Nevoja për ibadet…

Njeriu është një qenie e krijuar prej trupit dhe shpirtit. Ashtu siç ka nevojë trupi ynë për ushqim, ashtu edhe shpirti ndjen nevojë për ushqim. Ushqimi më i rëndësishëm i shpirtit është imani i fortë dhe pastaj ibadeti. Ibadetet e përforcojnë besimin tonë dhe na ndihmojnë të përsosemi moralisht. Fruti i pemës së imanit që ushqehet me ibadete është ahlaku i mirë.
Në zemrën e atij që vazhdimisht gjendet në adhurime ndriçon nuri i imanit dhe vendoset ndjenja e përgjegjësisë dhe frikës ndaj Allahut. Në saje të ibadeteve pastrohet brendësia jonë nga mendimet e këqija dhe ana e jashtme nga ndytësitë e mëkateve. Muslimani me zbatimin e ibadeteve financiare fiton dashurinë e njerëzve.
Ibadeti që bëhet me vetëdije, e largon njeriun nga mëkatet dhe e shndërron atë në një besimtar të plotë me vlera të larta dhe me moral të përsosur. Në të vërtetë tek Allahu ky është ibadet i pranuar.
Një djalë i ri nga muslimanët e Medines vazhdonte të veprojë keq, edhe pse falte namaz pas Pejgamberit a. s.. Për gjendjen e këtij u lajmërua Pejgamberia. a. s. . Në lidhje me këtë i Dërguari i Allahut tha: “Namazi i tij një ditë do ta largojë nga veprat e këqija”. Me të vërtetë pa kaluar shumë kohë, i riu u pendua, i braktisi të këqijat që vepronte dhe u shndërrua në një person me moral të mirë. Ashtu siç kemi nevojë të hamë e të pimë gjatë tërë jetës, gjithashtu kemi nevojë për ibadet dhe për ushqim shpirtëror deri në fund të jetës. Allahu i lartësuar thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja).
Ibadeti është mjeti më i mirë që e afron besimtarin tek Allahu. Ai është mburojë që e mbron atë nga brengat. Njerëzit, të cilët zhyten në kriza të ndryshme dhe që i kaplon pesimizmi, duke adhuruar Allahun strehohen nën mëshirën e Tij dhe i arrijnë qetësinë shpirtërore. Besimtari në saje të ibadetit çlirohet nga nyjet materiale të dynjasë, lartësohet shpirtërisht dhe, duke mënjanuar pengesat që i dalin përpara, e çel rrugën e ndriçuar të vendbanimit të lumtur dhe të amshuar. Thënë shkurt, Ibadetet, të cilat janë simboli i imanit tonë dhe ushqimi i shpirtit tonë, e përforcojnë besimin tonë duke e pastruar brendinë tonë nga mendimet e këqija dhe anën tonë të jashtme nga ndytësitë e mëkateve. Ibadeti na shndërron në besimtarë të plotë me moral dhe virtyte të larta. Kështu na mundëson të fitojmë qetësi në këtë botë, të shpëtojmë nga dënimi në ahiret dhe të fitojmë jetën e lumtur dhe të pakufishme në xhenet, i cili është një vendbanim i amshuar. Braktisja e ibadeteve duke u mjaftuar vetëm me besim shkakton dobësimin e tij. Për të mos u tharë dhe për t’u zhvilluar një pemë që sapo është mbjellë, kohë pas kohe ka nevojë për t’u ujitur. Nëse kjo nuk bëhet, pema thahet. Imani që gjendet në zemrat tona duhet të mbrohet dhe të përforcohet me ibadete. Pikërisht për këtë shkak kemi nevojë për ibadet. Duke e kryer namazin, agjërimin dhe ibadetet e tjera, ne i realizojmë detyrat tona ndaj Allahut edhe e ruajmë imanin tonë i cili është çelësi i henetit në atdheun e amshuar.
/Marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/