Kur dimë se liria, respekti, robëria, dhuna…etj. kanë të bëjnë me njeriun, atëherë është e qartë se të gjitha këto janë të vjetra sa edhe vetë njeriu. Duke qenë se njeriu i parë, gjegjësisht besimtari i parë, Ademi, është munduar me anë të besimit të tij që të realizojë lirinë, respektin ndaj njeriut dhe është munduar të ndalojë edhe dhunën, robërinë e njeriut etj., atëherë është fare e qartë se liria e njeriut dhe besimi në Allahun kanë ekzistuar që në kohën e njeriut të parë. Këtë e vërteton ngjarja e zhvilluar mes dy djemve të Ademit, e cila përmendet në Kur’an.[1] Por, para se t’i kthehemi çështjes së kuptimit të lirisë dhe lidhshmërisë së saj me besimin në Allahun, le t’u hedhim një vështrim disa mendimeve të dijetarëve se ç’është liria dhe ajo që mund të quhet liria si një problem psikologjik.
Lirinë Schopenhaueri e ndan në liri fizike, liri intelektuale dhe liri morale. Liria fizike, sipas Schopenhauerit, paraqet mungesën e pengesave materiale të çfarëdo lloji, për shembull, qiell i lirë, shikim i lirë, vend i lirë etj. Ky term në mendjen tonë përdoret si kallëzues për gjallesat të cilat mendojnë se lëvizjet e tyre burojnë prej dëshirës së tyre. Sipas kuptimit fizik të termit liri, kafshët dhe njerëzit do të llogariten të lirë atëherë kur do të mund të bëjnë çdo gjë sipas dëshirës së tyre të lirë, kur nuk do të mund t’i pengojnë as prangat, as rregullat e komunikacionit, as burgjet, as paralizimi, as vdekja etj.
Lirinë intelektuale, Schopenhaueri e paraqet vetëm si përpunim të termave të shpjeguar më herët.
Ndërkaq, liria morale, sipas autorit në fjalë, përkundër lirisë fizike e cila është mungesë e pengesave materiale, paraqet mungesën e pengesave motivuese sikurse janë kërcënimet, premtimet, rreziqet etj.[2]
Erich Fromm, në librin e tij “Arratisje nga liria”, kur diskuton për lirinë si një problem psikologjik, thotë se, pavarësisht nga përmbysjet e shumta që ka përjetuar liria, ajo i ka fituar betejat. Në këto beteja shumë njerëz kanë mbetur me bindjen se të vdisje në luftën kundër shtypjes ishte më mirë sesa të jetoje pa liri. Kjo vdekje ishte pohimi më i lartë i individualitetit të tyre. Ai poashtu vazhdon duke thënë: “Njeriu e përmbysi sundimin e natyrës duke u bërë sundimtari i saj, e përmbysi sundimin e kishës dhe sundimin e shtetit absolutist. Përmbysja e sundimit të jashtëm dukej kusht i domosdoshëm dhe i mjaftueshëm për të arritur qëllimin e dëshiruar, lirinë e individit”. Sipas autorit në fjalë, edhe historia moderne evropiane dhe amerikane bazohet në përpjekjen për ta çliruar lirinë nga zinxhirët politikë, ekonomikë dhe shpirtërorë, që i kanë lidhur njerëzit.[3]
Ndërkaq, disa dijetarë, të quajtur edhe deterministë mekanikë ose metafizikë, ndjenjën e lirisë së njeriut, gjegjësisht lirinë e vullnetit e shohin si iluzion. Njëri nga deterministët metafizikë ose mekanikë është edhe Baruh Spinoza, i cili për lirinë e vullnetit zhvillon dy vëzhgime, vëzhgimin psikologjike dhe ontologjik. Vëzhgimi psikologjik i Spinozës për lirinë e vullnetit bazohet në pohimin e tij se besimi i njerëzve se janë të lirë, se posedojnë vullnet të lirë, bazohet në një të metë të meditimit për veprimet në të cilat njerëzit mendojnë se janë të lirë. Njerëzit, thotë Spinoza, kanë ndjenjën dhe bindjen se dëshirojnë diçka të lirë për shkak se nuk mendojnë për shkaqet objektive që i nxisin dhe i determinojnë të dëshirojnë atë që dëshirojnë dhe të punojnë atë që punojnë. Për shembull, fëmija mendon se lakmon lirisht qumështin, i inatosuri mendon se dëshiron lirisht hakmarrjen, kurse njeriu frikacak se dëshiron lirisht ikjen. Kështu që, thotë Spinoza, vetë përvoja, poaq qartë sikurse arsyeja, i mëson njerëzit të mendojnë se janë të lirë vetëm për shkak se janë të vetëdijshëm për veprimet e tyre, kurse nuk i dinë shkaqet nga të cilat përcaktohen ato.