Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Hafiz Sali efendiun e Bogovinës për herë të parë e kam takuar në periudhën kur mësoja leximin e Kuranit pranë hoxhës tim të dashur Neshat efendi Xheladinit. Hafiz Saliu shpesh vinte në mektebin e xhamisë Eski dhe bisedonin për çështje fetare, shoqërore dhe kulturore me Neshat Efendiun. Çdo herë kur vinte në dorë kishte ose ndonjë libër ose ndonjë revistë fetare, që asokohe, vitet 1978-81, botoheshin në kuadër të Bashkësisë Islame të Jugosllavisë. Në kujtesën time ka ngelur revista Edukata Islame që botohej në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës. Veshja, sjellja, qëndrimi i Hafiz Saliut e tregonin qartë thellësinë, urtësinë dhe modestinë e tij. Më pas, pasi vazhdova mësimet në medrese shpesh e kam takuar Hafiz Saliun në manifestimet e ndryshme fetare. Veçanërisht ai kishte shumë dëshirë të prezantojë në tribunat shkencore ku shndërrohej i tëri në vesh dhe dëgjonte me plotë vëmendje.
Por unë Hafiz Saliun për së afërmi e kam njohur pasi që kam filluar të punoj si imam dhe ligjërues në xhaminë e Saatit në Tetovë. Hafiz Saliu pothuajse për çdo javë do të vinte te xhamia dhe pas namazit do të uleshim dhe do të bisedonim për çështje fetare, arsimore dhe kulturore të myslimanëve në hapësirat tona. Ai i ndiqte me vëmendje edhe lajmet nga e tërë bota dhe kishte shumë informata aktuale të cilat unë nuk i kisha dëgjuar. Një herë pati ardhur në Ramazan, ditën e enjte, kur unë i mbaja ligjëratat para namazit të drekës në xhaminë e Saatit. Në këto ligjërata, unë, për ta mbajtur gjallë mallin e hoxhallarëve të gjeneratës më të vjetër, ligjëroja në dialektin e Tetovës dhe prej librave që i kishin shfrytëzuar për ligjërata hoxhallarët tonë të vjetër, si për shembull: Durretu’l-vaidhin/Perla e ligjëruesve. Unë pak ngushtohesha, ta them të drejtën, kur vinte Hafiz Sali Efendiu, mirëpo ai me qetësinë e tij dhe gjuhën e trupit e shprehte kënaqësinë dhe entuziazmin e tij duke e lëkundur kokën, si shenjë se pajtohet me atë që e them. Pas namazit kur xhemati doli nga xhamia u ulëm në sofën e xhamisë dhe më pyeti: Hafiz, pse flet popullorçe në ligjëratë, mua më pëlqen shumë, por kam dëshirë ta di qëllimin? I thash që, herë pas here, kam dëshirë ta mbaj të gjallë traditën e diskursit fetar të gjeneratave të kaluara, ta ndaj emocionin me brengën e tyre në periudhat shumë të vështira të veprimit fetar në periudhën e komunizmit. Më përqafoi dhe i rrodhën lot nga sytë. Hafiz Saliu i takonte gjeneratës së mesme të hoxhallarëve në rajonin e Tetovës dhe ai me sukses e përfaqësonte të drejtën, të mirën dhe të bukurën edhe nga tradita edhe nga moderniteti. Me këtë rast, më pati thënë një thënie të një dijetari boshnjak, e kishte traditë të thotë: e kam pa dikundi!, që më vonë unë e pata konstatuar se është thënie e Akademik Esad Durakoviçit: Unë jam për traditën, madje edhe jam mbrojtës i saj, por njëkohësisht jam edhe kundërshtar i madh i skllevërimit në traditën. Shumë më kishte pëlqyer, veçanërisht për shkak se e përforconte edhe mendimin tim në lidhje me këtë çështje.
