Surja EL- ADIJAT
Të respektuar miq, ne së bashku sonte do të fillojmë ti përkujtojmë kuptimet dhe thellësitë e sures Adijat, një prej sureve të shkurtëra të Kur’anit të lartëmadhëruar e cila, sipas shumicës së transmetimeve, i ka zbritur Pejgamberit s.a.v.s. për derisa ishte në Mekë. Ka edhe një transmetim që thotë se kjo sure ka zbritur ne Medinë, por ama kryesisht në librat e tefsirit përmendet se ka zbritur pas sures Asr dhe konsiderohet prej sureve të Mekes.
Ka një shkak të zbritjes. Ne zakonisht kur fillojmë të flasim për një sure, përmendim edhe shkaqet e zbritjes, me qëllim që ta kemi parasysh se surja në atë periudhë ka pasur shkakun se pse i ka zbritur Pejgamberit s.a.v.s. Kjo ngase më pas sureja analizohet varësisht nga shkaku që ka zbritur, në rrethanat në të cilat ka zbritur, cilat fjalë i ka thënë Pejgamberi a.s. në lidhje me të, kuptimi i brendive, cilat fjalë janë metaforike brenda ajetit Kur’anor dhe në bazë të kësaj kemi mundësi që prej një specifike dalë nga dalë të shkojmë drejt gjeneralizimit të sures. Kjo është një ndër metodat e komentit të Kur’anit që e kan mbajtur homogjene shoqërinë islame. Për shkak se shpesh herë përballemi me një trajtë të pyetjeve që në realitet janë filozofike, por për fat të keq nuk diskutohen në mesin e muslimanëve në mëyrë filozofike. Ekzistimi i mendimeve të ndryshme nuk rrjedh prej vet Kur’anit por rrjedh prej qasjes, prej mënyrës se si njerëzit i afrohen Kur’anit dhe ndryshimet të cilat bëhen në komentin e Kur’anit nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e Kur’anit por me ndryshimin e nivelit të dijes te njeriu. Sa më shumë ngritet niveli i diturisë aq më shumë disa ajete të Kur’anit që për një periudhë kanë pasur kuptime të mbyllura, dalë nga dalë fillojnë më tepër të hapen, më tepër të njihen nga shoqëria muslimane. Prandaj është shumë e rëndësishme që të dihet shkaku i zbritjes së një sureje ose i një ajeti të Kur’anit, pasi sipas kësaj kemi mundësi edhe nxjerrjen e konkluzave prej ajeteve të Kur’anit ta kemi më të sigurtë dhe më të përqëndruar. Ky element është shumë i rëndësishëm, do të thotë, nëse nisemi prej specifikave, gjërave të cilat janë të veçanta dhe shkojmë drejt gjeneralizimit të ajeteve të Kur’anit, atëherë kemi mundësi që të ndërtojmë një shoqëri njerëzore që do të ketë mundësi të jetojë sipas parimeve të Islamit. Nëse shkojmë ashtu që edhe ato parime të Kur’anit që janë të gjëra, të përgjithshme dhe ato ti bëjmë specifike, ti ngushtojmë sa më shumë, atëherë e kemi të pamundur të krijojmë shoqëri të gjerë muslimane, si rrjedhojë ka mundësi që vetëm dhjetë vetë që kanë karakter të njejtë të jetojnë sipas atyre parimeve. Mirëpo një ajet ta gjeneralizoni dhe ta përgjithësoni brenda shoqërisë muslimane, kjo është më e vështirë, por kur ti gjeneralizojmë, përgjithsojmë ajetet e Kur’anit gjithsesi se aty do të ketë vend për të gjitha mentalitetet, për të gjitha klimat, për të gjitha periudhat historike, për të gjitha hapësirat, si nga aspekti horizontal po edhe nga ai vertikal. Momentalsiht problemi në ekzistencën e konfrontimit të mendimeve, diversitetet të cilat paraqiten në mesin e muslimanëve, janë për këtë shkak. d.m.th. në njërën kemi një grup të cilët janë puritanist, që mundohet ato gjëra që janë të gjëra në Kur’anin e lartëmadhëruar edhe ato ti ngushtojnë, dhe në anën tjetër kemi një grup i cili mundohet që specifikat të cilat kanë qenë të caktuara për kohën e Pejgamberit a.s. mos ti bartin në kohën në të cilën jemi duke jetuar. S’ka fjalë që edhe në këtë grupin e dytë kemi elemente shumë liberaliste, që i largon fundamentet dhe ky është njejtë i rrezikshëm si grupi i parë, ajo puritanistja që i ngushton ajetet dhe nuk mundëson që të barten në masat e gjëra të shoqërisë. Për atë edhe Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë që me njerëzit kur të diskutoni, diskutoni ashtu që ata të kenë mundësi të ju kuptojnë, njerëzve kur do t’ua sqaroni fenë, më e mira është ajo mesatarja, i themi mesi i artë, dhe në këtë mënyrë keni mundësi që ti keni masat më të gjera të shoqërisë.
