ÇDO GJALLESË NË TOKË E KA FURNIZIMIN PREJ ALLAHUT (TREGIM)

Tregohet se një njeri ulet nën hije të hurmave dhe pasi u shtri në shpinë e sheh një vremç, i cili në gojën e tij kishte një hurmë të pjekur dhe një të papjekur. Pastaj e përcjell dhe e vëren se e njëjta gjë përsëritej disa herë. Kjo gjë e mahniti dhe tha në vetvete: Do të ngritem lart të shoh çka është puna? U ngjit lart në trupin e hurmës, kur sheh se në një vrimë të trungut një gjarpër i verbër e hapte gojën ndërsa vremçi (zogu) e vendoste hurmën në gojën e tij. Kjo gjë e habiti dhe tha: “Zoti i Lartmadhëruar ka folur të vërtetën kur ka thënë: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që nuk e ka furnizimin prej Allahut”.
Tregohet se ibn Ebshadhi, i njohur si gjuhëtar, një ditë qëndronte në kulm të një xhamie të Egjiptit. Ishte duke ngrënë diçka, kurse pranë tij ishin disa tjerë. Afrohet një macë në mesin e tyre, ia japin një pjesë buke, ndërsa ajo e merr me gojë, shkon dhe pas një kohe prapë kthehet. I japin diçka tjetër, e ajo veproi njësoj. Ajo vazhdimisht shkonte e vinte, ndërsa ata i jepnin nga diçka. Ata e kuptuan se tërë atë ushqim ajo nuk po e hante vet, sepse ajo ishte sasi e madhe. Pasi dyshuan, herën e fundit e përcollën dhe e panë se ajo ngjitej nëpër mur, e në kulm të xhamisë, e pastaj zbriste në mes dy mureve, në një vend ku ishte një mace tjetër e verbër. Dhe sa herë që kishte marrë ushqimin ia kishte dërguar macës së verbër, ia kishte vendos pranë dhe ajo e kishte ngrënë. Ata ishin befasuar, ndërsa Ibn Shadhi u thotë atyre: “Përderisa kësaj kafshë, e cila nuk flet, Allahu ia ka mundësuar që macja të përkujdeset për të, atëherë për çka të brengosem për veten time sa i përket rizkut.