Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Haxhi Aliriza efendiu ka lindur në vitet e tetëdhjeta të sheklullit të XIX, më saktë kah viti 1870, në familjen fisnike të Adilçeve në Tetovë. Në moshë të re ka vajtur në Stamboll për të ndjekur mësimet në medresenë e Fatihut, por për shkak se aty nuk ka pasur vende të lira, është transferuar në Bursë dhe aty e ka kryer medresen dhe shkollën e lartë të sheriatit/drejtësisë islame. Pas përfundimit të shkollës është kthyer në Tetovë dhe një kohë të gjatë nuk ka punuar si imam ose ligjërues në xhami. Pas vitit 1955 kur një pjesë e madhe e popullatës është shpërngulur për në Turqi dhe në mesin e tyre edhe imami dhe ligjëruesi i xhamisë së Gamgamit në Tetovë, mual-limi i xhamisë së Gam-gamit Hafiz Halid Halidi ka vajtur në shtëpinë e Haxhi Aliriza Efendiut dhe ka insistuar që ai të pranon detyrën e ligjëruesit në këtë xhami, ndërsa Hafiz Halidi do ta kryente detyrën e imamit të xhamisë. Në fillim Haxhi Aliriza Efendiu nuk ka pranuar, por kur kanë filluar bisedat që personat të cilët nuk janë të punësuar zyrtarisht si imamë nuk do të kenë të drejtë ta mbanë sarëkun në kokë, ai për të mos e nxjerrur sarëkun nga koka, e ka pranuar detyrën e ligjëruesit në xhaminë e Gamgamit.
Gjeneratat e tetovarëve të viteve të gjashtëdhjeta dhe shtatëdhjeta me ëndje i kanë ndjekur ligjëratat e tij në xhaminë e Gam-gamit. Haxhi Aliriza Efendiu ka qenë shumë elokuent dhe njeri me sens humori të këndshëm. Çështjet fetare i ka sqaruar duke përmendur edhe shembuj karakteristik të cilët kanë ngelur më lehtë në kujtesën e besimtarëve.
Haxhi Aliriza efendiu ka qenë edhe shumë i përgatitur dhe njeri me kulturë të përgjithshme. Ai në ligjëratat e tij ka prezantuar edhe shumë shembuj nga diciplinat e ndryshme shkencore. Ajetet e Kuranit që kanë të bëjnë me biologjinë i ka sqaruar duke u mbështetur në arritjet më të reja biologjike, ata që kanë të bëjnë me gjeografinë i ka sqaruar në bazë të teorive gjeografike. Kur ka folur për ngjarjet nga historia e pejgamberëve i ka përmendur edhe rrëfimet e ndryshme më të detajuara nga Tora dhe Bibla. Me fjalë të tjera ai ka qenë një dijetar i kompletuar dhe një ligjërues artistik me elokuencë të përsosur.
Haxhi Aliriza Efendiu ka qenë edhe shumë i devotshëm dhe i drejtë. Ai nuk ka pranuar pagesë për shërbimin që e ka bërë në xhami. Madje, siç rrëfen Haxhi Saliu djali i Hafiz Muhammedit, ai asnjëherë nuk e ka dorëzuar grurin në mullirin e Tetovës për ta bluar miell, për shkak se arra e tij ku e ka mbjellur grurin ka qenë jo shumë pjellore dhe kokrrat e grurit kanë qenë më të imta se të tjerëve dhe nuk ka dashur që të hyje në hakun e të tjerëve.
Ai ka qenë këmbëngulës në arsimimin e rinisë myslimane në trojet tona. Pothuajse në çdo ligjëratë ka folur për rëndësinë dhe peshën e dijes dhe ajetet e Kuranit që flasin për diturinë. Në njërën prej ligjëratave në lidhje me ajetet e para të shpallura të Kuranit nga surja Alek ka thënë: Allahu xh.sh. ajetet e para të Kuranit i ka shpallur në lidhje me diturinë dhe atë e ka kërkuar në mënyrë urdhëruese prej myslimanëve. Kjo kështu për shkak se brendia e sofistikuar e Kuranit mund të kuptohet vetëm nëpërmjet të dijes në fusha të ndryshme. Në filozofinë e Kuranit të gjitha dijet konsiderohen të vlefshme, pasi përmes secilës prej tyre mund të kuptohet më qartë ndonjëri prej ajeteve të Kuranit. Në këtë kontekst ai e ka dhënë edhe një shembull shumë karakteristik. Një herë një person e ka lexuar ajetin e 59 të sures En’am të Kuranit ku Allahu xh.sh. thotë që çdo gjë e njomë dhe e thatë është në librin e qartë të Zotit dhe pa një pa dy ka vajtur te hoxha për ta diskutuar me pretekst se kjo nuk është e mundshme. Hoxha i është përgjigjur se ky është ajet kuranor dhe është i vërtetë. Ndërsa personi i ka thënë: Atëherë a më tregon se ku shkruan në Kuran si piqet buka? Hoxha i është përgjigjur: Eja nesër të tregoj! Hoxha në ndërkohë ka vajtur tek një bukëpjekës dhe i ka marrë informatat e hollësishme për mënyrën se si përgatitet buka. Të nesërmen personi ka ardhur te hoxha dhe e ka pyetur se a e ka gjetë në Kuran si piqet buka? Hoxha i ka treguar në detaje se si përgatitet buka. Ndërsa ai pa një pa dy i ka thënë: e ke pyetur ndonjë bukëpjekës për këtë! Hoxha i është përgjigjur? Po ke të drejtë! Por ama Kurani më urdhëron që t’i pyes ata që dinë. Ai në ajetin 7 të sures Enbija thotë: Nëse nuk e dini pyetni ata që e dinë.
Shpeshherë në ligjërata ka treguar edhe ndonjë barcoletë didaktike nga Nasradin Hoxha. Një herë përderisa i ka sqaruar disa çështje të rëndësishme të praktikës islame, gjegjësisht të faljes së namazit dhe ndikimit të tij në qetësinë shpirtërore të njeriut ka thënë: Nasradini paska thënë që mesi i botës është këtu!, duke e treguar vendin ku ka qenë ai me gomarin e tij. Të pranishmit e kanë kundërshtuar duke i thënë se prej ku e di këtë? Ndërsa Nasradini u është përgjigjur: Nëse nuk më besoni atëherë urdhëroni dhe mateni! Pra edhe unë po ju them, ka thënë Aliriza Efendiu, që namazi ua qetëson jetën dhe nëse ju nuk më besoni atëherë provojeni dhe do ta shihni.
Mënyra e ligjërimit dhe sensi i tij i humorit ende sot e kësaj dite përmendet në bisedat e tetovarëve që i kanë ndjekur ligjëratat e Haxhi Aliriza Efendiut.
Haxhi Aliriza Efendiu ka qenë edhe shumë i kujdeshsëm në kontekst të përfitimit të zemrave të njerëzve. Përderisa e përgatitja shkrimin për të, nëna ime, tash 73 vjeçare, më tregoi një rast shumë interesant. Haxhi Aliriza efendiu kur është kthyer prej haxhi i paska sjellur një shami si dhuratë, pasi asokohe nëna ime ka qenë nuse e re. Ajo e ruante shaminë ende në çekmexhe si kujtim nga hoxha i nderuar. Haxhi Aliriza efendiu është shpërngulur në ahiret në moshë 105 vjeçare.
Zoti e nderoftë!