Shkruan: Prof.Dr Metin Izeti
Lexo pjesën paraprake: Dy zbulesa të Ramazanit: njeriu dhe Kur’ani (pjesa e parë)
Lexo pjesën paraprake: Dy zbulesa të Ramazanit: njeriu dhe Kur’ani (pjesa e dytë)
Derisa njeriu mbyll veshët para klithjeve të cilësive të larta shpirtërore që gjenden në brendinë e tij, lumturia dhe qetësia do të jenë në njërin skaj të rrugës e njeriu në skajin tjetër të saj. Xhelaluddin Rumi në momentin kur fillon fjalën për “naj”-in , prezanton vajin e tij për shkak të ndarjes prej kallamishtes, ku e kishte vatanin e vërtetë. Gjithmonë fryma e cila hyn në “naj” e nxjerr zërin e ujit që prezanton mallin e tij për ushqimin e vërtetë.
“Naj”-i në poezinë e Rumit është simbol i njeriut të përsosur, i cili gjithnjë është i vetëdijshëm për origjinën e tij dhe ndien mall për ushqimin dhe vatanin e vet origjinal. Origjinaliteti I njeriut është në shpirtin e tij kurse vatani I vërtetë I shpirtit është Hyjnia. Shpirti për të arritur në vatanin e vërtetë ka nevojë për rrugë, dimensionet e të cilës janë të vënduara nga ana e Planifikuesit absolut.
Në ditët e para të dhjetorit të vitit 1273, ditë këto të ftohta kur Rumi ndahej prej kësaj bote, I lumtur nisej drejtë vatanit të vërtetë, kurse shokët e tij përreth i ngushëllonte me këto fjalë:
“ Be ruz-i merk çu tabut-i men revan bashed
Guman neber ki mera derd- in xhihan bashed”.
“ Në ditën e vdekjes kur tabuti do të ecë, mos mendo se kam dertin e kësaj bote. Kur të shohësh xhenazen time mos e përkujto ndarjen. Kjo është koha e takimit dhe prezantimit pranë më të Madhit”.
Ndjekja e rrugës drejtë vatanit të vërtetë nga na e njeriut është më me pengesa se kodra të cilën orvatej ta shpojë Ferhati për të arritur te Shirini, ose Talati te Fitneteja. Kjo rrugë përveç disa fjalëve dhe punëve të shumëngjyrshme në vete përmban edhe një meditim dhe kthim nga vetvetja .
Është e domosdoshme që kokën tonë ta shtrydhim si limonin që prej saj të mund të dalin disa pika të fizionomisë së hakikatit. Hakikat i cili gjithmonë është kundër botëkuptimit “Naksh ber ab”, shkrimit mbi uj, i inspiruar prej brendie për “naksh ber haxher” shkrim mbi gurë. Që prej ditës së parë kur kemi filluar të përdorim fjalët gjegjësisht prej momentit kur kemi filluar të mendojmë, secili prej nesh ka një mallëngjim të definuar ose në hamendje. Në të shumtën e rasteve ky mallëngjim edhe nuk mund të definohet. Por, herë pas here, prej brenda një zë na thotë se jemi të mashtruar dhe thellohemi në pashpresi.
Lumturia do të paraqitet në momentin kur do të jemi gati të bartim në sup mundin e një Ideje të Lartë, që është mbi librin dhe raftet e tij. Nëse përqëndrohemi më tepër, Lindja, ngjyrën e vete origjinale e merr me lidhjen e librit për rrugën që shpie drejtë qiellit. Si duket optimizmi në kushtet më të rënda fizike jetësore i Lindjes rrjedh nga ky botëkuptim. Kurse ana tjetër gjithmonë brohoritë: Libër, libër, libër. Obligim parësor i njeriut është që të merr këshilla prej shpirtit të librit dhe konceptit libër respektivisht prej Librit Hyjnor. Në këtë mënyrë libri do të fillojë të ngjitet rrugës së Lartësisë dhe të përgatitë njeriun për bartjen e Idesë së Lartë Hyjnore dhe ta ulë atë në postin për të cilin është krijuar.
Të parafytyrojmë një piktor I cili ka imagjinatë të madhe. Ai në një pëlhurë ka vizatuar një kodër prej kristali e cila nivele nivele ngjitet drejtë qiellit. Përreth kodrës shumë rrugë por vetëm njëra shpie në amshueshmëri. Në një vend të caktuar të gjitha rrugët përfundojnë kurse vetëm një rrugë vazhdon dhe në pallatin në maje të kodrës ngjitet vetëm kjo rrugë.
Lumturia e njeriut varet nga ekuilibri të cilin do të vendosë ai ndërmjet mangësive dhe tepricave kreative, shtazërisë dhe njerëzisë, shejtanit dhe melekut, trupit dhe shpirtit, fizikës dhe metafizikës. Ky ekuilibër është I mundshëm vetëm me prezantimin e disa vlerave të Larta dhe besimeve të qëndrueshme.
Vendosshmëria e jonë në këto ideale do t’ia sjellë lumturinë . Njeriu I shekullit 21 më e ka të qartë se lumturia dhe qetësia nuk arrihet as vetëm me mend e as hiç pa mend. Kjo mund të bëhet vetëm ne sintezën e të dyja botrave gjegjësisht kristalizimin dhe zhvillimin e botës lindore dhe pastrimin e ngritjen e vlerave hyjnore dhe njerëzore në shoqërinë perëndimore.
Kjo duhet të jetë rruga e njeriut dhe shoqërisë së re të shekullit 21. Është e domosdoshme që të nxjerrim në faqen e dheut qytetet, lagjet, shtëpitë, faltoret e kësaj fortifikate në maje të kodrës që shpie drejtë qiellit.
Kahja e vërtetë e kësaj rruge është Kur’ani, I cili që të dy polet- mendjen dhe shpirtin- I bashkon dhe I aktivizon të kultivojnë meditim identik dhe e paraqet antropologjinë esenciale të zhvillimit kulturor të njeriut