Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Tetovarët e vjetër me lavd dhe pasion flitnin për Sulejman efendi Shehabin. Atë e konsideronin si një prej mazllumëve/viktimave të sistemit famëkeq komunist. “Hafiz Sulejmani ishte një hoxhë i pashëm, me një shtat të hajthëm dhe të lartë. E mbante veten me shumë sqimë e elegancë në veshje, shpesh herë në xhami dilte për faljen e namazeve edhe me galabi/fustan të gjatë”. Kështu e përshkruante gjyshi im Hafiz Sulejman Efendiun.
Hafiz Sulejman efendi Shehabi ka lindur në vitin 1894 në Tetovë. Mësimet e para ka marrë në medresetë e Tetovës, veçanërisht ka qenë i lidhur ngushtë me Beqir efendi Tojmën, njërin prej intelektualëve të njohur të Tetovës. Më pas ka vajtur për studime edhe në Stamboll. Pas kthimit prej Stambolli i ka vazhduar mësimet fetare në medresenë e Xhemil efendi Jusufit, prej ku edhe e ka mrrë ixhazetin/diplomën. Në ndërkohë ai është angazhuar si imam në xhaminë e Çarshisë së Epërme si dhe ka dhënë mësim në medresenë e kësaj xhamie, së bashku me Kamil efendi Rekën, ndërsa më vonë edhe me Bedaet efendi Jusufin. Hafiz Sulejman efendi Shehabi ka pasur afërsi dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me Shejh Mustafën e Tetovës, një shejh i njohur i teqesë nakshibendijje të Tetovës, i cili njëkohësisht ka qenë edhe njëri prej nënkryetarëve të Lidhjes së Prizrenit.
Realiteti fetar, politik e kombëtar, jo vetëm në Tetovë, por në të gjithë viset shqiptare e atyre viteve ka qenë lexuar përmes atdhedashurisë. Elitat fetare myslimane, që kishin mbijetuar luftërat e mbijetesës nga, Lidhja e Prizrenit, luftërat ballkanike, lufta e parë botërore, luftonin në një front për mbrojtjen e fesë si dhe të tokave shqiptare nga thonjtë e egër sllavë. Realiteti i luftërave për mbijetesë fetare dhe kombëtare me ushtritë serbo-bullgare, gjatë luftrave ballkanike, duhet të ketë mbetur i ndezur në vatrën familjare ku u rrit dhe u edukua Hafiz Sulejmani. Qysh si i ri ai ka qenë dëshmitarë i masakrave sllave mbi popullsinë shqiptare dhe ai me tërë forcën është përpjekur të përcjellë fatin tragjik që i pret popujt jetimë, pa shtet. Por jo vetëm Sulejman efendiu; në lagjen ku u rrit ai, në atë mëhallë mes bahçesh pafund e të lidhura me kapixhikë midis vetes, kishte edhe hoxhallarë të tjerë, e veçanërisht duhet përmendur Beqir efendi Tojmën dhe Shejh Mustafën. Këta hoxhallarë nuk i shkëputën fjalët fe e atdhe, dhe si rrjedhojë pa hezituar u vunë në krye të bashkëqytetarëve të vet në ballafaqim me armiqtë e fesë, gjegjësisht komunistët, si dhe armiqtë e atdheut, sllavët.
Sulejman efendi Shehabi ishte një nga figurat kyçe të elitës intelektuale islame, i cili në trajtë direkte është inkuadruar në rrjedhat politike për mirëqenie të popullatës myslimane. Koncepti i tij ishte mirëqenie shoqërore e bazuar në sigurinë fizike, edukim etik cilësor me një botë shpirtërore të pasur. Sulejman efendi Shehabi ishte i mendimit se udhëheqja e shoqërisë është dije shumë e çmueshme dhe e lartë, prandaj edhe gjithnjë mbrojti idenë, se udhëheqësit e drejtë trashëgojnë cilësitë e Zotit sepse mbajnë rendin dhe drejtësinë, që janë aq të domosdoshme për zhvillimin e një kombi e të një shteti. Për te, vetëm feja, pra vetëm individi i mbrojtur me ashkun e besimit fetar është në gjendje të ëndërrojë për të mirën dhe të jetë mburojë e drejtësisë.
Sulejman efendi Shehabi, për shkak të mendimeve të tij revolucionare, është përballur me probleme që nga themelimi i mbretërisë jugosllave. Problemet e tij kanë vazhduar edhe në periudhën e viteve 1942-43, kur Tetova është udhëhequr nga shqiptarët. Kjo periudhë e veprimit aktiv të Sulejman efendiut për mbrojtjen e popullsisë myslimane në rajonin e Tetovës, me qëllim që të nënvlerësohet personaliteti i tij është keqpërdorur në masë të madhe nga ana e komunistëve më vonë
Periudha më e vështirë për Sulejman efendiun fillon me pushtimin e Tetovës nga ana e komunistëve në vitin 1944. Ai, për t’u ikur torturave të komunistëve sllavë, është larguar në Prizren dhe aty katër vjet radhazi ka ligjëruar në medresenë e Xhamisë Bajrakli në Prizren. Shërbimi sekret maqedonas e ndjek atë edhe në Prizren dhe si rrjedhojë e presionit të tyre, Sulejman efendiu, detyrohet të largohet prej Prizreni. Në vitin 1947 vjen në Shkup, por pasi që ndiqej, pa qëndruar shumë niset për në Sarajevë. Në Sarajevë atë e marrin në mbrojtje disa familje autoritare, në mesin e tyre edhe Haxhi Mujaga Merhemiçi. Në vitin 1949 duke shëtitur nëpër Sarajevë, UDB-ja maqedonase e arreston me dhunë dhe e ka sjellë në Shkup. Në burgjet e Shkupit, Sulejman efendi Shehabi, është torturuar dhe keqtrajtuar tej mase, pa u nxjerrë fare në gjyq. Në vitin 1950, djalin e tij Hafiz Taxhedinin, e informojnë se babai i tij ka ndëruar jetë dhe se është varrosur nga ana e shërbimeve të burgut dhe nuk ia tregojnë as edhe vendndodhjen e varrit të tij.
Fatkeqësisht, figura e Sulejman efendi Shehabit, u la në hije dhe u dëmtua më së shumti gjatë regjimit të dhunshëm të diktaturës komuniste , nga sistemi famëkeq, i cili kërkonte të zhdukte çdo gjë fetare dhe kombëtare të popullit tonë. Për shkak të mendimit të tij fetar dhe atdhetar, për shkak se ka përkrahur gjithmonë organizimin kombëtar të shqiptarëve, dhe për shkak se e ka kundërshtuar gjithmonë dhe fuqimisht bolshevizmin, komunizmin dhe ateizmin, duke i konsideruar si një sëmundje për popullin shqiptar, atë e ka ndjekur UDB-a dhe sistemi i errët dhe i egër komunist, i cili në fund edhe e ka ekzekutuar. Por, më e keqja është se personaliteti tij dhe të ngjashmëve me Sulejman efendiun u harruan tërësisht edhe në periudhën pas rrënimit të sistemit komunist. Ata janë paradigmë e sjelljes pozitive shoqërore në hapësirat tona dhe duhet t’i përkujtojmë që të mos na përsëritet historia.
Zoti e dashtë dhe e miqësoftë me shehidët.