Qëllimi i fesë islame, në tëcilën ne kemi nderin të jemi pjesëtarë, është që njeriun ta bëjë të lumtur në këtë dhe në botën tjetër. Për ta fituar këtë lumturi, përmbledhja e parimeve që ka sjellë islami është:
“Puno për këtë botë sikur nuk do të vdesësh kurrë dhe puno për ahiret sikur do të vdesësh nesër”.
Në jetën e kësaj bote më tepër mendojmë për ardhmërinë tonë. A nuk përgatitemi në verë për dimër? A nuk punojmë pa pushuar në rininë tonë, duke menduar në vitet e pleqërisë? A nuk është një realitet që rinia jonë u nënshtrohet vështirësive të ndryshme duke studiuar në pranverën e jetës së saj, për të siguruar një ardhmëri më të mirë? Atëherë, pasi që njeriu për jetën e kësaj bote, e cila është e shkurtër dhe kalimtare, punon pa ndërprerë e pa pushuar për ta fituar jetën e ahiretit, e cila është e pakufishme, a nuk duhet që nga 24 orët që i ka në disponim të ndajë një orë për t’i falur namazet, e nga dymbëdhjetë muajt të ndajë një muaj për të agjëruar?
Zoti ynë na thërret në Kur’anin fisnik që të përgatitemi për ahiret, për vendbanimin e përhershëm:
“O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër”.
Shihet qartë që për muslimanin rëndësi të veçantë është t’i mësojë drejt themelet e imanit, ibadetet dhe t’i realizojë në kohën e duhur detyrat që ka ndaj Allahut xh.sh.
/Teksti është marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/