Pothuajse në çdo bisedë për artin dhe artistin vendin kryesor e merr biseda për emocionin dhe ndjenjën për ta rrokur të përkryerën. A është mundshme e përkryera të formësohet apo trajtësohet në formën, por edhe nëse kjo formë është artistike? Vërtetë çështje e vështirë! Por ama, siç thotë edhe L. Cohen, “Në çdo gjë ka një plasaritje dhe rrezja e dritës prej aty depërton”. Ndoshta plasaritjen më të përsosur të të përkryerës arrin ta rrokë arti dhe artisti. Ai nuk funksionon vetëm me arsyen, por gjithnjë i ka të inkuadruar edhe emocionet. Artisti duke menduar e djersitë edhe shpirtin dhe kënaqet me ndjenjën e tij. Artisti, njëkohësisht, e tërheq edhe respektin e të mençurve por edhe dashurinë e fëmijëve; kënaqet edhe me lëvdatat e kritikave pozitive, por edhe me paraqitjet e kritikëve më të ashpër që kanë të drejtë, nuk hyn në polemika dialektike, por e përjeton kritikën si përkujtim. Artisti e ndien se konstatimi i të bukurës është rruga e vetme për ta gjetur “ më të mirën” dhe përpiqet ta lë botën pas vetes më mirë se e ka gjetur.
E përkryera, disa herë, mund të bëhet edhe armiku më i madh i të mirës. Personat, madje edhe artistët, që në çdo punë e kanë qëllim të përkryerën, pas një kohe të caktuar anojnë të mos bëjnë asgjë, ose bien në kurthin e prolongimit kronik të gjërave. Koncepti kryesor i tyre, përkundër realitetit, bëhet: punën e sodit lere për nesër!
Numri më i madh I njerëzve nuk janë në gjendje që të bëjnë klasifikimin e prioriteteve dhe kanë dëshirë që të bëhen të suksesshëm në shumë fusha përnjëherë. Ata synojnë që të jenë më të mirët në ndërtim të karrierës, në bërjen e fëmijëve, në tubimin e pasurisë, në marrëdhëniet shoqërore. Si rrjedhojë, ata lodhen aq shumë sa që nuk bëjnë asgjë si duhet dhe e dorëzojnë betejën. Të lodhur dhe të rraskapitur largohen nga përpjekja për ta bërë të mirën, e lere më të përkryerën.
Është fakt se jeta moderne e ka në plan të parë suksesin. Shumica e personave që ngelin mbas në konkurrencë mendojnë se problemi dhe defekti është tek to dhe jo te sistemi, dhe fillojnë të mbyllen në vete duke u ndier të turpëruar. Ndërsa të tjerët, për personin që nuk mund të mbahet në shoqërinë dinamike dhe që ka humbur, konstatojnë se është në depresion dhe stres. Kjo, për fat të keq, më së tepërmi ndodh me artistët. Askush nuk është në gjendje, madje edhe pak, të mendojë se ndoshta defekti ka mundësi të jetë në kultin e suksesit dhe konkurrencën e ndjenjës për të qenë i pari. Kjo na fut në sindromin që ta konsiderojmë të qenit tonë reale vetëm nëse kemi lënë ndonjë farë ndikimi tek njerëzit tjerë. Dita ditës, shumë e më shumë, në rrugë, në fakultet, në kafe, hasim në njerëz që bëjnë shamatë për të treguar se dikush gjithnjë i vëzhgon ata. Si duket telashi i pranisë në rrjetet sociale ka filluar ta okupojë edhe jetën reale tonën! Burimet autentike të qetësisë dhe emocionimit të brendshëm kanë filluar ta humbin vlerën. Qëndrimi dhe komenti i të tjerëve ka dalë në plan të parë. Pra, nëse jemi të suksesshëm dhe na duartrokitin atëherë do të thotë se jemi.
