Tejemumi, Farzet e tejemumit, Sunetet e tejemumit, Si merret tejemumi?, Çka e prish tejemumin?, Në cilat raste lejohet tejemumi.

Tejemumi
Tejemum quhet bërja e nijetit, prekja e dheut të pastër apo e diçkahit nga elementet e dheut me të dy duart dhe dhënia mes’h fytyrës dhe krahëve. Tejemumi e zëvendëson abdestin apo guslin në rastet kur nuk gjendet ujë.

 

Farzet e tejemumit
Tejemumi ka dy farze:
1) Bërja e nijetit,
2) Prekja dy herë me duar e dheut të pastër apo e diçkaje të ngjashme me dheun. Në herën e parë i jepet mes’h fytyrës, ndërsa në të dytën krahëve.

Sunetet e tejemumit:
1) Leximi i besmeles në fillim,
2) Nderimi i rendit,
3) Veprimet të realizohen pa ndërprerje njëra pas tjetrës,
4) Gjatë vendosjes së duarve në dhe së pari duhet lëvizur përpara.
5) Pastaj duhet tërhequr prapa,
6) Gishtat duhet të mbahen të hapur,
7) Gjatë ngritjes së duarve nga dheu, nëse janë me dhe duhet shkundur pak.

Si merret tejemumi?
Përvishen krahët deri mbi bërryla dhe bëhet nijet për çka merret tejemum. Pastaj duart lëshohen në dhe të pastër apo në diçka të ngjashme me dheun duke i mbajtur gishtat të hapur, e nëse duart janë tepër me pluhur shkunden pak. Pastaj me brendësinë e duarve një herë i jepet mes’h fytyrës. Përsëri i lëshojmë duart në dhe dhe me brendësinë e dorës së majtë i jepet mes’h krahut të djathtë deri mbi bërryl, ndërsa me dorën e djathtë i jepet mes’h krahut të majtë.

Çka e prish tejemumin?
1) Gjërat të cilat e prishin abdestin e prishin edhe tejemumin,
2) Tejemumi prishet edhe në rastet kur gjendet uji dhe mundësia e përdorimit të tij,
3) Gjithashtu tejemumi prishet edhe me rastin e evitimit të arsyes që e ka lejuar tejemumin, pra ai që është detyruar të marrë tejemum për shkak të pengesës me arsye (uzur), me kalimin e pengesës, tejemumi i prishet.

Në cilat raste lejohet tejemumi
1) Në rast se nuk gjendet ujë i pastër sa për të marrë abdest apo gusël,
2) Në qoftë se gjendet ujë, por është e pamundur të shfrytëzohet,
3) Në rast se tërë trupi apo shumica e tij është e lënduar dhe përdorimi i ujit shkakton dëme.

Tejemumi është një lehtësim që Allahu ia ka dhuruar të dashurit tonë, pejgamberit, dhe neve muslimanëve që të kemi mundësi t’i zbatojmë ibadetet tona.

/Teksti është marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/