Sureja Ihlas
Jemi duke biseduar në lidhje me ajetin e parë të sures Ihlas dhe thamë që një prej elementeve kryesore të besimit Islam ishte besimi në ekzistencën e Zotit, në njëshmërinë e Zotit dhe në çështjen se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut xh.sh. Në kuadër të kësaj, biseduam për cilësitë e Zotit dhe me sa duket ishim te cilësia e parë Vuxhud, që do të thotë: Zoti ekziston.
Sonte do të përpiqem, për shkak se jemi në muajin e Ramazanit, që dimensionin e ekzistencës së Zotit pak ta lidh me çështjen e Ramazanit e pastaj do të vazhdojmë me bisedat e njohjes së Zotit. E kam potencuar disa herë, njohja e Zotit është element shumë e rëndësishme , është fundamentale se çështjen, personin, elementin, substancën, dhatin të cilin nuk e njeh me të nuk ke mundësi që të krijosh afërsi. Problemi më i madh i njerëzve të cilët jetojnë në bashkëkohësi është që nuk e njohin Zotin dhe për atë nuk kemi mundësi realisht të krijojmë miqësi me Zotin. Ekzistenca e Zotit është çështje që më së tepërmi i dedikohet shpirtit të njeriut. Momentalisht njeriu është i koncentruar në masë të madhe në dimensionin trupor dhe paramendoni që pandërprerë e ushqen, e fryn dimensionin trupor dhe ai sa më shumë fryhet aq më shumë e shtyp shpirtin e njeriut. Kjo fryerje nuk ka të bëjë vetëm me ngrënien ose pirjen, por ka të bëjë me të gjitha elementet të cilat janë në lidhje me këtë botë. S’ka dyshim që për ta përjetuar Zotin në brendësi ka nevojë që njeriu zbrazëtirën e brendshme të tij ta mbush me Zotin.
Një pjesë e madhe e dijetarëve tonë në librat e veta e tregojnë një ngjarje shumë interesante një metaforë që ka të bëjë me elementet e para parazanfillore, para krijimit të njeriut. Ata e kanë përshkruar në mënyrë teatrale që të jetë pak më e qartë. Thonë që All-llahu xh.sh. kur e krijoi Ademin a.s, trupin e Ademit a.s (kështu thotë posaçërisht Haxhi Veli Bektashi në veprën e tij Makalat, por kjo është e transmetuar edhe prej gjeneratave të mëparshme të dijetarëve) kur e krijoi njeriun e la që të thahet në xhennet. Një ditë shejtani, Iblisi ishte duke ecur brenda (atëherë ende nuk ishte shejtan, ishte një prej xhinëve i cili i besonte Zotit) dhe duke ecur nëpër xhennet pa diçka që nuk i ngjante gjallesave të deriatëhershme të krijuara, iu afrua dhe i ra në gjoks. Kur i ra në gjoks prej trupit të njeriut, Ademit, u dëgjua një zë sikur zëri që dëgjohet kur i bihet ndonjë vorbe që është e zbrazur brenda (gup gup); shejtani tha që ‘ky e paska brendinë bosh, prej këtij nuk ka dobi’ edhe sa mori të largohet atëherë All-llahu xh.sh ia tregoi një ajet të Kur’anit që ne e kemi në Kur’an tash, në të cilin urdhërohet: “E kur ta përsosë atë (në formën e njeriut) dhe t’i japë atij shpirtin që është krijesë Imja, atëherë ju bini atij në sexhde” ( Hixhr,29) që domethënë, “Unë do ta mbush brendinë e tij me shpirtin Tim”, njeriut vlerë do ti jep fryma Ime e cila e mbush zbrazëtirën e tij të brendshme. Elementet e kësaj bote sa më shumë e shtypin këtë zbrzëtirë atëherë fillon të shtypet edhe shpirti.
