Agjërimi, nëse kuptohet vetëm si abstenim nga haja e pija, është mjerim, sepse atë e bën vetëm kafsha. Njeriut në këtë kohë i mundësohet që drejtpërsëdrejti të komunikojë me Zotin, drejtpërsëdrejti t’i lexojë fjalët e Zotit; i mundësohet që të ketë një iftar me mbi një miliard njerëz në kohë të caktuar; i mundësohet që në atë kohë t’i lutet Zotit për çdo send mirë e mirë të analizuar e të vendosur e Zoti t’ia pranojë ato. Shumëkuptimësia e agjërimit natyrisht se ka qenë shpëtim edhe për nënën e pastër, Merjemen, e cila e lindi Isaun alejhis-selam, prej mundimeve dhe shpifjeve të shumta, për shkak të të cilave u detyrua që të abstenojë nga fjala dhe të thotë: “Unë të Gjithmëshirshmit i jam zotuar që të agjëroj (të hesht)…”. Me agjërimin si solidaritet botëror në formë të urisë njëkohësisht i paraqitet luftë edhe demonisë botërore. Është fakt se agjërimin e prishin disa momente nga bota materiale, por përpos kësaj feja rëndësi të veçantë i kushton edhe pastrimit të shpirtit, devotshmërisë ndaj Zotit, meqë pa këtë agjërimi humb formën e shpërblimit dhe merr formën e dënimit.
Me të vërtetë rregullat fetare thërrasin zemrën dhe arsyen njerëzore duke mos e komplikuar dhe vështirësuar normën fetare; ato thërrasin që muslimani të dijë të besojë, të jetë i mençur, i lirë e të vendosë të agjërojë, të bëjë punë të mbarë, duke mos iu frikësuar harresës e lodhjes.
Në fund po i përmendim thëniet vijuese të Muhammedit alejhis-selam lidhur me muajin e bekuar të agjërimit:
“Agjërimi është mbrojtës dhe (agjëruesi) le të mos kryejë vepra të turpshme e të këqija, nëse dikush e sulmon apo e fyen, le t’i thotë dy herë: ‘Unë agjëroj’. Pasha Atë që shpirti im është në duart e Tij, era e gojës së agjëruesit është më e këndshme te All-llahu sesa era e parfumit. (Agjëruesi) e len ushqimin, pijen dhe kënaqësitë (thotë All-llahu) për mua. Agjërimi është Imi dhe Unë për të shpërblej dhe për secilën vepër të mirë do ta ketë shpërblimin e dhjetëfishuar.”
“Kur hyn muaji i Ramazanit hapen qyert e qiejve dhe mbyllen dyert e xhehennemit, ndërsa shejtanët lidhen me zinxhirë.”