Muaji i lindjes së Pejgamberit a.s./Rebiu’l-Evvel çdoherë vjen me freskinë e imagjinatës dhe frymëzimeve nga burimi i dritës dhe reflektimi më i përsosur i tij në Gjithësi. Më mahnitë fakti si e përbotshmja e ka përfshi tërë atë realitet tejlëndor, makrokozmosi si është vatërzuar në mikrokozmosin aq bukur dhe aq lartë. Arsyeja edhe ajo e pastër, por edhe ajo praktike nuk më përgjigjen edhe pse shumë shpesh e mundoj, e dhunoj që të kem mundësi me qartësinë shqisore madje edhe intelektuale ta përmbledh këtë realitet. E them realitet për shkak se e ndiej dhe e dashuroj imanencën e dritës së paraqitur në personalitetin lëndor të Muhammedit a.s.. Me këtë ankth të arsyes vendosi të ik prej saj, të kaloj në çmendinën intime dhe të kënaqem pse s’di të mendoj, por ama mund të dashuroj aq thellë. Vetëm atëherë e ndiej dhe e shoh vizionin e gjurmëve të Ahmedit që nga njeriu primordial Ademi e deri tek Inxhili I Isait a.s. si e shtrojnë rrugën ku mund të ecet. Por kjo ndodh në hënën e zemrës, në muajin e përqëndrimit, hapërimit dhe frymëmarrjes së rezes më të përkryer të diellit ekzistencial në botën time, në botën ku edhe unë marr dhe nxjerri frymë dhe ku realisht ose në imagjinatë jam, por e ndiej, jam aty.
Po e ndiej çnyjëzimin e statusit ontologjik të njeriut. Nevoja për këtë dritë e sqaron periudhën e kohës së tashme të përhershme si në aspekt të dijes primordiale ashtu edhe të krijimit të vazhdueshëm. Po pse jo edhe të zbulesës e cila pandërprerë rezaton me bukurinë universale, e fshirë nga kufijtë e mjerë historik. Si ndryshe ta kuptoj prezencën e dritës sot dhe këtu!!? Avangardë është kjo, por jo në aspekt të kërcimit të gardhit duke e lënë pas vetes të kufizuarën por duke e bartur edhe atë përtej. Ose më mirë ta them duke i grisur perdet e lëndës, që më robërojnë, nuk ma lejojnë lirinë të kënaqem pa mend; perdet grisen, ndërsa hapësirat dhe koha janë përsëri ashtu si ishin, këtu dhe sot.
Autenticiteti i ekzistimit tim i bazuar në relacion me parimin themelor- Zotin- qëndron mbi bindjen se jam nyje e pakuptueshme e përkohshmërisë dhe përhershmërisë, lëndës dhe frymës, imanentes dhe transcedentales; kjo është e shkruar me shkronja të arta në personalitetin fizik të vatërzuar në shkretëtirën arabe në muajin Rebiu’l-evvel, si ky tash, në vitin 571. Akti i depërtimit deri në thellësitë e ekzistencës reale që individin e bën njeri në personalitetin e Muhammedit a.s. është paraqitur si vazhdimësi e përvojës kohore të çastit të tashëm, me plotninë e vullnetit njerëzor, vetëdijes për kufizimin e njeriut, dashurisë, frikës, lindjes, vdekjes, por ama të gjitha këta të mundshme dhe të kapshme vetëm në qetësi dhe vet me veten. Bilbili i
zemrës nuk këndon këngën e dashurisë në kor. Vetmia kuptimore dhe mungesa e bisedës janë ngushtë të lidhura me fotografinë negative të qytetit të zëshëm dhe kaotik- metaforë e katrahurës së kohës dhe hapësirës sime- por ama në kundërshtim të plotë me idilën e strehimit tim në mëmëdheun e zemrës, afër miqve që në heshtje më kuptojnë dhe nuk lejojnë që tingulli ta prish harmoninë dhe të krijojë kaos. Heshtja më qetëson, por ama vetmia më mundon, pikërisht për këtë dëshiroj të dal prej vetmisë në heshtje dhe të bëhem njeri vetëm në kontaktin me ty, i dashuri im që edhe tash linde. Ky takim dhe kontakt nuk është lëndor, e di, dhe krjion një antropologji të vetmisë, ku unë mbetem i vetëm dhe i lidhur për dhimbjen e botës. Kujt t’ia tregoj dhimbjen time përveç teje oj Hënë e zemrës sime, i dashuri im Pejgamber.
Unë shoh vetëm një, kurrë nuk kam pamur dy dhe si rrjedhojë nuk kam mundësi kontakti me dikë tjetër -kjo kështu për shkak të murrit që e kam vendosur për të mos dalur nga njëshmëria- dhe kur nuk e ndiej prezencën tënde, domosdoshmërisht pajtohem me vetminë pozitive. Po, unë e di se të gjithë njerëzit janë të vetmuar- kjo është realiteti i tmershëm i ekzistimit të tyre- por ama ata nuk dëshirojnë ta pranojnë se janë të vetmuar, a mund të ketë shoqëri ai që nuk të ka mik ty , i dashur!!?
