Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Isha viti i dytë në shkollë të mesme, gjegjësisht në medresenë Isa Beu në Shkup, kur erdhi gjenerata e re e nxënësve të vitit të parë. Në mesin e prindërve të nxënësve të ri ishte edhe një hoxhë shtatgjatë, fytyrëbardhë dhe me qëndrim krenar. Më pëlqeu tej mase qëndrimi i tij krenar dhe i kënaqur nga uniforma që e mbante. Më vonë e njoha hafizin e nderuar Hafiz Elmaz efendi Qamilin i cili ishte babai i Izair Qamilit, nxënësit që atë vit e kishte filluar medresenë dhe të cilën me sukses e pati kryer. Silueta e Hafiz Elmazit më ngeli në imagjinatën time, veçanërisht për shkak të qëndrimit të të tij krenar dhe të kujdesshëm. Jo shumë gjatë pas kësaj ngjarjeje, që ishte në vitin 1985, u bë për rahmet daja im Serveti, një burrë katërqind dirhem nga Poroji, dhe aty në hatme në mesin e një numri të madh të hoxhallarëve të Porojit, Hafiz Rexhepit, Hafiz Selimit, Molla Ismetit, e pata takuar sërish Hafiz Elmazin. Edhe në këtë rast ai përsëri e ruante qëndrimin e tij krenar si dhe përpikshmërinë në kryerjen e obligimit fetar me këtë rast. Si fëmijë isha shumë entuziast dhe pasi u krye hatmja iu afrova hoxhës së nderuar dhe deshta t’i tegoj se kush jam. Ndërsa ai me zë të plotë më tha: E di hafiz, ti je nipi jonë dhe unë të njoh mirë! U befasova si më njihte ndërsa edhe u ndjejta i privilegjuar për këtë gjë. Më vonë Hafiz Elmazin e kam takuar shumë shpesh në mexhliset fetare te dajallarët e mi në fshatin Poroj, por edhe në mexhlise të tjera në Tetovë. Çdoherë që e kam takuar edhe më ma ka arsyetuar mendimin tim për të në kontekst të krenarisë pozitive dhe përpikshmërisë në kryerjen e obligimit.
Hafiz Elmazi ka lindur në vitin 1933 në fshatin Poroj, pasi që e ka kryer hifzin në vitet 1946-48 pranë hoxhës së tij Hafiz Ejup efendi Abazit, mësimet fetare islame i ka vazhduar pranë hoxhës së nderuar të Tetovës Hafiz Mahi efendi Mehmedaliut. Hafiz Elmazi që nga viti 1955 ka filluar të shkojë tek Hafiz Mahiu dhe ka vazhduar deri në vitin 1977 kur edhe ka kaluar në botën tjetër Hafiz Mahiu. Hafiz Elmazi një periudhë ka punuar si hoxhë edhe në Mitrovicë, ndërmjet viteve 1958-1971, dhe gjeneratat e vjetra të Mitrovicës kanë folur me krenari për periudhën e shërbimit të tij. Pas vitit 1971 Hafiz Elmazi është kthyer në vendlindje, në fshatin Poroj, dhe aty e ka ushtruar detyrën e imamit në xhaminë e Porojit deri në pensionimin e tij. Ai është ndarë nga kjo botë në 20 dhjetor të vitit 2015.
Hafiz Elmazi i Porojit nuk fliste shumë dhe ishte prej personave që me gjuhën e trupit u jepte përgjigje një numri të madh të pyetjeve që parashtroheshin. Ishte shumë i matur dhe i dashuruar në dijen dhe edukimin. Kishte respekt të pashoq ndaj hoxhës së tij Hafiz Mahiut dhe përherë e përmendte me rahmet atë. Ai ishte njohës fenomenal i drejtësisë islame/fikhut dhe kishte memorie shumë të zhvilluar. Hafiz Elmazi i dinte çështjet juridike islame në përpikshmëri dhe gjithnjë kur në mexhliset bisedohej për diçka ai e recitonte rrjedhshëm tekstin e asaj çështjeje duke iu referuar burimit të dorës së parë në lidhje me atë çështje.