Pra edhe sureja Adijat e ka shkakun e zbritjes së vet. Pejgamberi s.a.v.s. e dërgoi njërin prej ensarëve, Mundhir ibn Amr el-Ensariun, e dërgoi së bashku me një grup të kalorësve, që ta sulmojë armikun, i cili përgatitej ta sulmonte Medinen. E dërgoi me një grup të kalorësve deri te ai fis, dhe ai një kohë të gjatë nuk u kthye te Pejgamberi s.a.v.s. Pastaj munafikët filluan ti thonë Pejgamberit a.s. se ata kanë vdekur, kanë humbur luftën dhe nuk do të kthehen më. Pra, ata që thonë se sureja është medenije/ ezbritur në Medinë bazohen në këtë shkak të zbritjes, për shkak se Pejgamberi a.s. aradhat e kalorësve kundër armikut ka filluar ti dërgojë në periudhën e Medines, e dini edhe lufta e Bedrit për këtë shkak ka filluar. Pasi që ata nuk u kthyen, Pejgamberi s.a.v.s. pak ishte i mërzitur dhe ishte dëshpruar, atëherë Allahu xh.sh. ia zbriti suren Adijat, në të cilën Allahu xh.sh. thotë, vel adijati dabhan, dhe ata që vrapojnë dhe duke vrapuar nxjerrin një zë fisnikërues prej brenda. Tani nëse shikoni në përkthimet e Kur’anit, pothuajse në të gjitha që janë me përkthime të shkurtëra, do ta shihni që adijat përkthehet si kuajt, kuajt të cilët vrapojnë dhe dabh, në gjuhën arabe dallohet hingëllima e kalit dhe zëri të cilin e nxjerrë kali kur shkon në luftë, është një zë pak më fisnikërues, ky dabh-i e ka atë kuptim në gjuhën arabe, mirëpo në ajet nuk përmenden kuajt, pra në ajet përmenden ata të cilët vrapojnë me vrull. Shumë pak e diskutojnë tefsiret suren Adijat, ta dini, hapni tefsiret dhe do ta shihni që është një sure që më së paku është e sqaruar, ndoshta Alusi pak më gjerë flet për këtë sure në tefsirin e tij. Ajo që është me rëndësi, kali nuk përmendet, ka metafora në lidhje me kalin këtu, mirëpo kur Allahu xh.sh në mënyrë direkte nuk përmend diçka, atëherë atë e le të hapur që ne të kemi mundësi të dsikutojmë në lidhje me atë, se për ndryshe do ta thoshte për kuajt, do ta thoshte, kuajtë kur vrapojnë, shkojnë në luftë. Këtu Allahu xh.sh i ka lënë të gjitha elementet që kanë mundësi të përdoren në këtë kontekst, që të kemi mundësi ne ti diskutojmë brenda ajetit kur’anor.
