Situata në lidhje me uzurlijtë, Gjendjet e veçanta të grave.

Situata në lidhje me uzurlijtë
Gjendja e cila e prish abdestin dhe e cila vazhdon të rrjedhë pa ndërprerje, aq sa zgjat një kohë namazi, quhet “uzur”, ndërsa ai cili gjendet në situatë të këtillë quhet “uzurli”.
Atij të cilit, për shkak të ndonjë sëmundjeje nga hunda apo nga çfarëdo vendi tjetër i rrjedh gjak ose diçka tjetër (si dalja e urinës pika pika, kullimi i plagës së operacionit etj.) dhe nëse rrjedhja i ndërpritet gjatë kohës së namazit, merr abdest dhe e fal namazin. Mirëpo, nëse rrjedhja vazhdon gjatë tërë kohës së namazit, pra nëse nuk ndërpritet sa të marrë abdest dhe të falë namaz, konstatohet uzuri dhe ky person quhet “sahubi uzur” – uzurli.
Ai që merret si uzurli, pasi të hyjë koha e namazit, merr abdest dhe e fal namazin madje edhe duke i rrjedhur diçka nga trupi. Jashtë kësaj rrjedhjeje të vazhdueshme nëse nuk paraqitet diçka që e prish abdestin, me këtë abdest brenda kësaj kohe mund të falë namaz sa të dëshirojë (si namaze kaza apo nafile).
Me përfundimin e kohës së namazit abdesti i uzurlisë prishet, ashtu që ai për çdo namaz pasi që të hyjë koha e tij duhet të marrë abdest të ri. Ky është një lehtësim që feja jonë e ka treguar ndaj uzurlive.

Gjendjet e veçanta të grave
Gratë kanë tri situata të posaçme të tyre:
1) Hajzi – menstruacioni:
Menstruacioni te gratë fillon prej kur ato arrijnë pubertitetin. “Menstruacion” quhet rrjedhja e gjakut nga mitra brenda një periudhe të caktuar, jashtë gjendjes së lehonisë dhe pa u shkaktuar ndonjë sëmundje.
Vajza 9 vjeçare e cila ballafaqohet me një gjendje të tillë merret se ka hyrë në moshën pjekurisë. Gjendja e menstruacioneve nuk është e njëjtë te të gjitha gratë. Më së paku zgjat tri ditë, ndërsa më së shumti dhjetë. Nuk është kusht që brenda këtyre ditëve rrjedhja e gjakut të jetë e vazhdueshme. Madje, edhe nëse ndërpritet rrjedhja kohë pas kohe, ky afat llogaritet si kohë e menstruacioneve. Pasi që disa gjëra janë haram të kryhen gjatë ditëve të menstruacioneve, çdo grua duhet të jetë e kujdesshme dhe t’i dijë mirë ditët e menstruacioneve.
Gratë gjatë ditëve të menstruacioneve nuk mund:
1) Të falin namaz,
2) Të agjërojnë,
3) Të lexojnë Kur’an,
Mirëpo, një grua e cila është mësuese, gjatë kohës së menstruacioneve mund t’ua mësojë Kur’anin të tjerëve duke ua shqiptuar atë shkronjë për shkronjë, fjalë për fjalë, vetëm jo me nijet të leximit, por me nijet të mësimit.
4) Nuk mund ta prekin Kur’anin me dorë,
5) Nuk mund të bëjnë tavaf në Qabe,
6) Nuk mund të hynë në xhami,
7) Nuk mund të kenë marrëdhënie intime me burrat e tyre.
Të gjitha këto për gratë që gjenden në menstruacione janë haram.
Kur të përfundojnë menstruacionet, bëhet farz larja e tërër trupit (gusli). Gratë, namazet të cilët nuk i kanë falë gjatë kohës së menstruacioneve, nuk i përsëritin (kaza). Këto ua ka falë Allahu i lartësuar. Ndërsa ditët të cilat nuk i kanë agjëruar i bëjnë kaza d.m.th. i agjërojnë pasi të kalojë gjendja e lartpërmendur.
2. Nifasi- Gjendja e lehonisë:
Gjendje e lehonisë quhet rrjedhja e gjakut nga mitrat e grave prej kohës posa të lindin fëmijët, ndërsa gruaja e cila është në këtë gjendje quhet “lehonë”. Gruaja pasi që të ngelë me barrë nuk ka menstruacione. Gjendja e lehonisë prej kohës së lindjes së fëmijës më së shumti vazhdon 40 ditë. Minimumi nuk ka kufij. Ajo mund të përfundojë edhe para dyzet ditëve. Në këso raste gruaja mund të fillojë me ibadetet pasi që ta pastrojë tërë trupin (gusël). Pra, nuk duhet të presë të mbushen dyzet ditë. Nëse rrjedhja e gjakut gjatë ditëve të lehonisë ndërpritet për një kohë dhe pastaj vazhdon, kjo grua llogaritet lehonë edhe gjatë ditëve kur rrjedhja e gjakut është ndërprerë.
Gjërat të cilat janë haram të bëhen gjatë menstruacioneve janë haram edhe gjatë gjendjes së lehonisë.
Pas përfunudimit të lehonisë, bëhet farz larja e tërë trupit. Namazet e pa falura gjatë gjendjes së lehonisë nuk bëhen kaza, ndërsa ditët e pa agjëruara bëhen kaza.
3) Istihada
Gjaku i cili rrjedh nga ndonjë venë dhe del nëpërmjet të organit gjenital të femrës quhet istihada. Ky nuk rrjedh nga mitra e femrës, por rrjedh nga venët e saj për shkak të ndonjë sëmundjeje. Ai nuk ka erë. Për gratë kjo gjendje është një sëmundje dhe uzur (arsye juridike sh. p. ) Gjaku që paraqitet para moshës 9 vjeçare, pas moshës 55 vjeçare dhe gjaku që paraqitet gjatë kohës së shtatzanësisë është gjaku i istihadës.
Nëse mentruacionet përfundojnë para tri ditëve nuk konsiderohen menstruacione, por kjo situatë për gruan paraqet një pengesë me arsye. Kështu është edhe me gjakun që rrjedh gjatë periudhës së shtatzënësisë, gjatë kohës së lehonisë nëse rrjedh më tepër se 40 ditë dhe gjatë menstruacioneve më tepër se dhjetë ditë. Këto situata quhen “Istihada”.
Gratë, gjatë këtyre rasteve i falin namazet dhe agjërojnë. Pasi që këto nuk janë gjendje të menstruacioneve apo të lehonisë, krahasohen me gjakderdhjen e hundës dhe konsiderohen pengesa me arsye.

/Teksti është marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/