Kush e ka farz namazin
Për të qenë namazi farz për një njeri, ai duhet t’i plotësojë tri kushte:
1) Të jetë musliman,
2) Të jetë në pubertet,
3) Të jetë mentalisht i shëndoshë.
Kohët e namazit
Në ditë ka pesë kohë namazi: sabahu, dreka, ikindia, akshami dhe jacia. Çdonjëri nga namazet e ka kohën e vet të caktuar. Është shart që çdo namaz të falet në kohën e vet. Ashtu siç nuk është e lejuar të falet një namaz para kohës së vet, gjithashtu është mëkat i madh të lihet namazi pas kohës së vet pa ndonjë pengesë të arsyeshme (uzur).
Kohët në të cilat nuk lejohet falja e namazit:
Në ca kohë të ditës nuk lejohet të falet asnjëri nga namazet farze, vaxhibe apo nafile.
Këto kohë llogariten mekruh.
Ekzistojnë tre kohë të tilla:
1) Duke lindur dielli,
2) Kur dielli është në kupë të qiellit, në zenit,
3) Duke perënduar dielli.
Në këtë të fundit mund të falet vetëm farzi i ikindisë, në qoftë se deri atëherë nuk është falur.
Llojet e namazeve
Namazet janë tri llojesh:
1) Namazet farze,
2) Namazet vaxhibe,
3) Namazet nafile (këtu përfshihen namazet sunete dhe ato që janë mendub).
A. Namazet farze
Në grupin e namazeve farze bëjnë pjesë: pesë kohët e namazeve ditore, namazi i xhumasë dhe namazi i xhenazes.
Pesë kohët e namazit që nuk janë falur në kohën e vet, është farz të bëhen kaza.
Pesë kohët e namazeve:
1) Namazi i sabahut i ka katër rekate:
2 rekate sunete,
2 rekate farz.
2) Namazi i drekës i ka 10 rekate:
4 rekate të sunetit të parë,
4 farze,
2 sunetet e fundit.
3) Ikindia i ka 8 rekate:
4 rekate sunete,
4 farze.
4) Akshami i ka 5 rekate:
3 rekate farz,
2 sunete.
5) Jacia i ka 10 rekate:
4 rekate sunete të para,
4 farze,
2 sunete të fundit.
Namazet e tjera farze, përveç këtyre pesë kohëve, janë:
1) Namazi i xhumasë që i ka 10 rekate:
4 rekate sunete të para,
2 farze,
4 sunete të fundit.
2) Namazi i xhenazes është farz kifaje.
B. Namazet vaxhibe
1) Namazi i vitrit që përbëhet prej tre rekateve.
2) Namazi i Bajaramit të Ramazanit që përbëhet prej dy rekateve dhe
3) Namazi i Bajramit të kurbanit që përbëhet prej dy rekateve.
C. Namazet nafile
Namazet që falen jashtë farzeve dhe vaxhibeve quhen “namaze nafile”.
Namazet nafile ndahen në dy grupe:
1) Nafilet të cilat janë të lidhura me namazet farze:
Këto janë sunetet të cilat falen para ose pas farzeve dhe namazi i teravisë, i cili falet gjatë netëve të Ramazanit, që njëkohsisht është sunet muekkede.
2) Namazet nafile të cilat nuk janë të lidhura me namazet farze.
Këto quhen edhe namaze mustehab apo mendub. Janë namaze që falen në disa kohë të ndryshme me qëllim që të fitohen sevabe.
Disa nga këto janë:
a) Namazi i duhasë-paraditës, i cili falet pasi të lindë dielli dhe pasi të kalojë koha e kerahetit.
Mund të falet nga dy deri në dymbëdhjetë rekate.
b) Namazi tehexhxhud është namaz që falet pas mesit të natës nga dy deri në tetë rekate.
c) Tehijjetul mesxhid është namaz prej dy rekateve i cili falet me rastin e vizitave të xhamive (nëse nuk është koha e kerahetit).
Farzet e namazit
Farzet e namazit janë dymbëdhjetë. Gjashtë janë para namazit të cilat quhen “shartet e namazit”
dhe gjashtë brenda namazit të cilat quhen “ruknet e namazit”.
Namazi për të qenë i plotë nevojitet të plotësohen dymbëdhjetë farzet e tij.
Shartet e namazit janë:
1) Pastërtia nga hadethi: Hadeth quhet papastërtia kuptimore. Për ta larguar këtë papastërti, duhet të merret abdest, në rast nevoje të bëhet edhe gusël. Pra, gjendja pa abdest dhe të qenët xhunub quhet “hadeth”.
2) Pastërtia nga nexhaseti (ndytësia): Personi i cili do të falet duhet të jetë i pastër dhe ta pastrojë nga ndytësia trupin, teshat dhe vendin ku dotë falet.
3) Setri avret-mbulimi i trupit: Mbulimi i vendeve të trupit gjatë faljes së namazit.
Meshkujt duhet ta mbulojnë trupin nga kërthiza deri në gjunjë (përfshirë edhe gjunjët).
Gratë përveç fytyrës, duarve dhe këmbëve, duhet ta mbulojnë tërë trupin që është auret.
