Detyra e jonë parësore është: Besimi në Allahun i cili na ka krijuar dhe na mban gjallë, pra mbështetja e sinqertë në Atë. Mirëpo, për të besuar drejt në Allahun dhe për ta njohur mirë ekzistencën e lartë të Tij, duhet t’i mësojmë atributet e Tij.
Cilësitë e Allahut xh. sh.
Allahu xh. sh. i ka 14 cilësi. Nga këto gjashtë quhen sifati dhati – cilësitë qenësore dhe tetë quhen sifati thubuti – cilësitë e përsosurisë.
Sifati dhati:
1) Vuxhud: Zot ka dhe ekziston,
2) Kidem: Ekzistenca e Allahut është pa fillim,
3) Beka: Ekzistenca e Allahut është pa mbarim,
4) Vahadanijet: Allahu është një i vetëm,
5) Muhalefetun Li-l Havadith: Allahu nuk i përngjan askujt dhe asgjësë,
6) Kijam bi nefsihi: Allahu ekziston vetvetiu, Ai nuk ka nevojë për asgjë.
Sifatet thubutije:
1) Hajat: Allahu jeton, është i gjallë.
2) Ilm: Allahu di gjithçka,
3) Sem’i: Allahu dëgjon gjithçka,
4) Basar: Allahu sheh gjithçka,
5) Irade: Allahu gjithçka bën me vullnetin e Tij,
6) Kudret: Allahu është i plotëfuqishëm,
7) Kelam: Allahu flet me të folurit e Tij hyjnor,
8) Tekvin: Allahu është krijues.
Allahut i besojmë kështu:
Allahu ekziston dhe është një, është pa fillim dhe pa mbarim. Zoti nuk i përngjan asnjë krijese.
Allahu ekziston vetvetiu dhe nuk ka nevojë për asgjë, ndërsa çdo gjë ka nevojë për Të.
Zoti është i gjallë, Ai di, dëgjon dhe sheh gjithçka. Ai dëshiron dhe bën çka të dojë. Allahu ka forcë dhe fuqi të pakufishme, fuqia e tij mjafton për çdo gjë. Allahu është krijues, atë që do e krijon nga asgjëja, e atë që do e zhduk. Gjithçka në gjithësi është krijesë e Tij. Në çdo krijesë të Tij gjendet një urtësi.
Allahu është zotërues i fjalës. Fjalët e Tij ia bëri të mundur që t’i dëgjojë Pejgamberi a. s., kështu që urdhrat dhe ndalesat e Tij ia mësoi Muhammedit a. s. Libri i lartë i fesë sonë është Kur’ani Fisnik që është fjalë e Allahut.
Ai që i beson kështu drejt Allahut, zemra e tij pastrohet nga mendimet e këqija dhe ai stoliset me mendime të mira dhe shprehi të bukura. Ai që beson se Zoti gjithçka sheh dhe di, në zemrën e tij vendoset frika ndaj Allahut xh.sh. dhe ndjenja e përgjegjësisë. Njeriu në saje të kësaj, duke u kujdesur për sjelljen e vet, largohet nga çdo gjë e keqe, qoftë haptazi apo fshehurazi dhe shndërohet në një besimtar të plotë, bëhet pronar i moralit dhe i vlerave të larta.
/Marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/