Çështje estetike dhe urtia perenniale islame

Ky artikull është botuar në revistën “Hikmet”, nr. 7, Vjeshtë, Prishtinë 2014, organ i “Institutit për shkencat humane – Ibni Sina”.

Prof. dr. Metin Izeti
Universiteti Shtetëror i Tetovës

Abstrakt


Nuk ekziston asgjë në faqen e dheut të cilën njeriu e vlerëson më shumë se të bukurën, për të cilën është tejet i kujdesshëm dhe assesi nuk mund të jep arsye për atë përjetim , as edhe që duhet të jep llogari për atë vlerë e cila në mënyrë të parezistueshme i imponohet. Kjo e bukur njëkohësisht është edhe lënda e estetikës dhe filozofisë së artit. Ne si myslimanë kemi vështirësi me përkufizimin e artit real që duhet të jetë në përputhshmëri me normat e drejta të fesë absolute dhe autentike të rrugës Islame, si rrjedhojë ai në raste të caktuara do të paraqitet e kundërshtuar nga ortopraktikat lokale dhe historike, në periudha të ndryshme të historisë Islame. Si pasojë, do të përballemi me një problem goxha të komplikuar në raport me përkufizimin e një digresioni, midis Islamit të gjallë që jetohet dhe Islamit të përfaqësuar në letërsinë përgjatë shumë shekujve. Ky mendim, para nesh do të shpalos dy grupe njerëzish të cilët radikalisht janë kundër njëri tjetrit në raport me kuptimin dhe përjetimin e artit, dhe estetikës por të cilët njëkohësisht janë identik në kontekst të strukturimit të teorisë së artit dhe estetikës Islame si dhe të dispozitave të saja në traditën Islame. Përderisa një grup është i mendimit që nuk është e nevojshme të merremi me tematika të cilat nuk e ngërthejnë përmasën zbatuese duke analizuar dhe komentuar pjesërisht dhe me njëanshmëri tekstet burimore të Islamit, të tjerët do të flasin mbi pikëpamjen kozmopolite të manifestimit së të bukurës së artit dhe filozofisë, dhe për patjetërshmërinë e saj në traditën myslimane, pa bërë analiza të thella dhe pa e përfaqësuar drejtë këtë diskurs. Unë në këtë tekst nuk do të ndalem shumë mbi këtë analizë, më konkretisht mbi vështirësitë me të cilat ballafaqohet estetika në përgjithësi, mirëpo do të përpiqem të shtjelloj problemet e estetikës islame dhe filozofinë e artit, me theks të posaçëm në metafizikën, transcendentalen dhe urtinë perenniale.

Njgyrosje e All-llahut,
e kush ngjyros më mirë se All-llahu?
Ne vetëm atë e adhurojmë
(Bekare, 2:138)

Fjalorët e filozofisë dhe estetikës na e tërheqin kujdesin në lidhje me një përmasë specifike të metafizikës dhe urtisë perenniale në kontekst të përfaqësimit të bukurisë së madhërishme. Metafizika dhe transcendentalja në vete janë lëmi absolute dhe i takojnë përmasës tej të së dukshmes, siç në matematikë, janë numrat e pafund, apo në dinamikë energjia që nuk mund të frenohet. Për më shumë, këto dy terme në konstelacion estetik janë të përfaqësuara si të paperceptueshme, domethënë si sfond tejshqisor i çdo materieje. Ajo nuk mund të perceptohet me shqisa, mirëpo fuqia e saj reflektohet si bukuri dhe madhështi në të gjitha objektet të cilat ne i cilësojmë si të bukura apo madhështore.

