Sureja Kafirun
Të respektuar miq, ne javën e kaluar filluam me suren Kafirun, folëm pak për shkakun e zbritjes së kësaj sureje dhe thamë që shkaqet e zbritjes së sureve janë si parapërgaditje për ngjarjen finale. Kryesisht Kur’ani ka zbritur në formë tedrixhi, që do të thotë shkallë-shkallë, jo menjëherë si libër i tërë po brenda 23 viteve, varësisht nga rastet të cilat i ka patur Pejgamberi s.a.v.s. me as’habët Allahu xh.sh. i ka dërguar ajetet e Kur’anit dhe atij ia ka sqaruar disa çështje të cilat nuk i ka patur të qarta edhe Pejgamberi a.s. po edhe shoqëria e tij.
Ashtu sikurse shumica e sureve dhe ajeteve të Kuranit kanë shkaqet e zbritjes (sebu-n-nuzul), ashtu edhe hadithet kanë shkaqet se pse janë thënë (sebebu-l-vurud). Shkaku i thënies së një hadithi disa herë është në kuadër të tekstit të hadithit, herë të tjera te rrugët e përcjelljes, e ndonjëherë mund të jetë edhe te burimet e tjera të hadithit. Ata mund të hasen edhe te librat që flasin për jetën dhe luftërat e Pejgamberit (a. s.). (sijer dhe megazi). Shkaku i thënies së një hadithi luan një rol të rëndësishëm dhe kahëzues për kuptimin, sqarimin dhe deduktimin e dispozitave. Shkaku i thënies së një hadithi, për faktin se paraqet gjendjen konkrete në çastin e thënies së tij, mund të ndihmojë për një konstatim më të saktë të kuptimit të tij.
Përcjellja në lidhje me pastrimin tërësor të trupit (gusl) për ditën e premte, është një nga shembujt më të mirë për këtë çështje. Aishja dhe Ebu Bekri (r. a.) transmetojnë se Pejgamberi (a. s.), gjatë hutbes ka urdhëruar: “Kur dikush nga ju do që të vijë për xhuma, atëherë le të marrë gusl.” Në literaturën e hadithit ka shumë përcjellje të cilat e verifikojnë këtë thënie të Pejgamberit (a. s.). Sahabët, që nuk e kanë ditur arsyen pse Pejgamberi (a. s.) e ka thënë këtë, e kanë vlerësuar ndryshe atë dhe kanë deduktuar dispozita të tjera. Ndërsa ata që e kanë vlerësuar në kuadër të ngjarjes, kanë nxjerrë dispozita të tjera. Për shembull, Ibn Umeri ka pohuar se gusli i ditës së premte është obligativ, si për meshkujt ashtu edhe për femrat, dhe nuk lejohet që muslimani të mos pastrohet në këtë ditë. Në një përcjellje që transmetohet nga ai, ku vihet re se ai nuk i përcjell drejtpërdrejt fjalët e Pejgamberit (a. s.), por atë që ai ka kuptuar prej tyre, thuhet: “Gusli i ditës premte është obligim për çdo mashkull dhe femër të rritur.” Përcillet që edhe sahabi Ebu Said el-Hudri ka qenë i të njëjtit mendim.
Sahabët që i kanë vlerësuar hadithet në bashkësi, me përmasën historike dhe shoqërore të tyre, janë ndalur më tepër te shkaku se pse Pejgamberi (a. s.) e ka urdhëruar larjen tërësore në ditën e premte. Aishja (r. a.), në lidhje me këtë ka thënë: “Asokohe njerëzit i kryenin vetë punët e tyre, dhe në namazin e xhumasë vinin me teshat e punës. Atyre u thuhej: Ah, sikur të ishit pastruar për këtë ditë!”
Ibn Abasi ka thënë se larja për ditën e xhuma është urdhëruar vetëm me qëllimin që njerëzit të mos i bezdisin të tjerët gjatë namazit e përbashkët. Dy vetë nga Iraku kanë ardhë te Ibn Abasi dhe e kanë pyetur se a është e detyrim për muslimanin që të marrë gusl në ditën e premte. Ibn Abasi u ka thënë se nuk është detyrim, por e pëlqyeshme, dhe ka shtuar se në çfarë konteksti e ka thënë këtë hadith Pejgamberi (a. s.): “Në kohën e Pejgamberit (a. s.) njerëzit ishin të skamur; vishnin tesha të leshta dhe punonin punë krahu. Xhamitë ishin të ngushta, tavani ishte i ulët dhe i përbërë vetëm prej një tende. Në një ditë të nxehtë, Pejgamberi (a. s.) mbërriti në xhami. Njerëzit e veshur me tesha të leshta ishin djersitur dhe, në të katër anët ndjehej era e rëndë e djersës. Pejgamberi (a. s.) qe shqetësuar nga kjo. Pasi e pa këtë gjendje, ai (a. s.) urdhëroi: “O njerëz, kur të vijë kjo ditë, lajeni trupin dhe hidhni parfumin më të mirë që keni!” Por, kur kaloi një kohë e caktuar, Allahu i Lartmadhëruar u dhuroi muslimanëve begati (pasuri, tesha, shërbyes). Muslimanët veshën tesha të reja e nuk kishin më nevojë që të punonin punë të rënda krahu, dhe xhamitë u zgjeruan. Si rrjedhojë, edhe era shqetësuese e djersës u zhduk.
