Hulumtimet dhe zbulimet e bëra në shkencat shoqërore dhe natyrore në fundin e shekullit të XIX dhe në shekullin e XX i kanë dhënë fuqi të veçan çështjes së ndryshimit, zhvillimit dhe ripërtrirjes si dhe kanë prezentuar botëvështrim dinamik në planin shoqëror, universal dhe fetar. Një gjendje e tillë doemos ka hapur dyert për rianalizimin, rikuptimin dhe risqarimin e koncepteve themelore fetare.
Njeriu që duke bërë një sintezë të mençur të trashëgimisë intelektuale njerëzore, si të perëndimit ashtu edhe të lindjes, u mundua që në botën islame ti hapë dyert e teizmit filozofik dhe të zgjerojë kufijtë e kuptimit të fesë dhe traditës pereniale në hapërim me zhvillimet kohore, padyshim është mendimtari i shquar musliman Muhammed Ikbali (1877-1938).
Perëndimi duke filluar prej gjysmës së dytë të shekullit të XX arriti që të neutralizojë forcën ushtarake, intelektuale dhe politike të vendeve muslimane. Bashkëpunimi i nduarnduartë i shteteve perëndimore dhe izolimi i botës islame nga këto rrjedha i përçau muslimanët dhe i la përballë shkatërrimit total. Devizat lindore të sakrifikimit individual dhe pasivitetit klerik ndikuan që ky nënqiell të ngelë nën presionin e hapur politik dhe kulturor të Perëndimit. Sistemi pasiv i lindjes në këtë periudhë në vend që njerëzve t’u mundësojë ballafaqimin me problemet dhe brengat e jetës e orientoi drejtë ikjes prej realitetit shoqëror dhe ia humbi energjinë e kundërvënies ndaj sfidave materiale dhe kuptimore.
Në një gjendje të tillë të botës islame Muhammed Ikbali si njohës i mirë i rrethanave në lindje dhe perëndim u përpoq që të kërkojë mënyrën e shpëtimit të botës islame nga kaosi intelektual dhe shoqëror.
Ripërtrirja e mendimit islamik është e domosdoshme…
Muhammed Ikbali për referencë themelore në ndërtimin e mendimit të tij kritik ndaj gjendjes aktuale të mendësisë muslimane të kohës së vet ka marrur tërësinë kuranore dhe me një seri të konferencave shkencore dhe veprave të shkruara ka tërhjekur kujdesin për jetësimin urgjent të trendeve zhvillimore të mendësisë dhe intelektualitetit njerëzor edhe në hapësirën muslimane. Ai para së gjithash është për rianalizimin e mendimit fetar. Ai me Ripërtrirjen e Mendimit Fetar , siç thotë edhe vetë, ka për qëllim që duke i qëndruar besnik traditës filozofike islame de duke u bazuar në zhvillimet shkencore në fusha të ndryshme të rindërtojë filozofinë dhe mendësinë islame. [1] Ndryshimet dhe zhvillimet e paraqitura në fushën shkencore ndikuan që mendimi në botëvështrimin e Ikbalit të ketë karakterin dinamik e jo statik.
Ikbali pohon se ka ardhur dhe ka kaluar koha e analizës dhe vlerësimit objektiv të themeleve të fesë islame. Edhe pse në disa raste do të kundërshtohemi me të parët tonë, thotë Muhammed Ikbali, kjo çështje është domosdoshmëri[2]. E kaluara duhet të konsiderohet çshtje e dijes e assesi çështje e doktrinës.[3]
Muhammed Ikbali ripërtrirjen intelektule dh fetare të muslimanëve e analizon në dy etapa.
Etapa e parë e quajtur , etapa e diagnostifikimit është shkalla e analizës së shkaqeve dhe faktorëve historik dhe bashkëkohor, të cilët kanë shtyrë muslimanët në këtë gjendje që janë. Ndërsa etapa e dytë, etapa e shërimit, përmban ndryshimet dhe ripërtrirjen e muslimanëve nga aspekti doktrinar, politik dhe shoqëror. Do të thotë se ripërtrirja e mendimit islamik te Ikballi me vehte tërhjek edhe ndryshimin dhe ripërtrirjen shoqërore të muslimanëve. Ajo që më së tepërmi e shtyu Ikballin të mendojë për ripërtrijen është gjendja e mjeruar lëndore dhe kuptimore e muslimanëve në botë. Qëllimi kryesor i fesë, thotë Ikbali, është në përmirësimin e individualitetit njerëzor dhe shoqërisë ku ai jeton.[4]Si pasojë, përpjekja e Ikbal’it nuk është vetëm për gjetjen e Zotit, por njëkohësisht edhe për komoditetin e jetës së njeriut në këtë botë. I tërë korpusi mendor i Ikbal’it është i përqëndruar në përforcimin e vetëbesimit dhe un’it si te muslimanët ashtu edhe te të gjithë njerëzit.
