Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Hafiz Halidi në mesin e tetovarëve njihet si mësues i palodhshëm i alfabetit arab dhe leximit të Kuranit të ndershëm në periudhat më të vështira të presionit nga pushteti. Pjesa më e madhe e tetovarëve që tash janë në moshën prej 40-65 vjeçare Kuranin e kanë bërë hatme para hafizit të dalluar dhe shumë të dashur në mesin e tetovarëve, Hafiz Halidit. Të gjithë nxënësit që kanë bërë hatme pranë Hafiz Halidit e lexojnë për mrekulli Kuranin. Krahas leximit të Kuranit Hafiz Halidi të gjithë nxënësve ua ka mësuar në përpikshmëri bazat themelore të fesë, gjegjësisht, ilmihalin së bashku me mënyrën e praktikimit të ibadeteve.
Unë Hafiz Halidin e njoh që nga fëmijëria për shkak se ishim fis dhe gjyshi im e respektonte tej mase. Si rrjedhojë, shumë shpesh veçanërisht dimrit, pas faljes në namazit të jacisë familjarisht shkonim në shtëpinë e Hafizit dhe aty vazhdonte biseda deri në orët e vona. Këto ndeja pasdarke ishin të shoqëruara me kungull dhe patate të pjekura që unë i haja shumë me ëndje.
Hafiz Halidi është një prej mual-limëve të Tetovës i cili ka përgatitur dhe ka nxjerrur edhe hafizë të Kuranit. Madje, shpeshherë, kur shkonim për vizitë në shtëpinë e tij, i thoshte gjyshit tim: Fahruddin, këtë djalin ta bëjmë hafiz dhe më pas më pyette mua se a kisha dëshirë të bëhem hafiz?
Hifzi edhe nga aspekti i strukturës kuptimore , por edhe në relacion me vendzënien e zbulesës hyjnore në shoqërinë njerëzore ka rëndësi të veçantë. Asnjë libër tjetër në botë nuk e ka fatin e Kuranit që aq shumë të mbahet mend dhe të memorizohet si Kurani. Kjo, madje në të shumtën e rasteve edhe nga fëmijët e vegjël. Kurani është mrekulli, dhe hifzi në kokën e fëmijës, gjithashtu, është mrekulli. Hafiz Halidi është mual-limi që në këtë periudhë të vështirë është përpjekur maksimalisht ta mbajë të gjallë këtë shkollë dhe institucion të rëndësishëm fetar.
Në këtë kontekst edhe unë kam një përvojë me Hafiz Halidin. Pasi që i bëra tri hatme pranë hoxhës tim të nderuar Neshat efendi Xheladinit, shpreha dëshirë që të vazhdoj me hifzin/memorizimin e Kuranit. U konsultova me hoxhën, i cili më donte si djemtë e vet, se si t’ia bëj? Atëherë, Neshat Efendiu më tha që në Tetovë ka dy mual-limë tek të cilët mund të shkohet për ta bërë hifzin, Hafiz Halidi dhe Mahmud efendiu, por, Hafiz Halidi është në moshë dhe mendoj se më mirë do të ishte të vazhdosh tek Mahmud Efendiu. Ashtu si më këshilloi dhe veprova. Mirëpo, Hafiz Halidit, me plotë të drejtë i kishte ngelë pak hatri, pse nuk kam vajtur tek ai, së paku, të këshillohem se si t’ia bëj. Më pati treguar gjyshi për këtë dhe unë pa një pa dy vajta tek Hafiz Halidi që t’i kërkoj falje pse nuk e kisha konsultuar. Kur hyra nga dera e mektebit në xhaminë e Gamgamit, buzëqeshi si çdo herë dhe sikur nuk kishte ndodhur asgjë më përqafoi. Unë i kërkova falje për lëshimin, ndërsa ai më ledhatoi kokën dhe më tha: Mirë ke vepruar! Unë jam plakur më, ndërsa Mahmud Efendiu është më i ri. Nëse do të kesh nevojë për të të ndihmuar përderisa e përgatit mësimin/dersin eja këtu tek unë të ndihmoj dhe pastaj shkon për ta thënë mësimin tek Mahmud Efendiu. Sa njeri i pjekur që ishte! Çfarë atmosfere pozitive gjeneronte përreth vetes.