Kështu, pastrimi i trupi në ditën e premte nuk është një urdhër i veçantë vetëm si respekt për ditën e premte dhe namazin e asaj dite, por është një veprim që duhet të zbatohet në të gjitha rastet, që si e si të mos shqetësohen të tjerët. Ama, nga ana tjetër, nga ata që vijnë të falin namazin e xhumasë, Pejgamberi (a. s.) ka kërkuar që të pastrojnë dhëmbët, të veshin teshat më të mira dhe të parfumosen me aroma të këndshme.
Në këtë rast, për të vendosur dhe konkluduar nga aspekti i universaliteti të ajeteve të Kur’anit, janë me rëndësi shkaqet e zbritjes së Kur’anit. Për atë ne thamë që shkaku i zbritjes së kësaj sureje është rasti kur politeistët e Mekes erdhën te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i thanë: “Ta lëmë këtë punë si e ke nis ti, të merremi vesh ndërmjet vete, ti pak t’i bësh ibadet idhujve tonë, ne pak do t’i bëjmë ibadet Zotit tënd” (përafërsisht është mentaliteti i këtij pluralizmit religjioz për të cilën ne në botën bashkëkohore shumë jemi duke dëgjuar dhe thamë në konkluzë që në relacionin ndërmjet njeriut dhe Allahut xh.sh. nuk ka mundësi të ndërhyjë askush tjetër; relacioni ndërmjet Zotit dhe njeriut assesi nuk mund të jetë në këtë ose në atë mënyrë). Për atë themi që feja e vetme hak është feja islame. Nga aspekti i shtrirjes shoqërore të feve ne si musliman kemi respekt ndaj të gjitha feve, ama nga aspekti i relacionit të individit me Zotin, aty fé e vetme e cila është e pranuar te Allahu xh.sh. është islami. Merret vesh që Pejgamberi a.s. nuk e pranoi këtë propozim të cilën ia parashtruan politeistët e Mekes dhe Allahu xh.sh. atëherë ia zbriti suren Kafirun, nëpërmjet të cilës i tregoi se si duhet të sillet dhe si duhet t’iu përgjigjet atyre në këtë propozimin që ia parashtruan. Nëse ju kujtohet në tre suret e fundit të Kur’anit për të cilat ne folëm në ligjëratat e mëparshme fillojnë me ‘kul’ edhe sureja Ihlas, edhe Felek, edhe Nas dhe t’ua përkujtojë edhe një herë që fjala ‘kul’ në gjuhën arabe do të thotë ‘thuaj’. Hapeni Kur’anin dhe do ta shihni që fjala ‘kul’ e ka kuptimin thuaj, mirë ama në gjuhën arabe në të njëjtën kohë fjala ‘kul’ ose ‘kaul’ e ka edhe kuptimin e idesë, mendimit; fjala ‘kul’ nuk e ka vetëm kuptimin ti thuash thjeshtë dikujt në trajtë urdhërore, por do të thotë edhe t’ua bartish atyre idenë e islamit. Përderisa Pejgamberi (a. s.) i thërriste njerëzit në fenë islame, ka shfrytëzuar të gjitha karakteristikat e gjuhës arabe. Për t’i sqaruar sa më qartë dhe sa më zakonshëm të vërtetat themelore të Islamit, Pejgamberi (a. s.) është përpjekur që të flasë në mënyrë të drejtpërdrejtë, mirëpo herë pas here ka shfrytëzuar edhe trajtat letrare, si: përngjasimin, metaforën, simbolikën, metoniminë etj. Biseda e tij, për të qenë më e qartë, disa herë është paraqitur me peizazhe të gjalla, e herë të tjera, si në çdo gjuhë tjetër, ka përcjellë tregime dhe rrëfime simbolike. Dihet se në të gjitha gjuhët, konceptet abstrakte shpjegohen nëpërmjet konkretizimit të tyre. Konkretizimi është një përcjellje frazeologjike që shërben për forcimin e fuqisë sqaruese. Ky veprim përbën sqarim të koncepteve abstarkte dhe mendimeve e ndjenjave që janë të vështira për t’u rrokur me anë të koncepteve konkrete. Pejgamberi (a. s.) i ka përdorur këto metoda për shpjegimin e atyre të vërtetave abstrakte që janë jashtë mundësive tona njohëse.
