METIN IZETI: GJALLËRIA FETARE DHE LINDJA E VAZHDUESHME E PEJGAMBERIT A.S.

Shkruan: Metin Izeti

Në titullin e këtij teksti është i përmbledhur tharmi i rrjedhës së mendimit në lidhje me freskinë dhe përditësimin e lidhjes dhe afërsisë me Zotin. Besimtari asnjëherë nuk ka mundësi që të harmonizojë dhe kornizojë lidhshmërinë ndërmjet fjalëve dhe veprave pa praninë e personalitetit universal dhe metafizik të Pejgamberit a.s.. Pejgamberi a.s. e paraqet mundësinë reale të përjetimit të asaj që shpirti e frymon dhe që mendja e koncepton nga të vërtetat fetare. E gjithë historia e mendimit islam, qasjet ndaj Kur’anit dhe haditheve të Pejgamberit a.s. i ka të përqëndruara në këtë segment të veprimit të besimtarit mysliman. Pra, ajo që përthithet nga shpirti dhe mendja të sendërtohet në jetën individuale dhe kolektive të njeriut me ndjekjen e sinqertë të sunnetit të Pejgamberit a.s.. Si rrjedhojë e kësaj themi që Pejgamberi a.s. është koncepti kryesor i mbajtjes gjallë të fetarësisë dhe pikërisht për këtë ai lind në vazhdimësi në kohra dhe hapësira të ndryshme. Ky është një ideal i besimtarit dhe nëse i largohet atij besimtari bie në greminën e hipokrizisë së vetëadhurimit, lëshohet në devotshmëri të rreme ose e relativizon para vetes transcedencën që fle në rrënjët e fesë. Si rrjedhojë e kësaj feja i shndërrohet në folklor, traditë letargjikeose mjet për ndonjë interes të përbotshëm/politik të cilat formalisht e “promovojnë” fenë , por në esencë e mohojnë atë. Pra, besimi verbal shndërrohet në ateizëm praktik.

Krahas të gjitha përpjekjeve personale që besimtari ta tejkalojë boshllëkun ndërmjet fjalëve dhe veprave, besimi në Zotin, pa personalitetin metafizik të Pejgamberit a.s., mbetet hapësirë enigmatike e pakapërcyeshme. Subjekt/objekti i besimit, Zoti, është përtej përkapjes së njeriut. Përjetimi i afërsisë me Krijuesin është stadi i fundit i fetarisë. Afërsia me Zotin arrihet përmes dashurisë, ndërsa dashuria për Të është e përmbledhur në ndjekjen e sinqertë të Pejgamberit a.s.. Në suren Al-i Imran ajeti 31. I Madhi Allah urdhëron: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. Si rrjedhojë ideali kuranor i fesë është i shprehur në ndjekjen e traditës konstituive të Pejgamberit a.s. që me freskinë dhe aktualitetin e vet është në gjendje t’i përgjigjet të gjitha periudhave kohore dhe hapësirave të ndryshme. Pejgamberi a.s. kërkon prej ndjekësve të sunnetit të të tij që të jenë të përkryer, ta stolisin veten me moralin dhe mënyrën e sjelljes së Krijuesit Fuqiplotë. Vendosja e një ideali, që shpesh herë edhe duket si i pakapshëm për ne, nga ana e Pejgamberit a.s., për komunitetin ndjekës/ummetin e tij është një sprovë ku besimtari fetarinë do ta orientojë, sipas traditës profetike, vetëm në adhurimin real të Zotit ose do të vetëadhurohet. Kurani në suren Jasin ajeti 21 do ta kërkojë këtë prej njerëzve: “Ndiqni ata, që nuk kërkojnë prej jush kurrfarë shpërblimi e që janë në rrugë të drejtë!” .

Feja nuk është pronë e njeriut, por është një proces i vazhdueshëm që nuk e largon nga spektri saktësinë e adhurimit të Zotit, përkushtimin e sinqertë dhe të plotë si dhe ikjen nga gjykimi për fetarinë e tjetrit. Për besimtarët e tillë feja është e gjallë dhe Pejgamberi a.s. lind në vazhdimësi. Pikërisht për këtë themi që besimtari e ka domosdoshmëri të besimit ta mbyll boshllëkun ndërmjet fesë nominale dhe asaj që jetohet.

Pejgamberi i fundit Muhammedi a.s. është autoriteti prijës për fetarinë e myslimanit. Allahu xh. Në Kuran Pejgamberin a.s. dhe komunitetin e tij/as’habët i paraqet si të tillë që e kanë vendosur harmoninë ndërmjet fjalës dhe veprës. Burimi i kësaj harmonie është relacioni i i tij/tyre me Zotin xh.sh.. Në suren Fet’h, ajeti 29thuhet: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut. Në t e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill, shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit. (Kështu përshkruhen ata) me qëllim që, nëpërmjet tyre, Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh”.