Dinamika e shekullit të XX dhe Ikballi
Në shekullin e XX “ ndryshimi” dhe “zhvillimi” ishin terme kyçe të hulumtimeve dhe studimeve si në shkencat natyrore ashtu edhe në ato shoqërore dhe si pasojë e kësaj botëvështrimi dinamik i botës dhe shoqërisë me vete ka sjellur edhe botëvështrimin dinamik për Zotin. Në gjendje e tillë ka ndikuar për rianalizimin dhe rikomentimin e koncepteve themelore të teologjisë dhe fesë. Në Perëndim Whiteheadi dhe Harsthorne, ndërsa në botën Islame Ikballi, janë mendimtarët që e hapën derën këtyre analizave dhe i dhanë përmasa të reja teizmit filozofik .[5]
Në ngjalljen e botëkuptimit dinamik të botës te Ikballi dukshëm ka ndikuar edhe gjendja e botës dhe në veçanti kllapia lemeritëse e botës islame. Filozoia e un’it në mendimin e Ikball’it dukshëm është ndikuar nga ky realitet. Ikball’i duke u bazuar edhe në ajetet e Kur’anit[6] flet për ndryshimin dhe zhvillimin e pandërprerë të gjithësisë dhe botës. Një botë e planifikuar dhe e determinuar prej më parë nuk mund të ngërthejë elemente të pavarësisë, përgjegjësisë dhe etikës. Nuk ka gjë më të huaj për mendimin kur’anor, thotë ikballi, prej teorisë fataliste për botën de veprimtarinë në të.
Mendimi për botë që vepron në bazë të detajeve të paracaktuara e abstrahon aktivitetin e njeriut në të dhe gjithësinë e shndërron në burg për njeriun. Njeriu në konstelacionin logjik dhe estetik të Kuranit është mbi gjithësinë.[7] Ai ka treguar guxim të pashoq dhe ka pranuar emanetin të cilin nuk e pranuan qiejt, toka dhe malet.[8] Si rrjedhojë, çdo gjë që ka qielli e toka i është dhënë në shërbim njeriut.[9] Njeriu i krijuar në trajtën më të përkryer është në gjendje që të trajtësojë dhe funkcionalizojë forcat dhe lëndët përreth vetes. Si i tillë atij është dhënë fuqia që të kahëzojë jetën dhe veprimtarinë e tij, për të cilën gjë edhe do të përgjigjet. Nëse njeriu e hedh hapin e parë në këtë drejtim Allahu xh.sh. do të mbështesë atë në ndryshimin e gjërave për të mirë.[10] Nëse njeriu nuk e hedh hapin e parë dhe nuk i përpunon pasuritë e brendshme të tij për t’u inkuadruar në zhvillimet e botës, atëherë shpirti i tij ashpërsohet, zemra i tkurret dhe shndërrohet në materie inorganike që zë vënd të caktuar në hapësirë. Jeta e njeriut dhe zhvillimi i shpirtit të tij është i mundshëm vetëm me vendosjen e lidhjes me realitetet me të cilat ballafaqohet në botën ku ai jeton. Kjo lidhje mund të vendoset vetëm nëpërmjet të dijes dhe ndjekjes së proçeseve botërore. [11]
Ikballi është i mendimit se ndryshimet të cilat ndodhin në gjihtësi, për të cilën është i bindur se ka qëllim serioz për çka është krijuar, e kahëzojnë njeriun në veprime të reja, prandaj edhe ai duhet t’i ndjekëë dhe thellë të mendojë pr to. Thirrja kuranore për studjimin dhe hulumtimin e gjithësisë ka për qëllim që t’i përkujtojë njeriut se gjithësia është një prej simboleve të të vërtetës. [12] Njeriu vetëm në këtë mënyrë, thotë Ikballi, ka mundësi të kontrollojë hapësirën dhe kohën jetësore ë tij. Gjithashtu ai është i mendimit se “njeriu e nxë gjithësinë, ndërsa gjithësia nuk e nxë njeriun”.[13]
Me këto mendime Ikballi, nga njëra anë në rafshin filozofik fetar i ripërkufizon dhe i dinamizon disa koncepte teologjike , ndërsa nga ana tjetër nëpërmjet të poezisë përpiqet të zgjoj prej gjumit dogmatik masat e gjëra të populatës muslimane, të cilët i ishin dorëzuar fatit dhe jetonin jashtë aktualitetit hapësinor dhe kohor të botës së zhvilluar. Një gjendje e tillë e muslimanëve ata i tëhuajësonte me botën përreth dhe i kthente në gjendjen letargjike të pritjes së fundit.