Në faqen e dheut nuk ekziston asgjë që njeriu e vlerëson më shumë se të bukurën, për të cilën është tejet i kujdesshëm dhe assesi nuk mund të jep arsye për atë përjetim, dhe as edhe të jep llogari për atë vlerë e cila në mënyrë të parezistueshme i imponohet. Për pasojë, gjërat dhe fenomenet e bukura e tilla jo vetëm që janë të pakrahasueshme midis vetes në kontekst të papërsëritjes së tyre , por edhe nuk mund të krahasohen me asgjë tjetër.
Pikërisht për këtë, ekzistojnë vështirësi, dilema dhe brenga që mund të hasen, sidomos sot, në përpjekjen për të folur dhe shkruar mbi estetikën. Nga njëra anë kemi njerëzit që diskutojnë se a ka nevojë të merremi me çështjet estetike në një periudhë kur preokupimet e njerëzve janë të orientuara në atë që është duke ndodhur sot dhe në çështjet që kanë të bëjnë me ardhmërinë tonë? Ndërsa nga ana tjetër kemi një gamë të madhe të mendimeve dhe rrymave, të cilat kanë ndikuar në sfondin estetik të të gjitha dukurive shoqërore në histori. Këto dy vështirësi janë të përgjithshme për tërë njerëzimin, ndërsa ne myslimanët i shtojmë edhe disa dilema në lidhje me analizën estetike të qenies. Ne si myslimanë kemi vështirësi me përkufizimin e artit real që duhet të jetë në përputhshmëri me normat e drejta të fesë absolute dhe autentike të rrugës Islame, si rrjedhojë ai në raste të caktuara do të paraqitet e kundërshtuar nga ortopraktikat lokale dhe historike, në periudha të ndryshme të historisë Islame. si pasojë, do të përballemi me një problem goxha të komplikuar në raport me përkufizimin e një digresioni, midis Islamit të gjallë që jetohet dhe Islamit të përfaqësuar në letërsinë përgjatë shumë shekujve. Ky mendim, para nesh do të shpalos dy grupe njerëzish të cilët radikalisht janë kundër njëri tjetrit në raport me kuptimin dhe përjetimin e artit, dhe estetikës, por të cilët njëkohësisht janë identik në kontekst të strukturimit të teorisë së artit dhe estetikës Islame si dhe të dispozitave të saja në traditën Islame. Përderisa një grup është i mendimit që nuk është e nevojshme të merremi me tematika të cilat nuk e ngërthejnë përmasën zbatuese duke analizuar dhe komentuar pjesërisht dhe me njëanshmëri tekstet burimore të Islamit, të tjerët do të flasin mbi pikëpamjen kozmopolite të manifestimit së të bukurës së artit dhe filozofisë dhe për patjetërshmërinë e saj në traditën myslimane, pa bërë analiza të thella dhe pa e përfaqësuar drejtë këtë diskurs.
Unë nuk do të ndalem shumë mbi këtë analizë, më konkretisht mbi vështirësitë me të cilat ballafaqohet estetika në përgjithësi, mirëpo do të përpiqem të shtjelloj problemet e estetikës islame dhe filozofinë e artit me theks të posaçëm në metafizikën, transcendentalen dhe urtinë perenniale.

Detyra kyçe e estetikës islame dhe filozofisë së artit islam është të veprojë si agregat i veçantë i dijes, i cili së pari do të hedh dritë në hapësirat ku kanë jetuar dhe vepruar myslimanët në të gjitha aspektet jetësore dhe më pas edhe në tërë hapësirën njerëzore. Tek të parët me qëllim që të bëhen analiza mbi veprimtarinë artistike dhe estetike, ndërsa tek të dytët për shkak të ndikimit dhe kontinuitetit të trashëgimisë njerëzore në tërësi. Vetëm atëherë kur të vendoset lidhja adekuate mes të kaluarën me qëllim që ajo të integrohet dhe të bëhet pjesë e së tashmes, mundemi që realisht të konceptojmë materialin e pashtershëm estetik islam, si trashëgimi e urtisë perennieale, në kuadër të mendimit tonë bashkëkohor.
Secili art dhe botëkuptim estetik i cila e ngërthen prefiksin fetar, përfshirë këtu edhe Islami, krahas përmasës materiale dhe objektive, në vete ka edhe një hapësirë të paskajshme të subjektivitetit, jo materiales dhe shpirtërores. Prandaj, çdo analizë e letërsisë, arkitekturës, miniaturës, muzikës nga spektri i estetikës islame, duhet ta ketë parasysh edhe simbolikën, metaforën, aluzionin, që në një trajtë të caktuar është në sfond të lëndës që analizohet. Me këtë, lënda që hulumtohet e përfiton përmasën e të madhërishmes, thënë ndryshe, shndërrohet në të bukur metafizike dhe transcendentale.
E bukura metafizika dhe transcendentale është shumëdimensionale. Ajo është e ndërlidhur me estetikën por edhe me etikën, si rrjedhojë ka përmasa mbarëfilozofike dhe mbarëpsikologjike. Ajo mund të interpretohet nga pozita retorike dhe politike; por edhe nga ajo gjuhësore dhe sociologjike.

