TREGIMI I SHEFA’ATIT

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Në Ditën e Kijametit unë do të jem i pari i njerëzimit. Po a e dini pse? (Ja pse) Zoti i tubon të gjithë gjeneratat, të parët e të fundit në një vend. Secili shikon për të parë se çka do të ndodhë, dhe secili dëgjon se çka do të flitet. Dielli u afrohet atyre, njerëzit do të kenë probleme dhe do të jenë rrezik, të cilin nuk kanë mundësi ta përballojnë dhe ta tejkalojnë. Njerëzit thonë: “Nuk po e shihni në çfarë gjendje kemi ardhur? A nuk e dini se kush do të ndërmjetësojë për ju te Zoti juaj? Disa do të thonë: Babai juaj – Ademi. Shkojnë te Ademi dhe i thonë: “O Adem, ti je babai i njerëzimit. Allahu të ka krijuar me dorën e Tij, të ka dhënë shpirtin, i ka urdhëruar melekët për të të rënë në sexhde, të ka bërë banorë të xhenetit. A po ndërmjetëson te Zoti yt për ne? A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?” Ai u thotë: “Zoti im është i hidhëruar aq shumë me mua sa kurrë më parë, dhe kurrë nuk do të jetë i hidhëruar aq shumë as në të ardhmen, sepse ai më ka ndaluar të ha pemën, mirëpo unë kam kundërshtuar. Unë jam vetë në hallin tim, shkoni tek dikush tjetër, shkoni te Nuhu.
Shkojnë te Nuhu dhe i thonë: “ O Nuhë! Ti je pejgamberi i parë në fytyrën e tokës, të cilin Zoti e ka cilësuar “rob falënderues”. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi. A nuk po ndërmjetëson te Zoti ynë për ne. Ai u thotë: “Zoti im aq shumë është i hidhëruar në mua sa kurrë më parë, dhe as në të ardhmen nuk do të jetë i hidhëruar si sot, sepse jam pas lutur për familjen time. Unë jam vetëm në hallin tim. Unë lutem për vete, për vete, për vete. E ju shkoni te dikush tjetër. Shkoni te Ibrahimi”.
Shkojnë te Ibrahimi dhe i thonë: “O Ibrahim, ti je pejgamber i Zotit dhe dashamir i Allahut në tokë. Ndërmjetëso te Zoti yt për ne. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?! Ai u thotë: “Zoti im, aq shumë është i hidhëruar me mua sa kurrë më parë, por edhe në të ardhmen nuk do të jetë i hidhëruar aq shumë, sepse unë kam gënjyer tri herë. Unë lutem për vete, për vete, për vete. Shkoni te dikush tjetër. Shkoni te Musa”.
Shkojnë te Musa dhe i thonë: “ O Musa, ti je i dërguar i Allahut, Allahu të ka lartësuar me shpallje dhe ka folur me ty. Ndërmjetëso te Zoti yt për ne. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi! Ai u thotë: “Zoti im aq shumë është i hidhëruar me mua sa kurrë më parë, por edhe në të ardhmen nuk do të jetë i hidhëruar aq shumë, sepse unë kam mbytur një njeri, të cilin nuk ka qenë dashur ta mbysë. Unë lutem për veten time, për veten time, për veten time. Shkoni te dikush tjetër, shkoni te Isa.
Shkojnë te Isa dhe i thonë: “O Isa, ti je i dërguar i Allahut dhe me urdhër dhe fjalë të Allahut shpirti yt ka hyrë te Merjemja. Ti je ai, i cili u ke folur njerëzve në djep. Ndërmjetëso për ne. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi. Isa thotë: “Zoti im aq shumë është i hidhëruar më mua sa kurrë më parë, por edhe në të ardhmen nuk do të jetë i hidhëruar qa shumë, mirëpo nuk përmend ndonjë gabim, por thotë: “Unë lutem vetëm për vete, vetëm për vete. Shkoni te dikush tjetër, shkoni te Muhamedi s.a.v.s.”.
Shkojnë te i dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i thonë: “O Muhamed, ti je i dërguar i Allahut dhe vula e pejgamberëve. Zoti ti ka falur ty gabimet e mëhershme dhe të mëvonshme. Ndërmjetëso te Zoti yt për ne. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi. Atëherë do të shkojë nën Arshin e Madh, i bie në sexhde Zotit tim, pastaj Allahu m’i hap dyert e veçanta, të cilat nuk ia ka hapur askujt tjetër, pos meje. E ngriti kokën nga sexhdeja dhe do të them: “Umeti im! Umeti im! Umeti im! O Zot fale umetin tim. Atëherë do të më thuhet: “O Muhamed, shpie umetin tënd në derën e djathtë prej dyerve të xhenetit, se nuk do të japin llogari, ata do të jenë të vetmit që do të hyjnë nga ajo derë. Pastaj ka vazhduar dhe ka treguar: “Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij, gjerësia e qosheve të dyerve të xhenetit është sa është gjerësia prej Mekes dhe Hixhrit apo sa është gjerësia prej Mekes dhe Busarijës”.
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)