Un’i dhe liria e njeriut
Filozofia e Un’it zë vend të rëndësishëm në mendimin filozofik të Muhammed Ikball’it. Ai në ndërtimin e kësaj filozofie është mbështetur në burimet klasike islame por edhe në mendimin dhe filozofinë bashkëkohore. “ Un’i, thotë Ikball’i, është e vërteta që neve na e mëson intuita” , për të cilin filozofët musliman e kanë përdorur termin nefs.[14] Ikball’i çdo gjë që është paraqitur në arenën e qenësisë, duke filluar prej atomeve më të imta deri te Zoti, prej njeriut e deri te gjithësia e konsideron si një un’ë të caktuar, ndërsa epiqendër të këtij mendimi të tij e ka vendosur njeriun. Çështja e diskutimit të filozofisë së un’it nuk është risi në filizofinë islame , mirëpo Ikball’i duke hapëruar me mendimet bashkëkohore i ka dhënë një hov të ri. Për Ikball’in në çdo përmasë qenësore ka un’ë të përcaktuar dhe sublimiteti tek to matet në bazë të persnofikimit të tyre. Për pasojë në çdo un që shkallë –shkallë përkryhet janë fshehura mundësi të panumërta. Un’i njerëzor është përmasa më e lartë deri te e cila mund të arrijnë un’ët relatif, q. d.t.th. në përjashtim të Un’it Absolut. Siç shihet në mendimin e Ikball’it çdo un merr rrugë drejtë personizimit të vet.[15] Në proçesin e këtij personizimi njeriut i mundësohet një lepezë e gjerë e mundësive, por jëkohësisht paraqiten edhe rreziqe të caktuara. Nga ky aspekt elementi orientues dhe kontrolues në un’in e njeriut duhet të jenë cilësistë e origjinalitetit dhe personizimit të tij. Si pasojë e kësaj strukture mendore të Ikball’it njeriu në filozofinë e tij ka karakter kreativ në proçeset botërore.[16] Un’i, thotë Ikballi, është pjesëmarrës në jetën dhe lirinë e Un’it Absolut. Un’i Absolut me vullnetin e Tij të pakufizuar i dha mundësi krijimit të un’it të fundmë dhe të përkohshëm….[17] Ai në veprën e tij Pejam-i mashrik thotë kështu:
“ Unë btën e krijova prej ujit dhe baltës. Ndërsa ti nxore në pah Iranianin Tatarin dhe të ziun.
Unë prej dheut krijova hekurit e pastër. Dërsa ti bëre shpatën, shigjetën dhe pushkën.
Me sëpatë e preve dhe e copëtove fidanin që un e kriojova në gjelbërim. Prej tij bëre kafaz për zogun që këndon”.[18]
Ndërsa si përgjigje të njeriut ndaj këtyre fjalëve të Zotit, Ikballi thotë:
“ Ti e krijove natën , ndërsa unë bëra qiriun
Prej tokës që Ti krijove unë e bëra kafshatën (bukën)
Ti krjove shkretira, male të larta, rafshina pa kufi
Ndërsa unë bëra oaza, kopshte dhe vreshta me lule”.[19]
Më shiko mua unë prej gurrit bëj pasqyrën
Më shiko mirë, unë prej helmit e bëj mjaltën”.