Përmasa estetike e metafizikës dhe transcendentales është përmasa dhe pozicionimi më pak i diskutuar në kuadër të trashëgimisë intelektuale Islame. E madhërishmja ka kaluar nëpër disa etapa të analizës filozofike dhe estetike, por më e rëndësishme është ajo e para, që është e vatërzuar në krijimin hyjnbor. Kur në këtë kontekst përmendet arti islam, atëherë nënkuptohet një hapësirë e gjerë që zgjatet prej muzikës deri në arkitekturën, prej dizajnit të dyerve deri më kopërtinat e librave dhe kështu me radhë. Mënyra më e mirë për të vlerësuar këtë hapësirë të gjerë, është të fillohet prej lëndëve ekzistuese dhe të orientohemi drejt sfondit metafizik të tyre, gjithsesi duke marrë parasysh edhe dokumentet e shkruara gjatë historisë dhe të shpërndara nëpër bibliotekat e ndryshme të botës.
Problemi i artit dhe estetikës te myslimanët
Myslimanët janë trashëgimtarë të një qytetërimi të madh, i cili në vete e ka sintetizuar kulturën dhe artin e popujve të lashtë të cilët më vonë u bënë myslimanë, siç ishin arabët, persianët, egjiptasit, hindusët, turqit e të tjerë. Si rrjedhojë, është ndërtuar një art i cili i ngërthen karakteristikat e të gjitha kulturave dhe arteve të sipërpërmendura, por që njëkohësisht është kanalizuar me zbulesën dhe traditën konstituive të Pejgamberit a.s.. Ky art dhe estetikë, për shkak të zgjatjes horizontale në botë ka qenë në kontakt dhe ka ndikuar në mbarë trashëgiminë njerëzore, si rrjedhojë ka ndikuar edhe në kulturën dhe qytetërimin e sodit. Mirëpo, problemi më i theksuar qëndron në atë që ajo është më pak e njohur dhe më pak e hulumtuar nga ana e vetë myslimanëve.

Njëra nga thëniet më të shpeshta që përdoret dhe haset tek myslimanët është ajo “t’i kthehemi vetes”. Në rregull, mirëpo së pari duhet ta dimë se kush jemi ne në fakt? Kjo është një pyetje thelbësore dhe e rëndësishme të cilës duhet urgjentisht t’i përgjigjemi. T’i kthehemi vetes do të thotë t’i kthehemi kulturës tonë. Do të thotë që e kemi patjetër t’a hulumtojmë kulturën, lëndët dhe idetë e artit dhe estetikës tonë me metodat moderne. Kjo nuk do të thotë që tërë artin dhe estetikën duhet t’a perceptojmë si teori e cila zgjatet nga rrënjët e saja në filozofinë antike dhe deri në rrymat artistike dhe estetike të bashkëkohësisë, por ajo të shërbejë si një libër i hapur i cili do të veprojë si shtytje për analizë të drejtë të individit mysliman në të kaluarën dhe sot.