Përderisa nga njëra anë Kurani dhe hadithet e Pejgamberit a.s. e paraqesin mënyrën shembullore të sjelljes pejgamberike dhe të ashabëve, ata nga ana tjetër mprehtë i kritikojnë anomalitë dhe sjelljet e gabuara të njeriut në shoqëri. Kritikat e Kuranit, veçanërisht në suren Huxhurat, ku në mes tjerash thuhet:” O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun! Vërtet, Allahu dëgjon gjithçka dhe është i Gjithëdijshëm. O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare. Vërtet, ata që ulin zërin në prani të të Dërguarit të Allahut janë njerëzit, zemrat e të cilëve Allahu i ka kalitur për besim e përkushtim. Për ata ka falje dhe shpërblim të madh. Vërtet, ata që të thërrasin ty (o Muhamed) me zë të lartë nga jashtë dhomave të tua, shumica e tyre nuk marrin vesh. E sikur të duronin derisa ti të dilje jashtë tek ata, do të ishte më mirë për ata. Por Allahu është Falës dhe Mëshirues. O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë”. (Huxhurat: 1-6) ose ajetet më pas: “ O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës. O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë. O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë. Arabët e shkretëtirës deklarojnë: “Ne besojmë”. Thuaju: “Ju nuk keni besuar! Por më mirë thoni: ‘Ne përulemi’, pasi besimi ende nuk ka hyrë (si duhet) në zemrat tuaja. E, nëse i bindeni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nuk do t’ju pakësohet asgjë prej veprave tuaja. Sigurisht, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk dyshojnë, por luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Këta janë besimtarë të sinqertë. Thuaju: “Vallë, a do ta njoftoni Allahun për fenë tuaj, ndërkohë që Ai di gjithçka që përmbajnë qiejt dhe Toka?! Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” Ata e quajnë si favor për ty që kanë pranuar Islamin. Thuaju: “Mos e quani si favor për mua se keni pranuar Islamin; përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”. Allahu i di fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës. Allahu i sheh të gjitha ato që bëni ju”.(Huxhurat,11-18)janë aktuale në tërë historinë e kulturës dhe qytetërimit islam. Edhe shembulli edhe kritikat janë shum më të fuqishme, edhe sot e kësaj dite, nga të gjitha kritikat që i bëhen religjionit dhe besimtarëve prej marksizmit, ateizmit liberal dhe të tjerëve.

Nëse drejtë e analizojmë personalitetin e Pejgamberit a.s. do ta shohim qartë se prej tij shkëlqen pastërtia e relacionit me Zotin e cila në asnjë mënyrë nuk e ngërthen qibrin fetaro-shpirtëror dhe gjykimin për fetarinë e tjetrit. E tërë praktika fetare, më pas edhe kontroli religjioz, burojnë prej pastrimit të karakterit nga qibri fetaro-shpirtëror dhe gjykimi mbi fetarinë e tjetrit. Duhet ta kemi të qartë se këtu nuk bëhet fjalë për dyshimin në lidhje me ekzistencën e Zotit dhe relacionin e mëshirës së Tij me njeriun, por pamundësia e njeriut, si rrjedhojë e karakterit të dobët, që në trajtë të denjë të qëndrojë para Zotit. Pejgamberi a.s. prej ummetit të tij që feja e tyre të mos mbetet vetëm individuale, vetëm ngushëllim vetjak, por si rrjedhojë e preokupimit ekzistencial me të mirën hyjnore të kapërcehet pragu i intimitetit dhe ritualit dhe feja e myslimanit të ketë relevancë shoqërore.

Personaliteti i Pejgamberit a.s. e demaskon pseudoreligjionin dhe keqpërdorimin e absolutizmit hyjnor nëpërmjet relativizimit të njeriut. Nga aspekti historik koha e Pejgamberit a.s. dhe koha e jonë, është fakt , se nuk janë identike, por ama nëse e kemi parasysh se Pejgamberi a.s. është person metafizik, ai lind me freski dhe butësi të njëjtë në të gjitha periudhat historike, atëherë me plot të drejtë mund të konstatojmë se feja nuk mund ta ruaj gjallërinë pa përditësimin në aktualitet të personalitetit të Pejgamberit a.s..

Edhe koha jonë si periudhë e “përfundimit te rrëfimeve të gjata”, ideologjive të mëdha, kohë e pluralizmit dhe globalizimit. Koha jonë, gjthashtu, përshkruhet si periudhë shkencore-teknike, teknologjike-informative, moderne-postmoderne, neoliberale-konsumeriste, ose nga aspekti i fesë, si shekullare dhe psotshekullare, thënë ndryshe “periudhë e animit drejt religjionit pa Zot dhe pa Pejgamber”, kohë e transormimit dhe disperzimit të religjiozes.