Pasi që e përfundova hifzin duhej të dal në provim para komisionit në myftininë e Tetovës. Komisioni ishte i përbërë prej: Hafiz Halid Halidit, Hafiz Naimit dhe Alifikri ef. Esadit. Kisha vetëm 12 vjet dhe isha në klasën e shtatë fillore. Në ditën e parë të provimit, pas leximit të xhuzit të dytë të Kuranit, u tollovita dhe nuk më kujtohej asgjë. Fillova të qajë nga inati, mirëpo Hafiz Halidi me përvojën e tij të madhe dhe thellësinë që e kishte më tha: dil pak jashtë! Merr pak ajër të pastër e pastaj vazhdojmë. Gjithashtu, përpjekje maksimale për të më dhënë kurajo bënte edhe Alifikri ef. Esati, atëherë sekretar i myftinisë, më vonë edhe myfti i Tetovës. Alifikri efendiun e njihja më afër, për shkak se ata ishin shokë të ngushtë me Neshat efendiun, hoxhën tim. Pasi që hyra brenda, Hafiz Halidi dhe Hafiz Naimi më thanë: Hafiz a pajtohesh ne të fillojmë prej xhuzit të dhjetë e deri në xhuzin e njëzet, domethënë ato xhuza që i kisha në ditën e dytë të provimit. Unë u dakordova edhe pse nuk i kisha përsëritur shumë. Kështu që vazhduam pa asnjëfarë problemi provimin, ndërsa xhuzët e ditës së parë pastaj i këndova ditën e dytë dhe e pata dhënë provimin e hifzit.
Hafiz Halidi, në Tetovë, ka bërë edhe një punë shumë të hajrit. Ai ka shkruar shumë bukur arabisht. Si rrjedhojë, ai e ka mbajtur evidencën e leximit të hatmes ditore në Tetovë, e cila ka filluar në xhaminë e Çarshisë nga myderrisi i nderuar tetovar Xhemil Efendi Jusufi, ndërsa pas kalimit në ahiret të tij, këtë punë madhështore e ka vazhduar Hafiz Halidi. Pas prishjes së xhamisë së Çarshisë përvjetori i hatmes që lexohej për çdo ditë nga hafizët e Tetovës ka vazhduar të mbahet në xhaminë e Saatit në Tetovë. Para disa ditëve, me 14 Maj 2019, ishte përvjetori i tetëdhjetë i leximit të hatmes ditore në Tetovë. Në bibliotekën time ende i ruaj letrat e evidencës që i shkruante aq lezetshëm Hafiz Halidi, pasi sa e pata kryer hifzin më thirri dhe më tha që prej tash e tutje edhe ti do të lexosh nga një xhuz në ditë.
Hafiz Halidi ishte shumë njeri i këndshëm, asnjëherë nuk mund ta shihje të mrrolur. Në një mënyrë ai ishte ilustrim i vërtetë i hadisit të Pejgamberit a.s.: Buzëqeshja është sadaka. Folte me shumë zë të ulët, asnjëherë nuk e kam dëgjuar që ta ngrejë zërin, sa që disa herë duhej ta përsërisë bisedën për ta dëgjuar plotësisht. Lexonte shumë bukur Kuran. Kishte zë të lezetshëm dhe ekzaltues.
Në ditët kur më ishte i sëmurë në shtrat, e pata vizituar në shtëpinë e tij. Nuk kishte zë që të fole, por ma kapi fortë dorën dhe ashtu e shikonim njëri tjetrin në sy. Pas një kohe, duke dashur ta lë të qetë, kërkova leje për t’u larguar. Ndërsa ai me shenjë më tha që ta afroja veshin te goja e tij dhe më pëshpëriti: Rri edhe pak se nuk do të shihemi gjatë…
Zot na tako në xhenet me të dhe me gjithë të mirët.