Problemi i dytë, gjithashtu me rëndësi i artit dhe estetikës tek myslimanët është fakti se me to më së paku merren ata që janë besimtarë. Është e saktë që sot detyrat më të vrazhda dhe më të pahijshme i janë ngarkuar artit. Mirëpo, unë mendoj që për të gjithë ne është shumë e qartë, që roli i artit dhe estetikës është krejtësisht i kundërt. Arti dhe estetika duhet të jenë në përputhshmëri me metafizikën konstruktive të njeriut.
Ajeti i cili përmendet në fillim të këtij shkrimi, ku Allahu xh.sh thotë: “ Njgyrosje e All-llahut, e kush ngjyros më mirë se All-llahu? Ne vetëm atë e adhurojmë” (Bekare, 2:138) flet për shënimin estetik të njeriut nga ana e Allahut xh.sh. dhe krijimit të tij në formën më të mirë dhe më të bukur në kontekst të pozicionit të vet në këtë botë. E bukura si temë thelbësore e estetikës, në tërë konceptin Islam të artit dhe estetikës, nuk do të thotë vetëm e bukur objektive dhe subjektive, siç është në diskurset perëndimore, por këtu bëhet fjalë për bukurinë absolute dhe imanencën e saj që manifestohet në gjithësi.
Për artistin mysliman, trëndafili nuk është i bukur në vetvete, as nuk është përvoja e qenies sonë në të (einfuhlung), por ai e përfaqëson manifestimin e atributit hyjnor, të bukurës/Xhemal. E shëmtuara si antonim i së bukurës, që si term dhe koncept ekziston në estetikën perëndimore nuk është lëndë studimi për estetikën islame, ngase kjo e fundit është relative dhe nuk vërehet dot kur përballemi me bukurinë absolute.

Detyra e artistit është ta zë të bukurën në burimin e saj, thënë ndryshe, të gërryejë atë që ngërthehet në platformën e lëndës së manifestuar. Arti në të gjitha veprat e artit Islam përfaqësohet pa individin, dhe si i tillë shndërrohet në një lojë metafizike.
Artisti, tashmë nuk është krijues i veprës artistike, ai është vetëm një gjetës. Si pasojë, lënda që e manifeston atë, si shembulli i drurit, përfaqëson vetëm një shenjë e cila do të na shpie deri në prag të transcendentales dhe metafizikës, e cila luhatet në prapavijë. Për më shumë dhe katarza që përjetohet duke e soditur një vepër artistike është vetëm se një sintezë dhe integrim në brendinë estetike të asaj vepre. Katarza e tillë, përjetohet dhe në vetë vëzhgimin e botës, që në realitet është vetëm se një libër simbolik.

E tërë gjithësia është libër, shkronja i ka elementet kozmike, të cilat nëpërmjet të kryqëzimeve dhe nën ndikim të ideve hyjnore i ngushëllojnë botërat, gjallesat dhe lëndët. Fjalët dhe fjalitë e këtij libri janë manifestime të mundësive krijuese, fjalët janë në raport me përmbajtjen, ndërsa fjalitë në raport me përmbajtësin; fjalitë në realitet janë pikërisht si në rolin e kohëzgjatjes dhe hapësirës e cila përmban një numër të paracaktuar përbërjesh dhe e mundësojnë të ashtuquajturën “Plan Hyjnor”. Kjo simbolikë e librit është e ndarë nga simbolika e fjalës, si rrjedhojë e vetisë së heshtjes që e ka, ndërsa të folurit është i vendosur në vazhdimësi dhe e ngërthen përsëritjen dhe si e tillë është edhe aktuale.
Nga e sipërpërmendura është e qartë që reflektimi i fesë dhe njohjes është art dhe estetikë. Estetika ia shton përmasën simbolike dhe lëndore, fesë/din dhe njohjes/irfan.

Por, po qe se bëhet një analizë e thellë e filozofisë Islame, do të shohim se estetika dhe arti është kuptuar me gabime të caktuara nga vetë ajo. Mirë e ka vërejtur Oliver Leaman , i cili në librin e tij Estetika Islame ka përmendur shumë shembuj të mënyrës së perceptimit të artit islam, brenda të cilave ka shumë lajthitje, së pari fetare dhe më pas edhe kulturore dhe qytetërimore.
Autori në librin e tij flet për njëmbëdhjetë gabime të filozofëve dhe artistëve që janë marrë me analizën e artit dhe estetikës islame.
Pyetja e parë e tij është në lidhje me përkufizimin thelbësor të Islamit. A është vallë i mundshëm një përkufizim i tillë dhe çka do të ishte konkluza, që islami është statik në kontekst të Qabes, ashtu siç thotë Sejjid Husein Nasr, apo mos është ai dinamik që në vete bart univerzalitetin dinamik të Zotit? Statika e pandryshueshmërisë është gjenedrale ose ka të bëjë vetëm me platformën e fesë dhe ortopraktikës fetare.
Pyetja e dytë e parashtruar nga ana e tij ka të bëjë me ekzistencën, ose jo të estetikës Islame. Oleg Grabar, një nga interpretuesit me famë të artit islam, pohon që ne nuk mund të flasim për estetikën islame, për shkak se nuk e dimë idenë dhe motivin e artistit kur e ka pikturuar lulen ose ndonjë miniaturë. Megjithatë, kur ta kemi të njohur thelbin e mësimeve Islame, përfshirë këtu edhe artin si specifikim, atëherë lehtë mund t’i klasifikojmë edhe artistët në kuadër të kësaj vazhdimësie kulturore, thotë Leaman’i.

