Dhuntitë që na i ka dhuruar All-llahu…

All-llahu i lartësuar, e ka krijuar njeriun në formën më të bukur dhe shumë krijesa i ka nënshtruar dhe i ka vënë në shërbim të tij. Ky realitet në Kuranin fisnik shpjegohet kështu: “Ai (Allahu) është që për juve krijoi gjithçka ka në tokë. . . ”.
“Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe diellin e hënën. Edhe yjet janë të nënshtruara me urdhrin e Tij. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon.”
Shihet qartë se bota rrotullohet për ne, e edhe dielli dhe hëna lind për ne. Duke filluar nga mikrobota e deri te makrobota gjithçka e kryen detyrën e vet dhe shumica e krijesave janë në shërbim të njeriut. Atëherë si mund të paramendohet që njeriu i cili është krijesa më e nderuar të mos zbatojë ibadetet, që njëherit janë detyra e njeriut.
All-llahu i lartësuar thotë: “Nëse i numëroni dhuntitë e All-llahut, nuk do të mund ti përfundoni”. Neve na e tërheq vëmendjen që begatitë që na i ka falur janë aq shumë, saqë nuk mund të numërohen. Ndaj të gjitha këtyre të mirave, Zoti prej neve ka kërkuar që ta njohim dhe ta adhurojmë. Zoti i lartësuar të gjitha këto të mira na i ka dhuruar falas.
Tani të mendojmë me fisnikëri:
Përderisa ne falenderojmë mjekun i cili na shëron syrin me pagesë në rast të sëmundjes, atëherë a thua vallë nuk
duhet të falenderohet Zoti ynë, i cili atë na e dhuroi falas? Gjithashtu përderisa ne e falënderojmë atë i cili për një mbrëmje na pranon si mysafir në shtëpinë e vet dhe na ofron ushqim, a thua vallë nuk duhet të paguajmë borxhin e falënderimit ndaj All-llahut i cili me vite na strehon në pronën e Tij me të gjitha dhuntitë, duke filluar nga ajri që marrim frymë e deri te uji që pimë?
Ja, pra, ne nëpërmjet të ibadetit edhe urdhërin e Allahut e realizojmë, po edhe i shprehim falënderimet tona ndaj begative që na i ka dhuruar.
Tek Allahu vlera e muslimanit matet nëpërmjet ibadetit. Ajeti i Kur’anit fisnik jashtëzakonisht na nxitë të mendojmë mbi ata të cilët nuk e realizojnë detyrën e ibadetit krahas asaj që Zoti u ka dhuruar të mira të panumërta. Allahu i lartësuar thotë: Thuaj “Zoti im as nuk do të kujdesej për ju, sikur mos të ishte lutja juaj”.
Pejgamberi ynë edhe netët i kalonte në ibadet duke e ndier nevojën e përkulshmërisë, me qëllim që ta paguajë borxhin e falënderimit ndaj madhërisë së Zotit dhe ndaj dhuntive të panumërta të tij.
Hz. Aishja r. a. thotë:
Një natë Pejgamberi ynë pasi u shtri në shtrat, u çua, mori abdest dhe filloi të falë namaz dhe duke u falur qante. Pastaj i çoi duart dhe përsëri qante, derisa hetova që sytë i kishte të lagur.
Pastaj erdhi Bilalli për ta thirrur ezanin. Kur e pa pejgamberin duke qarë, tha:
“O i Dërguar i Allahut, a ende qan edhe pse Allahu t’i ka falë të gjitha mëkatet e së kaluarës dhe të së ardhmes”.
Pejgamberi iu përgjigj:
“O Bilall, a mos të jem një rob që falënderon”.
Të përgatitemi për udhëtimin e amshuar
Këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë: Allahu nuk ka nevojë për ibadetet tona, por ne kemi nevojë për ibadet. Sa mëshirmadh që është Allahu i lartësuar i cili krahas dhuntive të shumta, ibadetet tona edhe ashtu të pakta dhe me të meta i pranon dhe për ato na jep shpërblime të shumta.
Ta lexojmë këtë ngjarje e cila shërben si shembull për shumësinë e bamirësisë dhe begative të Zotit ndaj robërve të tij!
Një njeri që jetonte në shkretëtirë dhe që ishte i varfër shumë, kishte ngelur në mjerim. Për të shpëtuar nga kjo situatë, bashkë me gruan menduan një çare. Të shkojnë në Bagdat dhe t’ia paraqesin gjendjen e vet sundimtarit të asaj kohe me shpresë se ai do t’u ndihmojë.
Mirëpo nuk e panë të arsyeshme në Bagdat të shkojnë duar thatë. Vendosën që sundimtarit t’i dërgojnë, sipas tyre, gjënë më të vlefshme në shkretëtirë, një shtambë me ujë shiu, duke menduar se në Bagdat ka mungesë të ujit. Njeriu mori një shtambë me ujë shiu, udhëtoi me ditë të tëra dhe arriti në Bagdat. Shërbyesit në oborrin mbretëror e pritën shumë mirë.
Njeriu u tha: “Dërgojani këtë dhuratë mbretit. Ky ujë i ëmbël është marrë nga uji i shiut, e ndoshta mbreti kujtohet dhe ia plotëson nevojat këtij nevojtari”.
Shërbetorët ia dhuruan mbretit ujin që solli njeriu. Mbreti këtë e pranon me plot kënaqësi dhe si shpërblim shtambën që e solli me ujë ia mbushi me ar, i dhuroi tesha, e shumë dhurata të tjera dhe kështu e shpëtoi nga nevojat që kishte.
Gjithashtu shërbëtorët e vet i porositi: “Ky njeri duke ardhur në këmbë, është lodhur, andaj kur të kthehet dërgojeni në rrugën që shkon drejt lumit Tigër”. Ata ashtu vepruan. Njeriu, duke u kthyer, hipi në anije. Deri atëherë s’kishte njohuri për lumin Tigër. Kur e pa lumin, u përkul nga turpi dhe tha:
“Sa bamirës paska qenë mbreti, edhe pse ka kaq shumë ujë në pronën e vet, ai përsëri e pranoi një shtambë ujë që solla unë dhe si shpërblim më dha kaq shum dhurata”.
Ja pra ibadetet tona janë sikur dhurata e këtij njeriu që ia solli mbretit. Allahu ibadetet tona i pranon nga bamirësia që ka dhe si përgjigje na ofron shpërblime të shumta.
Mjafton që ne ibadetet tona t’i kryejmë me sinqeritet dhe me nijet të pastër, pra të mos shkojmë tek Allahu duarthatë.
/Marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/