[4] Spinoza krahason pozitën e njeriut, që beson se është i lirë, kur diçka punon, me pozitën e gurit që bie. Guri që bie beson se është në mënyrë të përsosur i lirë dhe se nuk ka shkak tjetër përveç vullnetit të tij vetjak, i cili bën që ky të qëndrojë në lëvizjen e tij. E njëjta gjë ndodh edhe me njeriun, i cili mendon se është i lirë, apo kjo është, sipas Spinozës, liria njerëzore për të cilën njerëzit janë aq shumë krenarë.[5]
Vëzhgimi ontologjik i Spinozës për lirinë e vullnetit qëndron në faktin se kjo liri, po të ekzistonte, do të ishte në kundërshtim me ligjin e kauzalitetit që sundon kudo në botë, kështu që, njeriut do t’i pranohej liria e vullnetit. Ndërkaq, kjo do të thotë që njeriu të jetë një lloj i veçantë shteti në shtetin e natyrës, edhe pse ai është vetëm një pjesë e saj.[6]
Thënë shkurt, filozofia e Spinozës paraqet një determinizëm të ashpër, ngaqë, sipas tij, në botë çdo gjë ndodh sipas caktimit të Zotit, kurse jashtë dëshirës së Tij nuk ndodhë asgjë. Në natyrë çdo gjë ekziston detyrimisht dhe lëviz në mënyrë të caktuar. Prandaj nuk ka diçka të mundshme. Nëse themi se ka diçka të mundshme, atëherë kjo rrjedh prej mangësisë sonë në dituri. Ndërkaq njeri i lirë është vetëm ai që punon sipas rregullave të logjikës së tij, gjegjësisht ai që e mohon rregullin e Zotin.[7]
Sipas mendimit ekzistencialist, njeriu është i dënuar të jetë i lirë. Njeriu çdo gjë bën sipas projektit të vet. Kështu që, kur zgjedh projektin e vetvetes, ai zgjedh veten. Në fakt liria ime nuk mund të kufizohet me diçka tjetër, përpos me kufijtë e saj. Me një fjalë ne nuk jemi të lirë që ta pengojmë vetveten tonë të jemi të lirë.[8]
Ndërkaq, sipas krishterimit, liria e njeriut buron nga marrëdhëniet e njeriut me shpëtimin eskatologjik. Sipas botëkuptimit të krishterë, për t’u quajtur i lirë, njeriu duhet të kalojë nëpër tri faza: çlirimi nga mëkati, çlirimi nga ligji dhe çlirimi nga vdekja. Çlirimi nga mëkati realizohet duke i shërbyer krishterimit. Çlirmi nga ligji – fjala është për Ligjin e Musait – realizohet duke u pagëzuar, pasi liria e të krishterit është në Jezu Krishtin. Ndërkaq, dëshira më e madhe është çlirimi prej vdekjes. Sipas Palit dhe krishterimit, kjo botë nuk është me rëndësi, ngase është e keqe dhe veçse kalimtare për në botën e ardhshme. Në këtë botë njeriu duhet të punojë vetëm për të fituar botën e ardhshme të amshueshme, kur Jezu Krishti do të formojë mbretërinë qiellore.[9]
Kurse Martin Lutheri, themeluesi i protestantizmit, kur diskuton për shpëtimin e njeriut, nuk beson ai aspak se për të mund të ndikojë vullneti i lirë i njeriut, por njeriun e paraqet si diçka të krijuar asisoj që ai, me sjelljet dhe me mundimet e tij njerëzore, nuk ka mundësi të bëjë ndonjë ndryshim në shpëtimin e vet. E realizueshme është vetëm ajo që është e shkruar dhe njeriu mund vetëm t’i besojë.[10]
