METIN IZETI: ARTI SI MJET PËR GJETJEN E QENIES

Në nivelin më të lartë, arti, së këndejmi riprodhon rendet kualitative të kozmosit. Zoti, pra, mund të kontemplohet në dy mënyrat: me anë të rendit të natyrës dhe më anë të harmonisë së strukturës së veprës artistike

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Vepra artistike në periudhën paraantike dhe në mesjetë është konsideruar si modalitet i qenies dhe ka qenë një nga konceptet themelore të epistemologjisë. Egjiptianët e vjetër, hindusët, kinezët, filozofia hebraike, ajo e krishterë e islame deri në shekullin XV, përmes veprës artistike, janë përpjekur t’i paraqesin përbërjet metafizike dhe, si e tillë, ajo ka qenë bazë për ndërtimin e ontologjisë në kuadër të sistemeve të tyre filozofike dhe fetare. Gjithashtu, vepra artistike, në analizën dhe përkujtimet e klasikëve, ka pasur për qëllim të shprehë animet e subjektit drejt objektit ose, nga ana tjetër, të jetë pasqyrim i emrave dhe atributeve të Subjektit në Gjithësi. Si rrjedhojë, koncepti bashkëkohor se arti dhe vepra artistike janë aksidenca të objektit, në periudhat para shekullit XV janë konsideruar si të pabaza, madje disa herë edhe qesharake, kjo për shkak se një koncept i tillë është në kundërshtim me çështjen e reciprocitetit të metafizikës me fizikën dhe me inkuadrimin e Subjektit në objektet, që mendësia klasike e ka konsideruar si të pabazë dhe në kundërshtim me konceptin e dijes dhe epistemologjinë reale. Dija e objektit, në vete dhe pa asnjë inkuadrim nga lart, e ngërthen rrezikun e përjashtimit të esencës nga vetë lënda; për shkak se lidhshmëria esenciale qëndron si relacion jashtë përmasës lëndore të objektit dhe objekti pa këtë lidhje është një aksidencë tejet e dobët dhe e pabazë. Gjithashtu, objektet artistike, para se të parafytyrohen nga arsyeja ose shija, kanë edhe një përmbajtje që nuk është lëndë e epistemologjisë; pra, konceptimi i objektit pa këtë përmasë esenciale është në kundërshtim me përkapjen intelektuale dhe aksiologjike të qenies. Pikërisht për këtë e mësipërmja është konsideruar si e pabazë dhe alternativa kryesore klasike për konceptimin real të esencës së veprës artistike dhe pragmatizimin e ekzistencës së qenies është bërë teoria e dijes metaforike, pra përfaqësimi i Qenies në ekzistencë si Veprues artistik.

Në realitet, ky koncept klasik i artit dhe i analizës artistike të veprës në Gjithësi është një zgjatje logjike e ontologjisë aksiologjike. Për pasojë, koncepti i vlerës (value) është i realizueshëm vetëm me përfaqësimin e qenies përmes veprës artistike. Në një mënyrë, ky konstatim është i lidhur ngushtë edhe me vetëdijen artistike. Vetëdija – ashtu siç e përdor edhe Husserl-i – do të thotë që intelekti njerëzor të jetë i hapur gjithnjë për diçka nga jashtë, të ketë mundësi orientimi drejt diçkaje jashtë vetes dhe që nuk ka mundësi të ekzistencës nga vetja.

Çështja e veprimit artistik, si pasojë e vetëdijes në filozofinë sufike islame, është emërtuar me termin vexhd. Vexhd në aspekt gjuhësor do të thotë “dalje nga vetja/ekstazë” dhe gjetje e të Vërtetës/Zotit. Ibn Arabiu do të konstatojë se mendimi i shumicës së sufinjve është se qenia/vuxhud është gjetje e të Vërtetës në daljen nga vetja. Këtu gjithsesi etimologjia e fjalës vuxhud, që në gjuhën arabe e ka kuptimin e gjetjes, ka ndikuar dukshëm në formësimin e kësaj teorie. Ndërsa vetëdija/vixhdan është një gjendje e veçantë e gjetjes/vuxhud, por edhe e daljes nga vetja/vexhd, që si pasojë e paraqet pasqyrimin e befasishëm të Zotit në Gjithësi. Termi vexhd rrjedh nga rrënja “v-xh-d” që d.t.th.: gjetje e gjësë së humbur, hidhërim, dëshpërim, ankesë, bollëk dhe pasuri, potencial, dashuri e tepërt.

Vexhdi në terminologjinë e Tesavvufit paraqet hapjen dhe emocionimin e zemrës së udhëtarit shpirtëror gjatë vrojtimit të pasqyrimeve eterne të Allahut xh.sh., kalimin e tij prej vetes dhe qëndrimin bashkë me më të Madhin. Si rrjedhim, udhëtari shpirtëror e përjeton fenanë (shkrirjen kuptimore) dhe bekanë (përhershmërinë e besimit), “gjetjen e Allahut dhe shlyerjen e cilësive fizike të tij (sufiut)”.