Në vitet e fundit, pasi u pensionua, ai çdo ditë të premte vinte në xhaminë e Saatit dhe me përkushtim i ndiqte ligjëratat e xhumasë. Ulej pikërisht nën qyrsinë. Shumë herë e kam lutur që të del ta mbajë ligjëratën, por ai nuk pranonte dhe thoshte, të lutem më lejo ta përfitoj sevapin e atij që dëgjon. Pas ligjëratave, shpesh, shkonim ta pimë nga një çaj në çajtore dhe për çdo herë e parashtronte një çështje të re për ta biseduar. Një herë e patëm biseduar problemin e ngushtimit të fetarësisë në katër muret e xhamisë. Ai ishte kundër konceptit që fetaria të manifestohet vetëm në kuadër të ibadeteve dhe domosdoshmërive fetare. Thoshte që kultura fetare është nafile, gjegjësisht, dhuratë dhe besimtari të Dashurit të vet mund t’i afrohet vetëm nëpërmjet dhuratave. Mendoj, thoshte ai, që asnjëherë nuk duhet ta humbim ndjenjën e falënderimit dhe gëzimit që na janë dhënë disa çaste për ta përjetuar bukurinë e jetës me të gjitha ngushtimet dhe relaksimet e saj. Edhe pse shpeshherë nuk më pëlqen konteskti kulturor i bashkëkohësisë nuk jam pesimist kulturor, por jam person që ka dëshirë ta sheh atë, në shoqëri, sa më të dendur. Në këtë proces, asnjëherë, nuk duhet të harrohet vdekshmëria personale, thyerja dhe përkohshmëria lëndore. Ai, në një mënyrë, me këtë shndërrohej në penxhere shpirtërore drejtë amshueshmërisë.
Hafiz Saliu i Bogovinës kishte shpirt shumë të gjerë dhe frymë relaksuese. Madje edhe në çastet më të vështira dinte të ngushëllojë dhe të jep zgjidhje fenomenale. Më kujtohet si sot, kur në vitin 2004 kishim probleme serioze në Bashkësinë Islame, e takova në rrugë afër xhamisë së Larme në Tetovë. E vërejti se jam shumë i brengosur dhe pa një pa dy më tha: Hafiz a e di se ka një hadis të Pejgamberit a.s. në të cilin thuhet: El-ulemau verethetu’l-enbija/Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve. I thash: Po, hoxha Efendi, edhe pse nuk e kuptova çka kishte kjo lidhje me gjendjen time! Eee, tha hoxha efendiu, mendove se vetëm për të mirat dhe benificionet dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve a? Jo, jo, ata janë trashëgimtarë edhe për hjekat, brengat dhe problemet shoqërore! Çfarë ngushëllimi më pati dhënë! U mahnita dhe ashtu i dalldisur e përqafova fortë.
Pasi fillova të punoj si pedagog në Universitetin e Tetovës erdhi të ma urojë dhe u ulëm në ëmbëltoren Amfora të pimë nga një bozë. Ishte shumë i gëzuar për këtë gjë. Më tha: Hafiz, ky është një hap i madh për rikthimin e autoritetit të hoxhës në segmentet më të gjera të shoqërisë. Deri tash u ke folur njerëzve që kanë ardhur të dëgjojnë fenë, ndërsa tash do t’u folish personave të cilët nuk kanë ndoshta edhe njohuri elementare për fenë. Të kesh kujdes! Gjithnjë ta kesh parasysh konceptin moral të Zotit. Ai u jep furnizim edhe atyre që nuk e besojnë dhe nuk i praktikojnë rregullat e tij. Dhe ma pati lexuar ajetin 125 të sures Nahl, ku thuhet: Thirr në rrugën e Zotit tënd me hikmet/urtësi, këshilla të bukura dhe përpiqu vetëm me çështje sa më të virtytshme/të bukura… Ende më tingëllojnë në vesh fjalët e ëmbla përplot me dashuri të Hafiz Saliut të Bogovinës.
Ishte njeri i përkryer dhe kam fat që e kam njohur. Zoti im, vendose atë në kopshtet më të bukura të audiencës Tënde.