Kujtimet janë shumë të çuditshme,është çudi në vete deri ku mund të arrijnë ato.Në hollësi më kujtohen detajet e fëmijërisë,kurse të tashmet shkrihen si borë e pranverës.Të gdhendura i kam kujtimet e ramazaneve të viteve të 80-ta.Me gjithë vapën që ishte,disi kishin një shpirtëri,gëzim,entuzijazëm.Përtej kësaj,kishte një entuzijazëm,një idealizëm,një shpresë që valonte në ajër…
Muret e trasha të xhamive të vjetra dhe rrezet e diellit që hynin nga dritaret,që dikur ishin bërë nga dora artistike e ustallarve të vjetër, t’jepnin një rehatllëk dhe fllad shpirtërorë.Pasi dilnim nga namazi i ikindisë,e kishim për qejfi të bënim një shëtitje përreth qytetit.Përshëndeteshim me njerëz,njiheshim pothuajse me të gjithë,por ishte edhe pjesë e edepit tonë,edhe nëse nuk e njihje dikend,jepnim selame njëri tjetrit.
Pazari/tregu i gjelbërt ishte vendi që duhej vizituar.Në hyrje,në të djathtë,ishte dyqani i Hamdi bozaxhiut ku ishte kajmakçini dhe boza që edhe sot kur më kujtohen më shkojnë jargët.Pastaj vazhdonim për të marrë gjërat që nënat na kishin porositur për iftarë.Mallrat nëpër tezga ishin për mrekulli të renditura.Përreth dhe mbrenda pazari kishte disa shitës “legjendë” që kishin humor me plot delikates.
Helem nejse…
Ashtu si afroheshte iftari,në mëhallat e Tetovës fillonte një aromë e këndshme të shpërndahet që annet tona me “marifetin” që e kishin,t’bënin që me padurim ta pritnim të vije koha e iftarit dhe të ulemi në sofrën e bukur qësikur t’kishte rra nga qielli!
Në ato vite,nëse nuk gaboj,viti 1985,puça Asllan e hapi një furrë buke me dru në Reçicë të Vogël.Ato bukë ishin shumë të shijshme.Ishte interesante se me plot sabër pritnim në rradhë dhe bënim muhabet me njerëzit që s’i njihnim,ishte një ritual pritjeje që aspak s’krijonte nervozë.
Me t’u afruar iftari mblidheshim te vendi ku më së miri shiheshte muezini i cili hipte në minare dhe e bënte një “devran” përreth sherifit minares.Xhamija e Sahatit ende nuk kishte zërim,por kandilat i kishte të bukura.Pasi i ndezte kandilat hafëz Ejup efendiu,që me aq përkushtim e bënte vazifen,fëmijët e mëhallës,me një zë përplot hare e të fortë i jepnin:”jandiler,jandiler”… dhe me vrapin më të madh,sikur të ishte garë atletike në sprint,vraponin nëpër shtëpitë.Muezinin e xhamisë tonë e donim shumë,por edhe ai na donte.Ne e thirnim Axha Mezin,ai ishte si pjesë e familjeve tona.
Pothuaj gjysmën e iftareve shkonim ose vinim në “grishje” te njëri tjetri.Mua,po besoj edhe tjerët,kjo më vinte në siklet,por sikur secili këtë e mbante si sekret në vete.Sot e kësaj dite,pak ndjejë një jorehati,sepse ramazani e ka ritualin dhe rutinën e pas iftarit.Megjithatë,gëzoheshim kur i thirrnim apo na thirrnin në iftare,shtoheshte muhabeti dhe dashnia.Edhe ky adet nga pak është në zbehje,si lulja e narcisit të bardhë që i mungon ujitja.
Mendoj se është koha kur duhet filluar me ujitjen e traditave të të parëve, që zambakët, narcisët, trëndafilat t’na lulzojnë përsëri dhe të krijojmë një “gjylistan” të ri…