Në Tesavvufin islam dhe në disa sisteme tjera mistike ekstaza është mjet e assesi qëllim. Qëllimi i jetës së mistikut nuk është ekstaza, por është vendi deri te i cili arrihet nëpërmjet saj. Në një anekdotë të përcjellë nga Huxhviriu thuhet: Një ditë Imam Shibliu në gjendje të ekstazës erdhi te Imam Xhunejdi dhe e vërejti se ai ishte i dëshpëruar. E pyeti se pse ishte i dëshpëruar, ndërsa Xhunejdi i tha: “Ai që kërkon do ta gjejë!” Kurse Shibliu iu përgjigj: “Jo, ai që e gjen, do ta kërkojë”. Xhunejdi kishte të drejtë, thotë Huxhviriu, për arsye se ai fliste për ekstazën (vexhd), ndërsa Shibliu bënte fjalë për ekzistencën (vuxhud) dhe pohonte se njeriut nuk i kalon dëshpërimi përderisa nuk shkrihet në Qenien të cilën e adhuron.

Pika e fundit e vexhdit në Tesavvufin islam është Tevhidi (vërtetimi i njëshmërisë së Allahut). Domethënia e Tevhidit nuk është inkarnim ose unjësim me Zotin, por është njohje e njëshmërisë së Tij. Si rrjedhim, njohja e cila paraqitet si rezultat i vexhdit, e abstrahon njeriun nga vetvetja dhe bota që e rrethon dhe ai nuk ndjen asgjë tjetër, përveç Allahut xh.sh. Kështu Zoti paraqitet si i vetmi Sundues dhe i Pranishëm në arenën e ekzistencës. Kjo d.t.th., që njeriu të mos shohë asgjë dhe në mendimet e tij të mos ketë asgjë, përveç Allahut.

Sa më shumë që thellohet dalja nga vetja, aq më shumë udhëtari shpirtëror vazhdon të sillet vërdallë në luginat e mahnitjes dhe të madhështisë. Një çast vjen dhe e humb në tërësi dëshirën dhe veten e sheh si një hije të dritës së qenies. Sun’ullah Gajbiu, një sufi me emër, i varrosur në Kutahja të Turqisë, në një poezi të tij e ka sqaruar shumë qartë këtë gjendje të gjetjes së qenies jashtë vetes dhe shprehjen e saj përmes veprës artistike. Ai thotë:

Mos u deh vazhdimisht me ashkun, por as mos u esëllo vazhdimisht me arsye

Bashkoji hapësirat e askezës e të gnosës dhe përqendrohu

Xhelali/madhështia dhe xhemali/bukuria të bashkuara e mbajnë në këmbë këtë botë

Mos u dëshpëro pandërprerë në këtë kohë dhe as mos u gëzo pa nda

Në helmin e shumësisë është përzier sheqeri i njëshmërisë

A mos, vallë, pastën e madhe e shijoi Gajbiu dhe u përqendrua.

Megjithatë, këta kualifikime do të mund të vendosen më shumë në planin shpirtëror të orientimit drejt Subjektit sesa në qortim të “shastisjes”, që u adresohet poetëve dhe artistëve me mungesë të orientimit intelektual kontemplativ. Për më shumë, arti i cili nuk është i lidhur me Realitetin Ultimativ, vetëm e shpreh kotësinë dhe, më këtë, ia shkakton artistit “hipokrizinë’ esenciale, duke ia pozicionuar në vetvete dy realitete të kundërta dhe të ndara plotësisht, pra: atë të “të thënurit” dhe atë të “të përjetuarit”. E ndarë nga “të përjetuarit”, “e thënura” vlen jo më shumë se hiç, pra e humb realitetin ontologjik dhe atë shpirtëror dhe, me këtë, zbret në domenin e “të bërit të kotë”. Përderisa është e abstenuar nga cilido realitet ontologjik, atëherë kjo “e bërë e kotë” është tamam opozita e vetë objektit.

