Imami zëledhatues i Eski xhamisë në Tetovë Hafiz Abdylfettah effendi Selimi

Shkruan: Hafiz Metin Izeti

Emrin e Hafiz Abdylfetahut e kam dëgjuar që në fëmijëri nga gjyshi dhe gjyshja ime. Ata me plot entuziazëm, shpesh, e bisedonin zërin e tij të këndshëm dhe leximin me sens të  Kuranit nga ana e tij. Hafiz Abdylfetahu ka lindur në vitin 1910 në Tetovë dhe është i biri i Hafiz Sulejman efendiut. Babai i tij një kohë të gjatë ka qenë imam në xhaminë Fevrije të Tetovës. Kjo xhami është rrënuar shumë herët, në luftrat ballkanike në vitin 1914, dhe ka qenë në parkun para bibliotekës së vjetër në Tetovë. Gjatë gërmimeve për kanalizim dhe ujesjelles në këtë park janë nxjerrur edhe gurë të varreve, kam qenë i pranishëm edhe unë, të cilat janë bartur në varrezat e qytetit të Tetovës. Hafiz Sylejmani ka shërbyer në këtë xhami, ndërsa pas rrënimit të xhamisë ai ka kaluar të shërbeje si imam në xhaminë e Saatit në Tetovë. Hafiz Sulejmani ka qenë shumë hafiz i mirë dhe sipas asaj që rrëfejnë familjarët e tij, ai disa herë është rrotulluar rreth Tetovës duke e bërë hatme Kuranin me qëllim që Allahu xh.sh. ta ruaj këtë vendbanim në ato kohë të vështira.

Hafiz Abdylfettahu mësimet e para fetare dhe hifzin/memorizimin e Kuranit e ka përfunduar tek babai i tij. Ai në fillim ka shërbyer si imam në xhaminë e Saatit, ndërsa më vonë, që nga viti 1957 e deri në vitin 1980 ka qenë imam i xhamisë Eski në Tetovë. Hafiz Abdylfettahu, krahas zërit të bukur dhe melodik, ka qenë edhe hafiz i fortë i Kuranit. Ai bën pjesë në mesin e pak hafizëve që namazet i kanë falur duke e bërë hatme tërë Kuranin. Çdo herë para se të shkonte në xhami, ajetet që do tì lexonte në namaz, ia ka dëgjuar babai i tij Hafiz Sulejmani, ndërsa pas ndërrimit jetë të tij, ata ia ka dëgjuar nusja e djalit të tij, e cila poashtu është bijë hoxhe, vajza e Molla  Imerit nga fshati Pirok i Tetovës.

Zëri karakteristik i hafiz Abdylfettahut shpeshherë e ka emocionuar xhematin e xhamisë dhe nuk kanë qenë të rralla rastet kur shumicës së xhematit i janë përlotur sytë. Si rrjedhojë hafiz Abdylfetahu është ftuar në të gjitha mexhliset e mevludeve dhe hatmeve në Tetovë. Ai, gjithashtu, ka qenë i dalluar në mesin e hafizëve të Tetovës me shqiptimin sipas rregullave të tingujve të gjuhes arabe (mahrexh-i huruf) dhe ndjekës i përpiktë i rregullave të leximit të Kuranit (texhvidit). Për këtë shpeshherë më ka folur edhe Hafiz Taxheddin efendi Shehapi.  

Hafiz Abdylfettahu ka qenë edhe shumë njeri i butë dhe i matur. Profili i tij ka qenë profil i përkryer i një personi që e udhëheq obligimin kryesor të myslimanëve, namazin. Ka qenë gjithashtu i buzëqeshur dhe shumica e tetovarëve e ruajnë në kujtesën e tyre silueten e përsosur të hafizit të respektuar.

Ai ka qenë i dashuruar në Kuranin dhe e tërë jeta i ka kaluar me fjalën e Allahut xh.sh.. Jo vetëm në xhami, por edhe kur ka vajtur për ta punuar tokën, pasi që është marrë edhe me bujqësi, në netët e gjata të dimrit në shtëpi, ai vazhdimisht ka lexuar Kuran dhe është ushqyer me të.

Ashtu siç ka jetuar me Kuran edhe ka ecur drejt Krijuesit në natën e kadrit, nata kur ka filluar zbritja e Kuranit, në vitin 1983 duke e lënë pas vetes nostalgjinë për zërin e tij ledhatues dhe të këndshëm. Allahu e miqësofte me të mirët.