Ndërsa Pejgamberi a.s. Pejgamberi a.s., si kumtues i Librit të Allahut dhe përkthyesi më i mirë i tij, është kriter i vetëm i jetës së muslimanit dhe modeli më superior i personalitetit njerëzor. Si rrjedhojë në Kur’an është urdhëruar: “ Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”. Allahu xh.sh. e thotë qartë se Pejgamberi a.s. është shembull për besimtarët, atëherë parashtrohet pyetja se si gjeneratat e ardhshme do ta përcjellin në jetën e tyre këtë shembull të përsosur? Përgjigja është: Para së gjithash kjo është e mundshme me mbrojtjen adekuate dhe të drejtë të trashëgimisë së dijes të lënur nga Pejgamberi a.s.. për rrjedhojë, të vetëdishëm për këtë gjendje, dijetarët islam që nga periudhat e parë e kanë konsideruar si përgjegjësi evidentimin dhe regjistrimin e fjalëve dhe sjelljeve të Pejgamberit a.s.. Trashëgimia e sunnetit dhe hadithit ka qenë burim i pakontestueshëm i cili është konsultuar nga ana e muslimanëve për zgjidhjen e çështjeve të ibadetit, etikës dhe çështjeve të përditshmërisë, duke filluar nga gjeneratat e para pas Pejgamberit a.s..

Pejgamberi a.s., krahas kumtimit (teblig) të zbulesës hyjnore, ishte i obliguar edhe me sqarimin (tebjin) e tij. Sqarimet dhe komentet e bëra nga Pejgamberi a.s. në lidhje me ajetet e Kur’anin janë emërtuar si “ hadith”, ndërsa zbatimi i urdhërave hyjnore në jetën e tij është emërtuar si “sunnet”. Si rrjedhojë, Abdullah b. Omerin e pyetën: “ Ne në Kur’an e hasim namazin e frikës ( namazi që falet gjatë luftës) dhe namazin e zakonshëm (jashtë kushteve të luftës dhe udhëtimit), ndërsa nuk e hasim dot namazin e udhëtarit, pse? Ai është përgjigjur: “ Ne nuk dinim asgjë, Allahu na e dërgoi Muhammedin dhe ne veprojmë ashtu si e kemi pamur atë duke vepruar”.

Sunneti është element që e ka mundësuar vendzënien e Kur’anit në kujtesën shoqërore të muslimanëve. Sunneti është çelje dhe sqarim i Kur’anit. Sunneti ka ndihmuar në përcjelljen e urdhërave dhe preferimeve hyjnore të Kur’anit në përditshmërinë e muslimanëve. Konceptet që kishte për qëllim Kur’ani në shoqërinë muslimane, si “ Ummeten vasatan/ popull i mesëm” dhe “Hajre ummetin/ populli më i mirë” janë sendërtuar vetëm nëpërmjet sunnetit të Pejgamberit a.s..Thënia e juristit të njohur sirian Mekhul’it (100/718) “ Kur’ani ka nevojë për sunnetin më tepër se sa sunneti ka nevojë për Kur’anin” ,duhet të kuptohet si konstatim që e tregon domosdoshmërinë e sunnetit në kuptimin e Kur’anit dhe bartjes së tij në përditshmërinë njerëzore.

Sunneti krahas ibadetit dhe praktikave profetike në lidhje me relacionet ndërnjerëzore i përmban edhe sjelljet etike, traditore, madje edhe veprimtarinë humane dhe socio politike të Pejgamberit a.s.. Pikërisht për këtë sunneti i Pejgamberit a.s., cili në Kur’an është prezentuar si “ person me moral të lartë” dhe “shembull i mirë” për besimtarët, është me karakter të pazëvendësueshëm për jetën e muslimanëve.

Pejgamberi i Islamit në parazgjedhjen paraekzistente hyjnore është përcaktuar të jetë modeli ideal metafizik, natyra themelore e të cilit në bazë të krijimit hyjnor është ndërtuar në thelbin e gjithësisë dhe në personalitetin integral të njeriut. Ky realitet nuk ka asfarë domethënieje mistike, por në te është parashtruar aktiviteti më real hyjnor në përfshirjen permanente të botës nga ana e të Gjithfuqishmit si në aspekt të krijimit ashtu edhe në aspekt të shpalljes hyjnore, ku personaliteti metafizik i Pejgamberit përfiton pasqyrimin e plotë të tij nën vulën mbrojtëse të Zotit.

