Intelektuali i Tetovës në vitet e fundit të shtetit Osman Beqir efendi Tojma

Shkruan: Hafiz Metin Izeti

Vitet e fundit të shtetit osman, si në Turqi ashtu edhe në viset që ishin nën administrimin e shtetit osman kanë kaluar me turbulenca të ndryshme në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Kjo periudhë  ka qenë e stërngarkuar edhe me mendimet dhe idetë e ristruktuimit të mendimit islam dhe klasifikimit të ri të shkencave dhe disiplinave teologjike islame. Është kjo periudha kur në Egjipt janë paraqitur mendimet e Xhemaluddin Afganiut, Muhammed Abduhu`se dhe me pas të Reshid Rida`së. Ata ishin të mendimit se metodologjia e shkencave islame duhet të përjetoje ndryshime rrënjësore dhe të merren shembull arritjet shkencore dhe metodologjike të perëndimit. Mendimet e tyre do të zgjerohen edhe në lindje edhe në perëndim veçanërisht pas botimit të revistës el-Urvetu`l-vuthka, që nxirrej nga Xhemaluddin Afgani dhe Muhammed Abduhu dhe më vonë me revisten el-Menar, që botohej nga nxënësi i tyre Reshid Rida. El- Menari nëpërmjet mendimeve ristrukturuese të Muhammed Abduhu`se dhe Emir Shekib Arslanit do të zgjerohet në tërë botën islame dhe perëndimore dhe me fjalë të tjera do të shndërrohet në një brend të mendimit bashkëkohor islam në botë.

Parapagues i revistës el-Menar në Tetovë ka qenë Beqir efendi Tojma, myderiz/profesor në medrese dhe mendimtar i shquar në vitet e fundit të shekullit të XIX dhe në fillim të shekullit XX.

Beqir efendi Tojma rrjedh nga një familje fisnike e Tetovës e cila ka qenë në miqësi edhe me familjen e Koxha Rexheb dhe Abdurrahman Pashës, bejlerëve të njohur të Tetovës, të cilët e kanë restauruar xhaminë e Larme dhe teqenë Harabati Baba. Beqir efendi Tojma është djali i Haxhi Ademit dhe nipi i Ibrahim Çaushit, ndërsa ka qenë i martuar me zonjën Sabrije nga familja e Pllavëve të Tetovës. Beqir efendi Tojma ka lindur në vitin 1853 në Tetovë. Mësimet fillestare i ka marrë në Tetovë, pastaj ka vazhduar në Shkup dhe arsimimin e lartë e ka përfunduar në Stamboll. Pas përfundimit të studimeve, ai një periudhe ka qëndruar në Stamboll dhe është marrë me hulumtime shkencore. Një pjesë e konsiderueshme e veprave të tij, disa në dorëshkrim dhe disa të botuara, që kanë qenë në bibliotekën në shtëpine e tij në Tetovë, janë djegur në luftrat e njëpasnjëshme që kanë ndodhur në viset tona duke filluar nga luftrat e ballkanike e deri në vitin 1945.

Beqir efendi Tojma në medresenë e tij ka edukuar numër të madhë të nxënësve të cilet me vonë kanë shërbyer në vise të ndryshme të shtetit osman. Në mesin e tyre, mund të përmendet Mehmed Hurshid efendiu, i lindur në vitin 1869 në Tetovë, i cili pas përfundimit të studimeve në Stamboll ka shërbyer si myderiz-profesor në medresenë e Fatihut në Stamboll dhe në ixhazetnamet-diplomat e një pjese të konsiderueshme të hoxhallarëve të trojeve shqiptare përmendet edhe emri i tij. Gjithashtu nxënës i tij ka qenë edhe Sulejman efendi Shehabi dhe shumë të tjerë.

Unë emrin e Beqir efendi Tojmes e kam degjuar prej Hafiz Taxhedin efendiut dhe Garib efendiut. Që të dy kishin respekt të veçantë për emrin e Beqir efendiut. Ata nuk e kishin takuar atë, pasi Beqir efendiu ka ndërruar jetë ne vitin 1917, por ama nga hoxhallarët  e tyre dhe nga librat në bibliotekën e tij e vlerësonin dijen dhe kontributin e tij. Në bibliotekën e tij ka pasur edhe dhjetra numra te revistës el-Menar e cila asokohe është botuar në Kajro dhe siç u përmend më sipër, ka qenë një revistë avangarde e mendimit islam. Hafiz Taxheddin efendi Shehapi, rahmet pastë, më ka rrëfyer se Beqir efendi Tojma ka koresponduar me Reshid Rida`në dhe disa letra të tij janë botuar  në revistën e lartëpermendur.

Garib efendiu shpesh e përmendte emrin e Beqir efendiut dhe thoshte që ai është njohur edhe me Hoxhë Tahsinin, rektorin e parë të universitetit bashkëkohor Daru`l-Funun të Stambollit. Edhe pse ne nuk kemi në duar asgjë nga shkrimet e tij, por ama kontaktet e tij me dijetarët më me famë të kohës se vet e tregon qartë platformën e tij intelektuale dhe shkencore. Janë këto vitet 1870-1917 kur korespodenca ka qenë shumë e vështirë dhe komunikimi ka zgjatur me muaj, veçanërisht nëse e kemi parasysh se Tetova edhe ka qenë një periferi e thellë për botën shkencore të asaj kohe. Gjithashtu, edhe profili shkencor dhe shoqëror i nxënësve të dalur nga medreseja e tij e tregon qartë përgatitjen intelektuale dhe kulturore te Beqir efendi Tojmes.

Si rrjedhojë, mund të thuhet se Beqir efendi Tojma është një intelektual i vyeshëm i rajonit të Tetovës në periudhat më të vështira për këtë hapësirë dhe mendoj se vepra e tij duhet të studjohet duke u bazuar në dokumentet arkivore dhe dorëshkrimet në bibliotekat e Stambollit, me qëllim që të kemi pasqyrë më të qartë për veprimtarinë  e tij shkencore.

Allahu e dashtë dhe e miqësoftë me të mirët.