Çka mund të diskutojmë? Elementi i parë që mund të diskutohet gjithsesi para kalit, është njeriu, d.m.th. njeriu atëherë kur niset që ta arrijë një sukses, pa marrë parasysh çfarë, ka mundësi të jetë edhe lufta. Shumë herë e kemi dikutuar atë që njerëzit e dobët e folin fjalën e fundit në fillim, ta dini, njerëzit e fortë fjalën e fundit e thonë në fund, edhe atëherë kur e thonë fjalën e fundit, më nuk kthehen prej asaj. Edhe muslimani është kështu, për atë elementi i luftës te muslimanët është lënë si element i fundit, pra kur nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, mirëpo për derisa ka zgjidhje tjera, atëherë assesi njeriu, muslimani nuk i drejtohet luftës. Mirëpo ka raste, edhe te ne, që njerëzit e bëjnë luftën për shkak të dobësive të veta. Për shembull ne në këtë periudhë në të cilën jemi duke jetuar, nuk jemi në gjendje që të konkurojmë me botën në shumë lëmenjë. Për atë për të konkuruar me botën në lëmenjtë që janë në të mirën e njerëzimit, kërkon një përpjekje më të madhe, si nga ana e shteteve, ashtu nga ana e grupeve fetare dhe nga ana e fondacioneve, kërkon një mund pak më të madh, kërkon një përpjekje pak më të madhe, një përpjekje më të sofistikuar, për shkak se qëllimi ynë është që njerëzve t’ua japim ujin e gjallërisë, edhe ata që nuk janë muslimanë të kenë mundësi të jetojnë si duhet. Pra për këtë nevojitet të përgatitemi në të gjitha sferat e jetës, si ato shoqërore e poashtu ato shpirtërore, që njerëzve të kemi mundësi t’ua prezentojmë ujin e gjallërisë. Shikoni, hingëllima e shpreh nervozitetin, kali në të shumtën e rasteve kur nervozohet hingëllon, ose kur është i uritur, këto dy elemente janë elemente me të cilat sot udhëhiqet njeriu, ose udhëhiqet prej urisë, pa marrë parasysh se çfarë urie është, mund të jetë uri për bukë, mund të jetë uri për pasuri, për pozitë, për kënaqje të lakmive të veta. Nëse udhëhiqet nga këto atëherë nuk hynë në kuadër të këtij ajeti, dhe e dyta është kur është i nervozuar. Edhe ky element është prej çështjeve që njeriun e fut në disavantazh në të gjitha segmnetet e jetës, pa marrë parasysh ku. Kohëve të fundit me këto komunikimet e shpejta që i ndjekim, na mundësojnë që ti shohim edhe deklaratat fetare, edhe bisedat fetare, e shohim që muslimanët për fat të keq flasin për fenë e tyre duke bërtitur, sikur të gjithë tjerët janë fajtorë dhe këta që flasin fare nuk janë fajtorë. Disa herë ua kam thënë edhe shokëve, ne i kemi njerëzit shumë të mirë, se ne edhe iu bërtasim, e ata prap na duan neve, kemi hoxhallarë që e shanë zi e më zi xhematin. Ky është një lloj i sadomazogizmit të dy anëve, pra ky është mësuar të shajë, ndërsa ajo ana tjetër është mësuar që të shahet dhe të mendojë se e ka kryer punën e vet, do të thotë, më shau hoxha dhe mirë jam në xhenet do të shkojë. Ndoshta nuk e thotë këtë por kjo është ndjenja. Për atë mënyra e bisedës në të cilën ka këtë lloj të hingëllimës nuk hyn në kuadër të fisnikërisë fetare.