Si pasojë e kësaj ndjenje, matëset e suksesit rriten në kahje të kundërt nga emocionet dhe ndjenjat e brendshme të artistit. Paramendoni një kompozitori ti imponohet duartrokitja dhe suksesi në tallava. Kjo gjendje nga njëra anë na prodhon artist të pazarit, ndërsa nga ana tjetër, persona me dritare plotësisht të hapura për zërin e vetëdijes së brendshme, të cilët në asnjë mënyrë nuk e pëlqejnë veten. Këta të dytët janë më të rrezikshëm për zhvillimin e personit dhe artit. Dëshira për të përkryerën ka një natyrë vetë shkatërrimtare. Ajo prodhon individë që udhëhiqen nga lëvdatat dhe dekoratat dhe që, për shkak se nuk mund t’i arrin ata, letargjizohen totalisht, ndërsa prolongimin e punëve e shndërrojnë në karakter të tyre.
Për ta larguar presionin e konceptit të përkryerjes duhet të mësohemi ta ngadalësojmë tempon. Duhet ta shmangim nga vetja presionin e kohës, Qëllimi ynë duhet të jetë derdhja e djersës në rrugëtimin drejt cakut dhe jo vetë caku. Nga fillimi duhet ta pranojmë se ne jemi qenie të mangëta dhe sido që të veprojmë gjithsesi se do të kemi të meta në punën tonë. Do të thotë, nëse nga fillimi e pranojmë se nuk kemi fuqi t’i kontrolojmë të gjitha gjërat atëherë nuk do të na mundojë emocioni për të përkryerën, por edhe nuk do të qëndrojmë larg nga të bërit e të mirës dhe të bukurës.
Standardet për të përkryerën që vendosen nga vetja ose nga të tjerët në trajtë imagjinare e futin personin, në këtë rast artistin, në një vorbull prej të cilës mund të del vetëm nëse hyn në depression dhe i prolongon edhe punët më të vogla. Artisti nuk duhet të përqëndrohet në fitore të mëdha. Por ama, fitoret e mëdha më shpesh arrihen si pasojë e bërjeve të vogla por në kontinuitet dhe asnjëherë nga megalomania pas të përkryerës.
Në një botë që gjithnjë e dhunon njeriun të bëjë diçka të re, ose diçka të ndryshme, suksesi më i madh është që njeriu të jetë vetvetja. Për të kaluar në vepër dhe akcion nuk duhet të pritet që të ndryshohen mendimet dhe të bëhen të përkryera. Në fillim duhet të kalohet në vepër dhe pastaj dalngadalë të ndryshohen mendimet, nëse duhet.
Nese cdo segment të jetes e prezantojme me driten e projektorëve, atehere nuk ka kuptim intimiteti. Kjo mendësi është totalitarizëm i transparencës. Te jetohet e tërë jeta sipas parametrave të tjetrit është dhunë e ideologjisë së transparencës. Intimiteti është bërthamë e të qenit person. Për fat të keq intimitetin e kemi shndërruar në burg të personit…
Bota ku shpejtësia e gëlltit tç ngadalshmen është botë pa rrëfim të vet. Për të bërë rrëfim duhet të ndalemi pak te njeriu, duhet të përqëndrohemi pak në çast. Ngadalësimi është i nevojshëm për të kuptuar se cka kemi humbur. Duhet të ndiejme ngrohtësine e bashkëbisedës pak më të gjatë, të depërtojmë në botën e brendshme të njeriut, ta ndajmë brengen dhe gjendjen shpirtërore me tjetrin. Duhet ta ecim rrugën që shkon prej njeriut tek njeriu, duhet ta dallojmë litarin e padukshëm të fatit që na i bashkon horizontet dhe që na lidh me njëri tjetrin. Ndryshe sbën…
Tregtia me konkurencën, si një prej problemeve kryesore të botës bashkëkohore, e çon artistin të besojë se vetëm nëse është i suksesshëm dhe më i miri, do të ketë mundësi të qëndrojë në këmbë. Artistit përmes projektorëve të ndryshëm, si rrjetet sociale, hyn në konkurrencë me të tjerët dhe ngel nën presionin e përkryerjes imagjinative dhe të pakapshme. Si rrjedhojë, në epokën e individualizmit konkurrues, nga njëra anë shkrihen vlerat shoqërore, ndërsa nga ana tjetër rriten pikët e narcizmit. Dhe kjo situate e ngulfatë artin dhe artbërësin.
