet e bukurisë dhe të dashurisë së Zotit ndaj nesh, vetëm kur e imagjinonim që Ai të na shikojë neve, i kënaqur dhe i gëzuar me ne…, o Zot çfarë përjetimi!…, ndërsa unë si më i vogli dhe pak si më i lazdruari në shtëpi, kur na thoshte nëna se mjafton vetëm për një çast ti mbyllnim sytë e ta mendonim, ta përjetonim razinë e Zotit, unë nxitoja ti mbyll i pari dhe i hapja i fundit. Sepse i lutesha “shpejt e shpejt” Zotit që mua t’më shikojë pak ma gjatë dhe me pak ma shumë dashuri, sepse isha sugari, më i vogli pra…

Nuk mund të imagjonohej që të kishte ndonjë familje e cila nuk e pastronte shtëpinë për Ramazan, aq më tepër kur në atë muaj vinin mysafir edhe Melaqet, në ndërkohë që ato ishin krijesa të pastra dhe të çiltra e nuk hyjnin në vende të pa pastruara, pra, nuk bëhej fjalë për të qenurit e shtëpisë e pastër, por të pastrohej enkas për Ramazan. Mazallah të kthejnë Melaqet të dëshpëruara e të pakënaqura nga ne – thoshte nëna më trishtim e frikë – mos Zot mos e bëj! Kur pastronim shtëpinë, nuk guxonte ndonjëri të mos punojë, sepse nuk do tia ndjente as kimetin as lezetin beriqetit të Ramazanit, se Ramazani kur vinte e nuhaste erën e djersës së punës sonë, që tek ai ishte aromë e këndëshme, se u bënte tjetër, u tjetërsonte, dhe ai e dinte pastaj se kush është gëzuar për ardhjen e tij e kush jo – kështu na mësonte nëna. Kur e pyesnim nënën se a bash patjetër të na detyrojë të punojmë të gjithëve, qoftë edhe punë të vockla e të parëndësishme, ajo na kthente se te Allahi nuk ka asnjë gjë të pavlerë e të parëndësishme, në Ramazan hiç ma hiç, të gjithë dua të fitoni sevape Ramazani, po edhe terbije. Ramazani është terbije, rend, edep, sajgi, krejtat – na thoshte nëna – ja, për Ramazan i matim fjalët ma shumë, nuk nervozohemi, nuk hidhrohemi, krejt këto janë terbije; flasim bukur, me të butë, me dashuri, buzëqeshim, këto janë edep; shtëpia e pastër, buka në kohë shtrohet e ngrihet, krejt në kohë buke janë pranë sofrës, demek kemi rend; e sajgia prej te pritja e Ramazanit edhe te sajgia ndaj ma të madhit, që duhet të jetë përher ama biles për Ramazan pak ma shumë ta kemi…