Pra, të themi që këtu Allahu xh.sh. e ka pasur për qëllim kalin. Së pari te ne kali nuk bëhet kurban. Kali nuk bëhet kurban për dy çështje, p.sh. devja bëhet, se dikush mund të thotë kali nuk bëhet kurban sepse i duhet njeriut për të bartur, nuk është ky sqarim si duhet sepse edhe devja përdoret për të bartur. Mirëpo ta dini, kali është fisnik, edhe në art, që nga fillimi, kali kryesisht është njëri prej miqve më të afërt të njeriut dhe është fisnik, është aristokrat. Këtë element të kalit Allahu xh.sh. e përdorë në kuadër të kësaj sureje dhe thotë, vel adijati dabhan, atëherë ata kuaj kur vrapojnë kundër kundërshtarit e marrin atë frymën e cila e tregon fisnikërinë e tyre dhe me këtë metaforë i ka parasysh të gjitha mjetet ne të cilat do ti përdorim për prezentimin e të vërtetës së Allahut xh.sh. Thotë, të gjitha këto mjete patjetër duhet të jenë fisnike, asnjëherë nuk mund të jenë dhelpërake, asnjëherë nuk mund të përdoren dredhi. Ne për veten tonë mund të mos kemi karakter të mirë, mirëpo kur ta prezentojmë fenë, atëherë karakterin fisnik të fesë gjithsesi duhet ta kemi parasysh, përndryshe nuk do të kemi mundësi asnjëherë që të fisnikërohemi si musliman, asnjëherë. Përderisa fenë nuk e prezentojmë me dimensionin fisnikërues të saj, përderisa feja nuk e ka vendin në shoqërinë tonë ashtu si e ka një i pasur brenda shoqërisë, një aristokrat, që kur ta shohin njerëzit fenë, të gjith ti ngriten në këmbë, atëherë do të kemi mundësi që të themi se vërtetë e kemi çuar amanetin e Allahut xh.sh në vend. Allahu xh.sh. në këtë ajet na e tërhjek vëmendjen për këtë çështje. Përndryshe nëse mbesim ne në komentet e ajetit që kanë të bëjnë vetëm me kohën e Pejgamberit a.s., themi e ka dërguar një aradhë të kalorësve të cilët e kanë sulmuar një fis, dhe aty flet për këta kuaj, po e vërtetë, mirëpo këta kuaj sot ku janë, çka janë këta sot, çka simbolizojnë. Sureja Adijat ku e ka lidhjen me ne, te ne e ka me karakterin e kalit, do të thotë linku i kalit këtu është që ajo frymëmarrje e cila nuk ka nevojë, nuk udhëhiqet nga nevoja, lakmia për pasurinë, për epshin, për pozitën e kështu me radhë, dhe nuk udhëhiqet nga ndjenja e nervozisë, por udhëhiqet nga ndjenja e fisnikërisë. Ky është elementi që neve sureja Adijat na e prezenton dhe na mëson se si duhet ta bartim në jetën tonë.
