Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit Islamik, muaj në të cilin shpaloset mëshira, falja dhe shpetimi i Zotit të botëve. Në muajin e Ramazanit është i obliguar edhe agjerimi, si një prej shtyllave dhe detyrimeve juridike fetare të çdo besimtari, në mënyrë që ky i fundit të përsosë moralin e tij. Zoti thotë në Kuranin Adhimushan se: “Juve u është bërë obligim agjërimi, sikurse e kishin obligim popujt e mëhershëm, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” Mirëpo, ajo që është interesante është se shumica prej nesh kontaktin tonë të parë me Ramazanin dhe agjerimin nuk e kemi pasur në kuadër juridik. Ramazani ndër ne është paraqitur si motiv artistik, i cili, me ardhjen e tij i ka ngjyrosur shtëpitë tona, xhamitë, rrugët, tavolinat, fytyrat, zemrat, etj. Të gjithë, nga fëmijët e vegjël e deri te të moshuarit e kanë konsideruar angazhimin në muajin e Ramazanit si përfshirje në një proçes të lartë shpirtëror me përmasa psiko-sociale.
Përmasa e manifestimit të Ramazanit në Shqipëri rinis në fillim të viteve 90-të, pas një ndalese 25-vjeçare të besimit dhe praktikës fetare. Megjithëse edhe gjatë periudhës ateiste në Shqipëri shumë familje e kanë vazhduar traditën e agjerimit në shtëpitë e tyre, po ashtu edhe të përkujtimit të netëve të mëdha të Regaibit, Miraxhit, Beraetit, Mevludi Sherifit, si piketa për mbrojtjen e përvojës së tyre shpirtërore në ato ditë të vështira. Ata të cilët i kanë përjetuar ato ditë tregojnë se shpeshherë detyroheshin ta çelnin agjerimin gjatë ditës nën vazhdën e provokimeve të ndyshme që u bëheshin nga shteti. Madje në raste të caktuara, ka ndodhur që të agjërohet edhe dy muaj si pasojë e pamundësisë për të llogaritur me saktësi hyrjen e hënës së Ramazanit. Mirëpo, kjo nuk është parë asesi si barrë dhe mundim i rëndë. Përkundrazi, një i moshuar i asaj kohe më tregon dhe thotë se: “Për ne agjërimi ishte lehtësim i të gjithë asaj vuajtje që kishim. Kishim besim se Zoti do të na ndihmojë.” Me këto fjalë sikur arrij ta shoh të mishëruar ajetin kuranor ku Allahu xh.sh thotë se: “Allahu dëshiron për ju lehtësimin dhe jo vështirësinë.”
Në vitet 90 feja u lejua përsëri, xhamitë u hapën dhe aktiviteti i jetës fetare u rindez edhe më i zjarrtë se më parë. Po ashtu edhe muaji i Ramazanit dhe agjërimi manifestohej i veshur me të gjitha elementet e tij artistike dhe të larmishmërisë së kulinarisë që e karakterizon Ramazanin. Tashmë, besimtarët nuk kishte nevojë të druheshin për të ngrënë syfyrin me kandilët e fikur, me frikën se do t’i shohë dikush dhe do të lajmërojë policinë, por në rrugët e qytetit dëgjoheshin daullet, të cilat i ftonin besimtarët për tu ngritur dhe për të ngrënë syfyrin. Muzika e daulles bart në vetvete konotacione të madhështores. Hazreti Aliu në një fjalë të tij thotë se kur dëgjoj daullen të bjerë më vjen se bën dhikër duke thënë: “Subhanallahi Hakka. Inne’l-Mevla Jebka” (I pa të meta është Zoti I Vërtetë. Ekzistuesi i Përhershëm është vetëm Ai.) Këtë konotacion e ka edhe prezenca në sofrën e syfyrit. Besimtari e ndjen se po ndërmjerr një akt të rëndësishëm për të, për qëllimin e tij në ekzistencën e kësaj bote. Unë ende i mbaj mend syfyret e para të fëmijërisë sime. Në moshën 7-8 vjeçare, kur gjyshi dhe gjyshja ngriheshin që në mëngjes për të përgatitur syfyrin, ngriheshim dhe ne për të ngrënë së bashku me ta. Si fëmijë që ishim ne na ishte lejuar që agjërimin ta mbanim deri në drekë, por ajo që nuk më shqitet nga mendja është aroma e pastërmasë të cilën gjyshi e kishte përgatitur disa javë më herët dhe gjyshja e gatuante në çdo syfyr. Agjërimi për fëmijët nuk është detyrë fetare, por kishte ngazëllim kur ngriheshim në syfyr. Dhe kur ndodhte që ndonjë ditë të mos arrinim të zgjoheshim, mërziteshim. Mesa duket syfyri ishte bërë pjesë e jona e pandashme.
