Sureja Kurejsh
Miq të respektuar, sonte do të flasim për një sure tjetër të Kur’anit Famëlartë, për suren Kurejsh. Sureja emrin e mban sipas fisit të njohur të cilit i përkiste edhe Pejgamberi s.a.v.s., një ndër fiset bazë të Hixhazit. Hixhaz quhet krahina që në vete i ka dy qytetet e bekuara Mekën dhe Medinën ose me fjalë të tjera është pjesa më e madhe e gadishullit arabik, rrjedhimisht, Arabisë Saudite të sotshme. Fisi Kurejsh ka qenë një ndër fiset kryesore udhëheqëse të Mekës me të gjitha familjet dhe nëndegët të cilat i ka pas, për shembull Pejgamberi a.s. ishte prej fisit Kurejsh po i takonte familjes Beni Hashim. Në mesin e familjeve tjera ishin familja Beni Umejje (emevitë) të cilit i takonin Ebu Sufjani, Muaviju, kështu me rradhë, ishte fisi Abduddar, të cilit i takonte Ebu Xhehli. Të gjitha këto degë e përbënin fisin Kurejsh.
Nëse Allahu xh.sh. një sure e emërton me një emër, atëherë ai emër është i rëndësishëm. Pse është i rëndësishëm? Për shkak se një kaptinë prej fjalës hyjnore, titullohet me atë emër, që domëthënë se edhe Kurejshi, pasi është emër i një kaptine kuranore ka një rëndësi të posaçme. Kohëve të fundit, posaçërisht në shekullin XIX dhe XX (tash pak i ka ra intenziteti kësaj pune) ka patur një vullnet filozofik, logjik të mendjes diskursive (mendjes e cila asnjëherë nuk ka dëshirë të kalojë andej perdes, po të ri vetëm këndej perdes), ka pas dëshirë që të gjitha gjërat t’i analizojë në bazë të kuptimit, në bazë të perceptimit dhe përkapjes, mos ta inkuadrojë aty intuitën, dëshirën, dashurinë e njeriut, ndjenjën e njeriut po vetëm nëpërmjet të kuptimit, perceptimit, përkapjes t’i analizojë gjërat të cilat ekzistojnë në botë. Ky mentalitet është i lindur me protestantizmin. Martin Luteri është një prift gjerman që ka jetuar në shekullin XV-XVI, i cili e ka kundërshtuar kishën katolike për disa çështje, por çështja kryesore pse e ka kundërshtuar kishën katolike është leximi i meshës në gjuhën latine e jo në gjuhët e ndryshme të besimtarëve, në këtë rast gjermane. Ky ka qenë kundërshtimi kryesorë, në këtë është bazuar e tërë filozofia luteriane dhe më vonë ky element, posaçërisht në shekullin e XIX dhe XX është bartur edhe te muslimanët (deri atëherë te muslimanët nuk ka qenë kjo) dhe ka filluar me të madhe të diskutohet pse Kur’ani është në gjuhën arabe, pse ne mos ta bëjmë ibadetin edhe në gjuhët tjera edhe deri vonë, ju e dini që te ne çështjet diskutohen pak më vonëse në Europë. Në bazë të analizave të sociologjisë së religjionit, sot katolikët janë më fetarë se protestantët (katolikët janë shumë më fetarë, protestantët janë më të përparuar nga aspekti i kësaj bote, ama nga aspekti i fetarësisë katolikët janë shumë më fetarë se protesantët), që do të thotë se kuptimi i citateve fetare nuk e shton fetarësinë, kjo është përvoja jonë me krishterët. Depërtimi logjik në çështjet e tekstit të shenjtë njeriut nuk i jep fetarësi më të madhe.