Më kujtohet njëherë ishim në një mexhlis fetar në lagjen e Drenovecit në Tetovë ku kishte të pranishëm një numër të madh të hoxhallarëve të Tetovës. Biseda ishte në lidhje me konstatimin fetar në lidhje me çështjen fetare për të cilën nuk ka vendim decid në burimet e sheriatit, gjegjësisht, ixhtihadin. Hafiz Elmazi këtë çështje e pati sqaruar me një shembull shumë karakteristik që mua ma ka sqaruar përgjithmonë peshën e përpjekjes intelektuale për të konstatuar diçka në lidhje me një çështje fetare. Hafiz Elmazi pa u inkuadruar në çështjen në mënyrë direkte vetëm tërthorazi e tregoi se si duhet të veprohet. Tha: Nëse keni dalë ndonjëherë për piknik diku në mal dhe nuk e dini kah është drejtimi i kibles duhet të përpiqeni që nëpërmjet të metodave të ndryshme ta konstatoni kiblen. Në çastin kur do ta konstatoni kiblen atëherë do të drejtoheni ta falni namazin. Përderisa ju jeni duke u falur vjen një i huaj, pa e kërkuar kiblen, drejtohet të falet pas jush dhe kështu e përfundoni namazin. Sa e përfundoni namazin aty pari kalon një vendas dhe ju sheh se jeni drejtuar gabimisht dhe ju thotë se kibleja nuk është andej por në drejtim të kundërt, atëherë ata të parët që janë përpjekur ta gjejnë kiblen e kanë namazin në rregull, ndërsa ata që pa e kërkuar, në trajtë imitimi të verbër, ua janë drejtuar të parëve duhet ta përsërisin namazin. E tha këtë dhe më nuk foli. E kisha të qartë qëndrimin e hoxhës së nderuar. Ai dëshironte të na thotë që nuk guxoni verbërisht të ndiqni gjërat por duhet të hulumtoni dhe të kërkoni të vërtetën. Më pas gjatë kërkimit të dijes, edhe nëse gaboni, vetëm për shkak se jeni përpjekur ju keni favor prej kësaj pune. Më pëlqeu tej mase dhe e kam shfrytëzuar këtë shembull të tij në shumë vende më vonë.
Hafiz Elmazi e kishte traditë shpesh të thotë: Besimtari duhet të jetë në udhë dhe jo jashtë udhës. Ai që është në udhë edukohet nga udha që e ndjek. Ai që është pa udhë e merr lumi. Kishte plotësisht të drejtë. Të qenurit sistematik e bën të mbledhur dhe produktiv njeriun dhe në veçanti kur bëhet fjalë për çështje metafizike fetare.
Ai dinte një numër të madh të argumenteve fetare në lidhje me shumë çështje juridike islame. Shpeshherë kur një pjesë e teologëve të ri nuk pajtoheshin me disa veprime tradicionale të hoxhallarëve të vjetër, ai me argumente nga ajetet e Kuranit dhe hadiset e Pejgamberit a.s. i provonte veprimet e bëra shekuj me radhë në trojet tona. Gjithashtu e sqaronte edhe përmasën edukative arsimore si dhe sociale të atyre veprimeve fetare. Ishin këto sqarime në lidhje me dhënien e zekatit, sadakatu’l-fitrit dhe të ngjashme.
E thash më lartë që ai nuk fliste shumë, por kur kishte nevojë që të veprohet për të mirën e popullatës tonë ai ishte i pari aty. Pas themelimit të universitetit të Tetovës në vitin 1994, ligjëratat e para të këtij Universiteti do të mbahen në mektebin e xhamisë së Porojit. Dhe pikërisht më 17 shkurt të vitit 1995, ditën e xhuma gjatë zhvillimit të ligjëratave të para me studentët e UT-së, Poroji do të rrethohet nga forcat policore sllave me qëllim që të pengojnë arsimimin e lartë në gjuhën shqipe. Atëherë Hafiz Elmaz ef. Qamili si imam në xhaminë e Porojit do të hipë në minberin e xhamisë dhe në hutben e xhumasë, shkurtë por shumë qartë, do t’i drejtohet besimtarëve të tubuar me fjalët: “Në këtë xhuma, obligimi ynë është mbrojta e shkollimit, mbrojtja e universitetit, mbrojta e studentëve”. Ai me këtë mesazh edhe njëherë vuri në dukje qëndrimin e paluhatshëm, krenar dhe të përpiktë kur ishte në pyetje e vërteta, besimi, arsimi dhe edukata e brezave të ri.
Ai është larguar nga kjo botë duke lënë pas vetes siluetën e një hoxhe krenar, të paluhatshëm dhe të përpiktë. Xhenazja e tij është përcjellur nga një numër i madh i besimtarëve dhe është varrosur në varezat e fshatit Poroj.
Zoti e pranoftë në miqësinë e të mirëve!