Muhafizi i zellshëm i Miletinës së Tetovës Hafiz Reshad efendi Shasivari

Shkruan: Hafiz Metin Izeti

Porosia pejgamberike se hafizët janë fisnikët e ummetit të Muhammedit a.s. ka ndikuar shumë që në të gjitha periudhat e historisë islame memorizimi i Kuranit të jetë një prej veprimeve më të pëlqyera të shoqërive myslimane në mbarë botën. Rasti është i njëjtë edhe me trojet shqiptare. Institucioni i hifzit/memorizimit të Kuranit ka qenë i pranishëm pothuajse në të gjitha vendbanimet shqiptare, herë me intensitet më të madh e herë me intensitet më të vogël. Si rrjedhojë e kësaj praktike ka pasur edhe hoxhallarë të veçantë të cilët e kanë marrë përsipër përgatitjen e nxënësve për memorizimin e Kuranit. Këta hoxhallarë në literaturën islame janë emërtuar si muhafizë.

Hafiz Reshad efendi Shasivari ka qenë njëri prej muhafizëve më produktiv dhe më të zellshëm të rajonit të Tetovës ndërmjet viteve 1920-1966. Ai ka lindur në Tetove në vitin 1897 në një familje që ka pasur disa gjenerata të hoxhallarëve. Hafiz Reshadi është vazhdimësi e të parëve të tij, Hafiz Mustafait, Hafiz Shasivarit, Hafiz Sulejmanit dhe Hafiz Ibrahim efendiut, i cili është gjyshi i babait të tij. Mësimet e para fetare i ka marrë tek babai i tij dhe më pas e ka përfunduar edhe hifzin. Pas kryerjes së hifzit në vitet e luftës së parë botërore dhe më pas i ka ndjekur mësimet në disa nga medresetë e qytetit të Tetovës.

Në periudhën pas themelimit të mbretërisë jugosllave është angazhuar edhe në ngritjen e vetëdijes shoqërore të popullsisë myslimane në rajonin e Tetovës. Ai ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të afërm të Halim beg Derallës dhe në kuadër të këtij angazhimi është përpjekur për vendzënien reale të shqiptarëve në jetën shoqërore të mbretërisë jugosllave.

Aty kah vitet 1930-33 ka shërbyer në Tetovë si imam, por më pas është vendosur në fshatin Miletinë  dhe aty krahas detyrës së imamit në xhaminë e fshatit është angazhuar maksimalisht në përgatitjen e kuadrove të reja për xhamitë e fshatrave përreth, madje edhe në Tetovë. Hafiz Reshad efendi Shasivari, ka qenë një hoxhë i palodshëm. Pjesën më të madhe të kohës  e ka kaluar në xhami dhe është marrë me përgatitjen e gjeneratave të reja të hoxhallarëve. Hafizët dhe hoxhallarët e përgatitur nga ana e tij kanë shërbyer dekada me rradhë në rajonin e Tetovës. Në mesin e tyre bëjnë pjesë: Hafiz Selman efendi Selmani, Hafiz Mahi efendi Mehmedali, Hafiz Shukri efendiu, Hafiz Gani efendiu, Hafiz Jahja, Hafiz Zulbehar efendiu, Hafiz Fadil efendiu dhe shumë të tjerë.

Hafiz Reshad efendiu ka qenë shumë i disiplinuar dhe sistematik në punën dhe veprimtarinë e tij. Si rrjedhojë e kësaj sistematike ai ka ndërtuar një mendësi të shkëlqyer tek nxënësit e tij, të cilët më vonë do të zënë vend të rëndësishëm edhe në organizimin e jetës fetare në rajonin e Tetovës.

Ai, kryesisht, ka qenë i angazhuar me përgatitjen e hafizëve, por ama, gjatë kësaj periudhe nxënësit e tij i ka vetëdijesuar për mënyrën më efektive të prezantimit të fesë, veçanërisht në periudhën kur ajo ishte e ndjekur nga sistemi komunist jugosllav. Ai vetë ka qenë shumë pedant në veshjen dhe i matur në bisedat e tij. Kjo cilësi është bartur edhe tek hafizët që kanë dalur prej bankave të tij. I tillë ka qenë Hafiz Mahiu, Hafiz Ganiu dhe shumë të tjerë.

Unë kam pasur afërsi me Hafiz Ganiun e fshatit Çellopek, rahmet pastë, dhe ai shpeshherë më thoshte: Hafëz unë hoxhën e kam pasur qytetar/sheherli! Dhe vazhdonte të tregojë se si Hafiz Reshad efendiu i ka edukuar si të flasin me elegancë, të kenë kujdes në pastërtinë e teshave, të kenë kujdes gjatë ngrënies, si t’i respektojnë më të vjetrit, si të jenë zemërgjerë ndaj më të vegjëlve e kështu me radhë. Edhe Hafiz Ganiu ishte një njeri i buzëqeshur dhe gjithnjë fliste me maturi dhe butësi.

Çështja e përgatitjes së hafizëve, krahas përmasës didaktike, e ngërthen edhe atë të përshpirtshmërisë. Muhafizët e suksesshëm në masë të madhe kanë qenë njerëz të devotshëm dhe të përkushtuar me plotë kuptimin e fjalës ndaj Krijuesit. I tillë ka qenë edhe Hafiz Reshad Efendi Shasivari.

Allahu e dashtë dhe e miqësoftë me të mirët.