Pejgamberi ynë, hz. Muhammedi a.s.

Pejgamberi ynë ka lindur duke aguar mëngjesi i natës së hënë më 20 prill të vitit 571 në Mekke. Kjo datë përputhet me 12 rebiul evvelin (sipas kalendari hixhri). Babai i tij quhet Abdullah, ndërsa e ëma Emine. Babai i tij nuk ka pasur mundësi ta shohë të vetmin bir të tij, pasi që ndërroi jetë dy muaj para se të lindte Muhammedi a. s. Në moshën 6 vjeçare i ndërroi jetë edhe nëna e tij.
Allahu i lartësuar duke e edukuar në formën më të bukur, e stolisi me vlera dhe moral të lartë. Kur arriti në moshën dyzetvjeçare, e caktoi si pejgamber të fundit.
Muhammedi a.s., pejgamberi i fundit dhe më i madhi, robi më i dashur i Allahut xh. sh. i lindur si një diell i lumturisë, në saje të dritës së imanit që vendosi në zemrat e besimtarëve, fshiu besimet e rrejshme: në vend të injorancës solli diturinë, në vend të padrejtësisë solli të vërtetën dhe drejtësinë, në vend të urrejtjes dhe armiqësisë solli dashurinë ndaj njeriut. Kështu u formua vëllazëria islame. Kështu gruaja e fitoi vlerën që i takonte në familje dhe në shoqëri.
Pejgamberi ynë i dashur duke e kumtuar Kur’anin, i cili është libri i fundit hyjnor, i tregoi njerëzisë rrugët për t’u bërë i lumtur në këtë dhe në botën tjetër. Me parimet e moralit që ua mësoi njerëzve duke i zbatuar së pari vetë, u bë shembulli më i bukur në mesin e shoqërisë. Zemra e tij ishte e mbushur përplot mëshirë dhe dashuri ndaj njeriut. Ai parapëlqente të rrijë vetë i uritur duke e shpërndarë atë që e kishte. Ai ishte jashtëzakonisht modest: Kurrë nuk bënte dallim mes të pasurit dhe të varfërit, ulej dhe hante ushqim bashkë me skamnorët e të varfërit, vizitonte shtëpitë e më të varfërve dhe i pyeste për gjendjen e tyre.
Pejgamberi ynë i dashur si kryefamiljar ishte shembëlltyrë për të tjerët. Ai kishte jashtëzakonisht sjellje të mirë edhe ndaj grave. Atyre u ndihmonte në punët e shtëpisë. Ai kështu ka thënë: “ Më i miri në mesin tuaj është ai i cili sillet mirë ndaj grave”.
Ai e donte shumë mysafirin personalisht dhe i shërbente atij. Askujt nuk i ka thënë fjalë të keqe, asnjëherë nuk ka pasur qëndrime që do t’ia thyente zemrën dikujt dhe gjatë jetës së tij asnjë njeri nuk e ka qortuar. Ishte fjalëmbël e buzëqeshur. Kur bisedonte me të tjerët, i dëgjonte ata dhe nuk ua ndërpriste fjalën. Të metat që i vërente te njerëzit, nuk ua thoshte publikisht për të mos i turpëruar.
Jeta e tij ishte e thjeshtë dhe e pastër. Trupin gjithnjë e mbante të pastër dhe kujdesej shumë për pastërtinë e teshave. Gjithnjë fliste drejt. Ai asnjëherë nuk kthente nga fjala e dhënë dhe fare nuk i donte rrenacakët. Për shkak të personalitetit të tij të drejtë dhe të besueshëm është quajtur “Muhammed’ul Emin” Muhammedi Besnik.
Ai është më bujari në mesin e njerëzve: asnjëherë nuk e kthente lypësin pa i dhënë diçka, mirëpo krahas kësaj lypjen nuk e donte. Për t’i shpëtuar nga kjo, lypësve ua tregonte rrugët e punës dhe të fitimit. Ai nuk hakmerej ndaj askujt dhe e donte faljen. i nderonte të vjetrit, ndërsa ndaj të vegjëlve tregonte dashuri dhe mëshirë. Nuk e donte përtacinë dhe ndejtjen kot. Gjatë ndërtimit të mesxhidit, ka punuar si punëtor dhe personalisht ka mbajtur gurë. Pejgamberi ynë ka jetuar një jetë të thjeshtë: çka kishte nga pasuria ua shpërndante skamnorëve. Kështu u bë shembëlltyrë për njerëzinë duke treguar drejtësinë sociale në shoqëri jo vetëm me fjalë, por edhe me sjellje praktike.
Nga jeta 23-vjeçare e pejgamberisë, 13 vjet i kaloi në Mekke dhe 10 vjet në Medine. Shumë përpjekje bëri për t’i dhuruar njerëzisë lumturinë dhe me ndihmën e Allahut arriti sukses duke i tejkaluar të gjitha vështirësitë. Si pejgamber i fundit, detyrën e tij e kreu në mënyrë të përsosur. Në vitin 632 në moshën 63 vjeçare u shpërngul nga kjo botë dhe u takua me Zotin (shkoi në afërsi të Zotit.) Sa të lumtur janë ata që vijojnë rrugën e tij. . .
/Marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/