Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Në mexhliset fetare të viteve të nëntëdhjeta të shekullit XX shumë shpesh përmendej emri i Idriz efendi Muharemit i cili vite me rradhë, duke filluar nga periudha e pasluftës së parë botërore kishte shërbyer si myderriz/profesor në rajonin e Tetovës. Veçanërisht, emri i tij lidhej me faktin se ai në medresen e tij mësimet i kishte mbajtur në gjuhën shqipe dhe një pjesë e konsiderueshme e nxënësve nga fshatrat e Tetovës që në këto vite e kanë ndjekur medresenë shumë më lehtë i kanë kuptuar mësimet fetare në gjuhën e tyre amtare.
Idriz efendiu ka lindur ndërmjet viteve 1865-70 në fshatin Shipkovicë të Tetovës. Ai ka qenë djalë hasreti pas pesë motrave. Gjyshi i tij Haxhi Muharemi e ka dërguar, që në moshë të re, në Stamboll për të ndjekur mësimet. Pasi e ka kryer medresenë, sipas rrëfimit të familjarëve të tij, profesorët e tij kanë insistuar shumë që ai të mbetet në Stamboll si asistent, por ai nuk ka pranuar për shkak se ka qenë i vetmi djalë i familjes. Kah fundi i luftës së parë botërore është kthyer në Tetovë dhe është martuar me një vajzë fisnike nga familja Lushi në Tetovë. Ahmet Lushi, përndryshe babai i veteranëve të arsimit shqip në Tetovë Abdylvehab dhe Vebi Lushit, ka qenë vëllau i zonjës së tij.Vebi Lushin unë e kam pasur mësues në shkollën fillore dhe mund të them që ishte një arketip i mësuesit me qëndrim dhe besim në idealet e tij për arsimimin e gjeneratave të reja. Kur jam regjistruar në klasën e parë në shkollën Migjeni (Vëllezërim Bashkimi) në Tetovë me banesë ishim në skajin e kundërt të Tetovës, aty ku tash është Universiteti i Tetovës, dhe ai për çdo ditë më merrte prej shtëpie dhe bashkë shkonim deri në shkollë për shkak se e kisha larg shkollën. Kështu gjashtë muaj për çdo ditë më merrte derisa kaluam te shtëpia e re e ndërtuar afër stadiumit të Tetovës. Shumë gjëra i kam nasihat prej arsimtarit tim të dashur Vebi Lushit. Ahmed Lushi një atdhetar i shquar e ka përkrahur fortë, në ato kohë të trazirave, Idriz efendiun dhe i ka qëndruar pas në veprimtarinë e tij të mësimdhënies.
Idriz efendiu karrierën e tij si myderriz e ka filluar në xhaminë e Saatit, ndërsa më vonë është transferuar në hapësirat e medresesë Sinanijje në Tetovë. Prej bankave të tij kanë dalë shumë hoxhallarë përparimtar dhe me vetëbesim siç është myftiu i mëvonshëm i Tetovës Aqif efendiu nga Përshevca e Tetovës, Rushan efendiu nga Odri dhe shumë të tjerë.
Idriz efendiu ka pasur 12 fëmijë. Prej tyre 11 i kanë vdekur që në fëmijëri, ndërsa vetëm vajza më e madhe ka ngelur gjallë. Idriz efendiu i ka kushtuar rëndësi të madhe arsimimit të brezave dhe ka insistuar në arsimimin e nipave, mbesave të veta si edhe të fëmijëve të miqve të tij. Nipi i tij është mjeku internist i njohur I Tetovës Dr. Ismail Qamili.
Idriz efendi Muharemi ka pasur edhe një bibliotekë shumë të pasur, librat e tij më vonë, trashëgimtarët e tij i kanë dorëzuar në arkivin shtetëror në Shkup.
Idriz efendiu ka qenë në miqësi të ngushtë dhe në korespodencë të pandërprerë edhe me intelektualët e njohur fetarë të periudhës ndërmjet dy luftrave botërore në Shqipëri, me Hafiz ali Korçën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Haki Sharofin dhe shumë të tjerë.
Idriz efendiu nxënësit et ij i ka konsideruar si fëmijët vet dhe ata krahas arsimimit edhe i ka edukuar nëpërmjet të veprimtarisë së tij. Nxënësit e tij Aqif efendiu dhe Rushan efendiu edhe pas ndërrimit jetë të myderrizit të tyre për çdo bajram e kanë vizituar familjen e tij.
Ka ndërruar jetë në vitin 1953 duke lënë pas vetes gjenerata të suksesshme të hoxhallarëve që e kanë mbajtur të gjallë idealin e tij deri vonë.
Zoti e dashtë dhe e miqësoftë me të mirët.