Shkruan: Prof.Dr Metin Izeti
Njeriu nuk është qenie e fshirë dhe e hedhur në arenën ekzistenciale, përkundrazi është transformator që e ka racionalizuar dhe e ka bërë të përkapur gjendjen e padefinuar dhe të paqartë. Si rrjedhojë njeriu e ka bërë të kuptueshme botën. Për këtë është që me fundin e njeriut në këtë botë përfundon edhe jeta e botës në tërësi. Në elementet përmbajtëse dhe përfaqësuese të gjithësisë duhet të jetë njeriu që të mund të flitet për ekzistencën në përgjithësi. Nëse do ta kishim shprehur në gjuhën e teozofisë islame (irfan, marifet) do të kishim thënë që njeriu është qenie që me veten dhe në vete ka kristalizuar bashkimin e botës së idesë dhe formës.
Njeriu dhe historia e tij longitudale dhe latitudale, gjegjësisht ajo e zbritjes së tij vertikale prej Zotit dhe e shtrirjes së tij në reliefin ekzistencial është një pasqyre e përfaqësimit të asaj që ekziston jashtë vetes së tij. Njeriu me prezencën e tij e bën të zëshëm heshtjen e ekzistencës në gjithësi, por njëkohësisht i jep zë edhe ekzistencës së Zotit. Do të thotë që qëllimi I krijimit të njeriut është përkushtimi dhe njohja e Fuqisë Krijuese dhe Edukuese të gjithësisë në kuadër të shfrytëzimit të begative që I janë dhënë në dorëzim.
Një vlerësim i tillë i njeriut në historinë e mendimit islam fillon të vlerësohet që nga momenti i përfaqësimit të dijes hyjnore në personalitetin e Ademit a.s. në momentin kur ai në arenën parazënafillore me urdhrin e Zotit doli para melekëve dhe emërtoi, ose më mirë thënë konceptoi, i bëri të kuptimshme sendet e prezantuara. Si pasojë mund të themi se njeriu për shkak se ka aftësi ti dijë emrat “konceptet”, ka mundësi të përkufizojë gjërat dhe mund të thellohet në njohjen e realitetit të tyre është emërtuar si halife (mëkëmbës) i Zotit në faqen e dheut.
Islami dhe Kur’ani me një qasje të tillë bazën e njeriut e lidh me një rrënjë të sigurt që mbinë nga Fuqia Krijuese, por në të njëjtën kohë atë e bën shkas bazë për njohjen dhe dijen e koncepteve dhe gjërave në ekzistencë. Kur’ani kur flet për këtë çështje thotë kështu:
(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës”! Ata thanë: “A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë”! Ai tha: “Unë di atë që ju nuk dini”!
E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve) , pastaj ata ua prezantoi engjëjve dhe u tha: “Më tregoni për emrat e këtyre (sendeve të emërtuara), nëse jeni të drejt (çka mendoni)?”
(Engjëjt) Thanë: “Ti je i pa të meta, ne kemi dije tjetër përveç atë që na mësove Ti. Vërtetë, Ti je i Gjithdijshëmi, i urti!”
(Zoti) Tha: “O Adem, njoftoj ata (engjëjt) me emrat e atyre (sendeve)!” E kur u rrëfeu atyre për emrat e tyre, (Zoti) tha: “A nuk u kam thënë juve se Unë, më së miri e di fshehtësinë e qiejve e të tokës dhe më së miri e di atë, që ju e publikoni dhe atë që e mbani fshehtë. ” (Bekare,2:30-33)
Në tekstin e mësipërm Allahu xh.sh. dhe krijimi si proces janë të vendosura në linjë të drejtë. Si rrjedhojë e kësaj dija dhe urtia (ilmi dhe hikmeti) janë dy dyert nëpërmjet të cilave njeriu ka mundësi të ndjejë veten në qendër të ekzistencës dhe vetëm nëpërmjet të tyre e përfiton aftësinë e kuptimit të përmasës së vërtetë të përkuljes ndaj Fuqisë Krijuese. Kjo është kështu pasi Emri i Allahut dhe përfaqësimet e Fuqisë Krijuese neve na i hapin dyert e dijes dhe urtisë dhe në çdo moment na e përkujtojnë se edhe dija edhe urtia nismën e kanë në atributet hyjnore. Pikërisht për këtë përgjigja e drejtë në pyetjen se ç’është qëllimi i krijimit të njeriut, është përkushtimi ndaj Allahut. Pranimi i Realitetit Eternal, ndjenja për ekzistencën e Tij, emocionimi me afërsinë e Tij,…
Një vetëdije dhe pranim i këtillë nga njëra anë Un’in njerëzor e mban shumë afër Allahut, ndërsa nga ana tjetër i mundëson që ta dallojë përmasën relative të qenësisë së njeriut. Në këtë përmasë krijesa e ndien Krijuesin më afër se ekzistencën individuale. E ndien se Njëshi Absolut në mënyrë direkte ka vend në qenësinë e tij. Është kjo një afërsi pa distancë, por me një dallim të qartë në mes të krijesës dhe Krijuesit. Ose thënë me gjuhën e Kur’anit: “Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari (që rrah) i qafës së tij.” (Kaf, 50:16)
Nëpërmjet të këtij ajeti Allahu i Lartmadhëruar e përcakton realitetin e përbotshëm dhe nduarnduarsinë e tij me njohjen e Qenies Absolute. Çështja e realitetit është ngushtë i lidhur me çështjen e njohjes së Qenies dhe anasjelltas, pasi njohja e qenies automatikisht e inkuadron edhe problemin e realitetit të qenies. Ose siç thotë edhe Ibn Arabiu, nuk mund të konceptohet e as të vërtetohet realiteti i qenies nëse nuk tejkalohet pika ku shndrit realiteti i Qenies që ndriçon çdo arsye dhe çdo qenie relative, nëse me aktin e të menduarit nuk përfshihet çdo hollësi që ndërlidhet me Qenien. Vazhdon….