Ndërsa, në historinë islame janë zhvilluar mendime të ndryshme për lirinë e njeriut. Si më të rëndësishëm nga këto mund të numërojmë mendimin e kelamistëve, të cilët pandehin se njeriu zotëron liri të plotë vullneti dhe është krijues i punës së vet, gjë të cilën e mbrojnë mu’tezilitët. Ndërkaq, sipas fraksionit xheberit, njeriu nuk ka asnjëfarë lirie veprimi, vullneti apo mendimi, por ai është sikur gjethi, të cilin e mbart era. Kurse mendimi i përgjithshëm dhe më i pranuar është mendimi i Ehl – i Sunetit, ku bëjnë pjesë shkolla esh’arite dhe ajo maturidite. Sipas Ehl – i Sunetit njeriu është i lirë, por është i pamohueshëm fakti se njeriu në ahiret do të jetë përgjegjës për punët dhe veprimet e tij. Vetëm se, çdo gjë, para se njeriu të veprojë, Allahu xh. sh. e di. Dhe për shkak se i di të gjitha Ai është edhe përcaktuesi i atyre punëve apo veprimeve.[11]
Meqë në islam të gjitha mendimet e thëna në lidhje me lirinë e njeriut janë të bazuara në Kur’anin a.sh. dhe Sunetin e Pejgamberit a.s., është e qartë se as Kur’ani e as Suneti nuk e bllokojnë njeriun, por as e lënë atë të lirë, autonom nga Zoti. Pra, Zoti dhe njeriu janë dy realitete të pamohueshme. Zoti as nuk ia merr të drejtën njeriut po as nuk e lejon atë të mendojë të uzurpojë “të drejtën e Zotit”. Në këtë rast, pra, kemi të bëjmë me lirinë e kufizuar të njeriut dhe lirinë e pakufizuar dhe absolute të Allahut, në të cilën liria e kufizuar e njeriut është brenda lirisë së pakufizuar të Allahut. Kjo është kështu për arsye se edhe dituria, edhe mundësitë, edhe liria e njeriut janë të kufizuara. Meqë njeriu nuk mund të përfshijë as me dituri as me mundësi diturinë dhe mundësinë absolute, edhe liria e kufizuar e njeriut nuk mund të përfshijë apo të ngërthejë në vete lirinë absolute apo lirinë e pakufizuar të Allahut. Këtu si shembull mund të përmendim çështjen e krijimit. Allahu krijon, por krijimi i Tij është krijim prej hiçit (ex nihilo), siç është rasti i krijimit të botës, i krijimit të njeriut të parë etj. Nëse themi kushtimisht, se edhe njeriu krijon, atëherë ky krijim dallon nga krijimi i parë, sepse ky në fakt, nuk është krijim, por sajim, ndreqje, siç është rasti me ndërtimin e ndërtesave, apo rregullimin e një mobiljeje etj., gjëra këto lënda kryesore e të cilave ekziston, kurse Allahu është krijuesi i lëndës së parë. Për shembull, njeriu ndërton një ndërtesë, por është Allahu krijuesi i materies prej së cilës janë bërë mjetet për ndërtimin e ndërtesës.[12] Edhe klonimi, që kohëve të fundit ka marrë përmasa të mëdha, nuk është krijim prej hiçit, por “krijim” prej lëndës të cilën e ka Krijuar Allahu. Nëse kjo kuptohet kështu, atëherë nuk mund të ketë kundërshtime mes këtyre dy shprehjeve. Në bazë të kësaj që përmendëm më lart duam të themi se edhe liria e njeriut është e njëjtë, siç është rasti me krijimin, në relacion me lirinë absolute të Allahut. Kjo kuptohet edhe nga shumë ajete kur’anore, siç janë ajetet 151 – 152 e sures El-En’am, ku Allahu xh.sh, thotë:
“Thuaj: Ejani t’ju lexoj që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj: të mos i shoqëroni Atij asnjë send, të silleni mirë me prindërit, të mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë juve dhe ata, të mos u afroheni mëkateve të hapta apo të fshehta, mos e mbytni njeriun sepse mbytjen e tij e ndaloi Allahu, përpos kur është me vend. Këto janë porositë e Tij, kështu që të mendoni thellë”. “Mos ju afroni pasurisë së jetimit derisa ai të arrijë pjekurinë, (mund t’i afroheni) vetëm në mënyrën më të mirë, zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën. Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij. Kur të flitni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë edhe nëse është çështja për (kundër) të afërmit, dhe zotimin e dhënë Allahut plotësojeni. Këto janë me çka Ai ju porositë kështu që të përkujtoni.”