Stilin dhe mënyrën e bisedës së Pejgamberit (a. s.) mund ta ndajmë në dy kategori:
a) biseda e drejtpërdrejtë – Kjo që më së shumti është e pranishme te urdhërat dhe ndalesat e qarta; te lajmet didaktike në lidhje me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen; te ligjëratat e tij; te korrespodenca dhe këshillat e tij (a. s.). Premisat urdhërdhënëse janë shprehur më shumë nëpërmjet kësaj trajte të bisedës: “Islami është i ndërtuar mbi pesë shtylla…” Kërkimi i dijes është obligim për çdo musliman dhe muslimane.” “Besimtari është vëllai i besimtarit.”
b) biseda e tërthortë – është një trajtë e bisedës nëpërmjet të cilës çështjet e vështira për t’u kapur janë sqaruar me anë të të figurave letrare. Përshkrimet letrare, përngjasimet, simbolikat, metaforat, metonimitë, alegoritë dhe tregimet janë shembujt kryesorë të bisedës së tërthortë.
Sureja “Kul ja ejjuhel kafirun” nuk është një sure e cila do të ngel vetëm në kohën e Pejgamberit a.s., atëherë kur i thotë ‘kul’ Pejgamberit a.s. kjo nuk ngel në histori po kjo bartet edhe në ditë të sodit. Biseda e Zotit me robërit e vet nëpërmjet Kur’anit është e përgjithshme dhe obliguese për të gjitha kohrat. Të njëjtën gjë e hasim edhe në çështjet të cilat na mbajnë të inkuadruar në vetë ekzistencën dhe prezencën e Zotit në gjithësi. Imam Gazaliu ka shkruar një vepër të posaçme në lidhje me kuptimet e emrave të Allahut (xh. sh.), me titull el-Maksadu-l-ethna, ku ka theksuar se ata që vetëm sa i lexojnë, apo i dëgjojnë, ose i mësojnë domethëniet e emrave të bukur të Allahut, nuk do përfitojnë shumë prej tyre. Sipas tij, me përmbajtjen e këtyre emrave dhe cilësive besimtari duhet të ndërtojë thellësinë e jetës së tij; duhet të përvetësojë moralin hyjnor që është sublimuar në to. Përtej mësimit dhe leximit të emrave të bukur të Allahut, njeriu ka shpresë edhe për pasqyrimin (texhel-li) e tyre. Gjatë kujtimit të tyre njeriu mund të thotë: “O Rezzak (Furnizues), që ke krijuar dhe na ke dhuruar furnizimin e shpirtit dhe të trupit tim…”, dhe me këtë beson dhe e di se Allahu (xh. sh.) është dorëzan i furnizimit të tij. Kur të vijë koha e këtij furnizimi atë nuk mund ta ndalojë asnjë dhe asgjë. Gjithashtu, ai e di se si në çdo fjalë tjetër Ai është i drejtë edhe me fjalët: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij!” Madje edhe ata që e kundërshtojnë më shumë Zotin, furnizimin e tyre e marrin si rrjedhojë e pasqyrimit të këtij emri të Tij. “Asnjë nga ju nuk mund të jetë më durimtar se Allahu ndaj shpifjeve dhe atyre që thuhen në adresë të tij. (Josbesimtarët dhe idhujtarët) thonë se Zoti ka fëmijë, ndërkohë që Allahu përsëri u jep shëndet dhe i furnizon!”
Krahas mëkateve të bëra, kur besimtari e kujton me shpirt mëshirën e Allahut duke thënë: “Ja Rrahman, ja Rrahim…”, ka shpresë te mëshira e plotë e Allahut. Ai nuk mendon asnjëherë se nuk do e gjejë mëshirën që shpreson nga Zoti: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën te mëshira e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.”
