Transmeton Suhejbi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Para jush ka qenë një mbret, i cili e kishte një magjistar. Kur magjistari e arrin pleqërinë, i thotë mbretit: ‘Vërtet unë jam tepër në moshë, jam plakur shumë, andaj më dërgo një djalosh (të ushtrisë tënde) që t’ia mësoj magjinë’. Ai ia dërgon një djalosh për t’ia mësuar magjinë.
Djaloshi kur shkonte te magjistari, në mes të rrugës, e takon një mistik. Ulet pranë tij, bisedon për pak kohë dhe i pëlqejnë fjalët e tij. Kështu që ai e bën rregull, që çdo herë kur të shkojë te magjistari, të ndalet te mistiku. Kështu që ai vazhdimisht vonohej. Kur shkonte i vonuar te magjistari, magjistari e rrihte. Ai ankohet te mistiku. Mistiku i thotë, pasi që frikësohesh se do të të rrahë magjistari, thuaji atij se më ka vonuar familja ime, e nëse frikësohesh prej familjes tënde, thuaji se më ka vonuar magjistari.
Derisa ai vazhdonte mësimin, një shtazë e madhe i kishte bllokuar njerëzit. Ai thotë: ‘Sot do ta kuptoj se a më i vlefshëm është mistiku apo magjistari!’ E merr një gur dhe thotë: ‘O Zoti im, nëse veprimet dhe qëllimet e mistikut janë më të mira dhe më të dashura tek Ti se të magjistarit, mbyte këtë shtazë prej duarve të mia dhe le të lirohen njerëzit’. E gjuan gurin dhe shtaza mbytet dhe njerëzit lirohen.
Pas kësaj ngjarjeje shkon te mistiku dhe ia tregon ngjarjen. Mistiku i thotë: ‘O djalosh, prej tani e tutje ti je më i vlefshëm dhe më i ditur se unë’. Por, unë kam një ndjenjë për ty se ti do të sprovohesh me një sprovë të madhe. E nëse sprovohesh mos më trego’. Djaloshi i shëronte njerëzit me lloje të barnave të ndryshme prej sëmundjeve, siç ishin: lepra, verbëria dhe prej çdo sëmundjeje tjetër.
Një shok i mbretit ishte verbëruar. I verbëti kishte marrë shumë e shumë shpërblime dhe i thotë djaloshit: ‘Të gjitha këto shpërblime janë për ty, vetëm e vetëm nëse më shëron dhe të më kthehet shikimi’. Djaloshi i thotë: ‘Unë nuk e shëroj askënd, por Zoti është Ai, i Cili shëron. Nëse ti beson në Zotin dhe i lutesh Atij, Allahu do të të shërojë’. Ai besoi në Zotin dhe Allahu e shëroi. Ai shkon te mbreti ulet pranë tij, e mbreti e pyet: ‘Kush të shëroi dhe t’u rikthye shikimi?!’ – Ai i përgjigjet: ‘Zoti im!!’ – Mbreti i thotë: ‘A ka zot tjetër pos meje?!’ – Ai i përgjigjet: ‘Zoti im dhe i yti është Allahu’. Mbreti e urdhëron parinë e tij për ta dënuar dhe maltretuar, derisa detyrohet të tregojë për djaloshin. Shkojnë dhe e marrin djaloshin, e sjellin para mbretit, dhe mbreti i thotë:
‘O djalosh, ti ke arritur në shkallë të lartë të aftësisë si magjistar, sa që po i shëron të verbrit dhe të zgjebosurit, dhe shëron e shëron …” .
– Djaloshi i thotë: “Unë nuk e shëroj askënd, por Allahu shëron”. Pastaj mbreti e prangosë dhe e dënon, e maltreton, derisa i tregon për mistikun. Shkojnë dhe e sjellin mistikun para mbretit dhe mbreti i thotë: “Largohu nga feja jote dhe kthehu në fenë tënde të mëparshme, idhujtar”. Ai refuzon. Mbreti urdhëron të marrin një sharrë dhe ia aktivizojnë sharrën në qafë, dhe e ndajnë në dysh. Pastaj e marrin ish shokun e mbretit dhe i thonë: “Largohu nga feja jote dhe kthehu në fenë tonë”. Ai refuzon. Ia vendosin sharrën në qafë, kështu që edhe atë e ndajnë në dysh. Pastaj e marrin djaloshin dhe i thonë: “Largoju nga feja jote”. Ai refuzon. Mbreti u thotë disa shokëve: “Merreni dhe dërgojeni në një kodrinë të lartë, dhe nëse largohet nga feja e tij kthejeni të shpëtuar, e nëse jo, hidheni”. Kur arrin në lartësinë më të madhe, ai thotë: “O Zoti im! Vepro si të duash!”. E hodhën prej lartësisë më të madhe të kepit, ndërsa ai pa kurrfarë lëndimi, në këmbët e tij shkon te mbreti. Mbreti I thotë: “Si kanë vepruar shokët?” – Ai i thotë: “Më ka mjaftuar Allahu, i Cili më ka shpëtuar”. Pastaj u thotë disa të tjerëve: “Merreni, hipeni me një anije dhe kur të arrini në mes të detit pyeteni, – nëse largohet prej fesë së tij kthejeni, e nëse jo, hidheni në det”. Ata shkuan. Ai prapë (para se të hidhej në det) thotë: “O Zoti im, vepro si të duash!”. E hedhin prej anijes për ta fundosur. Ai në këmbët e tij, pa kurrfarë lëndimi shkon te mbreti, ndërsa mbreti i thotë: “Si kanë vepruar shokët e tu me ty?” – Ai i përgjigjet: “Më ka mjaftuar Allahu”. – Djaloshi i thotë mbretit: “Ti nuk mund të më mbytësh, derisa të veprosh çka të urdhëroj unë”. – Mbreti i thotë: “Po çka është ajo?” – Djaloshi i thotë: “T’i tubosh njerëzit në një vend, të më kryqëzosh, të më lidhësh për një lis, pastaj ta marrësh një shtizë, ta vendosësh në hark, e pastaj ta tërheqësh shtizën duke thënë: “Në emër të Allahut, i Cili është Zot i djaloshit”, pastaj të gjuash. Nëse vepron kështu, ke për të më mbytur”.
Mbreti i tuboi njerëzit në një vend dhe e lidhi djaloshin për një trup të një lisi, e mori shtizën, e vendosi në hark dhe tha: “Në emër të Allahut, Zotit të djaloshit”, dhe e hodhi shtizën. Shtiza i bie në kraharor, e ai e vendosi dorën në shtizë dhe vdiq.
Për këtë arsye njerëzit thanë: “Besojmë në Zotin e djaloshit! Besojmë në Zotin e djaloshit! Besojmë në Zotin e djaloshit!”
Shkojnë dhe i thonë mbretit: “A po e sheh çka po thonë? – “Prej Zotit po të tërhiqet vërejtja”. Njerëzit, populli veç ka besuar”. Mbreti urdhëroi të hapej një hendek dhe në mes të hendekut të ndizej një zjarr i madh, dhe thotë: “Kush nuk kthehet prej fesë së tij hidheni”, dhe ashtu ndodhi. Derisa i vjen radha një gruaje, e cila e kishte fëmijën e saj në gji. Asaj i vjen shumë vështirë për shkak të foshnjës së saj. Foshnja: I thotë nënës: “Oj nëna ime, duro se, nuk ka dyshim, ti je në rrugë të drejtë”.
(Sahihul Muslim, 5327)