Sejjid Hussein Nasri e ka analizuar relacionin ndërmjet logjikës dhe artit në Islam, duke vënë theksin në faktin se këta dy fusha në periudhën e Renesancës janë ndarë në Perëndim, bile edhe pas Renesancës u krijua jazi ndërmjet “Un”-it që mendon dhe botës së natyrës. Ndarja karteziane midis rescognitas dhe resextensa është njëra ndër episodet më të mëdha filozofike të këtij jazi, siç janë – bile në mënyrën më radikale – edhe konluzat epistemologjike të idealizmit kritik të Kantit. Në botën paramoderne, me një kontrast, uniteti antropokozmik i njeriut dhe natyra kanë qenë të karakterizuar nga situata, ku, në njërën anë, domeni diskurziv e, në anën tjetër, ai i arketipave si të manifestuara në kozmos, kanë qenë akoma thellësish të lidhura. Në Islam, në veçanti në botën e tasavvufit, termi ajat nënkupton “shenja” kozmike, të cilat u ngjajnë “nënshkrimeve” Hyjnore mbi krijimin dhe mbi versetet kuranore. Intelekti (`akl) është i lidhur si domeni themelor kontemplativ, nga shkaku se parimisht është në gjendje t`i lexojë këto ajete. Jobesimtari, në Kuran, shpesh është karakterizuar si ai i cili nuk është i aftë që t`i lexojë shenjat e Zotit në horizont; pikërisht kjo paaftësi është shkaku dhe pasoja e mospërqafimit të tij me Islamin, rrjedhimisht “mosnënshtrimit” të tij ndaj Zotit.

Kurani dhe libri i Gjithësisë janë dy aspektet themelore të Fjalës Hyjnore. Ato janë “poezi” në kuptimin më të lartë të kësaj fjale. Së këndejmi, logjika dhe poezia janë të lidhura ngushtë si modele komplementare të të diturit në Islam: që të dyja manifestojnë Intelektin Hyjnor në sferën e natyrës dhe gjuhës. Konceptin e Michel Foucau-së mbi “prozën e botës”. që mund të ketë “transparencë” semantike të librit, në fakt ne do ta lexonim si “arti i botës”, nga shkaku se kjo e fundit më së shumti e shpreh eksplicitetin e idesë së korespodencës kualitative dhe komplementare ndërmjet natyrës dhe përjetimit. Sejjid Husein Nasri, kuptimin e kësaj korrespodence, e shpreh kësisoj: “Sipas traditës perenniale, realiteti i brendshëm i kozmosit, i cili ia shpalos veten syrit të brendshëm ose vizionit intelektual (dhe për të cilin syri i brendshëm është instrument i perceptimit), është i bazuar në harmoninë, e cila imponohet bile edhe mbi domenin trupor. Kjo harmoni është, për më shumë, e reflektuar në botën e perceptimit artistik, i cili në vete është reflektim i të dyjave: shpirtit të njeriut dhe kozmosit”.

Në nivelin më të lartë, arti, së këndejmi riprodhon rendet kualitative të kozmosit. Zoti, pra, mund të kontemplohet në dy mënyrat: me anë të rendit të natyrës dhe më anë të harmonisë së strukturës së veprës artistike. Derisa për shenjat e Zotit në horizont, fenomenin që përbën gjuha artistike, mund të analizohet në dy pikëvështrime: në njërën anë mund të analizohen si një seri e aparencave formale dhe e strukturave, në anën tjetër mund të interpretohen në dritë e rëndësisë së tyre të brendshme.

Me gjithë format ekspresive të bukurisë njerëzore dhe natyrore, ideali artistik me këtë është ajo ku objekti ka qenë totalisht i kristalizuar nga Subjekti. Koncepti sufik nuk pretendon ta lejojë lirinë artistike nga forma intelektuale e shijes ose shijimit intuitiv të realitetit. Arti i vërtetë është ai ku intuita e thellë shpirtërore e manifeston veten në mbulesën perfekte të perlës prozodike. Poetët sufiks, siç është Rumiu, shprehin neveri ndaj poezisë së kuptuar si “L’artpourl’art” si një perfeksion formal i llojit: ballë fytyrës së të vërtetës, çka është forma? Boll e neveritshme. Relacioni komplementar ndërmjet objektit dhe Subjektit, megjithatë nuk mban kuptimin e asaj që objekti nuk e përmban dimensionin intelektual në vete. Në fakt, forma e veprës artistike pretendon të shpreh strukturën, e cila është e shtytur nga vizioni shpirtëror i botës. Me fjalë të tjera, substrati material nuk mund “t’i riprodhojë” vetë esencat kualitative të arketipit. Ky reproduktim, parimisht, është i efektuar nëpër strukturat kuantitative, të cilat i përkasin formës së veprës artistike. Përderisa realiteti është një, atëherë forma dhe esenca nuk mund të kenë relacion edhe aq të sertë. Arti është gjuhë “logjike”, por një gjuhë në të cilën potencialitetet simbolike të mëvonshmes janë të vendosura në lartësitë e jashtëzakonshme. Kuptimësia simbolike është kapaciteti që shfaq pafromën në dhe me anë të formës. Ky koncept klasik për artin na bart në çështjen e metafizikës së lidhshmërive (Mulla Sadra Shirazi). Për pasojë, çdo gjë është në lidhje të ngushtë me qenien që e përfshinë ekzistencën në përgjithësi.

@Revista Shenja