Ramazani është një mundësi nëpërmes të cilit ne arrijmë që ti japim një hapësirë shpirtit, që ta mbushe brendinë me Zot, me atë që ka nevojë të mbushet. Metafora e Ramazanit është këtu, për tu mbushur me Zot, duhet të mos mbushet me bukë, për tu mbushur me Zot duhet të rrijë pak i zbrazur prej ujit, për tu mbushur me Zot duhet të rrijë pak larg prej elementeve të cilat kanë të bëjnë me këtë botë, dhe pikërisht këtu është qëllimi i mosngrënies, mospirjes gjatë muajit të Ramazanit, dhe e ngjall në brendinë tonë dimensioni shpirtëror që neve nga aspekti i besimit në Zotin na mundëson ta përjetojmë ekzistencën e All-llahut xh.sh.
Unë asnjëherë në jetën time, ata të cilët më ndjekin edhe në xhami e dinë, kur flas për çështjet fetare, asnjëherë nuk flas nga dimensioni shëndetësorë, asnjëherë nuk e konsideroj të drejtë mendimin se All-llahu xh.sh. Ramazanin ua ka dhënë njerëzve për të qenë të shëndetshëm. Obligimet fetare janë obligime nëpërmjet të cilave All-llahu xh.sh. e sheh sa krijesa e tij, njeriu, me dëshirën e tij të lirë është në gjendje që ti përkushtohet All-llahut xh.sh.
All-llahu xh.sh ka vetëm një kundërshtarë, ta dini. Kundërshtari i vetëm i All-llahut xh.sh është un’i i njeriut dhe nëpërmjet të Ramazanit All-llahu xh.sh njeriut ia ndërpret të gjitha ato gjëra që un’i i tij, egoja e tij, i dëshiron, hajen e ka dëshirë ia ndërpret; pijen e ka dëshirë ia ndërpret; që do të thotë se e provon sa është në gjendje t’i sakrifikojë çështjet e un’it për hirë të All-llahut xh.sh. Agjërimi e ka këtë vlerë nga aspekti i besimit dhe përjetimit të Zotit në brendinë tonë. Pejgamberi s.a.v.s e ka një hadith që është shumë simptomatik thotë: “Kush nuk iu largohet fjalëve të liga (do me thënë kush nuk e edukon unin e vet për shkak se edukimi i unit bëhet me largimin e veseve të cilat janë të liga, vesi kryesisht manifestohet nëpërmjet të fjalës) , gjatë Ramazanit, atëherë nuk ka nevojë të rijë i uritur prej mëngjesit deri në mbrëmje”.
Në të kaluarën, aq në mënyrë të thjeshtë është shpjeguar ky hadith sa që njerëzit kanë filluar të mendojnë se hadithi ka të bëjë vetëm me sharjen dhe ndërprerjen e sharrjes gjatë Ramazanit. Po ju them me tërë përgjegjësinë se problemi nuk është vetëm te sharja, por është te fjala e cila del si rezultat i një ndjenje të keqe. Një Shejh i ynë prej Turqie, Zoti i dhashtë të mira, e ka një fjalë shumë të mirë, thotë: “Sikur përgojimi, shpifja, thyerrja e zemrës së të tjerëve, fjalët e liga që i prishin relacionet mes njerëzve, ti dehnin njerëzit, si që i deh alkooli, atëherë krejt njerëzit do t’i shihnim se si lëkunden sikur janë të dehur” domethënë, sikur këto fjalë, të dehnin si që deh alkooli, atëherë krejt njerëzit do ti shihnim se si lëkunden në rrugë, dhe vërtetë është kështu. Këto elemente të Ramazanit janë mundësi që ne ta përjetojmë Ramazanin si duhet.
Ramazani ka tre dimensione të rëndësishme nga aspekti i besimit në Zot.
