NJË MIJË MUAJ NË NJË NATË
Dhimbja e thellë e shpirtit në gurbet në këtë natë u tregua pak më e qetë.
E kërkonte natën ku melekët zbritnin rend rend.
Hapësira e qiellit përplot nur edhe pse është natë.
Më solli qetësinë edhe pse shpirti në gurbet.
Ata në pritje të një hapi për lartë, për t’u lëshuar në divan.
Në errësirën e natës me dritë më të fuqishme se dielli.
Pret pendesën time për ta përfshirë gjoksin qielli.
Dhimbjen e gurbetit i harrova për një çast, kur drita ishte pranë.
Afër tyre vegime të qarta shpirtin ma kapluan.
Në shtresat e qiellit me veshje të kristalta më përqafuan.
Nga ujërat dilnin, që hidhërimi im të buzëqesh.
Buzëqeshja e imët ishte prej qielli peshqesh.
Agimi po afrohej por edhe gjumi ishte në ekstazë.
Deti i gjithësisë bredhte valë-valë
Dielli lindte por këtë herë sikur perëndon.
A mos vallë një mijë muaj kaluan Fani, në shpellën ku zbulesa ndriçon.