Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Deri në vitin 1975, së bashku me familjen, kemi banuar përballë xhamisë Eski në Tetovë, më drejtë në vendin ku tash është posta qendrore e Tetovës. Si fëmijë katër-pesë vjeçar në namazet e ditës, kryesisht në drekë dhe iqindi, shkoja në xhami për t’u falur. Asokohe imam i xhamisë ishte Hafiz Ibrahim efendiu. Në imagjinatën time ende qëndron silueta e një burri shtatmadh, me mjekër të bardhë i cili ecte me hapa të rënda, pasi që muezzini e këndonte ikametin, për të dalë në mihrabin e xhamisë dhe të prijë në namaz.
Hafiz Ibrahim efendi Sherifi ka lindur në vitin 1912. Mësimet e para fetare i ka marrë pranë babait të tij Hamdi efendi Sherifit, që më pas të vazhdojë me memorizimin e Kuranit/hifzin. Hafiz Ibrahimi hifzin e ka përfunduar në vitin 1944 dhe provimin e hifzit e ka dhënë pranë Xhemil efendi dhe Bedaet efendi Jusufit. Pas kryerjes së hifzit një periudhë të caktuar ka shërbyer në Shkodër, ndërsa më vonë është kthyer në Tetovë dhe është emëruar imam në Xhaminë e Çarshisë në Tetovë. Imami i mëparshëm i xhamisë së Çarshisë ishte shpërngulur në Turqi dhe vendi i imamit kishte mbetur i zbrazur dhe si rrjedhojë mexhlisi i xhamisë e kanë ftuar Hafiz Ibrahimin që të marrë përsipër detyrën e imamit në këtë xhami qendrore të Tetovës. Hafiz Ibrahim efendi Sherifi ka qëndruar në detyrën e imamit deri në vitin 1965 kur edhe kjo xhami është rrënuar nga ana e regjimit komunist. Xhamia e Çarshisë ka qenë një qendër e rëndësishme e myslimanëve të Tetovës. Në këtë xhami kanë shërbyer hoxhallarët dhe intelektualët më me zë të rajonit të Tetovës. Ka pasur edhe medrese ku janë përgatitur kuadro fetare të cilët më vonë kanë shërbyer në mbarë hapësirat shqiptare. Pozita e veçantë e xhamisë në qendër të Tetovës si dhe aktiviteti i bujshëm në të i ka penguar pushtetarëve sllav në të gjitha periudhat. Planet urbanistike për prishjen dhe rrënimin e xhamisë janë bërë që në kohën e Mbretërisë Jugosllave, kur është prishur edhe xhamia Burmali në Shkup. Mirëpo, armiqtë e fesë islame dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në Maqedoni, qëllimit të tyre, për ta rrënuar këtë perlë të Tetovës, ia kanë arritur në vitin 1965, kur edhe e kanë rrënuar. Në procesin për rrënimin e kësaj xhamie kanë marrë pjesë aktive edhe funksionarët më të lartë të partisë komuniste të Maqedonisë, siç kanë qenë Lazar Kolishevski dhe Koço Tulevski. Tetovarët e vjetër kanë qenë shumë të prekur prej rrënimit të kësaj xhamie sa që një pjesë e madhe e tyre nuk kishte dëshirë të kalojë pranë pallatit të kulturës në Tetovë që ishte ndërtuar në vendin e xhamisë.
Pas rrënimit të Xhamisë së Çarshisë në Tetovë, Hafiz Ibrahimi, disa vite ka ngelur pa punë, derisa mexhlisi i xhamisë Eski në Tetovë e ka thirrur për ta ushtruar detyrën e imamit në xhaminë Eski. Vitet e fundit të Hafiz Ibrahimit në xhaminë Eski më kujtohen mirë. Unë si fëmijë, krahas faljes së namazeve, shpesh shkoja edhe në mektebin e xhamisë ku Hafiz Ibrahimi ua mësonte fëmijëve këndimin e Kuranit dhe kushtet elementare të fesë/ilmihalin. Unë, asokohe, isha ende shumë i vogël dhe nuk kisha filluar me mësimin e germave arabe, por ai gjithnjë më thirrtë afër vetes dhe duke më ledhatuar ma mësonte lutjen: Rabbi jesir.
Hafiz Ibrahimi ishte burrë shtatmadh dhe kur e shihje prej larg dukej se është me karakter të rreptë dhe se vështirë mund t’i afrohesh. Mirëpo, ai fare nuk ishte i tillë. Ishte njeri shumë i butë dhe shumë me vetëdije sillej ndaj të gjitha gjeneratave. Ndaj fëmijëve sillej me një zemërgjerësi prindërore, ndërsa me të rriturit ishte shumë serioz dhe në një mënyrë përfaqësonte një siluetë të përsosur të imamit të xhamisë.
Hafiz Ibrahim efendiu ishte ndër lexuesit më të mirë të Kuranit në Tetovë dhe këtë përvojë të tij e ka bartur edhe tek nxënësit që e kanë mësuar këndimin e Kuranit pranë tij. Numri më i madh i tetovarëve që ndërmjet viteve 1967-1975 e kanë ndjekur mësim besimin fetar në xhaminë Eski ende e përmendin Hafiz Ibrahimin dhe mënyrën e përsosur si ai ua kishte mësuar Kuranin dhe ilmihalin.
Unë e kam vizituar Hafiz Ibrahimin në shtëpinë me tij në vitet kur ishte i sëmurë dhe nuk dilte më. Ishim disa shokë, asokohe ende në studime jashtë vendit, që i vajtëm në vizitë dhe ai, si çdo herë, na priti me buzëqeshje dhe na përcolli me lutje në Allahun xh.sh. që të na e lehtësojë rrugën e shërbimit fesë dhe shoqërisë.
Hafiz Ibrahimi edhe pasi ndërroi jetë është përmendur për të mirë në kohën e çdo namazi të ditës, për shkak se pas vetes e la djalin e tij Haxhi Emin Sherifin, i cili vite me radhë ka shërbyer si muezzin në xhaminë Eski dhe me zërin e tij të bukur i ka kënaqur zemrat e besimtarëve të Tetovës.
Hafiz Ibrahimi efendi Sherifi ka nderuar jetë në vitin 1993 duke lënë pas vetes kujtime të mira në hapësirën tetovare.
Zoti e miqësoftë me të mirët.