4) Istikbali kible-drejtimi kah kibla: Pra namazi të falet duke u drejtuar kah kibla. Kibla është Qabeja e cila gjendet në qytetin Mekke, ndërtesa e parë e shenjtë e ndërtuar me qëllim që t’i bëhet ibadet Allahut xh. sh. në tokë. Me urdhërin e Allahut Qaben e ka ndërtuar hz. Ibrahimi dhe hz. Ismaili.
5) Koha e namazit: Namazi duhet të falet në kohën e vet, pra nuk lejohet që të falet para kohe.
6) Nijeti – Vendosja për t’u falur: Nijet është vetëdija se cilin namaz je duke e falur dhe përkujtimi i tij me zemër.
Ruknet e namazit
1) Iftitah tekbiri – Tekbiri fillestar nënkupton marrjen e tekbirit në fillim të namazit.
2) Kijami-Qëndrimi në këmbë gjatë faljes së namazit
3) Kiraeti-Leximi i pjesëve të Kur’anit gjatë qëndrimit në këmbë në namaz.
4) Rukuja-Përkulja në namaz në mënyrë që duart të arrijnë te gjunjët.
5) Suxhudi – Vendosja e ballit në tokë bashkë me duart, gjunjët dhe këmbët.
6) Kadei ahire-Ulja e fundit – qëndrimi ulur në namaz pas bërjes së sexhdeve të rekatit të fundit për ta lexuar “Etehijjatin”.
Vaxhibet e namazit:
1) Të fillohet namazi me fjalën “Allahu ekber”
2) Leximi i Fatihasë në dy rekatet e para të namazeve farz dhe në çdo rekat të namazeve nafile.
3) Leximi i sures apo ajetit pas Fatihasë në dy rekatet e para të namazeve farze, në çdo rekat të namazit të vitrit dhe të nafileve.
4) Leximi i Fatihasë para sures.
5) Vendosja e hundës dhe ballit në tokë gjatë qëndrimit në sexhde.
6) Ulja në rekatin e dytë te namazet tre dhe katërrekatëshve. (Kjo quhet kadei ula – ulja e parë)
7) Leximi i ettehijjatit në uljet e para dhe të fundit.
8) Në rast se namazi falet me xhemat, leximi i Fatihasë dhe i sures me zë në çdo rekat të namazit të sabahut, xhumasë, Bajrameve, teravisë, vitrit dhe në dy rekatet e para të akshamit dhe të jacisë, ndërsa pa zë këndohet në namazin e drekës dhe të ikindisë.
9) Gjatë faljes me imam heshtja e xhematit duke mos lexuar as Fatihanë as suren.
10) Në namazin e vitrit marrja e tekbirit dhe leximi i duasë së kunutit.
11) Në namazet e Bajrameve marrja e tekbireve shtesë.
12) Tadili erkani, d.m.th. të qetësohen gjymtyrët gjatë qëndrimit në këmbë, në ruku, në sexhde, duke u çuar nga rukuja të drejtohet trupi dhe të qëndrohet sa të thuhet “Subhanallah”. Kështu duhet vepruar edhe mes dy sexhdeve.
13) Dhënia e selamit në anën e djathë dhe të majtë në fund të namazit.
14) Bërja e sehvi-sexhdes në rast të gabimit gjatë faljes. (Sehvi-sexhdeja duhet të bëhet në rast të vonimit të ndonjërit nga farzet apo vaxhibet e namazit ose gjatë lënies së vaxhibit me harresë. Nëse vaxhibi lëshohet me vetëdije, namazi duhet të përsëritet.)
Sunetet e namazit:
1) Në çdo namaz, gjatë marrjes së tekbirit fillestar, bëhet ngritja e duarve deri te veshët, ndërsa në namazin e vitrit ngritja e duarve gjatë marrjes së tekbirit të kunutit dhe gjatë marrjes së tekbireve shtesë në namazet e Bajrameve (Burrat duke marrë tekbir i ngrenë duart në mënyrë që gishti i madh të prekë laprën e veshit, ndërsa gratë majat e gishtave duhet barazuar me supet e krahëve.)
2) Këndimi i ezanit dhe ikametit para pesë kohëve të namazit dhe në namazin e xhumasë (Për gratë ezani dhe ikameti nuk është sunet)
Dëgjimi i ezanit është mustehab. Ai që e dëgjon ezanin duhet t’i përsëritë fjalët që i thotë muezini. Vetëm kur muezini thotë “Hajje alessalah” dhe Hajje alelfelah”, dëgjuesi duhet të thotë “La havle vela kuvvete il-la bil-lahi alijj’il’adhim”
Me mbarimin e ezanit, pasi t’i dërgohet salavat pejgamberit a.s., lexohet kjo dua.
Shqiptimi: “Allahumme rabbe hadhihi’dda’veti’ttammeti ves’salatil-kaimeti ati Muhammeden elvesilete vel’fadilete veb’athhu makamen mahmuden el-ledhi vaadteh”.
Kuptimi: “O Allah, ti që je Zot i këtij namazi që përgatitemi për ta falur dhe i kësaj thirrjeje të përsosur (ezanit), dhuroji Muhammedit a.s. mundësinë e ndërmjetësimit dhe vlerat (nivelet e larta në xhenet) dhe mundësoja atij arritjen në pozitën e premtuar (mekami mahmud.).
Pejgamberi ynë ka thënë: “Kush e lexon këtë dua në fund të ezanit, e fiton të drejtën e shefaatit tim.”
/Teksti është marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/