Pas kësaj besimtari mund të hedhë edhe një hap përpara. Ai që e ka arritur këtë pjekuri e kupton se mësimi, njohja, mbamendja dhe shpresa qëndron pikërisht te ndryshimi i jetës përmes parimeve që kumtojnë emrat dhe cilësitë e Allahut. Prej besimtarit pritet që të mendojë për emrat dhe cilësitë e Allahut, të kuptojë secilin prej tyre dhe të përvetësojë moralin hyjnor; si dhe ta transferojë në jetën shoqërore të tij. Në fakt, a nuk është qëllimi i Allahut që, duke shfaqur Veten, të na mësojë mënyrën se si duhet të dukemi? Me pasqyrimin te të gjitha të vërtetat, në plotni, në urti dhe bukuri, i transferon emrat e tij nga e mundshmja drejt funksionales; prej teorisë në praktikë; prej dijes në vepër, apo jo? Si rrjedhojë, edhe prej njeriut pritet që emrat e Tij t’i mësojë dhe t’i dijë, por mbi të gjitha t’i reflektojë në jetë.
Kështu, “Allahu (xh. sh.), që thesaret i ka gjithnjë plot, pronar i furnizimeve që nuk sosen duke dhënë vazhdimisht; bujar ditën dhe natën, në çdo moment; dhurues i begative që nga dita e parë e krijimit të gjithësisë, pa u mangësuar asgjë nga prona e Tij”, “nuk i pëlqen dhe ka turp që ta kthejë me duar zbrazur atë që i ka ngritur ato dhe kërkon diçka prej Tij!”
Para disa ditëve isha në një konferencë në Ulqin e cila mbaheshte me rastin e lindjes së Pejgamberit s.a.v.s. dhe aty iu fola për tre Muhammeda që muslimanët i kanë të imagjinuar në shoqërinë e tyre. Në mesin e muslimanëve kemi tre botëkuptime për Muhammedin. Ka një vepër shumë të mirë (ua preferoj ta lexoni) të një autori të Turqisë Mustafa Islamogllu që quhet “Tre Muhammeda”, është e përkthyer edhe në gjuhën shqipe nga një miku ynë, një prej teologëve më të mirë të nënqiellit tonë Prof. Musa Musai’t. Në ato tre Muhammeda, Muhammedi i parë është Muahmmedi real, i dyti është Muhammedi i mitizuar dhe i treti është Muhammedi filozof. Dy Muhammedat tjerë nuk janë Muhammeda real. Për ne Muhammedi s.a.v.s. është pejgamber i Allahut xh.sh. i cili nuk është person historik që ka ngelur 14 shekuj atje dhe nuk është në mesin tonë sot; sunneti i Pejgamberit a.s. nuk është sunnet i cili ka ngelur atje, por është traditë konstituive e cila për çdo ditë gjallërohet dhe është më e freskët me çdo të arritur shkencore, kulturore, artistike, teknologjike të cilën e arrin njeriu. Brenda këtyre të arriturave edhe tradita e Pejgamberit a.s. gjallërohet edhe më tepër. Për shembull tash është muaji i mevludit, shpeshherë ne hidhërohemi me ata të cilët janë kundër mevludit, s’ka fjalë që edhe unë hidhërohem me ata, mirë ama pak duhet të hidhërohemi edhe me këto që janë për mevludin. E dini pse? Për shkak se ti bësh mevlud Pejgamberit s.a.v.s. do të thotë njëlloj sikur t’i këndosh këngë dashurie ose ti thurësh vargje poezie të dashurës tënde (ose të dashurit). Përderisa mevludin nuk e përjeton në këtë mënyrë atëherë mevludi nuk ia ka arritur qëllimit. Karen Armstrong është një autore e cila ka shkruar për historikun e Pejgamberit a.s. (e keni edhe në shqip) dhe një dijetarë tjetër kur e përshkruan këtë libër thotë: “Armstrongi ashtu e ka përshkruar Pejgamberin a.s. sikur thotë të kisha jetuar në kohën e tij do të martohesha me të”. Domethënë elementi i dashurisë nuk shprehet vetëm nëpërmjet të frazave të thata të përsëritjes së disa sintagmave, po kërkohet që ajo të përjetohet. Ne kemi një problem të madh sot, posaçërisht jemi duke u sulmuar ne muslimantë kohëve të fundit që feja, politika, jeta shoqërore nuk shkojnë bashkë. Shikoni çështja e shekullarizmit, që do të thotë ndarja e kishës prej shtetit është çështje krishtere edhe të gjithë autorët, sociologët, antropologët shqipëtarë mendimin shekullarist se feja ndahet prej shtetit e marrin prej Perëndimit. A e dini pse në Perëndim është e ndarë? Është e ndarë për shkak se në perëndim kisha e ka ndaluar dijen, e ka ndaluar kulturën, e ka ndaluar