Siç shihet prej të sipërpërmendurës, Ikball’i me gjuhën e poezisë e shpreh mendimn e tij për njeriun s krijesë e cila ka fuqinë për t’i dhënë trajtë të caktuar lëndës së parë të krijuar nga Zoti dhe për të bërë mjete. Un’i i njeriut në mendimin e Ikball’it dallohet nga të tjerët , pikërisht për shkak të aftësisë së prodhimit. Njeriun e bën të vlefshëm kreativiteti i tij.
Përmbajtjet vetëdijësore të un’it njerëzor
Njeriu, sipas Ikball’it, ka vetëdije për un’in dhe kjo vetëdije e tij ka disa gjendje përmbajtësore që janë në lidhje të ngushtë mes vetes. Nga aspekti i un’ëve të ndarë çdo njeri është krijesë që mendon, beson, ndien dhimbje, ka qëllime dhe vlerëson alternativat. Thënë ndryshe jemë krijesa që kanë gjendje të caktuara shpirtërore dhe intelektuale. Përvoja e un’it është një përvojë e cila pandërprerë është në zhvillim, në vazhdimësi ndryshon dhe kalon prej një prmase në tjetrën. Uni ose ego’ja paraqitet si bashkësi e gjendjeve intelektuale ose përmbajtjeve shpirtërore tona. Këta përmbajtje nuk ekzistojnë dot të ndara njëra prej tjetrës. Secila pre tyre ndikon në tjetrën ose e sqaron atë. Tërësia e intelektit dallohet nga tërësia fizike. Përderisa trupi i njeriut është i varur prej hapësirës intelekti uk është i tillë. Cilësia parësore e un’it njerëzor është tërësia dhe uniteti i përmbajtjeve të tij.
Intelekti njerëzor gjithashtu edhe dallohet me unitetin e konkluzës për çështje të caktuara. Për të arritur deri te një konkluz e caktuar intelekti duhet njëlloj të besojë në të gjitha premisat e analogjisë logjike. D. t.th. Përderisa të dy premisat nuk dalin nga i njëjti intelekt konkluza nuk është ë drejtë. Për pasojë gëzimi, shijet, brengat dhe ndiesitë janë të një intelekti ose vetëdijeje e assesi e dikujt tjetër dhe si të tilla janë kahje të ndryshme të të njëjtit un’ë. Pikërisht për këtë askush për askënd nuk mund të vendosë. Asnjë un nuk mund të përjetojë përvojën e un’it tjetër. Ikball’i në përcaktimin e esencës së un’it është bazuar në mendimet e Wiliam James’it. W. James’i gjendjen vetëdijësore e cilëson si “ lum i mendimit”. Në rrjedhën e këtij lumi ka hallka të ndryshme të cilat i bashkangjiten rrjedhës së aktivitetit të intelektit dhe formojnë një sinxhirë. Në këtë pikë un’i bëhet ndjenjë e individualitetit dhe e paraqet një pjesë të sistemit mendor tonë. Lëvizja e vazhdueshme dhe aktiviteti i un’it e pëbën përvojën e brendshme, ndërsa ajo inkuadrimin e un’it në proçeset jetësore. Njeriu kur percepton diçka, kur e shpreh mendimin në lidhje me diçka ose kur e përdor ëshirën e tij është ballë për ballë me un’in e tij. Un’i për Ikball’in është energji kahëzuese e trajtësuar dhe sistematizuar nga përvoja e brendshme.[20] Kur’ani në lidhje me detyrën nxitëse dhe drjetuese të un’it, thotë Ikball’i, i përdor këta fjalë: Të pyesin ty për shpirtin. Thua: Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije.[21]
Ikball’i në komentimin e këtij ajeti i përdor termet “halk”(krijim) dhe “emr”(urdhër, drejtim). “Halk”, thotë Ikball’i, d.t.th. krijim, ngjarësi; ndërsa “emr”, drejtim, kahëzim. Kur’ani edhe për krijimin edhe për drejtiminj thotë se janë të Zotit.[22]