Kurejshët janë të rëndësishëm për shkak se fjala hyjnore ka zbritur në gjuhën e tyre, ka zbritur kryesisht me nuancat gjuhësore arabe të cilat i ka patur fisi Kurejsh, është kallëpi ku e ka përfituar formën njerëzore fjala hyjnore, për atë është shumë i rëndësishëm. Gjuha e shpalljes në përgjithësi nuk është gjuhë e caktuar e një populli. Disa herë fakiri them që Kur’ani nuk është zbritur në arabisht, por është zbritur në rabbisht, gjuha e Kur’anit është gjuhë e Zotit edhe shumica e kallëpeve të gjuhës arabe ka qenë më e përafërt për pranimin e gjuhës së Zotit, fjalës hyjnore dhe për këtë ka zbritur në gjuhën arabe. Shikoni, Kur’ani kur na drejtohet neve në lidhje me kuptimin e Kur’anit thotë që “ Inna enzelnahu kur’anen arabijjen leal-lekum ta’kilun” / “Ne sigurisht ua kemi zbritur Kur’anin juve në gjuhën arabe që ju të racionalizoni pak rreth tij” (ta kuptoni). Nëse i afrohemi sipërfaqësisht këtij ajeti kuranor, atëherë do të themi se ky ajet a na drejtohet edhe neve shqipëtarëve ose jo? Nëse i qaseni sipërfaqësisht, atëherë ky ajet nuk ka të bëjë me ne, ka të bëjë me arabët, mirëpo nuk është ashtu. Nëse i afrohemi nga aspekti i përmbajtjes gjuhësore (semantikës gjuhësore), atëherë ka të bëjë me të gjithë njerëzimin. Në të vërtetë ky ajet do të thotë që vetëm kjo gjuhë arriti që kallëpet e veta ta mbajë fjalën time (fjalën e Zotit), e nëse keni dëshirë ta kuptoni, atëherë do ta lexoni kështu. Fjala ime thotë Allahu xh.sh. nuk është e përbërë vetëm prej shkronjave, germave dhe kuptimeve të cilat ju i përkapni prej asaj, po fjala ime në të njëjtën kohë është edhe një ndjenjë, në të njëjtën kohë është edhe një lutje. Për shembull ajeti kuranor “Juusikumullahu fi euladikum…” / “Allahu iu këshillon juve që kur do ta ndani trashëgiminë djalit t’i jepni dy pjesë, vajzës t’i jepni një pjesë”, flet për një çështje juridike, është një çështje e të drejtës trashëgimore në jurispudencë, mirëpo të njejtin ajet ju mund pas sures Fatiha ta lexoni në namaz edhe të konsiderohet ibadet. Këtë nuk e hasni askund tjetër që një konkluzë juridike, një dispozitë juridike, në të njëjëtn kohë të jetë edhe dispozitë e cila ty do të afrojë me Zotin, e këtë e ka vetëm gjuha arabe. Për shembull sikur ta kishim analizuar ajetin që e lexova unë (Zoti deshi e lexova këtë, përndryshe cilin ajet ta merrni është kështu, mund ta merrni edhe ndonjë ajet që flet për vrasjen) fillon me juusikumullahu/ Zoti iu këshillon juve, në të vërtetë ky është urdhër, mirëpo ajeti fillon me vasijet, me rekomandim nga ana e Allahut xh.sh. dhe kjo ia jep edhe atë dimensionin e përjetimit kësaj çështjeje, për atë thash në fillim që Kurejshi është i rëndësishëm.
Edhe tek ne, shpeshherë, është insistu pse ne mos ta marrim vesh’, pse t’i çojmë fëmijët t’a mësojnë Kur’anin ama mos t’a kuptojnë Kur’anin’. Të njëjtit njerëz me i pyetur se çka mendoni për hebrenjtë, do të thonë që janë njerëz shumë të përgaditur, janë njerëzit më të mençur të botës. A e dini që Talmudi i hebrenjve është i shkruar në disa letra të gjata të cilat mblidhen si roll edhe mbahen nëpër sinagogat e atyre dhe të gjithë ata deri vonë shumica nuk e kanë ditur hebreishten, tash si është bërë shteti Izraelit është mësuar hebreishtja e vjetër, se shumica e kanë harruar pasi kanë jetuar në Amerikë, Rusi, ama krejt prej ditës së parë ua kanë mësuar në hebreisht Teuratin fëmijëve të vet. Shumica prej jush e dini ndoshta po unë tash kisha një përvojë në një lagje në Cyrih që është lagje e hebrejve. Ajo lagje në ora 20 mbyllet dhe më pas nuk ka mundësi të kalosh në atë lagje. Kur isha unë, ne rastësisht kalonim aty, besoni që në çdo të dytin njeri që e shihnim në rrugë ishte me mjekër shumë të gjatë dhe me kapela të vogla në kokë.