përparimin në mesjetë dhe nuk kanë patur zgjidhje tjetër përveç se ta ndajnë. Ndërsa këtë si kallëp ta marrësh prej perëndimit, analizën të cilën e ka bërë Peter Bergeri dhe ta bartësh në shoqërinë shqiptare e cila specifikum diferenta e ka islamin, nuk është në rregull. Domethënë një specifikë që e dallon shoqërinë shqiptare është islami, shqipëtarët janë musliman përafërsisht 90% (ja po e pranojmë që në Shqipëri janë 75%, po në Kosovë janë 99.9%, në Maqedoni janë 100% që automatikisht del që përafërsisht 90% shqipëtarët janë musliman) dhe në këtë rast nëse do të bëhet analiza shekullariste e çështjes, atëherë duhet të bëhet analiza e shqipëtarëve musliman, e jo të huazohen mendimet të cilat janë të vendosura në vende të tjera. Prandaj edhe ne (këtu e kisha qëllimin) asnjëherë nuk kemi të drejtë që Pejgamberin s.a.v.s. ta mitizojmë dhe ai mos të jetë prezent në jetën tonë. Juve iu kujtohet ndoshta (ata të cilët i kanë ndjekur ligjëratat në rregull) një mendim i Imam Gazaliut që ua kam treguar në lidhje me atë mbretin që ka shkuar në një krahinë bujqësore dhe ka parë që toka është e papunuar dhe kur iu ka thënë atyre pse nuk e kanë punuar, ato ia kanë kthyer se ata nuk dinë ndryshe si ta punojnë tokën. I ka mbledhur agronomët dhe u ka thënë që të përgadisin një rregullore në bazë të cilës bujqit duhet ta punojnë atë lloj të tokës. E kanë përgaditur rregulloren, ua kanë dërguar, ndërsa ata e kanë marrë rregulloren, e kanë mbështjellur me një peshkir të qëndisur bukur, e kanë vendosur një person i cili pandërprerë është kujdesur për atë (e ka pastruar, e ka vendosur në vend të lartë). Kalojnë 2-3 vjet dhe një ditë prej ditëve mbreti vjen ti sheh krahinat bujqësore se si është situata tek to, dhe kur ka ardhur, ka parë se përsëri është gjendje e shkatërruar, si i ka lënë ashtu i ka gjet. I ka thirrur të parët e krahinës dhe i ka pyetur se pse nuk është e rregulluar ashtu si i ka urdhëruar. Përgjigjeja që merr nga ato është “Jo mbret i madhërishëm, ne i bëmë krej respektet ndaj rregullores tënde, e kemi mbështjellur me një peshkir të qendisur me argjend, e kemi pastruar për çdo ditë”. E dini çka u ka bërë mbreti? I ka burgosur, sepse respekti ndaj rregullores së mbretit nuk bëhet me të fshirë dhe me mbështjelle me peshkir, por bëhet me hapjen e rregullores dhe aplikimin e rregullores për punimin e tokës. Edhe feja është ashtu. Respekti ndaj Pejgamberit s.a.v.s. është bartja e Pejgamberit a.s. në jetën tonë. Këto të cilët kanë dëgjuar ligjërata në fakultet teologjik te fakiri, e dinë mirë që disa herë u kam thënë, personat të cilët merren me hadith (fjalët e Pejgamberit a.s.) nuk quhen shkencëtarë të hadithit, përderisa hadithin të cilin e dinë përmendësh nuk janë në gjendje ta bartin në suaza të kohës në të cilën ne jemi duke jetuar. Hadithi i cili ngel atje është histori nuk është fé, vetëm hadithi dhe sjellja e cila bartet në ditë të sodit është fé. Studiuesit perëndimorë, përgjigjen e kësaj pyetjeje e kanë gjetur te trashëgimia kuptimore e Pejgamberit (a. s.). Sipas tyre, trashëgimia e ndërtuar nga hadithi dhe suneti, për shekuj me rradhë ka qenë elementi më i rëndësishëm i ndërtimit të besimit, mendësisë dhe praktikës së përbashkët të muslimanëve. Për pasojë, orientalizmi është shumë i rëndësishëm për studimet e reja mbi hadithin. Disa nga perëndimorët janë angazhuar në fushën e hadithit ngaqë e kanë konsideruar si një element të rëndësishëm të jetësimit praktik të Islamit për nga aspekti i marrëdhënieve ndërnjerëzore. Ata nuk janë marrë me problemet klasike të hadithit, nuk e kanë vlerësuar autenticitetin e haditheve, autentik apo i dobët, por janë përqëndruar më shumë te roli që ka luajtur hadithi në ndërtimin e Islamit dhe muslimanëve, dhe se si ka ndikuar ai në universalitetin e fesë islame. Këtu edhe do ta përfundojmë ligjëratën për sonte. Faleminderit.