Më pas thotë, fel murijati kad’ha, dhe këmbët, patkonjtë e atyre kuajve nxjerrin shkëndija. Edhe këtu nuk përmenden as patkonjtë, as këmbët, por thuhet që fel murijati kad’ha, thuhet që kur të vrapojnë ata u dalin shkëndijat. Kjo dalja e shkëndijave prej këmbëve e tregon edhe një element krahas fisnikërisë në ajetin e parë. Ky është elementi i dytë, këmbëngulja, do të thotë se atëherë kur shkelni sigurtë dikund, atëherë këmbët vërtetë e tregojnë veten e vet se është shkelur si duhet. Ajnshtajni e ka një thënje të mirë, thotë që, nëse nuk keni mundësi të shpjegoni diçka mirë, thjeshtë, atëherë do të thotë që nuk e keni kuptuar as vetë. Nëse nuk mundeni t’ia sqaroni tjerëve diçka si duhet atëherë nuk e dini as vetë mirë, ta dini që nëse nuk e kuptoni një person se çka thotë, atëherë ta dini që edhe ai nuk e di atë çështje, mos mendoni se ai e di, por juve nuk mund t’ua shpjegojë. Nëse ai vërtetë e di një çështje, atëherë edhe juve mundet t’ua shpjegojë. Edhe këtu theksohet se duhet në një çështje të ecet me këmbëngulje dhe të nxjerrin shkëndija këmbët, pra të jemi të sigurtë në atë që jemi duke e bërë. Siguria te ajo që e përjetojmë, te ajo që ua bartim të tjerëve, dhe kur nxjerrin shkëndija këmbët në të cilat shkelim, dhe këtë e bëjmë me fisnikëri si duhet, ndikon që pala tjetër ta sheh seriozitetin tonë. Këtë mund ta hasni edhe në relacionet ndërnjerëzore, jo vetëm në lidhje me fenë, ne jemi duke folur në lidhje me fenë, sepse surja e ka atë dimenzion, por edhe në lidhje me jetën në përgjithësi është kështu. Pra keni një grup të njerëzve të cilët janë fisnik, dhe po sa të dëgjojnë se vjen dikush në shtëpi për të mirë, dhe jo vetëm për të keqe, jo për nervozitet, por për të mirë, atëherë të gjithë kanë një ndjenjë respekti ndaj personit që vjen. Ky është elementi i atyre që u nxjerrin shkëndija këmbët, do të thotë ardhjen e lajmërojnë me një lartësi të nevojshme.
Fel mugirati subha, dhe ata bëhen gati për të sulmuar në mëngjes. Edhe këtu nuk bisedohet vetëm për sulm. Mirëpo bëhet fjalë për ata të cilët bëhen gati që ta kryejnë punën e vet në mëngjes. Në realitet, etminologjikisht nëse e prkthejmë ajetin, që bëhen gati “subha” që ta kryejnë punën e tyre në mëngjes. Kjo është njëra prej hendikapeve të cilën jemi duke e përjetuar ne tash. Shikoni, kjo mënyra e jetës, fjetjes vonë dhe ndejës vonë, neve edhe psikologjikisht na ka shqetësuar, na ka humbur kujdesin ndaj gjërave. P.sh. rrijmë shumë vonë kryesisht me gjëra të kota dhe pastaj flejmë deri vonë, pra dita na shkon kot. Ka një rregull të gjithësisë i cili te ne ndikon që të ketë një harmoni psikologjike, mos ta themi vetëm shpirtërore, dhe ajo arrihet atëherë kur ne jemi në bashkëvajtje me gjithësinë, me natyrën. Pra Allahu xh.sh. e ka krijuar ashtu në natyrë dhe ka vendosur që kështu duhet dhe nuk e ndryshon, ashtu thotë Kur’ani, ve len texhide lisunneti’l- lahi tahvilan, ligjin e Zotit në gjithësi nuk do ta ndryshojë asgjë. Kështu harmonia në mes njeriut dhe ligjit të Zotit në gjithësi atë e rahaton edhe nga aspekti psikologjik dhe ia mundëson që punët ti bëjë mirë. Ta dini se 60/70% të punës për të pasur sukses, duhet të jeni psiqikisht të gatshëm për atë punë, pa marrë parasysh se çfarë pune bëni, qoftë punë fizike apo intelektuale. Nëse nuk jeni psiqikisht të gatshëm, nëse nuk jeni të qetë, atëherë as nuk mundeni të shkruani diçka, as të përktheni, as nuk mund ta kuptoni atë që e lexoni, as nuk mund t’ua bartni tjerëve, prandaj përgatitja dhe platforma psikologjike, shpirtërore për diçka është shumë e rëndësishme. Për të qenë i qetë psikologjikisht, njeriu gjithsesi duhet që të jetë në kohezion dhe në harmoni me gjithësinë.