Do të thotë nuk është përparim, prosperitet që ne të mundohemi çdo tekst të Kur’anit ose çdo tekst të shenjtë të themi që duhet ne t’a kuptojmë, nëse ne nuk e kuptojmë atëherë kjo nuk është në rregull. Atëherë çka bëjmë ne? Atëherë mendjen tonë e bëjmë autoritet më të madh se fjala e Zotit, këtë mendje tonë që disa herë nuk kemi mundësi t’a kuptojmë edhe vet se çka bëjmë; ne duhet të jemi autoriteti në bazë të cilit do të duhet tëzbërthehet përfundimisht fjala hyjnore a? Pra, arabët, posaçërisht fisi kurejsh është fisi i cili e ka marrë në gjuhën e vete, në kohën e vet, t’a mbajë fjalën hyjnore dhe ta dini që nuk është e lehtë kjo punë.
Shikoni ja ne jemi një grup miqësh, që ju shumica edhe na dini neve, të cilët pak më tepër e duam shpirtërinë/tesavvufin, duke qenë kategorik që nuk duhet t’a shajmë askënd. Sa të dilni prej këtu shumica do të ju thonë ‘A be çka bëjnë ato atje?’!!!. Paramendojeni të jeni në kohën e Pejgamberit a.s., ju 300 vjet të keni besuar në një mënyrë edhe të del një njeri të thotë se është pejgamber, hajdeni tash mua më besoni. Nuk është e lehtë, kjo është punë e rëndë edhe për atë kur i hidhërohemi Ebu Xhehlit, duhet ta analizojmë gjendjen e tij dhe te krahasojmë me gjendjen në shoqërinë tonë. Kur njerëzit kanë mundësi të pozicionohen kundër një element që është 99.9% pozitiv në krejt historinë islame, se nuk e dinë njerëzit ajo është diçka tjetër, ama që 99% të dijetarëve, eruditëve musliman gjatë historisë islame deri në kohën e fundit kanë qenë sufi, atherë paramendojeni barën që e ka patur fisi Kurejsh. Për atë edhe kurejshi edhe gjuha arabe ka një vlerë të posaçme që duhet ta kemi parasysh. Fakiri e kisha një profesor të filozofisë i cili e ka mësuar gjermanishten vetëm për t’a lexuar Geten, thoshte që nuk mund t’a kuptojë prej përkthimeve, për atë e ka mësuar gjuhën gjermane. Asnjëherë Shekspirin ne nuk mund ta kuptojmë prej përkthimit sikur mund t’a kuptojme prej origjinalit. Edhe Kur’ani është Kur’an vetëm në origjinal, këtë duhet ta dini, për këtë çështje ibadeti përveçse në origjinal nuk bëhet ndryshe, për shkak se Kur’ani në origjinal nuk është vetëm atë që ne e kuptojmë prej Kur’anit. Kur’ani në origjinal është atë që ne e kuptojmë, atë që ne nuk e kuptojmë po ka thellësi më të madhe shkencore dhe filozofike, por në të njëjtën kohë është edhe ndjenjë që ne e ndjejmë prej Kur’anit, Kur’ani është lutje dhe afirm, vendosje e linkut, është password (fjalëkalim) për t’u hapur kompjuteri që ne të hyjmë në lidhje me Allahun xh.sh.. Këto janë të gjitha elementet të cilat i përmban Kur’ani, po i përmban në atë formë të cilën ka zbritur. Disa herë më duket që edhe këtu e kam përmendur të themi e keni password-in (fjalëkalimin) e kompjuterit në shqip luga dhe nëse e shkruani kaşık (në turqisht) nuk u hapet kompjuteri; përafërsisht e njëjta gjë është edhe me linkun të cilën kemi dëshirë ta vendosim me Allahun xh.sh.. Pikërisht për këtë kurejshi dhe gjuha e Kurejshit në të cilën ka zbritur Kur’ani është e rëndësishme.
