4. Besimi në pejgamberët

Pejgamberët janë të dërguar të Allahut të cilët Zoti i ka dërguar për t’ua shpjeguar njerëzve dispozitat e fesë. Ata njerëzisë ia kanë mësuar themelet e imanit, si të adhurohet Allahu xh. sh., dispozitat e fesë dhe duke i vënë parimet e moralit të bukur, i kanë treguar njerëzisë rrugën e lumturisë të kësaj dhe të botës tjetër.
Pejgamberët janë shembëlltyrë për njerëzit e tjerë. Ata janë të zgjedhur prej Allahut xh. sh. nga mesi i njerëzve dhe janë zotërues të moralit më të bukur.
Cilësitë që duhet t’i kenë pejgamberët:
1) Sidk: do të thotë drejtësi, sinqeritet. Pejgamberët jashtëzakonisht janë njerëz të drejtë dhe asnjëherë nuk rrejnë.
2) Emanet: do të thotë të jesh i besueshëm besnik. Pejgamberët në çdo çështje janë të besueshëm.
3) Fetanet: do të thotë të jesh mendjemprehtë, dhe i zgjuar. Ata zotërojnë mençuri, zgjuarsi dhe mendjemprehtësi të lartë.
4) Ismet: Do të thotë pagabueshmëri, të mos bësh mëkat. Pejgamberët, qoftë fshehurazi qoftë haptazi, në asnjë mënyrë nuk bëjnë mëkate.
5) Teblig: Do të thotë të lajmërosh me konsekuencë. Pejgamberët, dispozitat e fesë që i kanë marrë nga Allahu xh. sh. dhe pa bërë kurrfarë ndryshimi ia kanë përcjellë njerëzisë.
Numri i pejgamberëve
Pejgamberi i parë është Ademi a. s., ndërsa pejgamberi i fundit është pejgamberi ynë, Muhammedi a. s. Në mes këtyre të dyve janë dërguar edhe shumë të tjerë. Prej tyre njëzet e pesë janë përmendur në Kur’an. Mirëpo, numri i pejgamberëve është shumë më tepër.
Ne si muslimanë u besojmë të gjithë pejgamberëve pa bërë dallim mes atyre që janë përmendur në Kur’an dhe atyre të tjerëve që nuk janë përmendur, numrin e të cilëve e di vetëm Zoti i madhërishëm.
Mirëpo, pejgamberi ynë, Muhammedi a. s., ka disa veçori dhe një vend më të lartë në mesin e pejgamberëve të tjerë.
Këto veçori janë:
1) Pejgamberi ynë Muhammedi a. s. është robi më i dashur i Allahut xh. sh. Ai është më i vyeshmi
nga krijesat e Tij.
2) Ai është pejgamberi i fundit. Pas tij nuk do të vijë tjetër pejgamber. Allahu i lartësuar thotë: “. . . Ai ishte i dërguar i Allahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve. . ”.
3) Është pejgamber i tërë njerëzisë. Pejgamberët para tij kanë qenë të dërguar vetëm për një popull të caktuar. Allahu i lartësuar këtë të vërtetë na e tregon në Kur’an duke thënë: “Thuaj (o Muhammed) o ju njërëz! Unë jam i dërguar i Allahut te të gjithë ju…”
4) Pejgamberllëku i tij përfshin të gjitha kohët deri në Ditën e Kijametit. Ndërsa obligimet e pejgamberëve të mëparshëm kanë qenë të posaçme për kohë të caktuara.
5) Fenë të cilën e ka predikuar, fenë islame, do të vlejë deri në Ditën e Kijametit. Me ardhjen e Muhammedit a. s. dera e pejgamberllëkut është mbyllur. Ai është pejgamberi i fundit dhe më i madhi, i cili është dërguar për të gjithë popujt në rruzullin tokësor.
Pejgamberët e mëparshëm u janë dërguar shoqërive të caktuara. Ata u përngjajnë kandilave që ndriçojnë brendësinë e një shtëpie. Ndërsa pejgamberi ynë i dërguar për tërë njerëzinë i përngjan diellit i cili ndriçon tërë botën.
/Marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/