Ndërsa ditët kalonin në këtë mënyrë, kur një dervish shëtitës me pamje të çuditshme, i quajtur Shemsi Tebrizi, hyri në Konja në vitin 1244 dhe u takua me Mevlananë, ushtroi mbi të një efekt të fuqishëm dhe transformues. Kishte mundësi që Mevlanai ta kishte parë atë për herë të parë në Halep ose Damask. Ekzistojnë rrëfime të ndryshme mbi takimin e Mevlanait me Shemsin. Por një gjë është krejt e qartë, që, me ta parë Shemsin, Mevlanai ndryshoi menjëherë! Ndërsa dëshironte të përparonte vazhdimisht në fushën shpirtërore dhe, për këtë, ishte në ndjekje të burrave të mendimit dhe kuptimit, Mevlanai e kishte gjetur, më në fund, atë që kërkonte. Me lutje e përgjërime, e ftoi Shemsin në shtëpi. Pastaj vetëm me të rrinte, me askënd tjetër nuk shihej e nuk takohej. Mësimet, predikimet, medresenë, katedrën i braktisi. Pas një përbashkësie që vazhdoi me javë, madje, me muaj, në këtë mënyrë, Mevlanai e ndërroi rrugën. Tashmë kishte veshur pelerinën e sufizmit dhe recitonte vjersha i kredhur në ashkun ose pasionin mistik, nën forcën tërheqëse hyjnore, i kredhur në ekstazë dhe entuziazëm… Tashmë nisi nga riti i sema-së1 që nuk e pati vlerësuar kur ecte në gjurmët e të atit, në fillim, pastaj në gjurmët e Sejjid Burhaneddinit. Në kuvendin e tij jehonin tingujt dhe meloditë e fyellit dhe rebabit. Fakti që një dijetar i dashur për popullin, si Mevlanai, u rrëmbye nga Shemsi, nga ky njeri, sipas tyre, me sjellje moskokëçarëse dhe larg qëndrimit të njeriut shpirtëror, nga ky njeri që s’dihej se kush ishte, fakti që Mevlanai qëndroi me të kokë më kokë muaj me radhë pa u dukur gjëkundi, që e vuri çdo gjë që zotëronte në udhën e tij, që i braktisi mësimin, predikimin dhe fetvanë dhe që, më në fund, doli në shesh i pasionuar dhe i tërhequr në atë mënyrë që s’do ta duronte as njeriu i thjeshtë, i hapi rrugë faktit që njerëzit të cilët përbënin mjedisin e Mevlanait, të formonin qëndrim armiqësor ndaj Shemsit, për më tepër, duke e cilësuar “magjistar”, ta fyenin. Atëherë, Shemsi të cilit i ishte thyer zemra nga fjalët dhe sjelljet e tyre, një ditë prej ditësh u zhduk papritmas nga sytë. Por ata që shpresonin se, pas ikjes së Shemsit me të cilin pati kaluar një intimitet 16 muajsh, Mevlanai do të kthehej në gjendjen e mëparshme, do të bëhej ai që kishte qenë, u gabuan! I dërrmuar shpirtërisht, i dëshpëruar, Mevlanai kërkonte të gjendej Shemsi, recitonte vjersha, nuk e zinte vendi. Dhe, kur pas 15 muajsh, më në fund, mori lajmin se Shemsi ndodhej në Damask, e dërgoi të birin, Sulltan Veled, së bashku me disa të afërm, për t’i kërkuar falje dhe për ta ftuar në Konja. Kthimi në Konja i Shemsit të ndezur nga ndjenjat e dashurisë dhe miqësisë, e gëzoi jashtëzakonisht Mevlanain. Myridët i kërkuan falje Shemsit dhe ai i fali. Tashmë nisën të organizoheshin kuvendet me vallen sema. Çdo ditë, dikush i ftonte diku Shemsin me Mevlananë, sekush përpiqej me sa kishte mundësi, të shtronte gosti për ta. Por kjo gjendje s’vazhdoi gjatë. Pasi Mevlanai u mbyll përsëri disa herë të tjera në kuvend kokë më kokë me Shemsin, nisën përsëri thashethemet kundër tij. Në këtë intrigë të dytë, shumë më të ashpër se kjo e para, u përzje edhe djali i dytë i Mevlanait, Alaeddin Çelebiu. Në vitin 1247, një grup i përbërë nga myridët dhe të afërmit e Mevlanait u hodh në veprim për ta vrarë Shemsin dhe, atëherë, Shemsi, ose u vra fshehurazi dhe iu zhduk kufoma, ose, sipas një mundësie tjetër, iku nga Konja dhe prej tij s’u muar më asnjë lajm. Zhdukja e papritur e Shemsit e çorientoi Mevlananë. Natë e ditë recitonte vjersha, vallëzonte sema, s’e zinte vendi vend, s’gjente dot prehje e qetësi asnjë çast. Ja, pra, shumicën e vargjeve të Divanit të Madh3 prej afro 40 mijë bejtesh (dyvargshesh, kupletesh), e përbëjnë ato të improvizuara e të recituara në këtë gjendje shpirtërore. Ishte krejt e qartë se një gjendje të tillë shpirtërore tejet emocionale e të vuajtur s’mund ta shprehte asnjë lloj gjuhe tjetër veç poezisë dhe muzikës.