Ajo që nuk ka munguar nëpër sofrat tona kurrë ka qenë paça. Gjithçka mund të mungonte në sofër, paça jo. Era e saj kundërmonte edhe jashta, të kënaqte barkun… Pastaj ullinjtë gjithashtu, hurmat… Nuk është se kishim ndonjë ushqim luksi, jo, por nuk kishte mundësi të mos përgatitej gjithmonë diçka taze më taze, si i thonë, dhe të paktën dy-tri gjëra ekstra nga vaktet e zakonshme jashta Ramazanit. Por ishte shija, aroma, beriqeti ajo që e mbushte dhe e pasuronte sofrën e Ramazanit; se po ti hanim të njejtat ushqime jashta Ramazanit nuk i shijonim njejtë asnjëherë, ama ky muaj e kishte lezetin e vet, beriqetin e vet që s’ke si e sheh ndryshe vetëm se me përjetim, pastaj atmosferën festive dhe adhuruese, ngrënia e ushqimit në kohë sakt të caktuar dhe të gjithë anëtarët e familjes bashkë në sofër…, megjithëse neve na mungonte shpesh babi, rahmet pastë, sepse ai ishte në gurbet dhe shumë rrallë i ka rastisur të ketë pushim për Ramazan, respektivisht një pjesë të Ramazanit apo edhe për Bajram. E dini si e kompensonim mungesën e babit? Agjëronim për të kur e kuptonim se shkaku i punës nuk do të mund të agjërontë ndonjë ditë, vizitonim dikë që s’ka kush ta vizitojë ose kishte pak familjar, ashtu që ta ndjejmë e ta përjetojmë vetminë e babit në gurbet nga afër por edhe ai të na ndjejë neve afër kur ta kuptojë veprimin tonë në emër të tij, kështu na mësonte nëna. Për iftare nuk lenim familje pa shkuar që të bëjmë iftar tek ata e pa i ftuar edhe ata te ne për iftar, asnjëherë nuk mungonin shkuarje-ardhjet ndërmjet mixhallarëve, dajallarëve, hallës e tezes. Te mixhallarët ndonjëherë shkonim ose i ftonim edhe për në syfyr, meqë ishim afër, në një lagje. Kur vinte puna për të ftuar familjarë apo akraba të cilët qëndronin ligësht sa i përket aspektit finaciar, para u shkonim ne pa treguar, por ushqimin e pergatiste nëna paraprakisht për të dy familjet, u bënim befasi. Kështu edhe për ti ftuar do ti ftonim më lehtë dhe nuk do të ngushtoheshin të na vijnë, pasi veçmë ne kishim qenë mysafir tek ata.

Leximi i Kuranit, ziqri/tesbihet, namazet, leximi i librave fetar nuk mungonte asnjë ditë, e sidomos netëve të xhumaja, a posaçërisht netëve të Kadrit. Nuk mbaj mend ndonjëherë të na ketë ikur ndonjë Natë Kadri pa e kaluar në ibadet, deri në lindjen e diellit madje. Sapo të ktheheshim nga xhamia, pasi e kishim falë teravinë, në shtëpi të gjithë lexonim libra fetar në hallkë, në kuptimin që ai i cili e lexonte librin që kishte marrur ia kalonte tjetrit, në ndërkohë merrte librin e tij, pasi i përfundonim ata libra, merrnim lexonim Kuran. Pastaj hiqnim tesbihet, krejt nga 100 herë, me istigfar, me falënderim/hamd, me qelimei tevhid

nga 1000 herë, etj.. Pastaj falnim namazin e natës së Kadrit pak para syfyrit, ndërsa deri në syfyr falnim namaze nafile. Pasi hanim syfyrin luteshim pa ndërprerë deri sa të thirrte ezani i sabahut, pastaj pasi e falnim namazin e sabahut përsëri vazhdonim me tesbihe e me ziqër deri në lindjen e diellit, tek pastaj kishim të drejtë të flejmë gjumë dhe vetëm atë ditë flenim deri në drekë, deri sa të thirrte ezani i drekës.

Kështu ishte Ramazani ndër ne deri para 15-20 vitesh, ndërsa këtë frymë e shpirtëri Ramazani si fëmijë e manifestonim dhe e përjetonim të paktën deri në moshën 14-15 vjeçare. Kështu e jetonin dhe e përjetonin Ramazanin edhe shumica dërmuese e popullatës, pavarësisht nëse agjëronin ose jo, sepse atëherë nuk kishte mundësi ta kuptoje nëse dikush nuk agjëron, kishte një respekt e një kulturë të dukshme fetare. Ndodhte që dikush të mos agjërojë, por nuk e shihje duke pirë apo duke ngrënë, përveç nesë tregonte vet dhe atë me një shkak e arsyetim të qëndrueshëm, ndërsa në xhami e shihje gjithësesi, sidomos në teravi. Ajo që dua të them është se edhe atëherë ka pasur nga ata të cilët nuk kanë agjëruar, por nuk u ka munguar respekti ndaj Ramazanit dhe ndaj agjëruesve, nuk ka pasur nga ata që nuk e kanë ndjerë dhe nuk e kanë manifetuar shpirtërinë dhe beriqetin e Ramazanit. Me një fjalë, nuk ka pasur shtëpi a familje pa kulturë Ramazani, rrjedhimisht edhe pa kulturë fetare…