Apo ajeti:
“Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes, e Zoti yt nuk bën padrejtë ndaj robërve.”[13]
Nga këto ajete dhe ajete të tjera të Kur’anit kuptohet se njeriu nuk është robot, por ai ka një vullnet të lirë. Ka të drejtë të besojë ose të mos besojë. Por, kjo liri e njeriut nuk duhet të kuptohet si një liri e pakufizuar. Kjo kuptohet edhe nga vetë porositë që Allahu ia bën njeriut, duke e këshilluar për adhurim, respektim, ibadet, drejtësi etj.
Si përfundim mund të themi se njeriu, sipas islamit, është i lirë të veprojë në botën e tij. Për këtë dhe për çdo punë të vet ai është përgjegjës përpara Allahut. Kështu pra njeriu është i detyruar të zgjedhë o të mirën, Allahun, o të keqen, shejtanin. Ky është një realitet të cilit njeriu s’mund t’i shmanget. Për shembull, njeriu nuk mund të thotë se nuk lind, nuk ç’mendem, nuk vdes etj. Pra kjo tregon se jashtë mundësive të njeriut ekzistojnë mundësi të tjera më të mëdha, të cilave njeriu është i detyruar t’u nënshtrohet. Por, është me rëndësi të përmendet se njeriu nuk është Zot e as krijues, por është krijesë. Dhe si krijesë ai do të ndihet më i lirë kur t’i nënshtrohet Krijuesit. Që njeriu t’i nënshtrohet absolutes, gjegjësisht Zotit, ai duhet të jetë i lirë në botën e tij relative. Por, kur njeriu i nënshtrohet edhe relatives, atëherë, duke qenë se prej absolutes nuk mund të shpëtojë, të drejtën e tij për të qenë i lirë në veprim ai e përkufizon edhe në aspektin relativ. Islami nuk pranon as determinizmin e as pavarësimin ekstrem të njeriut. Në këtë formë, me anë të besimit në Allahun, njeriu e zotëron edhe lirinë e mendimit, edhe lirinë e veprimit. Apo me fjalë të tjera, është besimi në Allahun ai që njeriut ia mundëson lirinë e mendimit dhe të veprimit më të përsosur dhe më komplet.
[1] Maide, 27 – 31.
[2] Artur Schopenhauer, Etika, Shkup 1998, f.47 – 49.
[3] Erich Fromm, Arratisje nga liria, botoi Phoenix 1998, f.13.
[4] Vuko Paviqeviq, Bazat e etikës, Prishtinë 1981, f.95 – 95.
[5] Vep. e cit., f.96.
[6] Vep. e cit., f.97.
[7] Necati Öner, Insan Hürriyeti, Ankara 1995, f.41 – 42.
[8] Vep. e cit., f.47.
[9] Shih, Branko Boshnjak, Filozofija i krščanstvo, Zagreb 1946 – 1966, f.291 – 194.
[10] Shih, Hakan Olgun, Luther ve Reform, Katolisizm’e Protesto, Ankara 2001, f.118 – 121.
[11] Shih, Mehmet S. Aydın, Din Felsefesi, Ankara 1994, f.160; Omer Ozsoy dhe Ilhami Güler, Konularına Göre KUR’AN, Ankara 1997, f.383.
[12] Öner, vep. e cit., f.63 – 64.
[13] El-Fussilet, 46.