Ikball’i duke u mbështetur në ajetin 85 të sures Isra thotë që esenca e vërtetë e shpirtit është cilësia e nxitjes dhe dirigjimit. Kjo cilësi e bën të domosdoshëm shpirtin që të jetë krijesë e thjeshtë (jo e përbërë) dhe me unitet të vetin. [23] Ndërsa në komentin e ajetit, Isra 84[24] fjalën ja’melu( vepron, sillet) e kupton si cilësi esenciale të krijimit tonë dhe thotë se personi i vërtetë i jonë nuk është “gjë” por është “veprim”(akt). Është një veprim i vazhdueshëm, në lëvizje, ndikon dhe ndikohet, dëshiron dhe ka një qëllim të caktuar. Përvoja e un’it është sistemi i veprimeve të cilat janë të lidhura mes vetes dhe të cilat mbahen në unitet nga një qëllim drejtues i tyre. I tërë realiteti i tij është i fshehur në sjelljen drejtuese , orientuese të tij. Për rrjedhojë un’in tim duhet ta kuptoni dhe ta vlerësoni sipas vendimeve që i marr, sjelljeve të vetëdijshme dhe në bazë të qëllimeve dhe synimeve të mia.[25]
Besimtari në mendimin dinamik të Ikball’it është tejet seriozedhe në punët e kësaj bote. Ikball’i, përtacinë e cila e tërhjek shoqërinë drejtë shkatërrimit dhe lërien mënjanë të çështjeve të kësaj bote duke e treguar si shkak devotshmërinë, i satirizon në poezinë e quajtur “ Namazi i Robërve”.[26]
“ Besimtari turk pas namazit më pyeti:
Pse imami i juaj është kaq i ngadalshëm në ibadetin?
Mbrojtësi i besimit që ishte i lirë, s’e kuptoi dot namazin e robërve.
Njerëzit e lirë kanë të bëjnë edhe shumë punë
Por ç’të bënte robi i gjorë larg ibadetit?”
Është më se e qartë se në sistmein mendor të Ikball’it ka një dinamikë të pashoq. Ai krahas mendmit rëndësi të veçan i kushton edhe akcionit, pasi është i mendimit se Ku’ani i kushton më tepër kujdes akcionit se sa teorisë. Konstelacioni i tillë i mendimit të Ikball’it është i ndikuar prej disa shkaqeve historike dhe sociologjike. Akcioni ishte mënyra e vetme se si Ikball’i do të kishte mundësi të zgjojë dhe freskojë popullatën e hapësirës ku ai jetonte. Ikball’i para se të fliste për gjërat tjera kishte nevojë që njeriut të nënqiellit të vet që e kishte humbur un’in t’i mundësojë ta përfitojë përsëri atë. Ai pothuajse në tërë opusin e shkrimeve të tij me një metodë mjaftë ndikuese flet për përforcimin e un’it dhe kthimin e vetëbesimit tek muslimanët.
Un’i vetëm nëërmjet të dashurisë ka mundësi t’i sendërtojë mundësitë dhe aftësitë e veta themelore. Pa dashuri, un’i nuki i sendërton dot aftësitë.[27] Un’i nëpërmjet të dashurisë hapet ndaj un’ëve tjerë. Dhe si rezultat i kësaj hapjeje paarqitet shoqëria. Nëpërmjet dashurisë njeriu lartësohet mbi srukturën biologjike dhe në bazë të fuqisë së tij kuptimore i tërhjek pasqyrimet hyjnoe drejtë vetes. Në filozofinë e tij dashurinë reale e sheh në dashurinë ndaj Zotit. Dashuria hyjnore e bën njeriun të mençur dhe zgjuar dhe e bën aktiv. Në mendimet e Ikball’it dashuria është element krijues dhe aktiv.[28]
Ikball’i në përforcimin e un’it njerëzor e diskuton edhe termin “fakr”(varfëri kuptimore). Sipas tij njeriu pa u liruar prej lidhshmërisë së tepërt me botën, nuk e arinë dot këtë shkallë e as që ka mundësi të shpëtojë prej botëvështrimit robëror. Pa guxim nuk arrihet sukses as në lëndoren as në kuptimoren. Guxim nuk do të thotë, hudhje në rrezik, por konsolidim i un’it në momente të vështira dhe brengosëse. [29]Përveç dashurisë për ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë ka nevojë edhe për mirëkuptim të tjetrit.