Gjatë historisë njerëzit kanë kaluar edhe në skajshmëri, arabët disa herë e kanë keqpërdorur këtë pozicion, madje një periudhë të gjatë deri në perandorinë osmane, deri kur Javuz Sulltan Selimi e ka marrë halifatin prej abasidëve (prej memlukëve në të vërtetë se abasidët kanë qenë vetëm simbolikisht si halifë atëherë) deri atëherë halifi është dashtë të jetë prej kurejshëve, bile bile ka patur edhe hadithe të cilat i kanë transmetuar prej Pejgamberit a.s. gjoja se nuk ka mundësi tjetër kush përveç kurejshëve të bëhet halif i muslimanëve dhe kjo nuk është e vërtetë. Vlerësimi i Kurejshëve dhe arabëve nuk është i kësaj natyre. Elementi i kurejshëve i cili përmendet në Kur’an dhe vlera e tyre është vlerë metafizike, vlerë semantike e tekstit të Allahut xh.sh.. Këto raste, këta të cilët merren pak më tepër me dijen fetare / teologjinë mund ta shohin për shembull kufrin, shirkun, zullumin, ihsanin, birrin, takvanë, nëse hyni t’i analizoni nëpër fjalorët e gjuhës, do të shihni që për njëjrën prej këtyre ka mbi 70 faqe sqarime gjuhësore, posaçërisht nëse i shihni në këto fjalorët të cilët janë pak më të gjërë që merren me gjuhën arabe si “Lisanul arab” i Ibni Mundhirit e kështu me rradhë. Edhe kjo sure është e rëndësishme për shkak se e mban këtë emër edhe për shkak se tregon se kurejshi është i rëndësishëm nga aspekti i kallëpit, i cili e ka pranuar në vete dhe e ka absorbuar për njerëzit fjalën hyjnore.
Për çka flet sureja kurejsh? Fillimi i saj është në lidhje organike me suren e cila është para saj që ne inshallah në të ardhmen nëse na jep Zoti shëndet dhe jetë do të flasim. “Li ilaa fi kurejsh” / “Për paktin e kurejshëve” kështu fillon sureja, për kontratën të cilën e kishin bërë kurejshët. Sureja e cila është para Kurejshit flet për një ngjarje që ka ndodhur në rastin e sulmit mbi Mekën. Ebreha një prej sundimtarëve të Jemenit ka vendosur që t’a shkatërrojë Qaben dhe ta bëjë në Jemen një faltore të ngjashme si Qabeja, që njerëzit mos shkojnë t’a bëjnë haxh Qaben (për shkak se kanë patur prej haxhit të Qabes shumë levërdi materiale) po të shkojnë në Jemen. Allahu xh.sh. kësaj ushtrie të madhe të Ebrehas që mekasit nuk kanë patur mundëi t’i dalin përpara i ka çuar zogjtë ebabil të cilët kanë gjuajtur me gurëz dhe i kanë shkrirë elefantët në ushtrinë e Ebrehas (inshallah javët e ardhëshme do të flasim për këtë sure) dhe thotë Allahu xh.sh. “Li ilafi kurejsh” / “Ne këtë e bëmë për t’i rruajtur kontratat e kurejshëve”. Ulf në gjuhën arabe do të thotë shoqëri, ulfijjeh do të thotë ta kesh dikë shok për shpirti; Kur’ani flet për një kontratë me Beni Israilin që e ka bërë Allahu xh.sh.. Për kontratën me Ibrahimin a.s. dhe me Beni Israilin “Ve idh ehadhna mithaka beni israile” / “Dhe ne kur e morëm premtimin, fjalën, lidhëm kontratë me Beni Israilin”. Kontrata me Beni Israilin është kontratë e bartjes së fesë në dimensionin shoqërorë. Deri te Ibrahimi a.s. feja ka dimensionin më tepër individual, prej te Ibrahimi a.s. fillon feja të kalojë në dimensionet shoqërore; për shembull para Ibrahimit a.s. nuk keni pejgamber mbret, pas Ibrahimit a.s. i keni pejgamberët të cilët janë udhëheqës, imam i parë është Ibrahimi a.s. në Kur’an thotë“Inni xhailuke lin-nasi imama” / “Ne të kemi bërë ty për njerëzit prijës”. Prej te Ibrahimi a.s. ka një kontratë që feja ta merr dimensionin shoqërorë, domethënë njerëzit fetarësinë mos ta kenë çështje individuale.