Me riktihimin e jetës fetare në vend, u rikthye në duart e besimtarëve edhe Kurani Adhimushan. Së bashku me të u rikthyen edhe mukabeletë e famshme të Ramazanit të cilat i kishin munguar xhamive për një kohë të gjatë. Mukabeleja është një traditë e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite në xhamitë tona, ku imami lexon Kuranin dhe xhemati e ndjekin, sikurse bënte edhe Pejgamberi i Zotit a.s me Xhibrilin a.s, të cilët lexonin herë njëri e herë tjetri, derisa në fund të Ramazanit e kishin lexuar të gjithë Kuranin.
Momenti kulminant i agjërimit të Ramazanit është gjithmonë çasti i Iftarit. Shtëpia mbushet me aromën e gatimeve dhe gjellërave të ndyshme, të përgatitura me mund dhe me dashuri nga nënat dhe zonjat. Ramazani i shton ngjyra sofrave, jo për shkak se është uria më e madhe, por për shkak se çelja e Iftarit është një alegori e sofrës së xhenetit. Zoti thotë në Kuran se: “Sa herë që atyre (besimtarëve) u jepet ndonjë mirësi në Xhenet, ata do të thotë se edhe më herët (në dynja) kemi pasur prej këtyre mirësive. Mirëpo, atyre u janë dhënë vetëm të ngjashmet me to.” Këtu na tregohet se imazhet e jetës së kësaj bote janë një alegori e botës tjetër. Për këtë arsye edhe sofra e Iftarit është një momentum në të cilin, agjëruesi e përkujton (dhikr) përmes artit kulinar, atë që e pret në ahiret. Është për tu theksuar fakti se agjëruesi i cili ulet në sofrën e mbushur, nuk guxon të prekë asgjë pa arritur koha e duhur. Në këtë moment agjëruesi e përjeton katarzën më të lartë, pasi praktikisht e tregon se të gjithë këtë sakrificë e bën vetëm për shkak të dashurisë që ka për Zotin. Në këtë moment shpërthejnë edhe vërshimet e mëshirës dhe faljes së Zotit. Edhe zhurma e topit, e cila buçiste nga kodra e qytetit, sikur i bënte jehonë kësaj vërshime. Tradita e çeljes së iftarit me top ka vazhduar deri vonë në disa qytete të Shqipërisë, sikurse Kavaja, etj. Kjo ka qenë një traditë e trashëguar që prej kohës së Perandorisë Osmane, e cila për fat të keq nuk vazhdon më.
Pas çeljes së iftarit me hurma dhe ujë, si porosi e Pejgamberit a.s i cili thotë: “Çeleni Iftarin me hurma dhe nëse nuk gjeni hurma, çeleni me ujë sepse ai është i pastër,” si pjata karakteristike të Ramazanit nuk mund të mungonin petullat e Ramazanit, kima, syltjashi, hoshafi apo edhe qahia.
Në traditën e Ramazanit, vend të rëndësishëm zë edhe teravia, e cila megjithëse është namaz vullnetar, bën që xhamiat të mbushen plot dhe të gumëzhijnë nga tekbiret dhe salavatet. Që fëmijë më kujtohet se nxitonim pas iftari të marrim abdes dhe të përgatitemi për të shkuar në xhami. Ecnim dorë-përdore me gjyshin dhe kur hynim në xhami uleshim gjithmonë pranë shkallëve të minberit. Imami qëndronte në mihrab duke mbajtur vazë deri në vaktin e thirrjes së ezanit të Jacisë. Më pas ngriheshim për t’i falur njëzet rekate teravi dhe në fund imami e bënte një dua të përbashkët e cila pasohej herë pas herë me Amin-et e besimtarëve. Mendoj se melodinë aq të bukur të këndimit të Kuranit nga imami i Xhamisë Fatih, haxhi Zeneli, nuk do ta harroj deri sa të jem gjallë. Sot kur i thërras kujtimet, ndjej mall për këndimin e tij të Kuranit, pasi më duket me të vërtetë se ai e dashuronte Fjalën e Zotit.
Ramazani është një institucion shumë-dimensional, i cili niset nga individi dhe depërton në të gjitha kategoritë social-kulturore të shoqërisë, për ta ri-kalibruar atë dhe për ta vendosur në suazat e virtytshmërisë dhe devocionit. Rrënjosja thellë në gjenin e shoqërisë sonë të Ramazanit, ka bërë që ai të jetë më tepër se thjesht një ritual fetar. Ai është po aq edhe produkt kulturor, material artistik, terapi psikologjike, etj. Projektimi i një shoqërie me kulturë të Ramazanit, mund të jetë një alternativë për problematikat social-kulturore të botës bashkëkohore duke nisur nga egoizmi, konsumerizmi, individualizmi, nihilizmi, etj.