Edhe ajri që e thith, madje pa vullnetin tim,
Më ik…
Edhe drita bashke me ditën më ikin…
Por as në terr s’qëndroj dot
Se edhe terri më ik…, bashkë me natën
Edhe drita e syve të mi më ik…
Bashkë me sytë
E unë dua ta shoh veten, të dashurën
Dua ta shoh natyrën që më rrethon
Pra, dua ta shoh bukurinë e Krijuesit të bukurisë
Të gjitha më ikin…
Ndërsa pastaj më ik edhe vetja…
Vrapoj pas dashurisë, sepse dua ta kuptoj atë
Por më ik zemra…
As mëshirën e as dhembshurinë s’i kap dot
Se më ik zemra, bashkë me shpirtin…
Atëherë i kthehem dhimbjes
Dau ta ndjej e ta jetoj
më ikin plagët…
Po mire, vuajtja përse më ik?!
S’më lë as vuajtjen ta kuptoj
Më ik e më lë të vuaj…
Por si?!
Më iku edhe e dashura mua…
Po ti moj e dashur? Edhe ti po më ik…
S’më lë të të dua…
S’më lë as të të njoh e të të kuptoj
S’më lë të të përkëdhel, po as të të qortoj
S’më lë të vuaj për ty e as të lotoj
S’më lë që as vuajtje e as lumturi të të ofroj
Si gjithçka gjer më tani, ashtu edhe ti
Posa arrij të të njoh, të të kap e të të kuptoj…
Më thua “mjaft më! As unë të duroj
po as ti arrin më shumë! S’të lejoj…”
Dhe gjithçka më ik…
Pa ma dhënë as shansin e fundit,
Më ik edhe ti…
E unë desha që të puthë
Por kë…?
Desha edhe të ndjej
Më iku ndjenja…
Desha që të prek
Më ikën duart…
Pastaj desha të vrapoj
Por më iku edhe vrapi…
Në fund desha që të paktën të eci,
Kudo që të shkoj, vetëm të eci
Por, më ikën këmbet bashkë me rrugët bile…
Tani dua që të kuptoj!
Ta kuptoj veten, të dashurën, të tjerët…
Por më ik koncepti…
E un dua të di e të njoh!
Ta njoh veten, ta njoh edhe natyrën
Më ik edhe dija,
bashkë me aftësinë për njohje…
I kthehem dëgjimit dhe mundohem të dëgjoj
Ta dëgjoj veten, të tjerët, natyrën
Mundohem ta dëgjoj muzikalitetin
dhe melodinë e Krijuesit të muzikalitetit e të melodisë…
Edhe këtu gjithçka më ik,
Bashkë me dëgjimin…
Kështu më iku edhe koha edhe jeta
Sapo arrita t’i kuptoj, më ikën…
Ekzistenca poashtu, më iku…
Mbeta, por as i gjallë e as inekzistent mbeta
Sepse më iku jeta, por të gjallë më la
Dhe, o Zot I Madh, edhe gjallëria më ik
S’di se si e as që e kuptoj,
Por ja, më ik…
Mirë, po unë nga kush po ik?
Nga Ti o I Madhi Zot?!
E përse të ik nga Ti…?
Ndërsa Të dua, dua edhe të vuaj për Ty…
Dua të Të përgjerohem e të Të lutem…
Dua të Të njoh më shumë
E të dehem fort me Ashkun Tënd…
Po si duket, aq e paskam dhe unë…
S’mundem më jo, ja, deri këtu…
Dhe Ti s’më hidhërohesh, as s’më pyet gjë, jo
Më njeh dhe më kupton shumë mirë
E di se shkrihem e ç’bëhem i tëri…
Po unë, mu këtë e dua…
E, me meritë timen, padyshim që s’Të arrij dot!
Por, Mëshira dhe Dashuria Yte
a s’vlejnë edhe për mua?
Mos më lë kështu të ik, o Zot
Në daç ma merr veten mua…
Aspak s’prish punë
se unë Ty Të jam nënshtruar
Veç nga Ti mos të ik…!
As veten s’e dua, Të dua Ty…
Pra, mos më lë të ik…!
Ndërsa kulmi i hallit tim arrin se mua më ik
edhe fillimi edhe fundi i gjithçkaje…
Dhe nuk arrij të kuptoj gjë!
Mbetem i hutuar e i tmerruar por
Edhe hutia, bashkë me tmerrin më ikin…
E në fund fare, filloj të ik edhe unë
Por edhe ikja më ik…
Dhe unë…, ç’të them…
S’më mbeti gjë…
Bile edhe mbetja më ik…
Nuri