Promovimi i librit “Balkanlar’da Tasavvuf” nga Metin Izeti‏

Mbrëmë në Shkup u promovua libri i fundit i profesorit të USHT-së, Metin Izeti, “Balkanlar’da Tasavvuf” (Tesavufi në Ballkan).

Në një ambient të veçantë dhe në prani të shumë dashamirëve të librit e të sufizmit, mbrëmë në Shkup u promovua libri i fundit i profesorit të USHT-së, Metin Izeti, “Balkanlar’da Tasavvuf” (Tesavufi në Ballkan). Ky libër është në fakt ribotim i kësaj vepre dhe shkëputje nga disertacioni i doktoratës të prof. Izetit. Në fillim kryetari i Qendrës Kulturore Turke “Junus Emre” Hajati Develi bëri hapjen e promovimit të librit “Balkanlar’da Tasavvuf” si dhe foli për aktivitetet e shumta që i ka bërë qendra të cilën ai e përfaqëson, më pastaj autori i librit Metin Izeti me dy-tre fjalë, foli për përmbajtjen teknike të librit , ndërsa duke qenë mysafir special i mbrëmjes, para të pranishmëve iu drejtua edhe Shejh Omer Tugrull Inançer nga Turqia, i cili duke marrë shkas nga libri, foli edhe për rëndësinë që ka studimi i tesavvufit islam. Ai u ndal hollësisht duke shpjeguar se përshpirtshmëria islame është ushqimi i vetëm që e mban gjallë qenien myslimane. Shejh Inançer u ndal edhe në rëndësinë që kanë pasur teqetë në Ballkan për kultivimin e këtyre vlerave shpirtërore dhe përcjelljen e tyre nga gjenerata në gjeneratë. Në këtë drejtim vuri theksin në kontributin që kanë dhënë teqetë në trojet shqiptare, që vazhduan të funksionojnë dhe të kontribuojnë për shoqërinë shqiptare edhe atëherë kur në Turqi ishte ndaluar veprimtaria e tyre. Që kjo mbrëmje të jetë edhe më e begatshme, në fund një grup nga Ministria e Turizmit të Republikës së Turqisë shfaqi një kolazh me këndime të tesavvufit, të përzgjedhura nga disa rajone të Ballkanit. Ky aktivitet u organizua nga Qendra Kulturore Turke “Junus Emre”, përfaqësia në Shkup.

Për albumin e fotografive klikoni këtu