Natyra pejgamberiane në këtë rast nuk është aspak e idealizuar, por është mbajtur në piedestalin më të lartë të burimit metafizik , në kufirin më të lartë primordial deri te i cili e njerëzishmeja ka mundësi të ngjitet, e nxjerrur nga pastërtia e aktivitetit krijues të Zotit. Kjo pastërti me kalimin e periudhave kohore si kuptimore ashtu edhe lëndore është fisnikëruar me dhuratat mahnitëse të Urtisë Hyjnore.

Pejgamberi a.s. është mëshirë pa kundërvlerë e Zotit ndaj botës, është burim i pashtershëm i begative kuptimore që gjithësia i pranon nga i Larti dhe subjekt nëpërmjet të cilit Zoti e paraqet aleancën e tij me njeriun. Në gjenealogjinë shpirtërore të Muhammedit a.s. në trajtë të nyjes janë të bashkuara fizionomitë e pejgamberëve të parë dhe të gjitha tekstet e shenjta të shpallura më herët. Siç thamë edhe më lartë, Muhammedi a.s. është karakteri i parë i krijuar nga Zoti dhe i profilizuar deri në përsosurinë shpirtërore dhe të mrekullueshme, ashtu që të bëhet paratrajta shembullore për çdo krijesë të ardhshme. Kultivimi i tij shpirtëror është bërë pranë kujdesit të papërshkruar të Zotit. Realiteti i kësaj edukate dhe kulture rezaton qartë si nga shpallja ashtu edhe nga porositë e Pejgamberit.

Kur themi se Pejgamberi a.s. është përsosuria dhe karakteri i njerëzishëm i fesë dhe ligjit fetar, kemi për qëllim plotësinë historike të mirësisë, bukurisë, urtisë dhe dëshirës hyjnore të prezentuara nëpërmjet të shpalljeve të Zotit. Është më se e vërtetë se Pejgamberi këto bukuri i ka pranuar nëpërmjet të mëshirës hyjnore, mirëpo po aq është e vërtetë se ai ka kaluar nëpër një proçes rrënjësor të edukimit botëror.

Kontinuiteti historik dhe universal i shpalljes së Zotit është i prezentuar në proçesin edukativ të Pejgamberit. Koncepti i çdo porosie hyjnore përfaqësohet në çdo veprimtari pedagogjike që Zoti e ndërmerr në personalitetin e Pejgamberit. Ashtu që porosia hyjnore duke prezentuar portretin shpirtëror të Pejgamberit në çdo segment historik botëror prezenton edhe kuptimin e qartë të vet, pasi kuptimi i vërtetë i saj nuk do të kuptohej jashtë integralitetit personal të të Dërguarit. Brenda një pedagogjie të tillë hyjnore është paraqitur personaliteti i Pejgamberit a.s. dhe me hovin e dhënë para katërmbëdhjetë shekujve vazhdon të vrapojë drejtë freskisë dhe përmasave më të gjera.

Për tu kuptuar rëndësia e Pejgamberit a.s. gjithsesi nevojitet thellimi në përmasën metakozmike dhe kozmohistorike të tij. Persiatja e tij ishte e brendshme , ndërsa në botën e dukshme ai ballafaqohej me të gjitha situatat që ballafaqohen njerëzit. Ai i përjetoi dhimbjet e bonjakërisë, jetoi jetën e tregtarit, u internua. U prek thellë nga humbja e zonjës së tij Hatixhes r.a. dhe të birit Ibrahimit, por dinte edhe të gëzohej dhe të prjetojë bukurinë dhe estetikën e jetës së kësaj bote. Mund të thuhet se misioni i tij përqëndrohej në harxhimin e jetës për formimin e barazpeshës në jetën njerëzore, që do të shërbente si bazë për besnikëri, sinqeritet dhe shërbim Zotit.

Për myslimanin Pejgamberi a.s. është shembulli më i mirë i modestisë dhe fisnikërisë, i zemërgjerësisë dhe bujarisë, sinqeritetit dhe dashurisë ndaj të vërtetës. Ai është shembulli më i mirë i përkushtimit të plotë ndaj Zotit, bamirësisë ndaj të afërmëve , model i fisnikërisë dhe zemërgjerësisë ndaj të tjerëve. Si rrjedhojë, nëpërmjet qasjes korelative, duke e bartur Pejgamberin a.s. në kohën tonë, duke e bërë që të lind vazhdimisht mund t’i aktualizojmë veprimet e tij në kontekst se feja nuk është mjet për qëllime tjera, por qëllimi kryesor i saj është relacioni autentik i besimtarit me Zotin. Feja duhet të jetë e gjallë dhe ta mbrojë besimtarin nga vetëadhurimi dhe shfrytëzimi i të shenjtës për interesa personale.

@Revista Shenja, : http://shenja.tv/gjalleria-fetare-dhe-lindja-e-vazhdueshme-e-pejgamberit-a-s