Tash, për shembull, nëse shkoni në Perëndim, mentaliteti bashkëkohorë është që feja është çështje individuale dhe ky është primitivizmi më i madh, kjo është të shkoni në kohën para Ibrahimit a.s.. Feja të ngel vetëm në dimensionin person dhe Zot, atëherë kjo është primitivizëm dhe nuk i tejkalon kufijtë e primitives përderisa nuk bartet në dimensionet shoqërore. Për këtë përmenden hebrenjtë në Kur’an më shumë, mos mendoni se janë më të mirë se tjerët, për shkak se prej këtij momenti fillon feja të kalojë në dimensionin shoqërorë, diskutohen relacionet shoqërore edhe shembujt më kryesorë të cilët i përmend Kur’ani në lidhje me hebrejtë, janë shembujt të cilët kanë të bëjnë me çështje shoqërore. Për shembull për hebrejtë shumë pak folet për dimensionin e besimit të tyre, analizoni ajetet në Kur’an të cilat flasin për hebrejtë kryesisht janë çështje juridike më tepër, çështje të praktikës fetare.
Ndërsa në suren Kurejsh flitet për një pakt që kurejshët e kanë patur me fiset përreth dhe me shtetet përreth që dy herë në vjet të bëjnë udhëtime, një për në Jemen, tjetrën t’a bëjnë për Sham (udhëtime tregtie). Mirë ama ky ajet flet edhe për një pakt tjetër, thotë ne i kemi rruajtur kurejshët, ne i kemi pregaditur kurejshët, se fisi kurejsh do të jetë brumi prej ku do të del Pejgamberi a.s..
Nëse iu kujtohet (e keni dëgjuar) Ibrahimi a.s. kishte dy djem Ismailin me Haxheren dhe Is’hakun me Sarën. Ai për shkak të mosmarrëveshjes që e kishte me dy gratë e veta e mori Ismailin me Haxheren dhe i vendosi ku është tash Mekja. Pasi që i la në shkretëtirën ku është Qabja e bëri një dua, një dua që secili prej nesh duhet t’a bëj shpesh për familjen e vete, ai ka thënë: “Rabbena inni eskentu min dhurrijeti bi vadin gajri dhii zer’in…” / “ O Zot, unë i vendosa pasardhësit e mi në një luginë e cila nuk është pjellore”, “Rabbena li jukimus-salate fexh’al ef’ideten…” / “ O Zot, që ata të të luten ty mundësua që në atë vend të kenë bereqet që në fund pastaj të të falemnderojnë ty” kjo është lutja e Ibrahimit a.s.. Ardhja e Pejgamberit a.s. prej fisit kurejsh është përgjigje e Allahut xh.sh. në lutjen e Ibrahimit a.s.. Shkretëtira e përmendur këtu është metaforë për botën dhe kur të lutet Ibrahimi a.s. mos mendoni se lutet për shkak se Mekja është shkretëtirë, Mekja ka oaza, ka qenë e banuar dhe përveç asaj ka patur fise në Mekë. Arabët ndahen në dy grupe:arabul arab dhe arabul mustarib, arabët të cilët janë esencialisht arabë dhe arabët e arabizuar. Fisi kurejsh nuk është prej arabëve të cilët janë esencialisht arabë, por është prej arabëve të cilët janë të arabizuar, domethënë,është prej lozës së Ismailit a.s., se Ismaili a.s. ka ardhur aty, është martuar me një vajzë prej atyre fiseve dhe Pejgamberi a.s. nuk është vetëm arab, po Pejgamberi a.s. në qenien e tij si fizike, si edhe metafizike i ka edhe hebrejtë, për shkak se Ismaili a.s. është vëlla me Is’hakun a.s. (hebrejtë thonë që rrjedhin prej Is’hakut, Jakubit e këndej). Do të thotë që ashtu siç thotë Kur’ani që ne Mesxhidi Aksanë e kemi bekuar dhe Pejgamberin a.s. e çuam përsëri në Mesxhidi Aksa, të njëjtën mënyrë edhe vet struktura fizike dhe metafizike e Pejgamberit a.s. në vete i ka të gjitha shpalljet të cilat kanë ardhur dhe dërgesa e tij është përgjigje për duanë e Ibrahimit a.s..