Kundërshtimi i natyrës te njeriu ka filluar me humanizmin dhe renesancën. Janë dy parime me të cilat humanizmi dhe renesanca e ka kundërshtuar kishën. Shpesh herë ne pavetëdije, e sulmojmë kishën në lidhje me kundërshtimin që ia ka bërë diturisë, shkencës, s’ka fjalë që kisha ka pasur gabime të mëdha në mesjetë, mirëpo e ka parë që humanizmi dhe renesansa i shkatërron dy elemente shumë të rëndësishme për mbijetesën fizike të njeriut, për atë edhe e ka kundërshtuar me të madhe.
Elementi i parë me të cilin ka dalur në pah humanizmi dhe renesansa është ajo se “dituria është fuqi”. Kisha edhe feja në përgjithësi fuqi e ka pasur etikën, ahlakun. Prandaj edhe Kur’ani kur e përmend Pejgamberin s.a.v.s. nuk thotë që ai është dijetarë, edhe pse Pejgamberi a.s. ka ditur gjëra që askush nuk i di, por Kur’ani thotë që ai kishte një ahlak të lartë, kishte një etikë të lartë. Etika njeriut nuk ia lejon që diturinë ta keqpërdorë. Për atë humanizmi dhe renesansa ka ardhur me parollën “dituria është fuqia”, d.m.th. ai që do ta ketë diturinë në dorë, ai do të ketë mundësi të bëjë çka të dëshiron. Edhe revolucioni industrial në perendim është produkt i diturisë, i teknologjisë, dhe kjo teknologji ata njrëz që kanë qenë përpara me teknologji i ka shtyrë që ti eksploatojnë vendet afrikane më së tepërmi, Afrikën veriore posaçërisht, pastaj Azinë. Asnjëherë në historinë e njerëzimit, asnjëherë perandoritë e më parshme, ka pasur perandori, por asnjëherë nuk kanë bërë eksploatime të vendeve ku kanë shkuar. Aty ku kanë shkuar e kanë okupuar atë vend, ose e kanë çliruar, varësisht si e shohim, por aty i kanë lënë pasuritë, aty kanë bërë kulturën, aty kanë bërë qytetërimin, aty kanë ndërtuar e nuk kanë marrur prej aty dhe ti sjellin në vendin e vet, e atë vend ta shkretojnë. Mirëpo sistemi kolonial është kështu, ky është dallimi në mes të kolonializmit dhe imperializmit perendimorë në krahasim me perandoritë e mëhershme. Pra dituria pa etikë, ka eksploatuar në masë të madhe vendet, dhe kryesisht çdo gjë e ka rrotulluar rreth njeriut, rreth vetes, perëndimorët kanë qenë në epiqendër dhe të gjithë njerëzit tjerë i kanë konsideruar si kafshë. Për shembull zezakët e Amerikës, e dini që një pjesë e madhe e zezakëve janë musliman, si musliman janë marrë prej Afrike. Nuk di a patët rast të lexoni, mua më duket më shumë si teori konspirative, por mirë është ta lexoni, te portali i Shenjës, Arsim Zekolli, në lidhje me relacionin që e ka xhazi me ezanin. Ka disa mendime ku thuhet se xhazi është i ndikuar prej ezanit të zezakëve që kanë shkuar në fillim, shumica prej tyre kanë qenë udhëheqës të fiseve të mëdha në Arfikë, një pjesë e madhe kanë qenë musliman, pastaj i kanë konvertuar me dhunë. Pra e keni parë që kryesisht në filmat amerikanë ku bëhet fjalë për zezakët, si godinë qendrore është një kishë ku prifti është zezak, ndërsa shumë pak raste ka pasur të tilla, por kjo potencohet me të madhe.