Ikballi si mëngësi të un’it i ka përmendur frikën, robërinë, lypsarinë, imitimin etj.[30]
Muhammed Ikball’i në historinë e mendimit islam ka futur idenë për ripërtrirjen e mendimit, dinamikën e teorisë dhe akcionit, ardhmërinë e hapur të njeriut. Ai relacionin mes Zotit dhe njeriut e ka kuptuar si një lidhje etike e bazuar në dëshirën e lirë. Atributet hyjnore, thotë Ikball’i, i japin njeriut një liri të madhe për artikulimin e të drejtave dhe përgjegjësive të tij. Por ajo që është më e rëndësishmja Ikball’i e ka përgaditur platformën teologjike për ndryshimin dhe zhvillimin shoqëror si një proçes i cili do të sendërtohet nga ana e vetë njeriut.
REZYME
Muhammed Ikbali për referencë themelore në ndërtimin e mendimit të tij kritik ndaj gjendjes aktuale të mendësisë muslimane të kohës së vet ka marrur tërësinë kuranore dhe me një seri të konferencave shkencore dhe veprave të shkruara ka tërhjekur kujdesin për jetësimin urgjent të trendeve zhvillimore të mendësisë dhe intelektualitetit njerëzor edhe në hapësirën muslimane. Ai para së gjithash është për rianalizimin e mendimit fetar. Ai me Ripërtrirjen e Mendimit Fetar , siç thotë edhe vetë, ka për qëllim që duke i qëndruar besnik traditës filozofike islame dhe duke u bazuar në zhvillimet shkencore në fusha të ndryshme të rindërtojë filozofinë dhe mendësinë islame. Është më se e qartë se në sistemin mendor të Ikball’it ka një dinamikë të pashoq. Ai krahas mendimit rëndësi të veçan i kushton edhe akcionit, pasi është i mendimit se Ku’rani i kushton më tepër kujdes akcionit se sa teorisë. Konstelacioni i tillë i mendimit të Ikball’it është i ndikuar prej disa shkaqeve historike dhe sociologjike. Akcioni ishte mënyra e vetme se si Ikball’i do të kishte mundësi të zgjojë dhe freskojë popullatën e hapësirës ku ai jetonte. Ikball’i para se të fliste për gjërat tjera kishte nevojë që njeriut të nënqiellit të vet që e kishte humbur un’in t’i mundësojë ta përfitojë përsëri atë. Ai pothuajse në tërë opusin e shkrimeve të tij me një metodë mjaftë ndikuese flet për përforcimin e un’it dhe kthimin e vetëbesimit tek muslimanët.
[1] “ Në këto ligjërata, thotë Ikbali, të organizuara me kërkesë të Shoqatës muslimane në Madras dhe janë mbajtur në Madras, Hajdarabada dhe Aligarh, jam përpjekur t’i përgjigjem, ndonëse pjesërisht kësaj kërkese të pavonueshme, duke u përpjekur të përtërijë filozofinë fetare islame, duke pasur denjësisht në considerate traditat filozofike të islamit dhe përparimit më të ri në fushat e ndryshme të njohjes njerëzore”. Ikbal, Muhammed, Ripërtrirja e mendimit fetar ne islam, përkth. Nexhat S. Ibrahimi, Shkup 2006, f. 10.
[2] Po aty f. 89-95
[3] Po aty, f.163-168.
[4] Po aty, f. 127.
[5] Aydin, S. Mehmet, “ Surec Felsefesi Isiginda Tanri-Alem Iliskisi”, AUIFD, v. XXVII, Ankarë 1985, f.84.
[6] Ikbal, po aty, f.193; “ Ata që do të luftojnë për Ne, ne, me siguri, rrugëve që të çojnë nga Ne do t’i përudhim”. Ankebut, 29:69.
[7] “ Vërtet, ne e krijuam njeriun në formën më të bukur. Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve”. Tin, 95:4-5
[8] “ Ne u ofruam emanetin qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u friksuan prej tij, ndërsa njeriu atë e morri mbi vete; vërtet ai bëri padrejtë vetes, dhe ishte i padijshëm”.Ahzab, 33:72
[9] “A nuke dini ju se Allahu nënshtroi për të mirën tuaj ç’ka në qiej e ç’ka në tokë dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta, e megjithatë prej njerëzve ka që polemizojnë çështjene Allahut duke mos pasur as dituri, duke mos qenë i udhëzuar dhe duke mos pasur libër të ndritshëm”. Lokman, 31:20
[10] Ikbal, po aty, f.27, “ Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ata të mos e ndryshojnë vetveten”. Rad, 13:11.