1. Një është dimensioni tradicional dhe ai i ka elementet e veta; dimensioni tradicional është i përqëndruar në idenë se krejt kanë agjëruar edhe ne duhet të agjërojmë, duhet ti bëjmë iftaret, duhet ta bëjmë syfyrin, duhet ta falim teravinë edhe ky dimension i jep fesë karakter shoqërorë. Të gjithë ata që mundohen fenë ta largojnë prej shoqërisë, prej kulturës, prej qytetërimit prej folklorit, pasi Ramazani te ne është edhe një folklor, te të gjithë popujt musliman Ramazani është një element i folklorit, ngrënia e paçës, për shembull, ne asnjëherë tjetër nuk e hamë paçën, e hamë vetëm në Ramazan. Disa elemente ka që te ne nëpërmjet të Ramazanit kanë krijuar edhe një folklor dhe nëse e fenë e zhveshim prej të gjithë këtyre elementeve të kulturës, të qytetërimit, të folklorit atëherë feja ngel e zhveshur. Te ibadeti dhe te feja elementi i folklorit e ka vendin e vet, s’ka fjalë që duhet ti ikim lukseve dhe israfeve të cilat nuk janë në rregull por edhe për shembull nëse 5-6 shokë ose shoqe bashkarisht sonte do të dalin të hanë një iftar bashkë, nuk ka asgjë të keqe, ky është element i traditës dhe kulturës tonë muslimane, edhe këtë nuk duhet ta humbim, nuk e kam qëllimin që të bëhen darka solemne të mëdhaja ama nëse 5-6 shokë dhe shoqe dalin dhe e hanë një iftar bashkë, kjo tregon që te ato shkëndija e imanit, besimit është prezente dhe se ibadeti ka depërtuar në folklor, në tradi dhe në shoqëri.
2. Dimensioni i dytë i Ramazanit është ai racional. Njeriu edhe nga aspekti racional ka nevojë që ndonjëherë të tërhiqet në vetmi. Kryesisht ju jeni njerëz të cilët merreni edhe me punë të rëndësishme ose me studime jeni marrë. Çdoherë kur kemi ndonjë punë shumë të rëndësishme që duhet të kryhet shpejtë, atëherë i largojmë familjen, hiqemi në një dhomë vet, koncentrohemi në atë punën që duhet ta bëjmë dhe nëse duhet 15 orë 20 orë merremi vetëm me atë punë. Domethënë edhe nga aspekti racionale nëse keni dëshirë që të jeni të suksesshëm dhe ta kryeni me sukses punën të cilën e keni filluar, atëherë duhet të izoloheni pak prej disa kënaqësive të cilat i keni në këtë botë. Elementi i Ramazanit neve në racio na zhvesh pak prej çështjeve që kanë të bëjnë me këtë botë dhe na afron te All-llahu xh.sh.
Duhet ta dini që këto çështje janë ndihmëtare nëse ne kemi dëshirë ti afrohemi Zotit, nëse ne nuk kemi dëshirë ti afrohemi Zotit, atëherë as Ramazani nuk mund të ndikojë, as Kur’ani, as Metini, as Mehmeti, as askush.
3. Dimensioni i tretë, për të cilin unë mendoj që është më i rëndësishmi në Ramazan, është elementi i përjetimit të ibadetit. Ka një autor kroat Çedomir Veljaçiç, i cili i ka analizuar fetë e lindjes, në mes tyre edhe Islamin dhe thotë që: “Unë kam marrë pjesë në shumë ceremoni të ndryshme fetare anemmbanë botës, fillo prej Afrikës Jugore e deri te Eskimët, prej Kinës e deri në Brazil, jam marrë me të gjitha kulturat dhe fetë që ekzistojnë, mirëpo, kënaqësi më të madhe se në sofrën e iftarit nuk kam përjetuar askund”. Shikoni, kjo është fjalë e një autori i cili nuk e ka të njohur