Elementi i dytë i humanizmit dhe renesancës është motoja “natyrën e kemi armik”. Atëherë kur armiqësohesh me natyrën, atëherë duhet të ndërtosh mekanizma me të cilat do ta kundërshtosh natyrën, atëherë duhet të përgatitesh që natyra të ta kthejë me të njëjtën mënyrë. Edhe ne kohëve të fundit e kemi problemin e ndotjes së ajrit, edhe ne në Tetovë, pra është pasojë e industrializimit të Tetovës, pasojë e industrializimit jo etik, diturisë pa etikë, për atë ndotet ajri. Pra njerëzit në fillim e kanë pasur qëllimin si ajo hingëllima e kalit, ne të fitojmë para njëherë e ti plotësojmë nevojat tona, dhe i kanë hyrë kësaj pune. Por pas një periudhe të njëjtat fabrika që i kanë ushqyer kanë filluar edhe ti vrasin. Do të thotë që kjo dituri që nuk ka etikë dhe bërja e natyrës armik, ka ndikuar që edhe natyra të armiqësohet dhe të na shkatërrojë. Momentalisht shkatërrimi psikologjik i njerëzve është për shkak se nuk kanë një jetë të qetë dhe e cila është e koordinuar me gjithësinë, me natyrën. Njëri prej më të pasurve të botës thotë, do ta dhuroja të gjitha çka i kam vetëm se të jem i lirë, do të thotë përderisa i kam këto nuk jam i lirë.
Kjo është çështja e shprehur në ajetin fel mugirati subha, ata që përgatiten të veprojnë në mëngjes. Unë një pjesë të konsiderueshme të jetës kam punuar edhe si automekanik, dhe besoni që koha më e mirë që kam pasur mundësi që të rregulloj motorin e makinës, ishte pas namazit të sabahut, së pari nuk ka njarëz, është qetësi edhe kohë shumë me frymëzim dhe në këtë atmosferë bëhen punët e mëdha. Edhe për hifzin, edhe gjërat tjera, kjo është koha më e mirë kur ka efekt, nëse zgjoheni të qetë, të rahatshëm për namazin e sabahut, kjo është periudha kur njeriu mund të jetë më i sukseshëm. Për atë edhe Allahu xh.sh. thotë fel mugirati subha.
Fe etherne bihi nek’a, dhe ata kur nisen të sulmojnë atëherë ngrihet pluhur pas tyre, pluhur i madh. Deri këtu desha të arrij sonte, e të vazhdojmë në javën tjetër me pjesën tjetër, sepse ka mesazhe tjera. Kryesisht pluhurin e ngrejnë fisnikët, dine këtë, edhe mbas fisnikëve ngrihet pluhuri. Për atë njerëzit e kanë shumë lehtë që të bëhen dijetarë dhe pastaj mos të merren me njerëzimin, të tërhiqen në skajin e vet dhe të mos mirren me botën, kjo është gjëja më e lehtë, dhe të jenë produktiv, d.m.th. të shkruajnë libër, të mbajnë ndonjëherë ligjëratë, dhe kaq. Mirëpo fisnikëria dhe etika njerëzore nuk i lejon ata që janë pak të vetëdishëm që të veprojnë kështu, që ata të tërhiqen në skajin e vet. P.sh. Ky është shkaku që Imam Gazaliu i ka thënë Nizam el-Mulkit, unë nuk pajtohem me ty. Për kët Ebu Hanife i ka thënë mbretit, ti mundesh të jesh sulltan, por unë nuk pajtohem, ose Ahmed ibn Hanbeli, edhe dijetarë tjerë, edhe Sujutiun njërin prej dijetarëve më të mëdhej të botës islame Memlukët e kanë mbyllur në një burg në Nil. Do të thotë që asnjëherë të mos kemi dro përderisa besojmë se e kemi metodën si duhet dhe e ndjekim të vërtetën, asnjëherë nuk kemi nevojë të kemi dro prej pluhurit i cili ngrihet. Pluhuri ngrihet për shkak se shkelet sigurt, për shkak të fisnkërisë, por pluhuri