Gusël quhet larja e tërë trupit duke mos mbetur asnjë pjesë e thatë.
Rastet të cilat e detyrojnë marrjen e guslit:
1) Gjendja e xhunubllëkut:
a) Ejakulimi i spermës me kënaqësi qoftë nëpërmjet të të prekurit, shikuarit, apo nëpërmjet marrëdhënieve intime (apo edhe në ëndërr).
b) Marrëdhëniet intime mes burrit dhe gruas që janë në moshën madhore madje edhe nëse nuk del sperma, gjendja e xhunubllëkut shfaqet dhe gusli (larja e trupit) bëhet farz. Sperma është një lëng me ngjyrë të bardhë të mbyllur që zbrazet me dëfrim prej organit gjenital.
Personi që ka derdhur spermë ose që është gjendur në marrëdhënie intime, në qoftë se pastrohet pa e kryer nevojën e vogël, ose pa ecur pak, apo pa fjetur dhe, nëse gjatë kësaj kohe i rrjedh pak nga sperma e mbetur, ai duhet të pastrohet edhe një herë.
Mirëpo, nëse është pastruar pasi që e ka kryer nevojën e vogël, pasi që ka ecur ose pasi që ka fjetur dhe, nëse përsëri i ka rrjedhur spermë e mbetur, por pa dëfrim, nuk ka nevojë ta përsëritë guslin.
Gjithashtu nuk ka nevojë të bëhet gusël në qoftë se sperma del pa kënaqësi, nga shkaku i rënies prej ndonjë vendi të lartë, duke ngritur ndonjë peshë të rëndë apo nga të rrahurit.
Nëse personit, i cili zgjohet nga gjumi, i kujtohet derdhja e spermës (në ëndërr ka përjetuar marrëdhënie intime) dhe heton gjurmë të lagështisë, duhet të pastrohet.
Edhe personi që zgjohet nga gjumi dhe nuk e mban mend se ka përjetuar orgazëm, mirëpo heton gjurmë të lagështisë mbi vete duhet të pastrohet.
Nëse në ëndërr ka përjetuar marrëdhënie intime, mirëpo nuk gjen gjurmë të lagështisë d.m.th. Nuk ka derdhur spermë, atëherë nuk ka nevojë të pastrohet.
Personi i cili kalon në fenë islame (nëse është xhunub), pastrimin e trupit e ka farz.
Edhe gratë muslimane të cilave u përfundojnë menstruacionet apo gjendja e lehonisë duhet pastruar trupin.
2) Gratë duhet të pastrohen pas çdo përfundimi të menstruacioneve mujore,
3) Gusli është farz për gratë që kanë lindur pas përfundimit të gjendjes së lehonisë.
Personi i cili është xhunub (pa u pastruar) i ka haram t’i kryejë këto gjëra:
a) Të falë namaz
b) Të lexojë Kur’an
c) Ta prekë Kur’anin
ç) Të bëjë tavaf (të rrotullohet) Qaben.
d) Të hyjë në xhami pa qenë e domosdoshme.
Është sunet të bëhet gusël (të pastohet trupi) në ditët e premte dhe të Bajrameve edhe pa qenë shkaqet që e detyrojnë guslin.
Farzet e guslit
Gusli i ka tri farze:
1) Larja e gojës duke e tundur ujin deri në fyt,
2) Larja e hundës duke e tërhequr ujin mirë,
3) Larja e tërë trupit (duke mos lënë vend të thatë sa maja e gjilpërës)
Sunetet e guslit
Sunetet e guslit janë:
1) Guslin duhet filluar me besmele,
2) Bërja nijet,
3) Në qoftë se në trup gjendet diçka e papastër, së pari duhet pastruar ajo.
4) Larja e vendeve të turpshme,
5) Marrja e abdestit para se të fillohet me gusël,
6) Pas marrjes së abdestit, pastrimi i trupit duhet bërë në këtë mënyrë: së pari derdhja e ujit tri herë në kokë, pastaj tri herë në anën e djathtë, tri herë në anën e majtë, ashtu që në secilën herë uji duhet ta përshkojë tërë trupin.
7) Fërkimi i trupit gjatë derdhjes së ujit.
8) Nëse në vendin ku pastrohemi mblidhet ujë, gjatë marrjes së abdestit larja e këmbëve duhet lënë në fund të pastrimit.
Si merret gusël?
Personi i cili do të pastrohet, në radhë të parë e lexon besmelen dhe e bën nijet për t’u pastruar.
Pasi t’i pastrojë duart deri në byzylykë, i pastron edhe vendet e turpshme.
Pas kësaj me dorën e djathtë e shpërlan gojën tri herë, ashtu që gjatë secilës herë uji duhet tundur mirë deri në fyt. Nëse agjëron, agjëruesi kujdeset që mos t’i depërtojë uji në fyt, e pastaj me dorën e djathtë fut ujë në hundë tri herë dhe në secilën herë hundën e pastron me dorën e majtë.
Pas kësaj, ashtu siç shpjeguam më lart, merr abdest. Me përfundimin e abdestit e pastron trupin duke derdhur ujë së pari tri herë në kokë, tri herë në anën e djathtë dhe tri herë në anën e majtë. Në çdo derdhje të ujit e fërkon trupin deri aty ku mund të arrijnë duart. Pastaj e pastron mirë tërë trupin tri herë duke mos i mbetur asnjë vend i thatë. Duke u pastruar duhet pasur kujdes të veçantë që uji t’ia përshkojë edhe kërthizën, brendësinë e veshëve, vrimat e vathëve, zbrazëtirat mes dhëmbëve, uji të depërtojë në rrënjët e mustaqeve, mjekrës dhe flokëve. Gjatë marrjes së guslit nuk bën të këndohen dua, nëse trupi nuk është i mbuluar, nuk bën të kthehemi nga kibla dhe gjithashtu nuk është mirë të flitet pa nevojë. Ja, pra, kështu merret gusli duke u kujdesur për farzet dhe sunetet e tij.
Ai që duhet të bëjë gusël, pasi që ta shpërlajë gojën dhe hundën duke e tundur ujin mirë, nëse hyn në një ujë që rrjedh, në det, apo në një pishinë të madhe duke e lagur tërë trupin, konsiderohet i pastër nga xhunubllëku.
/Teksti është marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/