Neoliberalizmi i lëkundi themelet e vlerave kulturore dhe e zhvendosi epiqendrën e kulturës esenciale të shoqërisë njerëzore. Vendin e solidaritetit dhe kënaqjes e morri lakmia dhe konkurrenca. Në epokën e individualizmit egoja paraqitet si performative dhe theksohet se ajo, përmes performansave të veta, mund ta arrijë përkryrjen dhe plotninë. E vërteta, si një ndër sukseset kryesore të mendimtarit dhe artistit, gjithnjë e më shumë cungohet nga profesioni dhe presionet e suksesit, të cilat paraqiten si kërkesa të shoqërisë. Por ama, nëse profesioni dhe arritja e suksesit e kaplon çdo pore të jetës sonë atëherë ajo jetë nuk ka vlerë që të jetohet!
Përkryerja, na paraqitet
si shkallë më e ulët e vetëdijes, si krahasim. Në rastet kur e krahasoni veten
me dike tjetër, atëherë do të thotë se e keni krahasuar me diçka që nuk jeni ju
vetë. Kjo rrugë është përplot me mundime të brendshme të cilat e pengojnë
imagjinatën krijuese të artistit. Në asnjë mënyrë nuk duhet ta ndjejmë veten se
jemi në konkurrencë, se duhet të krahasohemi me dikë. Ne jemi të bukur dhe mund ta bëjmë të bukurën ashtu si
jemi dhe ashtu si mund ta bëjmë ne vetë së bashku me tërë qenien tonë, të
brendshmen dhe të jashtmen. Assesi nuk duhet të bëhemi skllevër të suksesit dhe
krahasimit.
Mendimi ,“ ti ekziston aq sa ke mundësi të jesh i suksesshëm”, prodhon një
pashpresi dhe letargji të zgjeruar. Na shndërron në njerëz të hutuar pas
performances dhe na bën egocentrik. E mira dhe e bukura arrihet, jo duke u
përqëndruar në rezultatin, por në procesin e punës. Përqëndrimi në rrugëtimin
drejt qëllimit e gëzon njeriun për punën që e bën , i jep kënaqësi dhe ia
mundëson që të besojë në veten. Suksesi, shumë herë, arrihet duke i analizuar
mangësitë dhe jo duke e bërë çdo herë atë që duhet. Pikërisht në këtë segment
inkuadrohet krijimi, pasioni dhe këmbëngulja. Pra, sa jemi të pasionuar nga
puna që e bëjnmë? Fillojmë ta parashtrojmë pyetjen: “ Cilën punë mund ta bëj më
mire”?, dhe prej këtij çasti do të thotë se kemi filluar të mësojmë.
Zemra jonë, nëpërmjet artit hapet për të bukurën, nëpërmjet përshpirtshmërisë për amshueshmërinë, nëpërmjet dashurisë për gëzimin, ndërsa nëpërmjet filozofisë për mahnitjen. Të gjitha këta që u përmendën kanë nevojë për qetësi, çiltërsi dhe persiatje. Kuptimi shfaqet vetëm në rastet kur ne do të mund të vendosim kontakt të drejtpërdrejtë me diçka që është më e madhe se vetë ne. Vetëm çastet e kaluara në rrugëtimin prej të përkohshmes drejt të përjetshmes janë pjellore dhe shtatzane me kuptime të reja.
Të kuptosh vetë është një shkallë para se të jesh i qartë për të tjerët. Ta kuptojmë çështjen vetë që të jemi të qartë për të tjerët. Vetëm nëse e kuptojmë diçka do të kemi mundësi që të njëjtën ta bëjmë të kuptueshme edhe për të tjerët.
