PAS SHEMSIT

Ndryshimet shpirtërore e të jashtme që pësoi Mevlanai pas njohjes me Shemsin, i zemëruan disa dijetarë dhe juristë islamë. Ata thoshin se ato që bënte e thoshte Mevlanai, ishin në kundërshtim me fenë. I lënduar nga të gjitha këto, Mevlanai shkoi përsëdyti në Damask për ta kërkuar Shemsin, por, kur e pa se s’ia gjeti dot as gjurmët, u kthye në Konja. Pas këtij kthimi të vitit 1250, filloi dalngadalë të vinte në vete. Tashmë, ai “diell” kishte lindur në qenien e tij, atë e kishte gjetur në veten e vet!
Tashmë, Xhelaleddin Muhammedi i përgatitur si dijetar, jurist dhe sufi nga një baba intelektual dhe karizmatik, nga një sheh i çmuar dhe nga eruditë të mëdhenj, ndodhej para popullit si Mevlana, Imzot, të cilit, këtë herë, afër moshës së pjekurisë dhe në mënyrë që shembuj të tillë mund të hasen rrallë në histori, i kishte dhënë zjarr një njeri i ashkut, i pasionit mistik! Me një zgjuarsi dhe kapacitet të jashtëzakonshme, edukatës shembullore që kishte marrë e të diturive me bazë të shëndosha që kishte përvetësuar, tek ai ishte sendërtuar shpirti sublim, zemra e gjerë dhe pasioni (ashku) i pashuar. Këto veçori të larta të tij reflektoheshin në shoqëri në formën e një dashurie të madhe, e një mirëkuptimi të gjerë dhe e një botëkuptimi të thellë.
Së bashku me ndershmërinë, realizmin, mosvrapimin pas interesave materiale të kësaj bote, vetëbesimin, shpirtin përpjekës dhe aësinë komunikuese të gatshme, me dialogun e hapur me çdo njeri, me idetë e çmuara, me interpretimet origjinale e që zgjonin admirim, si dhe me horizontin e gjerë, Mevlanai arriti ta bënte të pranueshme veten në shoqëri. Ai fitoi dashurinë dhe respektin e shumë vetëve, nga burrat e shtetit, te artistët, esnafët, madje, jomuslimanët dhe diti si t’i kthentealët dhe sjelljet kundër tij, në të mirë të tij. Gjithsesi, në këtë fenomen kishte luajtur dhe luante rol të rëndësishëm edhe qeverisja tolerante e Selçukëve.
Mevlanai i cili përshkohej me një pagë të pjesshme që i jepej nga qeveria për shërbimet e fetvasë, pas kësaj kohe u muar më shumë me udhëzimin e sufive dhe arifëve, dijetarëve shpirtërorë, dhe orientimin e popullit. Njërin nga myridët e Sejjid Burhaneddinit, Argjendar Salaheddinin, e bëri shok të ngushtë dhe zëvendës (halife). Edhe pse disa persona të mjedisit të Mevlanait mbetën të pakënaqur nga sjellja në këtë post e Salaheddinit të paarsimuar, Mevlanai e vazhdoi konfidencën dhe intimitetin me Salaheddinin i cili ishte i lidhur me të me një besnikëri të pafundme, madje, vajzën e tij, zonjushën Fatime, e mori për të birin Sulltan Veled. Ndërkaq, pas një miqësie të sinqertë dhjetëvjeçare, në vitin 1258, Argjendari Salaheddin u sëmur dhe vdiq. I prekur thellë nga kjo ngjarje, Mevlanai shkroi përsëri një sërë poezish. Se edhe dhimbja e brendshme nga ndarja prej Shemsit nuk qe shuar fare, ai kurrë s’kishte arritur prehjen dhe qetësinë. Megjithëkëtë, e pati vazhduar luën e jetës dhe vazhdimisht pati qëndruar mes shoqërisë.
Pas vdekjes së Salaheddinit, shoku i ngushtë dhe zëvendësi i tij u bë Hysameddin Çelebiu. Ky person që thirrej Ahi Turkogllu, ishte njeri i ditur dhe përparimtar në mendim. I lidhur me respekt dhe dashuri të madhe ndaj Mevlanasë, iu lut shehut të krijonte një vepër që do t’u tregonte dervishëve të vërtetat mistike. Dhe Mevlanai nxori nga çallma një letër të mbështjellë ku ndodheshin të shkruara 18 kuplete që do të bëheshin preludi i Mesnevisë së ardhshme, dhe ia zgjati Hysameddinit duke i thënë se, nëse do të pranonte të shkruante, do t’ia diktonte veprën nëalë. Kështu, 10-15 vjetët e fundit të jetës, Mevlanai i kaloi duke diktuar Mesnevinë. Në çdo rast të përshtatshëm, ai improvizonte dhe recitonte, kurse Hysameddini shkruante. Kështu u trajtësua ajo vepër madhështore gjashtëvëllimëshe që arrin gjer më 26 mijë kuplete. Mevlanai i jepte rëndësi të madhe Mesnevisë dhe në çdo rast ia shprehte ndjenjat e mirënjohjes Hysameddinit i cili i shërbente si sekretar. Misionin që ia kishte ngarkuar veprës, ai e shprehte me këtoalë: “Pas meje, Mesnevia do të bëhet sheh, ajo do t’ua tregojë rrugën e drejtë atyre që e kërkojnë, do t’i drejtojë dhe udhëzojë ata!”
Pas sundimtarit të çmuar Alaeddin Kejkubad, tek Selçukët nisi të prishej rendi dhe uniteti shtetëror, të humbej qetësia në shoqëri. Në një atmosferë të tillë, qenia dhe mendimet e Mevlanasë u bënë strehim dhe burim ngushëllimi. Edhe kjo specifikë kishte rolin e saj në interesimin që tregohej ndaj tij nga çdo shtresë e shoqërisë. Ndërkaq, trupi i Mevlana Xhelaleddin Rumiut i cili e pati kaluar tërë jetën me pasionin mistik, me përpjekje e vuajtje, u rrënua. Kohët e fundit të jetës i kalonte më shumë i sëmurë. Më në fund, më 17 dhjetor 1273, ditën e diel në perëndim të diellit, u bashkua me të Dashurin Eternal. Mevlevitët e quajnë këtë natë “sheb-i arus”/”nata e dhëndërrisë” dhe qysh prej shekujsh e përjetojnë me kremtime të ndryshme. Në kortezhin funeral morën pjesë të mëdhenj e të vegjël, madje jomuslimanë, për ta përcjellë në udhëtimin e përjetshëm!