thënien profetike, hadithin e Pejgamberit s.a.v.s ku ai thotë: “ Për atë që agjëron ka dy kënaqësi, dy dëfrime dy gëzime të mëdha. I pari është gëzimi në momentin e sofrës së iftarit kur njeriu 15-16 orë nuk ka ngrënë dhe të gjitha të mirat i ka para vetes por nuk e zgjat dorën, e pret thirrjen, All-llahu Ekber të muezinit, që atëherë të fillojë të hajë, ky është një edukim metafizik i nefsit, i unit të njeriut, që nëse e analizoni në aspektin psikologjik, antropologjik, nuk mund ta gjeni askund tjetër dhe e dyta është kur do të takohet me bukurinë e All-llahut xh.sh, me xhemalin e All-llahut xh.sh, ndërsa takimi me bukurinë, me xhemalin e All-llahut xh.sh është kënaqësia kryesore e botës tjetër. Njerëzit që do të hyjnë në Xhennet (Zoti inshallah na e bën të mundur krejtve), një periudhë në Xhennet do ta ndjejnë një mangësi dhe do t’i drejtohen All-llahut xh.sh. :’ne jemi në Xhennet, jemi rehat shumë, ama si duket e kemi një brengë brenda, e kemi një të keq brenda, nuk e dimë prej nga na vjen’ atëherë Allahu xh.sh. iu thotë që Xhenneti e ka edhe jë begati, një nimet dhe kjo begati, ky nimet është takimi me xhemalin e All-llahut xh.sh, me bukurinë e All-llahut xh.sh. Shihni pra, Pejgamberi a.s momentin e iftarit, kënaqësinë e cila përjetohet në momentin e iftarit, e ka krahasuar me takimin me All-llahun xh.sh. në Xhennet dhe për atë një prej momenteve në të cilat më së tepërmi pranohet lutja e besimtarit është momenti i iftarit. Këtë çështje nuk e dinë ata që nuk agjërojnë , këtë çështje e dinë vetëm ata që e përjetojnë ashtu si duhet agjërimin dhe nëpërmjet të përjetimit të agjërimit arrijnë që ta përjetojnë në brendinë e tyre ekzistencën e All-llahut xh.sh..
Si rrjedhojë, ne jemi në prag të Ramazanit, sonte është teravia e parë e Ramazanit dhe ne duhet të përgatitemi pak më tepër t’i lutemi Allahut xh.sh.. Pejgamberi s.a.v.s thotë që: “Me tre grupe të njerëzve nuk kam dëshirë të takohem në botën tjetër, ata janë të ulët. Grupi i parë janë njerëzit të cilët e dëgjojnë emrin tim dhe nuk thonë :Allahumme salli ala Muhammed (ta dini që pa e dashur Pejgamberin, nuk kemi mundësi ta duam Zotin, pa e njohur Pejgamberin, nuk kemi mundësi ta njohim Zotin, Pejgamberi është mishërim i fjalës hyjnore, ëshët element i gjallë i shpalljes, sikur mos ishte kështu All-llahu xh.sh do ta çonte shpalljen nëpërmjet të letrave, do ua hudhte shpalljen njerëzve dhe nuk do të çonte Pejgamber, por Pejgamberi i jep gjallëri fesë, është elementi i gjallë ifesë, e provon se feja nuk është utopi dhe se është pjesë e të njerëzishmes. Si pasojë, nëse e keni vërejtur shumë pak në historinë e njerëzimit është sulmuar Kur’ani, kryesisht është sulmuar Pejgamberi a.s., edhe këto ngjarjet e fundit që ishin me karikaturat e pejgamberit a.s. nëpër gazetat perëndimore e kishin atë qëllim. Edhe në krishterizëm, ta dini kryesisht nuk sulmohet Ungjilli, por kryesisht sulmohet Hz.Isa dhe të gjitha filmat të cilat bëhen nga ateistët merren me personalitetin e Hz.Isës, janë sulme të cilat i bëhen personit të gjallë.
