Mevlana Xhelaleddin Rumiu u lind më 30 shtator 1207 në qytetin Belh në veri të Afganistanit. Në ato kohë, ky qytet ishte ndër qendrat e rëndësishme të zonës së Horasanit. Emrin e vërtetë e ka Xhelaleddin Muhammed. Kurse Mevlana që përkon në shqipe me apelativin “imzot”, është titull nderimi që u jepej ato kohë personaliteteve të mëdhenj dhe dijetarëve. Rumí do të thotë anadollas. E ëma quhej zonja Mumine, kurse i ati Bahaeddin Veled, i mbiquajturi “Mbreti i Dijetarëve” (Sultânu’l-ulemâ), i përkiste një brezi familjar të zgjedhur e fisnik. Vëllai i madh quhej Alaeddin Muhammed, kurse e motra, zonja Fatime. Bahaeddin Veled që thuhet se ishte ndër dijetarët dhe sufitë e mëdhenj të Horasanit, si dhe një nga zëvendësit e Nexhmeddin Kubra-së, duke u ndjerë i shqetësuar veçanërisht nga rrëmuja e atyre kohëve e buruar nga invazioni mongol, si dhe nga qëndrimi ndaj tij i Harizmshah Muhammedit (vd. 1220) besnik ndaj pikëpamjeve të dijetarit të famshëm Fahreddin Raziut, u largua nga Belhi së bashku me familjen dhe një grup nga farefisi. Zonja Fatime, e martuar, mbeti në Belh te i shoqi. Ata dolën në udhë me synimin për të shkuar në haxh. Në çdo vend që arrinin, priteshin me interesim dhe respekt të madh. Ndërkaq, kur arritën në qytetin Nishapur që e kishin në udhë, dhe u takuan aty me sufiun e madh Feriduddin Attar, kishin me vete edhe Xhelaleddinin e vogël. Attari i dhuroi Xhelaleddinit një ekzemplar të veprës së vet, Esrarname (Libri i të Fshehtës) dhe i tha kështu Bahaeddin Veledit: “Çmoje këtë fëmijë, se, pa kaluar shumë, ka për të lëshuar zjarr në zemrat e ashikëve të botës!”. Pasi e kreu detyrën e haxhit, karvani i udhëtarëve arriti në Damask dhe, pas një farë kohe, shkoi në Erzinxhan të Anadollit. Pas lutjeve të qeveritarëve që ndjenin respekt të thellë për ta, ndenjën ca kohë në Akshehir të Erzinxhanit dhe, pastaj, pasi shëtitën qytete të ndryshme të Anadollit, u vendosën në Larende, në Kahraman-in e sotëm. Në Larende, 18-vjeçarin Xhelaleddin e martuan me zonjushën Gevher, bijën e Haxhe Lala Semerkandit, që ndodheshin në karvan. Nga kjo martesë erdhën në botë Bahaeddin Muhammed, i mbiquajturi Sulltan Veled, dhe Alaeddin Muhammed. Familja banoi në Larende 7 vjet. Gjatë kësaj kohe, Xhelaleddinit i vdiqën e ëma, zonja Mumine, dhe vëllai I madh, Alaeddin, që u varrosën aty. Me ftesë të sunduesit të çmuar e të drejtë, sulltan Alaeddin Kejkubad, Bahaeddin Veled me familjen u shpërngulën në vitin 1229 nga Karamani në Konja. Padishahu dhe mjedisi i tij e pritën familjen me respekt të madh, u treguan vend për të banuar dhe bënë gjithçka që ata të ndjeheshin sa më mirë. Ato kohë, Konja, kryeqytet i Selçukëve të Anadollit, ishte një vend ku, veçanërisht si rrjedhojë e interesimit, respektit dhe inkurajimit që tregonin qeveritarët, shtegtonin dhe strehoheshin shumë dijetarë, sufi, letrarë, zejtarë dhe artistë, si dhe njerëz që iknin nga sulmet mongole. Pasi Bahaeddin Veledi vdiq në Konja në vitin 1231 në moshën 80-vjeçare, deshën ta vënë Xhelaleddinin e ri në vend të tij. Por pak pas kësaj, në Konja arriti Burhaneddin Muhakkik Tirmidhiu, një nga pasuesit e Bahaeddin Veledit. Ai e mori mbi vete edukimin moralo-shpirtëror të Xhelaleddinit, i cili deri në atë kohë kishte marrë mësime nga vet babai i tij, dijetari i madh dhe eruditi, Mbreti i Dijetarëve, dhe kishte arritur nivel të përparuar në dituritë formale. Edhe Xhelaleddini vetë iu dorëzua Sejjid Burhaneddinit dhe mbeti nën kujdesin e tij. Gjendja ndryshoi dhe, sipas kërkesës së shehut, për ta plotësuar arsimimin, Xhelaleddini shkoi në Halep dhe Damask që ishin qendra arsimore me rëndësi të asaj kohe. Pas një jete të gjatë studentore, Xhelaleddini u kthye në Anadoll. Me kërkesën e myrshidit, Prijësit Shpirtëror, vazhdoi për një farë kohe një proces vetedukimi dhe, më në fund, pas këtij procesi mësimi dhe edukimi që vazhdoi 9 vjet, Sejjid Burhaneddini e hoqi Xhelaleddinin mënjanë dhe i tha kështu: “Ishe i pashoq ndër njerëz në të gjitha dituritë racionale e fetare, kurse tani u bëre i zgjedhuri i pejgamberëve dhe velinjve në arritjen e të fshehtave dhe të vërtetës shpirtërore!” Me këto fjalë, ia bëri të qartë se kishte dalë me sukses nga prova dhe aty e tutje duhej të merrej me arsimimin dhe orientimin shpirtëror të popullit. Burhaneddin Muhakkik që ishte një dijetar dhe sufi i madh dhe njihej me cilësimin “Njohës i të fshehtave”, vdiq në Kajseri në vitin 1240. Nga kjo datë e tutje, Xhelaleddin Rumiu i mbiquajtur Mevlana, filloi në Konja të japë mësim në dituritë fetare dhe të udhëheqë orientimin shpirtëror të popullit. Kishte arritur një gradë të lartë veçanërisht në dituritë e Fikhut ose të Drejtës Islame, dhe Hadithit ose Traditës Profetike. Ai kishte arritur në postin e Fetvasë, autoritetit të vendimit juridiko-fetar. Siç tregohet, kishte qindra nxënës. Fama i ishte përhapur gjithandej dhe myridët, pasuesit, i ishin shtuar. Si nga i ati, ashtu dhe nga Sejjid Burhaneddini, pati marrë konsiderata shpirtërore dhe pati mbetur në masë të madhe nën ndikimin e tyre. Për këtë arsye, ndërsa nga njëra anë angazhohej me mësim dhe edukim, nga ana tjetër preokupohej me bazat e sufizmit të unifikuara me parimet fetare nga Gazaliu.