Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Në shtëpinë tonë të vjetër karshi Xhamisë Eski, ku tash është posta e Tetovës, mbrëmjet e dimrit ishin shumë të këndshme. Gjyshi e kishte pasion të flet për hoxhallarët e kohës së tij dhe veçanërisht për ata që ai i kishte takuar dhe tash më kishin ndëruar jetë. Ai përcjelljen e jetëshkrimit të tyre dhe bisedave që i kishte bërë me to e përjetonte si ibadet dhe përkushtim ndaj Zotit. Bisedat, nga njëra anë, e përcillnin një histori të rëndësishme të popullit tonë, ndërsa nga ana tjetër paraqitnin mënyrën më të suksesshme të edukimit duke i prezantuar arketipët e sjelljes së mirë.
Hasan efendiu ishte emër i cili përmendej shumë shpesh në bisedat e gjyshit tim. Ai ishte vëllai i madh i Ali efendi Abazit. Gjyshi im me miradi fliste edhe për Ali efendiun, por ama, Hasan efendiu, asokohe në vitet 1974-77 nuk ishte i gjallë, prandaj edhe, për te, fliste me emocione dhe gjithnjë i mbusheshin sytë me lot. Hasan efendi Abazi, pra vëllai i madh Ali efendiut, ka lindur në vitin 1893 në Tetovë. Babai iu tij Abazi kishte nderuar jetë, kur Hasan efendiu i kishte 9 vjet, ndërsa vëllai i tij Ali efendiu ishte dyvjeçar. Barrën e familjes mbi supe e kishte marrë Hasan efendiu duke i ndihmuar nënës së tij, Hatmanes, në punët e fushës dhe të shtëpisë. Nëna Hatmane ishte një grua fisnike, krenare dhe tejet e përkushtuar ndaj Zotit. Krahas varfërisë dhe problemeve të shumta, ajo kishte vendosur që djemtë e saj t’i regjistrojë në medresenë e Xhemil efendi Jusufit, medresenë el-Hidaje, me qëllim që të arsimohen dhe t’i shërbejnë popullsisë.
Hasan efendiu bashkë me vëllaun e tij Ali efendiun me sukses e kanë përfunduar medresenë dhe janë prej nxënësve të parë të Xhemil efendiut të cilët kanë marrë ixhazet/diplonë dhe të cilëve Xhemil efendiu ua ka dërguar nxënësit e mëvonshëm që t’i edukojnë. Veçanërisht përshpirtshmëria dhe edukata e lartë fetare e Hasan dhe Ali efendiut, sipas fjalëve të Garib efendiut, kanë përcjellur një aromë të veçantë shpirtërore tek nxënësit e tyre.
Hasan efendiu pas përfundimit të medresesë ka shërbyer si vaiz/ligjërues në Xhaminë e Çarshisë, ndërsa pas rrënimit të kësaj xhamie në vitin 1965 nga ana e sistemit komunist ka kaluar në xhaminë Gam-gam në Tetovë. Hasan dhe Ali efendiu kurrë nuk kanë kaluar më përreth rrugës ku është rrënuar Xhamia e Çarshisë, që të mos e shohin vendin e boshatisur të Xhamisë së Çarshisë.
Gjyshi im i përcillte shpesh herë gjërat që i kishin ngelur në kujtesë nga perlat e urtisë së Hasan Efendiut. Në njërin prej ligjëratave Hasan efendiu duke e elaboruar dashurinë ndaj Zotit dhe përkushtimin ndaj të njerëzishmes paska thënë: “Secili prej nesh dëshiron që të quhet besimtar, sikurse dëshiron që të thirret mendar, trim, bujar, i drejtë e tjera; por, besimtarët janë shkallë-shkallë, dikush i flakët, dikush i zbehtë, dikush i ngrohtë, dhe dikush i vakët, por ata fatzezë që s’kanë fare erë besimi janë fare të ftohtë si akulli”.-Më tej vazhdonte gjyshi me fjalët e Hasan efendiut,: Të jesh besimtar do të thotë para së gjithash të kesh ndjenja, dëshirë, krenari për të përjetuar traditën e gjallë të Pejgamberit a.s., të jetosh si ai, të ushqehesh si ai, ta dashurosh Zotin si ai, me fjalë të tjera të marrësh frymë me Pejgamberin a.s. vetëm për Zotin”.
Një ditë, tregonte gjyshi, kur ka qenë i mërzitur në shpirt, ka vajtur tek Hasan efendiu të këshillohet. Ai e kishte vërejtur se kishte qenë i mërzitur dhe e ka pyetur, çfarë ke? Të ka ndodhur diçka nga shtëpia? Jo, shyqyr Zotit , mirë janë, por shih deri ku erdhëm. Janë duke na sunduar të ligët, na e prishën xhaminë, na larguan nga feja rininë! A ka më keq!?
Ndërsa, Hasan efendiu i ka thënë –“Ne jemi më mirë se këta që mendojnë se kanë pushtet, sepse ne kemi trupin e malltretuar, por jo shpirtin, shpirtin e kemi të lirë. Ata kanë shpirtin e shkatërruar dhe kjo ua shkatërron qetësinë edhe të trupit. Një ditë trupi jonë do të lirohet kurse shpirti atyre nuk do të lirohet asnjëherë”.
Hasan efendiu ka jetuar me ashk dhe e ka përjetuar afërsinë e Allahut xh.sh.. Në vitin 1972 është nisur për në haxh dhe ka ndëruar jetë gjatë rrugës,në Turqi. Është i varrosur në Ankara.
Zoti na bashkoftë me të në xhenet.