Ne sot në botë, edhe nga aspekti i muslimanëve edhe nga aspekti i fesë nëpërgjithësi, e kemi problemin më të madh te elementi i gjallë i fesë, te elementi njeri, te elementi prijës fetarë,kjo është kështu te të gjithë edhe te muslimanët. Për shembull e keni parë se një prej çështjeve që e dridh edhe kishën katolike është elementi i mosekzistimit të prijësve të cilët do të jenë adekuat për bartjen e fjalës hyjnore. Prandaj Pejgamberi s.a.v.s thotë me tre grupe të njerëzve nuk kam dëshirë të takohem. Grupi i parë kur e dëgjojnë emrin tim nuk bien salavat, çdo person çdo musliman kur përmendet emri Muhammed ose kur thuhet Pejgamber duhet të thotë Allahumme salli ala Muhammed, që do të thotë Kërkoj që bekimi i Zotit të lëshohet mbi Pejgamberin s.a.v.s. Grupi i dytë i njerëzve me të cilët nuk dua të takohem thotë janë që i kanë në jetë njërin prej prindërve ose të dy dhe nuk kujdeset për to, nuk sillet mirë ndaj tyre. Edhe këtu është një element shumë i rëndësishëm që tregon se njeriu për të qenë njeri duhet të ketë kujdes në marrëdhëniet familjare, posaçërisht relacionin me prindërit. Prindërit, Pejgamberi s.a.v.s posaçërisht i potencon por edhe Kur’ani që të kemi kujdes ndaj prindërve. Kjo çështje e mban të fortë familjen. E potencoj këtë për shkak se e kundërta e saj, potencohet nga të gjitha ideologjitë të cilat i kemi ne prezente, momentalisht, në botë. Momentalisht në botë thuhet që ‘ti i ke bërë 18 vjet dhe më nuk ke punë me prindërit, më nuk ka të të përzihen ty për asgjë, ti nuk je i obliguar që të merresh me ato’ një element i arrogancës që nuk i ngjanë njeriut. Grupi i tretë, Pejgamberi a.s thotë: që personi i cili arrin në muajin e Ramazanit (si ne që kemi arritur në muajin e Ramazanit tash) dhe del prej Ramazanit ashtu si ka hyrë në Ramazan. Do të thotë që Ramazani është një mundësi ku ne mund të pastrohemi prej disa sjelljeve,veseve dhe mënyrave të jetesës të cilat nuk janë në kuadër të fesë, nuk janë në kuadër të përkushtimit tonë që e kemi ndaj All-llahut xh.sh., ndërsa nga ana tjetër t’i shtojmë disa të mira të tjera.
Për shembull Ramazani është mundësi që nëse kemi pirë alkool më parë, sonte të themi që sot është dita e Ramazanit edhe ne sot e tutje më nuk e pimë alkoolin, ose nëse nuk jemi falur, nuk e kemi falur xhumanë deri tash, as xhumanë, as namazet tjera, sot vendosim që ta falim të paktën xhumanë në xhami, nëse namazet tjera nuk kemi mundësi ti falim, të paktën xhumanë (vlen për burrat për shkak se te ne gratë nuk e kanë për obligim ta falin xhumanë në xhami); ose vendosi që unë jam musliman dhe kam obligime ndaj All-llahut xh.sh, siç kam obligime ndaj shoqërisë kam obligime edhe ndaj All-llahut xh.sh, prandaj për ta treguar përkushtimin tim ndaj All-llahut xh.sh do t’i fali namazet ose gjëra tjera e të ndryshme , pjesë të cilat janë urdhëra fetare, obligime fetare, obligime njerëzore, janë përkushtime tona ndaj All-llahut xh.sh të cilat nuk i kemi bërë deri më sot, por që vendosim ti bëjmë prej sot e tutje.
Prandaj Pejgamberi a.s në kuadër të këtij hadithi sikur na thotë. “Në momentin kur do të hyni në Ramazan, ju duhet të pendoheni prej të gjitha gjërave të liga, të cilat i keni pas dhe të vendosni që së paku ta shtoni një të mirë, që kur të dilni prej Ramazanit, të keni dalur si një person i cili e ka një plus tepër në jetën e tij”.
Unë me këtë do ta kryej bisedën dhe tash bashkërisht ne do ta bëjmë një istigfar me ju dhe pas asaj mund të rrimë pak këtu, dhe të diskutojmë se si do të vazhdojë programi gjatë Ramazanit.