Pyetja e tretë e diskuton çështjen se a është arti islam në thelb sufik. Edhe pse arti më dinjitoz është prezantuar në provincat sufike, kjo është gabim, thotë Leaman, ngase myslimani i kushton rëndësi sa ezoterikës aq edhe egzoterikës. Ky lloj i të menduarit ndikoi në formimin e qytetërimeve jo vetëm në harmoni me idenë metafizike dhe transcendale, por edhe funkcionale nga aspekti i kësaj bote. Këtu e ka fjalën për llojllojshmërinë e qilimave, fotografive, ndërtesave, këngëve dhe kështu me radhë.
Pyetja e katërt e parashtron problemin se a ekzistojnë vallë forma specifike të artit islam? Kjo është një përgjithësim që nuk është e mbështetur me prova. Si për shembull Keith Critchlow, në lidhje me artin Islam, thotë: ”Arti Islam është harmoni që zgjatet midis formës pastër gjeometrike dhe asaj që mund t’i thuhet formë themelore biomorfike: polarizim që ngërthen vlerë asociative nga spektri i katër cilësive filozofike dhe eksperienciale, të ftohtës dhe të thatës- që në realitet paraqet kristalizimin e formës gjeometrike- dhe të nxehtës e lagështisë- që paraqesin energjitë formëdhënëse prapa trajtave vegjetative dhe vaskulare…” Libri, siç do thoshte Leaman, është përplot me spekulime në raport me vetitë magjike të numrave, mënyra e përfaqësimit të sferave dhe planetëve dhe kështu me radhë. Dhe nuk ekziston absolutisht as edhe një provë vërtetuese që të argumentojë se autori ka të drejtë.

Pyetja e pestë është në lidhje me atë se arti islam në esencë është me karakter fetar ose jo. Sigurisht që kur të vëzhgoni një vepër arti, pa marrë parasysh cilës sferë i takon, do të zbuloni diçka e cila do të ju përkujtojë ndonjë simbol fetar, kjo ndodh dhe në artet e tjera, mirëpo siç pohon edhe Leaman, është gabim të themi që arti islam ka esencë fetare dhe sakrale.
Pyetja e gjashtë është se a dallohet vallë piktura Islame në format e tjera të pikturimit? Leaman, nuk është i mendimit se piktura islame është ndryshe nga të tjerat. Ai nuk pajtohet me mendimin se shkrimi arab/kaligrafija në traditën islame, është i mjaftueshëm për të shprehurit fizik dhe shpirtëror, dhe se plotësisht ka mundësi ta zëvendësojë pikturën. Nuk ka dyshim se imazhet janë të ndaluara në kontekst të fesë, ngase mund të përdoren në aspekte të idhujtarisë, përkulja para fotografive, ose në fotografitë rreptësishtë është i ndaluar. Mirëpo është fakt që imazhi është prezent në artin Islam, ashtu siç haset dhe në artet e tjera.
Pyetja e shtatë është, a e ka zhdukur Gazaliu pikturën islame? Është e vërtetë që Gazaliu akuzohet për një grusht gjërash të cilat shkuan huq, ose mund të konsiderohen gabim në kulturën islame, mirëpo më së pakti duhet fajësuar atë për vdekjen e hershme të pikturës arabe.
Pyetja e tetë është a ka rëndësi dhe peshë arti dhe estetika islame? Piktura islame, përfshirë këtu edhe dimensionin funksional, në disa raste konsiderohet si reproduksion. Mirëpo në qoftë se ndalemi dhe analizojmë si duhet pikturat dhe minaturën në traditën Islame, si shembull, Jusufi dhe Zulejha, Lejla dhe Mexhnuni, mund të shihet simetri, harmoni dhe aheng komplementar i pashoq në ndërtimin e tyre figurativ.
Pyetja e nëntë e polemizon çështjen se a është arti islam atomik si edhe kelami esharit? Konflikti i qartë midis zbukurimit, orendisë dhe formës është një veçori e rëndësishme e artit islam. Ajo paraqitet në pjesë të ndara të mureve të ndërtesave, siç janë xhamitë dhe pallatet, ku vetë komplikimi dhe përsëritjet e dekorimeve e zbukurimeve, e vështirëson identifikimin e formës, në kuptim të lëndës.