Askush përveç teje nuk e merr përgjegjësinë për t’i larguar dordolecët nga shtigjet ku ecim ne. Kreativiteti individual dhe shoqëror i yti nuk ka imitim, nuk e ngërthen modifikimin artistik, madje as edhe ndryshimin e karakterit të pastër, por kriojn një paradigmë si dëshirë e flaktë për lirinë e plotë, po të plotë dhe pa burgun e skllavërinë e të dukshmes.
Personaliteti metafizik i Pejgamberit a.s. si shembull primordial i njeriut universal e mundëson tejkalimin e paradoksit të njeriut i cili shikohet në pasqyrën e vetmisë dhe e paraqet përpjekjen hisorike dhe metahistorike për tejkalimin e vetmisë negative për të qenur një hallkë në vargun e qenësisë reale. Përpjekja për të kontaktuar me Pejgamberin është kontakt me njeri tjetër që nuk është i njëjtë si unë, por më i shëndritshëm, më largon rrezikun e zhgënjimit dhe si rrjedhojë të vetmisë edhe më të madhe. Jam i vetëdishëm se në këtë rast hyj në konflikt ndërmjet lirisë dhe dashurisë sime, imagjinatës krijuese dhe kërkesave shoqërore, por ama vetëm kjo ma mundëson lirinë e brendshme dhe më largon nga egocentrizmi, me fjalë të tjera, më tregon se nuk jam “vetë” për të qenë me të.
Ah sikur të kisha mundësi, them në këto net me dritë të Rebiu’l-evvel’it, që në të gjitha zgjedhjet të jem tërësisht i lirë; jo nuk mundem; më kufizojnë zgjedhjet e mëparshme, pasojat e tyre dhe gabimet e të gjithë atyre që kanë vepruar duke më marrur me vete edhe mua që jetoj shumë më vonë se ata, ose jam në kohën e tyre dhe pa më pyetur fare krijojnë imazhe me të cilat nuk pajtohem fare, nuk pajtohesh edhe ti, i dashur, e ndiej. Për shembull, nuk më është lejuar ta
zgjedh kohën dhe vendin për të lindur- kjo është një antropologji e vetmisë në vete- se nuk do të kisha lejuar që të mos lindi në pluhurin e këmbëve tua dhe t’i përjetoj mbi trupin tim gjurmët e dritës! Ndoshta në këtë luginë jam domosdoshmërisht, apo ashtu e kam merituar, por ama nuk të kam tradhtuar, i dashur, asnjëherë; madje edhe dhimbjen e kam gëlltitur me buzëqeshje, ti e di dhe kjo më mjafton.
Elementet e caktuara të natyrës, bimët, kafshët, retë, era, shiu të drejtohen që të qëndrosh dhe mos largohesh, të lëshosh rrezet vazhdimisht mbi hapësirën tonë; qëndro me ne thotë gurgullima e lumit, ndërsa vajin nuk e ndal flutura që s’ka frikë as nga zjarri. Në këtë mënyrë të përqafon natyra në këto net përplot me shpirtëri dhe sikur e ndiej “un’in” tënd si pjesë integrale të saj, ndërsa unë kam dëshirë të jem me ty, ose së paku me fluturën që digjet për ty. Vetëm tek ti është bërë sinteza më e përkryer e frymës me lëndën. Në ty është e pranishme natyra, por ti nuk je i njëjtë me të, ti je mikrokozmos dhe në asnjë mënyrë nuk mund të jesh pjesë e natyrës. Ndërsa unë ty të shoh si harmoni, sistem dhe rregull, pikërisht për këtë të dorëzohem. Nuk kam mundësi të krijoj fotografi më të mirë për njeriun, të jem më pozitiv, më konstruktiv vetëm se përmes mendimit dhe imagjinatës për ty. Ky dorëzim që ma mundëson ta njoh relacionin midis njeriut dhe kozmosit ma mundëson përjetimin e lirisë së brendshme. Ndoshta dikush do t’i thotë iluzion, imagjinatë, fantazi por unë e përjetoj dhe jam i vetëdishëm se është kështu. Identifikimi me ty më gëzon, më bën me shpresë, ma rregullon familjen, shoqërinë, të afërmit… prandaj dëshiroj të dal të vi kudo që je ti, për të qenë në vendin tim…
Po, e pranoj që kam dëshirë të jem bashkë me banorët e qytetit të virtytshëm të edukuar në praninë tënde, të vij mysafir në Medinen e ndritshme, por jo vetëm këtë, ta them të drejtën, kam dëshirë edhe ju të vinë këndej dhe mos na leni në errësirën e qytet(ërim)it ku kemi ndodhur dhe vazhdojmë të qëndrojmë. Ne jemi brenda pamundësisë për të funksionuar në kornizat e “ne”së dhe kjo na e blokon ngritjen e zërit në situatat shoqërore, prandaj të thirra ty, për t’u bërë “ne”.
Përndryshe do të vazhdojmë me vetminë…