[11] “ Fati i njeriut është i tillë që të marrë pjesë në synimet më të thella të gjithësisë që e rrethon dhe të trajtësojë fatin e tij vetjak si edhe atë të gjithësisë, duke iu përshtatur here forcave të gjithësisë, here duke ia kushtuar gjithë energjinë e vet asaj që të shërbehet me këto forca, sipas qëllimit të tij personal. Kurse në këtë process të ndërrimeve progressive, Allahu bëhet përcjellës i njeriut në detyrën e tij, me kusht që njeriu ta ketë nismën”. Ikbal, po aty, f.27.
[12] “ S’ka dyshim se qëllimi i drejtëpërdrejtë i Kur’anit në procesin e këtij vështrimi të arsyeshëm të natyrës, është të zgjojë tek njeriu vetëdijen, me qëllim që natyra të vështrohet si një symbol. Është e nevojshmetë theksohet qëndrimi i përgjithshëm empiric i kurÇanit, i cili tek ithtarët e tij zhvillon ndjenjën e respektit të dëshmive dhe përfundimisht i bën ata, themelues të shkencës moderne. Ka qenë me shumë rëndësi të zgjojë shpirtin empiric në një epokë, e cila ka lënë pasdore ttë dukshmen sit ë parëndësishme për njeriun në kërkimin e tij të Zotit”.Ikbal, po aty, f. 29
[13] Ikbal, Muhammed, Xhavitname, përktheu në turqisht, Annemarie Schimel, Ankara 1989, f.201.
[14] Aydin, Mehmet, “Ikbal’in Felsefesinde Insan”, AUIFD, v.XXIX, Ankarë 1987, f.91.
[15] Malik, Hafeez, Iqbal Poet-Philosopher of Pakistan, Lahore 2005, f.91
[16] Aydin, po aty, f.89.
[17] “ Njeriu shkon gjithnjë përpara që të pranojë gjithnjë drita të reja të cilat vijnë nga e Vërteta e Pafund e cila “në çdo rast paraqitet në lavdi të re”! E ai që pranon dritë Hyjnore nuk është vetëm pranues pasiv. Çdo akt i egos së lire krijon situate të re dhe afron kështu mundësi më të gjerë për zhvillim kreativ”.Ikbal, po aty, f.159.
[18] Ikbal, Muhammed, Peyam-i Mesrik, përkth. në turq. Ali Nihat Tarlan, Ankarë 1956, f.73.
[19] Ikbal, Peyam-i Mesrik, f.74.
[20] Ikbal, po aty, f.135-6.
[21] Isra, 17:85.
[22] “ Vërtet Zoti juaj , Allahu është Ai që krijoi qiejt e token brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arsh, Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkonatë, edhe dielli, edhe hëna e edhe yjet, i janë të nënshtruar urdhërit të Tij. Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe urdhëri. I madhëruar është Allahu. Zoti i botëve”.A’raf, 7:54.
[23] Ikbal, po aty, f.136
[24] “ Thuaj: Çdokush vepron sipas hamendjes së vet, dhe vetëm Krijuesi juaj e di kush është në rrugë të drejtë”.Isra 17:84.
[25] Ikbal, po aty, f.137.
[26] Muhammed Ikball’i këtë poezi e ka shkruar si përgjigje për kryetarin e komisionit të Gjysëmhënës së Kuqe të republikës së Turqisë e cila në vitin 1935 e kishte vizituar Lahor’in dhe së bashku me Ikball’in kishin shkuar të falin namazin në një xhami të qytetit. Imami i xhamisë e kishte zgjatur tepër faljen, ndërsda pas përfundimit të namazit kryetari i delegacionit turk e kishte pyetur ikball’in për shakkun e zgjatjes së namazit dhe Ikball’i është përgjigjur me këtë poezi. Shiko: Ikbal, Muhammed, Armagan-i Hicaz, f.207.
[27] Ikball, Muhammed, Esrar-i Hodi, përkth. Në turq. A. Nihat Tarlan, Istanbul, 1958, f. 33-35.
[28] Aydin, Insan, f.95.
[29] Ikbal, Muhammed, Bal-i Cibril, përkth. në turq. Ali Nihat Tarlan, Istanbul 1981, f.108.
[30] Ikbal, Muhammed, Peyam-i Mesrik, f.138.