ngrihet edhe pas atyre që kanë vlerë. Kjo ka ndodhur me Pejgamberin a.s., edhe me Pejgamberët e tjerë në përgjithësi, për shkak se Pejgamberët janë avangardist, ata e kanë kapërcyer gardhin, kanë dalë në anën tjetër. Kanë ardhur në një shoqëri ku kundërshtimin më të madh ua kanë bërë duke u thënë: “ne i kemi gjetur baballarët kështu, çka ke ardhur ti që të na ndërrosh”. D.m.th. ai është një avangardist i cili e prish rendin e qelbur. Por rendi i qelbur i konvenon një pjese të caktuar të shoqërisë. Edhe te ne tash, shqipëtarët në Ballkan për fat të keq edhe nga aspkekti shoqërorë jemi në kollaps, por jeni duke e parë që askujt aspak nuk i intereson asgjë. Popullsia është në një letargji të madhe, një pjese të caktuar të shoqërisë i konvenon kjo, dhe kështu vazhdon. Kështu kanë qenë periudhat kur kanë ardhur Pejgamberët, dhe kanë thënë, kjo nuk është në rregull, këtë duhet ta ndryshojmë. Për atë ngrihet pluhuri, për ate kur prekni në interesat shoqërore të njerëzve. Tash kohëve të fundit jemi duke e parë se problemi është me Islamin. Pse me Islamin? Pse për shembull krishterëve dhe hebrenjëve nuk ju pengojnë budistët, apo konfuçionistët, pse nuk iu pengojnë ata por iu pengojnë muslimanët. Për shkak se Islami si sistem i jetës është i inkuadruar brenda në të gjitha sferat e jetës, edhe për atë ngrehet pluhuri kundër Islamit, edhe pse ka gabime të mëdha edhe te muslimanët, këtë nuk e mohojmë, por pse s’ka budistofobi, por ka islamofobi. Për shkak se ky rend i botës, i cili është vendosur duke e shkatërruar botën me armëqësinë ndaj natyrës dhe me fuqi të koncentruar vetëm në dituri pa etikë, këtë rend e sulmon vetëm Islami, d.m.th. këto parime i sulmon vetëm Islami. Pra atë që e ka bërë kisha si inkuizicion kundër humanizmit dhe renesansës në shekullin e XVI, momentalisht bota ia bën Islamit. Pse p.sh. ti thuhet terrorizëm islamik? Nuk ka terrorizëm islamik, ka terrorizëm, pa marrë parasysh kush e bën. Terrorizmi është terrorizëm, mund të jetë krishter, mund të jetë musliman, mund të jetë çifut, mund të jetë budist, nuk është problem, nëse bën terrorizëm atëherë është terrorist. Unë jam i bindur që problemi më i vogël për ata që e kanë në dorë rendin momentalisht në botë, janë këta që luftojnë, këta janë problemi më i vogël. Për shkak se ata në të gjitha mënyrat kanë mundësi të manipulohen. Problemi është se ka një lëvizje në botë, që mund të shkojë edhe 50 vite, edhe 100 vjet, ne nuk e dijmë, e cila i sulmon këto parime që kanë udhëhequr me botën katër pesë shekuj, dhe ata që momentalsiht udhëheqin me botën nuk do ta lëshojnë aq lehtë. Ne e kemi patjetër që për hir të njerëzishmes, të përkushtimit tonë ndaj Zotit ta ruajmë këtë fisnikëri të cilën Allahu xh.sh. na e përmend në suren Adijat, posaçërisht në ajetet e para, duke filluar nga ai vrapi i cili është frymëmarrje fisnike, me këmbët të cilat nxjerrin shkëndija, janë këmbëngulëse, janë të përqëndruara, që përgatiten në kohezion, në harmoni me natyrën nga mëngjesi që ta kryejnë punën e tyre dhe të cilat ngrehin pluhur pas vetes, dhe poashtu pas të cilave ngritet pluhur.
Faleminderit!