Allahu i lartëmadhërishëm, nëpërmjet pejgamberëve robërve të Tij u ka dërguar libra. Në këta libra njeriut ia ka mësuar urdhrat dhe ndalesat e Zotit, ia ka treguar rrugët për të arritur lumturinë në këtë dhe në botën tjetër.
Disa nga librat e shpallura janë libra të vegjël. Këto ndryshe quhen fletushka – “suhufe”. Gjithsej janë 100 fletushka, ndërsa të tjerët quhen “Libra të mëdhenj”.
Fletushkat që u janë shpallur pejgamberëve:
1) 10 fletushka i janë shpallur Ademit a. s.
2) 50 fletushka Shitit a. s.
3) 30 fletushka Idrisit a. s.
4) 10 fletushka Ibrahimit a. s.
Librat që u janë shpallur pejgamberëve:
1) Tevrati, Musait a. s.
2) Zeburi, Davudit a. s.
3) Inxhili, Isait a. s.
4) Kur’ani Fisnik, Muhammedit a. s.
Ne i besojmë të gjitha librat e shpallur. Mirëpo, përveç Kur’anit Fisnik, librat e tjerë janë shkatërruar dhe kanë përjetuar ndryshime. Për këtë arsye ne nuk besojmë variantin e ndryshuar, por besojmë në origjinalin e shpallur pejgamberëve.
Ndërsa libri ynë, Kur’ani Fisnik, është ruajtur në kujtesë, ashtu siç i ka zbritur Pejgamberit tonë dhe ka arritur deri në ditët tona pa pësuar asnjë ndryshim. Po kështu do të vazhdojë deri në Ditën e Kijametit.
Veçoritë e Kur’anit Fisnik:
Kur’ani Fisnik është libri i shenjtë i muslimanëve, i cili nga Allahu xh. sh. i ka zbritur Pejgamberit më të fundit dhe më të madhit, Muhammedit a. s.
Janë disa veçori të cilat Kur’anin e bëjnë më të lartë dhe më të dalluar nga librat tjerë hyjnorë.
Këto veçori janë:
a) Kur’ani Fisnik ka arritur deri te ne, ashtu si i ka zbritur Pejgamberit a. s. pa pësuar kurrfarë ndryshimi dhe do të vazhdojë deri në kijamet pa u shkatërruar.
Allahu i lartësuar e garanton mbrojtjen e Kur’anit, me këtë ajet: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”.
Dhe me të vërtetë, Allahu xh. sh. librin tonë të shenjtë, e ka mbrojtur deri tani dhe do ta mbrojë edhe më tutje.
b) Kur’ani nuk ka zbritur përnjëherë, por gradualisht sure pas sures dhe ajet pas ajeti, varësisht sipas ngjarjeve dhe kohës. Kjo situatë ka mundësuar t’i lihet të kuptohet dhe të mësohet përmendsh.
c) Kur’ani Fisnik është libri i fundit hyjnor. Pas tij libër tjetër nuk do të shpallet. Parimet e Kur’anit nuk do të ndryshohen, pra ato do të vlejnë deri në Ditën e Kijametit. Librat e mëparshëm kanë qenë të shpallur vetëm për një kohë të caktuar.
ç) Kur’ani Fisnik është një libër që i është dërguar tërë njerëzisë. Ai është me përplot urtësi dhe të vërteta, ai ka potencial për t’i përmbushur nevojat e çdo shekulli. Librat e tjerë të shenjtë qenë shpallur vetëm për popuj të caktuar.
d) Kur’ani Fisnik është muxhizja më e madhe dhe e përhershme e pejgamberit tonë. Ai, me leximin e tij, i cili i qetëson shpirtrat, me kuptimin e lartë përplot urtësi, me parimet e pavdekshme që solli për lumturinë e njerëzisë dhe me të gjitha të vërtetat shkencore që u bëri dritë të gjitha kohëve, është një mrekulli e pakrahasueshme.
/Marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/