Pyetja e dhjetë ka të bëjë, me çështjen a është kaligrafia arti kryesor islam? Fillimisht duhet ta sqarojmë qartë se kaligrafia i ngërthen vetitë për të qenë art. Kaligrafia nuk ka asgjë të përbashkët me fjalët, por përpiqet ta përfaqësojë të bukurën e imazhit. Edhe pse ka teoricienë që pretendojnë se shkronjat arabe e kanë edhe dimensionin e tyre kozmik, siç është Annemarie Schimell. E vërteta është që kaligrafia përfaqëson një lloj të artit, e cila di që në shumë raste të bëhet dhe kiç, por nuk duhet të harrohet se nuk e përfaqëson artin kulminant të Islamit
Pyetja e njëmbëdhjetë është në lidhje me boshllëqet në artin islamik. Është e vërtetë se në veprat e artistëve islamë, kishte boshllëqe hapësinore që simbolizonin stërngarkimin e qyteteve, shmangien nga shkretëtira si hapësirë boshe dhe ikjen nga zbrazëtia, duke e konsideruar atë si dobësi artistike.
Hadithet e Pejgamberit a.s. e kanë ndaluar pikturën e gjallesave dhe skulpturën. Ky ndalim, pa marrë parasysh se si do të komentohet apo interpretohet, pati ndikim të thellë në orientimin e artistëve muslimanë ndaj jopërfaqësimit dhe nonfiguracionit.

Lirisht mund të thuhet se prapa këtij ndalimi qëndron ideja për luftim të idhujtarisë dhe politeizmit (shirk), dhe kjo ka ndikuar dukshëm që nëpër xhami të mos hyjnë fotografitë dhe skulptura.
Louis Masignon thotë që artisti musliman, i cili nuk është Pygmalion i veprës së tij, me plotë vetëdije orientohet drejt joreales . Si rrjedhojë, disiplinat artistike që ishin të pranishme në kulturat e ndryshme, natyrisht që kanë depërtuar edhe në shoqërinë Islame. Pra imazhi, edhe pse ishte i ndaluar, si e tillë është e pranishme në artin islam në forma të ndryshme, por më shpesh në stil të miniaturës.
Është me rëndësi që edhe një herë të përmendet se parimet e artit islam, duke e përfshirë aty edhe arkitekturën islame, urbanizmin, etj. janë të lidhura ngushtë me zbulesën Islame. Për më tepër, këtë relacion e hasim në dy trajta të ndryshme, në trajtë të drejtpërdrejtë dhe indirekte. Këto parime rrjedhin direkt nga dimensionet e brendshme të zbulesës ku’ranore dhe mësimeve të madhërishme që përfshihen në Të. Ata rrjedhin nga një aspekt i shpirtit të Pejgamberit, pranuesit të Fjalës, si rrjedhojë e pranisë metafizike të Pejgamberit dhe gjithsesi, me një analizë dhe absorbim të mirë të këtyre fjalëve dhe prezantim adekuat të tyre në aktualitetin tonë kohor.

Literatura:

Ajvazoglu, Besir, Islamska Estetika, përktheu në maqedonisht, Ali Pajaziti, Shkup 2002. Flew, A. , A Dictionary of Philosophy, London, 1984.

Honderich, T, The oxford Companion to Philosophy, Oxford-New York, 1995.

Leaman, Oliver, Islamska Estetika, Uvod, Sarajevë, 2005.

Schuon, Frithjouf, Razumijevanje Islama, Sarajevë 2008.

Tatarkiewicz,W, A History of Six Ideas, Hag-Boston-London-Varsava, 1980.