Myftiu i Tetovës në periudhën e Mbretërisë Jugosllave Hafiz Kamil efendi Beqiri (Reka)

Shkruan: Hafiz Metin Izeti

Periudha e pas luftës së parë botërore ka qenë ndër periudhat më të vështira për myslimanët shqiptarë të hapësirave tona. Mbretëria jugosllave është përpjekur me të gjitha mjetet që ta pengojë organizimin cilësor të myslimanëve në hapësirat shqiptare. Pikërisht në këtë periudhë myfti i Tetovës ka qenë Hafiz Kamil efendi Reka i cili me sensin e tij diplomatik ka arritur që të ndikojë në krijimin e kushteve reale për vazhdimësinë e praktikës fetare si dhe të mësimit fetar në rajonin e Tetovës.

Kamil efendi Reka ka lindur në vitin 1867 në Tetovë. Qysh si fëmijë i vdiq nëna dhe babai e dërgoi atë në moshën 7-8 vjeçare në Stamboll, tek xhaxhai i tij Mehmed efendiu, i cili ishte i punësuar në administratën e pallatit të sulltanit. Mehmed efendi Reka ka qenëpersoni kyç për shkollimin e një numri të madh të kuadrove nga Tetova në Stamboll. Ai ka siguruar burse për një numër të madh të nxënësve dhe studentëve të cilët kanë vajtur në Stamboll për t’u shkolluar.

Mehmed efendiu e vendosi Hafiz Kamilin pranë muhafizit dhe imamit të njohur të xhamisë Valide Sulltan Hafiz Kamil efendi Islambollit. Hafiz Kamili i ri pasi që e përfundoi hifzin/memorizimin e Kuranit u regjistrua në medresenë e Fatihut. Pas përfundimit të shkollimit në medrese ai u kthye në vendlindje. Pas kthimit në vendlindje fillimisht ka punuar si imam në fshatin Vejcë. Ai për Vejcën gjithnjë ka folur fjalë të mira, i ka lavdëruar fshatarët e Vejcës si besimtarë të mirë dhe njerëz të ndershëm. Pas disa viteve është kthyer në Tetovë dhe aty e ka themeluar medresenë në xhaminë e Çarshisë së Epërme, ku më vonë, pas vdekjes së Kamil efendiut, do të inkuadrohet Bedaet efendiu si myderriz/profesor.

Në ndërkohë Hafiz Kamil efendiu është emëruar myfti i Tetovës, së bashku me Gostivarin dhe Kërçovën. Edhe pse, pas një kohe, i është propozuar të bëhet myfti i Banovinës së Vardarit, ai nuk ka pranuar dhe ka vazhduar ta ushtrojë detyrën e myftiut të Tetovës. Pas skadimit të mandatit të myftiut Hafiz Kamili ka shërbyer edhe si imam dhe ligjërues në xhaminë e Larme në Tetovë.

Hafiz Kamili, krahas disiplinave fetare, tefsir/komentimi I Kuranit, hadith/porositë pejgamberike, fikh/drejtësia islame, ka qenë i përgatitur edhe në disiplinat tjera shoqërore. Ai ka qenë njohës i mirë i matematikës, gjeografisë dhe historisë. Si rrjedhojë në medresenë e tij, krahas lëndëve fetare, i ka ligjëruar edhe këto lëndë. Një pjesë e madhe e nxënësve të tij më vonë do të punësohen si ofiqarë dhe në vende të tjera administrative.

Hafiz Kamil efendiu i ka njohur mirë gjuhët orientale, arabishten, persishten dhe turqishten, por njëkohësisht ka qenë njohës i mirë edhe i latinishtes.

Sipas rrëfimeve të familjarëve, veçanërisht të nuses së djalit të tij, që ia ka përcjellë nipit të vet Gajur Beqirit, Kamil efendiu ka qenë njeri shumë sistematik dhe pedant në punën e tij. Shpesh herë edhe ka ditur që të nervozohet dhe të reagojë në rastet e moskryerjes së obligimeve nga djemtë e tij në familje. Ka qenë shumë i drejtë dhe ka pasur konsideratë të veçantë për mirëqenien e femrës në kuadër të familjes.

Hafiz Kamil efendiu, si myfti i Tetovës, është angazhuar edhe në zgjidhjen e shumë mosmarrëveshjeve të cilat janë paraqitur në mes palëve të ndryshme në rajonin e Tetovës. Si njohës i mirë i të drejtës trashëgimore/feraiz ka marrë pjesë në ndarjen e drejtë të trashëgimisë sipas rregullave të të drejtës trashëgimore islame në shumë familje tetovare. Falë autoritetit dhe besueshmërisë që e ka pasur në mesin e popullsisë tetovare vendimet e tij janë pranuar me kënaqësi nga palët e ndryshme. Si myfti i Tetovës, Hafiz Kamil Efendiu, ka bërë edhe kurorëzimin e çifteve që janë martuar dhe dokumenti i lëshuar nga myftiu ka shërbyer si dokument zyrtar kurorëzimi në mbretërinë jugosllave.

Hafiz Kamil efendi Reka ka nderuar jetë në vitin 1933 dhe është i varrosur në varrezat e qytetit të Tetovës.

Allahu e shoqëroftë me të mirët.