Duaja jonë kur do t’a bëjmë për fëmijët tanë “O Zot ne i sollëm këto fëmijë në shkretëtirë” se dynjaja është shkretëtirë, përderisa kjo shkretëtirë nuk ujitet me ujin e shpalljes, ta dini që dynjaja është shkretëtirë edhe ne pandërprerë duhet t’i lutemi Zotit për fëmijët tanë. Bereqetin atyre ua jep Bejtul Muharremi ose orinetimi i çdo personi drejt Qabes ia jep bereqetin e jetës.
Sa pasanik që ti kemi fëmijët, asnjëherë nuk do t’a përjetojnë të njerëzishmen brenda tyre, përderisa nuk janë ehli këble (nuk kanë kible), jo vetëm për veten e tyre, po edhe për ne do të jenë problem gjatë kësaj jete. Prandaj nevojitet një pakt me Zotin.
Fakiri më tepër e përmban mendimin e Alusiut, Keshafit të cilët thonë që këtu bëhet fjalë për paktin ndërmjet gjuhës arabe, kurejshit dhe Allahut xh.sh.; domethënë kurejshin Allahu xh.sh. e ka përgaditur si fis që ta pranojë fjalën hyjnore. Të gjithë pejgamberët kanë patur muxhize (mrekulli) hissije/shqisore që janë parë, për të cilat flet Kur’ani. Për shembull është deveja e Salihut a.s., shkopi i Musait a.s., dora e bardhë që ka bërë dritë e Musait a.s., biseda në djep e Isait a.s., ngjallja e të vdekurve nga ana e Isait a.s., shërimi i personave të cilët kanë lindur të verbër dhe të gjymtë nga ana e Isait a.s., komenti i ëndrrave nga ana e Jusufit a.s., e kështu me rradhë, por a flet Kur’ani për ndonjë muxhize hissije të Pejgamberit a.s.? Ai ka patur muxhize hissije, por nuk flet, ama një muxhize e madhe e Pejgamberit a.s. është Kur’ani Famëlartë. Kjo është muxhize intelektuale, është metafizike, është aklije dhe kjo muxhize për të ardhur është përgaditur fisi kurejsh, për ta pranuar muxhizen e Allahut xh.sh.. Mendoni se është e rastit që arabët kanë qenë shumë të ngritur në letërsi dhe poezi. Ende sot e kësaj ditë poezitë paraislamike janë ndër poezitë e rralla të shkruara si duhet të botës së asaj kohe. Rastësisht është që kurejshët ishin të fortë në poezi? Jo. Poezitë e kurejshëve dhe arabëve paraislamik janë ndër poezitë më të forta të asaj kohe. Ata e kanë përgaditur gjuhën arabe për ta pranuar fjalën hyjnore dhe një pakt i Zotit (një mithak, një ulf i Zotit) më kurejshët është që ata në gjuhën e tyre ta absorbojnë fjalën hyjnore, ta absorbojnë Kur’anin Famëlartë. Pakti tjetër që këtu e tregon është“Ilafihim rihletesh-shitai ves-sajf” / “Ata kishin një pakt që të udhëtojnë dimrit edhe verës”. Tash dimri edhe vera janë dy metafora shumë të rëndësishme. Ka të bëjë për udhëtimet e tyre të dimrit që i kanë bërë drejt Jemenit dhe udhëtimet e tyre të verës që i kanë bërë drejt Shamit (Palestinës), mirë ama ka të bëjë edhe me diçka tjetër. Elementi i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me udhëtimin dhe paktin shpirtërorë të personit i cili duhet të jetë së bashku me fjalën hyjnore edhe kur ka dimër edhe kur ka verë, edhe kur është në siklet edhe kur është rehat. Zoti neve na duhet edhe dimrit edhe verës, na duhet edhe kur jemi në brenga, në depresion, në siklet, në stres edhe kur jemi rehat; domethënë ky pakt, ky Kur’an neve na ndihmon në të dyja dimensionet e jetës. Faleminderit.