Në veprën “1984” të Orwell’it krijohet një gjuhëre. Në këtë gjuhë të re përjashtohen sinonimet dhe kuptimet simotra dhe gjuha e humb koloritin e saj. Gjuha e Vjetër përmbyset dhe ndërtohet një Gjuhë e Re (ose Gjuhëreja) përmes së cilës gjuhë thjeshtëzohet realiteti. Në Oqeani, në vendin ku e vendos kontekstin e romanit autori, shkatërrimi i fjalëve të vjetra është një gjë e zakonshme, për faktin se çdo fjalë e ka të kundërtën e saj brenda. Siç thotë Orwell, ‘fjala e ka brenda vetes të kundërtën e saj. Le të marrim fjalën “mirë”, për shembull. Në qoftë se kemi fjalën “mirë”, ç’kuptim ka të kemi fjalën “keq”. “Jomirë mund të shkojë po aq mirë, madje edhe më mirë, pasi ndryshe nga tjera krijon të kundërtën e saktë të fjalës “mirë”. Në Gjuhërenë e këtij regjimi më nuk do të ketë nevojë për fjalë të panevojshme si “i përsosur”, “i shkëlqyer”. Meqenëse çdo vit do të hiqen fjalë nga gjuha e vjetër, qëllimi kryesor i Gjuhëresë është ngushtimi i hapësirës së mendimit deri në zhdukje. Nuk do të ketë nevojë fare për mendim. Mendimi i shëndoshë do të konsiderohet krim, prandaj në Gjuhëre instalohen, pos tjerash, fjalë krejtësisht të reja, si, fytyrkrim, ndalkrim, bardhëezi, joperson, mendimi i dyfishtë, Polici e Mendimit, krimmendim.
Për shembull. në Gjuhërenë e Oqeanisë, me fytykrim nënkuptohen të gjitha ato mimika në fytyrë që shprehim mosbesimin ndaj Partisë. Çdo ankth i pavetëdijshëm ose i vetëdijshëm që shprehej përmes fytyrës është i dënueshëm. Për të parandaluar çdo rrëshqitje eventuale, çdo mendim të rrezikshëm, kërkohej vetëdisiplinim i rreptë. Kurdo që mendimet e rrezikshme shfaqeshin në tru, gjëja e parë që bënin njerëzit në këtë regjim është t’i ndalnin në mënyrë instiktive këto mendime heretike. Kjo aftësi, në Gjuhëre, për t’i vetëkontrolluar muskujt e trurit që prodhonin mendime heretike quhej ndalkrim. Për të ndalur këtë krim, njerëzit brenda këtij regjimi jo vetëm që duhej të besonin, por edhe ta dinin, se e zeza është bardhë dhe të harronin njëherë e përgjithmonë se dikur e zeza mund të ketë qenë e zezë dhe e bardha e bardhë. Procesi i vetëdijshëm përmes së cilit bëhet “zotërimi dhe pranimi i dy mendimeve të kundërta në të njëjtën kohë”, quhet mendim i dyfishtë. Madje vetë mendimi i dyfishtë shprehet përmes mendimit të dyfishtë, për shkak se ky i fundit nuk e ka të njëjtin kuptim si në gjuhën e vjetër. Pushteti mbahet pafundësisht vetëm falë ushtrimit të mendimit të dyfishtë. Momentin kur njëherë e mirë e kontrollon mendimin e njerëzve përmes Policisë së Mendimit, nuk ekziston më kurrfarë realiteti i jashtëm objektiv. Kjo situatë prodhon një tip të njeriut që është joperson. Jo qytetar. Kjo është forma se si përmes kontrollimit të gjuhës, kontrollohet shoqëria. Vdes mendimi.
Në librin Beyond 1984: Doublespeak in the Post-Orwellian Era, Willaim Lutz, duke kombinuar Gjuhërenë dhe Mendimin e Dyfishtë krijon konceptin e Gjuhës së Dyfishtë. Gjuha e Dyfishtë është “një gjuhë e cila nuk e zgjeron por e kufizon mendimin”. Këtu, shprehet Lutz, e keqja duket e mirë, e papëlqyeshmja e pëlqyeshme, përgjegjësia papërgjegjësi. Për ta sqaruar tutje, Metta Winter, bën një dallim mes gënjeshtrës dhe gjuhës së dyfishtë. Dallimi, sipas Winter, është se gjuha e dyfishtë përdor eufemizma, zhargon, sinonime, dhe paqartësi. Përmes tyre fshihet e vërteta.
Si rrjedhojë, duhet të largohemi prej dysisë dhe të përqëndrohemi në njësinë, të përqëndrohemi në rrugëtimin dhe procesin dhe jo në cakun, t’i ikim gjykimit dhe të përqëndrohemi në pranimet, në vend të fitoreve të mëdhaja të përqëndrohemi në realizimin e hapave të vogla. Nuk jemi të përkryer por ama, së bashku me aftësitë dhe dobësitë, mund të rrugëtojmë drejt të përkryerës dhe të plotës…