Mes’hi mbi meste

Personi që ka marrë abdest, nëse i vesh mestet duke qenë me abdest dhe në rast se përsëri dëshiron të marrë abdest është e lejuar të mos i lajë këmbët, por atyre t’ju japë mes’h. Ky është një lehtësim që feja jonë ua ka mundësuar muslimanëve.
Për ata të cilët nuk janë udhëtarë, mestet e tyre vlejnë 24 orë, pra çdoherë kur të marrin abdest brenda këtij afati këmbët nuk i lajnë, por u japin mes’h. Ky afat fillon prej kur prishet abdesti. Kur të kalojnë 24 orë, pra kur të mbarojë ky afat duke marrë abdest, këmbët përsëri duhet të lahen.
Për ata që janë mysafirë në kuptimin fetar të këtij nocioni, ky afat zgjat tri ditë e tri netë d. m. th. 72 orë.

Mes’hi mbi meste merret kështu:
Ashtu siç u përkufizua më lart, kur të vijë radha e larjes së këmbëve, së pari laget dora e djathtë me tre gishta (gishtat e hapur) dhe përshkohet pjesa e sipërme e këmbës së djathtë mbi meste duke filluar nga gishtat drejt thembrës. Pastaj duke u lagur dora e majtë në të njëjtën mënyrë i jepet mes’h këmbës së majtë. Pjesës së poshtme të mesteve nuk u jepet mes’h.

Kushtet për të qenë mes’hi i lejuar

Për të qenë mes’hi mbi meste i lejuar duhet të plotësohen shtatë kushte:
1) Mestet të vishen duke qenë me abdest (pra duke qenë këmbët e lara).
2) Mestet duhet ta mbulojnë thembrën. Mes’hi nuk vlen nëse mestet nuk e mbulojnë thembrën deri mbi zog.
3) Mestet të jenë të qëndrueshme saqë të mund të kalohet një rrugë prej dymbëdhjetë mijë hapave apo më tepër.
4) Asnjëra nga mestet të mos jetë e çelë, e shpuar apo e grisur sa tre gishta. Për masë merret gishti i vogël i këmbës.
5) Mestet duhet të jenë të trasha, saqë të mund të qëndrojnë në këmbë pa lidhësa.
6) Mestet duhet të jenë të cilësisë që nuk e lëshojnë ujin nga jashtë.
7) Ai i cili përdor meste, në pjesën e përparme të secilës këmbë duhet të ketë vend së paku sa tre gishta të dorës.
Në qoftë se nuk e ka pjesën e përparme të këmbës, d.m.th. nuk gjendet hapësirë (pjesë) prej tre gishtave, nuk mund t’ju japë mes’h këmbëve, por ato duhet t’i lajë. Madje, nëse e ka kështu njërën këmbë, e tjetrën të shëndoshë, duhet t’i lajë të dyja, pra nuk është e lejuar që vetëm këmbës së shëndoshë t’i jepet mes’h.

Gjërat të cilat e prishin mes’hin
1) Çdo gjë që e prish abdestin e prish edhe mes’hin. Pikërisht për këtë arsye kur të prishet abdesti përsëri duhet të merret mes’hi.
2) Dalja apo nxjerrja e njërit nga mestet prej këmbe.
Ai që gjendet në situatë të këtillë, nëse është me abdest i lan vetëm këmbët, madje nëse del edhe vetëm njëri mest duhet larë të dyja këmbët. Nëse është pa abdest, merr abdest dhe i lan këmbët.

Përfundimi i kohës së mes’hit
Kur të përfundojë afati i mes’hit, nëse abdesti vazhdon, mjafton të nxirren mestet dhe të lahen vetëm këmbët. Nëse abdesti nuk vazhdon, duke marrë abdest të ri, natyrisht lahen edhe këmbët.

Mes’hi mbi fashë
Në qoftë se në çfarëdo vendi në trup, për shkak të thyerjes apo plagës gjendet fashë, gjatë marrjes së abdestit apo guslit hiqet fasha dhe lahet vendi ku ka qenë ajo. Nëse larja e vendit ku gjendet plaga shkakton dëm, atëherë nuk ka nevojë që fasha të zgjidhet. Në këso raste laget dora dhe një herë jepet mes’h mbi fashë. Nëse mbi plagë nuk gjendet fashë, por ilaç dhe, nëse uji nuk e dëmton atë ajo lahet. Mirëpo nëse uji shkakton dëm, atëherë vetëm i jepet mes’h. Nëse edhe mes’hi është i dëmshëm, edhe ai braktiset.

/Teksti është marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/